Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja si amerikanët tentuan të nisnin revolucion ndaj Enver Hoxhës përmes ushtrisë, synohej nxitja e përçarjeve në PPSH përmes dhuratave

Postuar: 28/07/2018 - 09:00

CIA ka bërë një bilanc të operacioneve të para të saj në vendin tonë. Rreth vitit 1950 CIA vendosi të angazhohej për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri ndërsa tregohen të gjitha teknikat që u ndoqën, ndonëse pa sukses. Sipas CIA, një ndër tentativat ishte që të nxitej revolta brenda radhëve të ushtrisë, pasi kjo do e bënte më të lehtë rrëzimin e sistemit. Po ashtu tregohet se një teknikë që u ndoq për të krijuar përçarje brenda Partisë së Punës është duke dërguar dhurata apo hapur llogari bankare në emër të anëtarëve të saj.

Nëntor 1951

Raport projekti BGFiend

Që prej nisjes së tij në 1949, projekti ishte një sipërmarrje e koordinuar me britanikët dhe kishte si objektiv kryesor përmbysjen e regjimit të dominuar nga sovjetikët në Shqipëri, duke mundësuar kështu vendosjen e një qeverie të mbështetur nga populli shqiptar me objektiva jo-kundërshtarë ndaj atyre të Shteteve të Bashkuara për rajonin. Në vija të përgjithshme këto objektiva ishin eliminimi i bazës së mbështetjes për guerillasit komunistë grekë, mohimi i një bazë të mundshme ajrore tokësore e detare në Mesdhe për sovjetikët dhe dhënia e një stimuli psikologjik ndaj vendeve prapa Perdes së Hekurt, duke demonstruar mundësinë e përmbysjes së një regjimi komunist që mund të duket si i rrënjosur thellë. Veprimet për këto objektiva parashikohej të zhvilloheshin sipas katër elementëve kryesore: Krijimit dhe mbështetjes së Komitetit Kombëtar Shqiptar të përbërë prej grupeve të ndryshme të shqiptarëve në emigracion, organizimit dhe stërvitjes së patriotëve shqiptarë jashtë vendit në kuadër të Komitetit, organizimit dhe stërvitjes së simpatizantëve brenda Shqipërisë, dhe krijimi i një grupi të përkohshëm nën mbikëqyrjen e Komitetit që do të funksionojë si qeveri pas grushtit të shtetit. Projekti u zhvillua sipas koordinimit të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Zhvillimet politike në Ballkan gjatë kësaj periudhe sollën një ndryshim të gjendjes së çështjeve që rrjedhimisht sollën ndryshim edhe të objektivave për Shqipërinë. Faktorët e rinj ishin ndarja e Titos nga blloku i Kominform dhe eliminimi i suksesshëm i lëvizjes guerile komuniste ndaj Greqisë. Këto pika që sollën ndryshimin kishin të bënin me ndryshimin e mendësisë së Jugosllavisë ndaj Perëndimit dhe ndoshta frikën e veprimit sovjetik kundër Titos me pretekstin e ndihmës ndaj Shqipërisë.

Problemet

Me hartimin e objektivave të reja për reduktimin e vlerës së Shqipërisë ndaj sovjetikëve tentuam të trazonim kontrollin e autoriteteve komuniste në vend duke i ngacmuar me vështirësi të brendshme. Inkurajuam popullin shqiptar në rezistencën e tyre duke ruajtur shpresat e çlirimit të mëvonshëm dhe duke i përgatitur psikologjikisht për çlirim nga tirania komuniste. Nxitëm krijuam dhe mbështetëm një rrjet fillestar rezistence që do të përdorej si bazë për lëvizjen e çlirimit të vendit, në rast se një objektiv i tillë bëhej politikisht dhe strategjikisht i dëshirueshëm. Por mungesa e një programi kombëtar afatgjatë ka penguar planet tona edhe pse çdo përpjekje është bërë gjatë konsultimeve të shpeshta me DASH për qartësimin e politikave. Në diskutimin e fundit më 8 gusht 1951 u bë e qartë se ende nuk ishte caktuar një program i qartë, edhe pse dëshirohej ruajtja e influencës amerikane në vend. Mes pikave më të rëndësishme për CIA janë paragrafët e cituar: Shtetet e Bashkuara kanë si objektiv për Shqipërinë shtetin e pavarur, miqësor ndaj Perëndimit. Koncepti origjinal ishte që kjo të arrihej me anë të një force të shpejtë prej rreth 1000 shqiptarësh të armatosur që do të stërviten si pjesë e përpjekjeve anglo-amerikane. Kjo ide po mendohej seriozisht për zbatim në fazat e para të operacionit dhe mbështetej nga Komiteti Kombëtar, por deri në pranverë 1950 u braktis tërësisht pasi ky tip veprimi nuk konsiderohej më praktik për të ardhmen e afërt.

