Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja dy operacionet e SHBA për rrëzimin e regjimit të Hoxhës, bashkëpunime me inteligjencën greke e italiane në 1949

Postuar: 17/11/2017 - 08:52

Në vitin 1949 CIA po përdorte shumë tentativa për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Në një dokument të deklasifikuar së fundmi, tregohet se si u bashkëpunua me Italinë dhe Greqinë për të përmbushur misionet. Nga ana tjetër, janë dhënë detaje dhe mbi aktivitetet në ushtrinë shqiptare.

3 maj 1949

Operacionet e inteligjencës në Shqipëri nga Italia e Greqia

Aktualisht dega e jashtme është e angazhuar në dy operacione inteligjence kundër Shqipërisë dhe do të nisin një të tretë gjatë muajit qershor. Detajet e tyre listohen më poshtë:

Plani I

Operacione të përbashkëta me inteligjencën detare italiane për infiltrim të grupeve të inteligjencës në Shqipëri në rrugë ajrore. Organizata u kontaktua nga inteligjenca detare italiane në pranverën e vitit 1948 me propozimin për operacione të përbashkëta inteligjence në Shqipëri. Në korrik 1948, u dha aprovimi final për përkushtimin tonë në operacion, ku përfshihet edhe dhënia e një avioni C-47 për lëshimin e personelit dhe furnizimeve. Një oficer i shërbimeve italiane të inteligjencës ka punuar bashkë me grupin për zhvillimin e operacionit. Avioni C-47 erdhi në tetor 1948 dhe furnizimet e tjera u siguruan nga Gjermania e Zvicra. Anëtarët e grupit u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi, dhe transporti i sigurua nga CIA. Agjentët e dërguar në Shqipëri do të kontaktojnë me lëvizjet lokale të rezistencës me anë të liderëve të tyre, të identifikuar në memorandumet të datës 18 janar. Të gjithë individët janë kontrolluar në skedarët e CIA për informacione denigruese. Shqiptarët janë zgjedhur për arsye të lidhjeve të tyre familjare në rajonet qendrore të Elbasanit e Mirditës, ku është raportuar më parë për ekzistencën e grupeve të rezistencës. Në grupe përfshihen agjentë të besimeve myslimane dhe katolike. Lideri shqiptar në Itali i cili ka punuar në matinën italiane dhe CIA, është Ismail Verlaci.

Infiltrimi

Objektivi i parë i planit është infiltrimi i agjentëve nga ajri, të cilët të pajisur mjete transmetimi radio do të vendosin kontakte me grupet vendase të rezistencës, për të mbledhur informacione. Fillimisht ata do të vëzhgojnë situatën lokale dhe do të vendosin një bazë komunikimesh dhe marrjes së furnizimeve të lëshuara nga ajri. Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes. Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë.

Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak. Më 24 prill Ismail Verlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoria në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.

Prill 1953

Organizimi i propagandës në forcat e armatosura

Partia e Punës së Shqipërisë ushtron autoritetin e saj mbi jetën kulturore të vendit dhe të forcave të armatosura me anë të institucioneve të caktuara të ministrisë së Mbrojtjes dhe sektorit të agjitacionit e propagandës kulturore. Propaganda kulturore në ushtri e ka qendrën e saj në Shtëpinë Qendrore të Oficerëve në Tiranë, nga ku organizohen degët e saj si Kori i Ushtrisë Popullore, Teatri i Ushtrisë Popullore, Baleti i Ushtrisë Popullore, Orkestra Qendrore e Ushtrisë Popullore, apo Kinemaja e Shtëpisë së Oficerëve. Dega politike e agjitacion-propagandës ka gjithashtu seksionin politik të agjitacionit kulturor dhe seksionin politik të organizatave bazë të partisë. Organizimi i aktiviteteve kulturore në forcat e armatosura kryhet në motive të ngjashme me aktivitete të tjera komuniste. Autoriteti qendror i propagandës është seksioni i ushtrisë në komitetin qendror i cili kalon direktivat te seksioni i agjitacioni kulturor në ministrinë e mbrojtjes. Ky i fundit kontrollon Kubin Qendror të Oficerëve në Tiranë dhe nëndegët e agjitacionit në batalionet dhe regjimentet e veçanta ushtarake. Nëse një batalion mbikëqyret nga regjimenti, ai ka organizatën bazë të partisë. Nëse ai është i pavarur, si për shembull Shkolla e Artilerisë Bregdetare në Durrës, atëherë ka seksionin e ti politik. Seksioni i agjitacionit kulturor drejtohet nga një oficer me rang kapiteni, i cili mbikëqyr aktivitetet kulturore të divizionit. Kori i divizionit përbëhet nga rreth 50 zërat më të mirë, dhe punon në bashkëpunim me drejtuesit e korit të Teatrit Popullor të rajonit ku ndodhet divizioni ushtarak. Baleti ose Grupi i Valleve të divizionit përbëhet nga 20 kërcimtarët më të mirë. Deri në vitin 1949 divizionit kishin edhe kompani teatrale, por me reduktimin e fondeve ato u shkurtuan, për t’u fokusuar më shumë te armatimi. Tashmë aktivitetet teatrale kufizohen në skeçe dhe komedi të vogla. Orkestra qendrore e divizionit luan muzikë për koret dhe grupet e kërcimit në shtëpitë e oficerëve që ndodhen në të gjitha qendrat rajonale. Në Tiranë ka dy kinema ushtarake, ndërsa disa njësi të mëdha kanë kinematë e tyre lëvizëse, në formë projektori të instaluar në kamion. Personali ushtarak mund të ndjekë filma dhe në teatrot e kinematë civile të dielave falas. Rreth 75 për qind e filmave janë sovjetikë ushtarakë, dhe 25 për qind janë sovjetikë me subjekt jo-ushtarak. Njësitë ushtarake marshojnë në paradë kur shkojnë drejt këtyre shfaqjeve, duke kënduar në kor. Shtëpia Qendrore e Oficerëve në Tiranë është një ndërtesë tre-katëshe e ndërtuar gjatë pushtimit italian. Regjimi komunist ndërtoi dhe një kinema brenda saj. Kori i saj përbëhet nga 70 ushtarë dhe oficerë. Në vitin 1952 ai drejtohej nga kapiteni Gaqo Avrazi.

Privilegjet

Të vetmet privilegje për seksionet kulturore të ushtrisë janë lejet jashtë detyre që përfitohet nga marrja e fletë-lavdërimeve nga divizioni. Ata nuk marrin shpërblime në para por kanë prioritet për lirim në fund të shërbimit ushtarak. Repertori i koreve të ushtrisë është zakonisht 80 për qind sovjetik dhe 20 përqind shqiptar ose nga vendet e tjera komuniste. Sipas urdhrit të drejtorisë politike të ministrisë së mbrojtjes, të paktën 10 për qind e këngëve duhet të këndohen në gjuhën rumune. Këngët kryesore janë Kënga e Stalinit,, Marshi i Ushtrisë së Kuqe, Moska Fitimtare, Garda e Kuqe, Katjushka, Traktoristja, Taksistat. Rreth 80 për qind e valleve janë sovjetike nga rajonet kazake, azerbajxhane dhe turkmenistane, ndërsa pjesa tjetër janë shqiptare. Repertori teatral përfshin vepra anti-kapitaliste që performohen dhe në teatrot civile si Piratët në Kore, apo Shatrivani i Bacisarait, që dënon regjimet primitive kapitaliste në Azi. Ndër filmat e shfaqur për personalin ushtarak përfshihen Manovrat e Ushtrisë së Kuqe, Aktiviteti Fizkulturor në Ushtrinë e Kuqe, Akademitë dhe Institucionet e Ushtrisë së Kuqe, dhe Ushtria e Kuqe, Mbrojtja e Paqes në Botë. Shtypshkronja ushtarake e drejtorisë politike në minsitrinë e mbrojtjes ka botuar publikime si revista dy-javore Luftëtari, e përmuajshmja Revista Ushtarake, broshurën e përmuajshme Shënime për Agjitatorët, dhe Punëtori i Partisë. Drejtoria politike e ministrisë së mbrojtjes ka gjithashtu Dhomën e Kulturës në çdo qendër rajonale që zakonisht është vetëm një dhomë me portrete të Leninit, Stalinit dhe Enverit, buste të diktatorëve dhe flamurë shqiptarë e sovjetikë. Në mure ka gjithashtu mbishkrime si “Proletarë të gjitha vendeve bashkohuni” ose portrete të anëtarëve të byrosë politike të BRSS. Kampi socialist ilustrohet në foto të ndryshme nga vendet e “demokracive popullore”, peticione të paqes, foto të konferencave të paqes, apo karikatura të Churchill e Truman. Në dhomën e kulturës gjendet gjithashtu Tabela e Nderit me emrat e ushtarëve më të mirë, të zgjedhur nga organizata e partisë.

Shkurt 1954

Procedura e punësimit

Në Shqipëri nuk ka agjenci private punësimi dhe askush nuk mund të kërkojë ose ofrojë unë në gazetë. I gjitha aktiviteti duhet të kryhet sipas rregullave të qeverisë. Të gjithë qytetarët mi moshën 18 vjeç duhet të regjistrohen në zyrën e punës. Në Tiranë zyra e punës gjendet në selinë kryesore të Komitetit të Partisë së Tiranës në sheshin Skënderbej. Zyra të ngjashme me të gjendet në qendrat kryesore rajonale. Aplikuesit për punë duhet të dorëzojnë në zarf te zyra e punës dokumentacionin e prejardhjes politike, besnikërisë dhe reputacionit, që ka marrë nga komiteti ekzekutiv i rajonit të tij. Nuk kërkohen pagesa. Punonjësi i zyrës e regjistron aplikimin dhe më pas kërkon pasaportën e aplikantit dhe kartën e anëtarësisë në Frontin Demokratik. Nëse ai zotëron kartën e Frontit ai nuk pyetet më, kurse kur nuk e ka i kërkohen arsyet se përse nuk është anëtar i Frontit Demokratik. Aplikanti zakonisht i përgjigjet se nuk e ka marrë akoma kartën ose i është tërhequr për arsye ideologjike. Rrallëherë i jepet punë atyre që nuk kanë kartën e Frontit Demokratik, por edhe kur rastis të marrin punë është vetëm e përkohshme në formë hamalli ose gurëthyesi. Politika e caktimi të punëve më të këqija për personat me origjinë të pashëndetshme politike është një nga armët kryesore të regjimit. Pas dorëzimit të dokumentacionit aplikantit i thuhet se duhet të kthehet në fund të javës. Më tej, seksioni i punës merr vërtetimet e aplikantit dhe shton te to komentet ose rekomandimet e veta, para se ta dërgojë dokumentacionin te komiteti i partisë. Atje dokumentet studiohen më tej për të vendosur nëse personi është i përshtatshëm dhe për të caktuar vendin apo rolin e tij. Zyrtarët e partisë mund të influencojnë për caktimin e vendeve të punës, ose vetë personi përdor njohjet e tij në ndërmarrjet shtetërore për vendet e lira të punës. Nëse një drejtues i ndërmarrjes del garant për punësimin e një personi të caktuar, atëherë procedura bëhet më e shpejtë. Kur personi që aplikon për herë të parë rikthehet në zyrën e punës pas një jave ai bën një intervistë me kryetarin e personelit, i cili zakonisht thotë se ende nuk është gjetur një vend pune. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 17

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2017 - 10:31

Dështimi i tentativave të CIA për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës gjatë vitit 1949, detyruan amerikanët që të shtyjnë afatin e hedhjes në veprim.

Postuar: 09/12/2017 - 08:47

CIA ka zbardhur të tjera detaje nga regjimi komunist. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, përshkruhen zhvillimet gjatë viteve 1949-1952.

Postuar: 08/12/2017 - 09:00

Gjatë regjimit komunist, CIA tentoi dhjetra mënyra për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 07/12/2017 - 08:58

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente s ai takon zhvillimeve politike në Shqipërinë komuniste. Në disa të dhëna të fundit.

Postuar: 06/12/2017 - 08:53

Dalin në dritë të tetar detaje mbi misionet e SHBA në Shqipërinë komuniste për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

Postuar: 03/12/2017 - 08:31

CIA ka pasur të dhëna tepër të sakta mbi ish-diktatorin Enver Hoxha.