Operacionet

Operacionet e vitit 1949 nga britanikët ishin infiltrim i gjashtë grupeve agjentësh nga e njëjta parti politike, që ishin zgjedhur e stërvitur para organizmit të përbashkët me SHBA. Këtu ishin kryesisht për të mbledhur inteligjencë dhe nuk mbeteshin gjatë në vend, për arsye të vështirësive që kanë hasur. Operacionet amerikane nisën me të vërtetë në fund të pranverës 1950. Ushtarakët kryesore shqiptarë u zhvendosën në Kompaninë e Gardës Shqiptare në Gjermani, e cila u krijua zyrtarisht në qershor 1950 në Munih. Ajo shërbeu si pika e grumbullimit nga ku zgjidheshin agjentët e përdorur në operacionet e viteve 1950 e 1951. Skuadrat e para u stërvitën në verë dhe 3 grupe me një total prej nëntë agjentësh u infiltruan nga ajri në nëntor 1950. Gjatë kohës së rekrutimit dhe stërvitjes së agjentëve ne vazhduam me fushatën e luftës psikologjike dhe krijuan nën-komitetin e propagandës për përgatitjen e materialeve të tekstit që do të lëshoheshin si dhe për gazetën e Komitetit Shqipëria e Lirë. Lëshimi i parë i fletushkave u krye më 16 tetor 1950 me një avion britanik në Greqi. Ka pasur deri tani 6 lëshime ajrore fletushkash dhe 3 britanike, si dhe 11 fluturime ku fletushkat janë lëshuar në formë mbulimi e kamuflazhi për operacione të tjera që janë kryer me ato fluturime. Kjo përpjekje propagande ka qenë e suksesshme pasi fletushkat jo vetëm që kanë marrë vëmendje të madhe në Shqipëri por dhe gazeta e Komitetit është e lexuar gjerësisht dhe gëzon prestigj e influencë në rrethet shqiptare në botë. Ne po prodhojmë dhe versione më të vogla të saj për t’u përdorur në lëshimet ajrore dhe në fushatën e propagandës me postë ndaj individëve të caktuar. Është konfirmuar me besueshmëri se fushata e luftës psikologjike ka pasur impakt te popullsia dhe agjentët e infiltruar konfirmojnë se numri i të arratisurve është shtuar ndjeshëm që prej nisjes së lëshimeve. Një tjetër konfirmim vjen dhe nga sulmet publike të vetë qeverisë komuniste ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë.

Infiltrimet

Operacionet tona të infiltrimit të agjentëve nisën me tre grupet e sipërpërmendura në fund të 1950 dhe më tej në verën e 1951 me infiltrime si nga ajri dhe në rrugë tokësore. Agjentët ishin udhëzuar ta stabilizonin veten brenda vendin dhe nëse është e mundur të nxisnin një rezistencë të koordinuar duke kontaktuar me të gjitha grupet që mund të gjenin. Ata kanë mbledhur inteligjencë operacionale dhe kanë përhapur propagandën e KSHL. Fillimisht ne u përpoqëm të mbanim kontaktet me grupet me anë të lidhjeve radio-telefonike me frekuencë të lartë por aparatet rezultuan me besueshmëri të ulët prandaj iu rikthyen të komunikimeve standarde radio. Aktualisht kemi komunikim me një grup që ka stabilizuar pozitën e tij në veri të Shqipërisë dhe është furnizuar disa herë me anë të lëshimeve. Një total prej 10 grupe agjentësh, me 39 njerëz, është dërguar në Shqipëri në periudhën nëntor 1950 tetor 1951.. nga këta 13 njerëz janë rikthyer me sukses në Greqi, 6 janë strehuar në Jugosllavi, 4 janë kapur dhe dënuar si spiunë nga autoritetet shqiptare, 9 janë vrarë në aksion dhe 7 besohet se janë ende operativë edhe pse aktualisht kemi kontakte vetëm me 4 prej tyre. Megjithëse humbjet kanë qenë të rënda dhe llogariten afro me një të tretën e njerëzve, dhe megjithëse është vendosur ndryshimi i metodave operacionale, operacionet fillestare kanë qenë një burim i vlefshëm përparimi dhe eksperience pasi kanë siguruar një masë të madhe informacioni që nuk mund të ishte marrë në mënyra të tjera. Kjo na ka bërë që ne të kuptojmë më mirë problemet me të cilat përballemi.

Transmetimet klandestine

Një fazë e veçantë e luftës psikologjike është “propaganda e zezë” me transmetimet klandestine në gjuhën shqipe. Fillimisht u planifikua që transmetimet të bëheshin me një mjet detar nga ujërat e Jonit, pasi mendonim se do të ishte e vështirë që të operonim stacionin klandestin nga vendet fqinje. Pro si rezultat i vështirësive teknike me instalimin e aparatit në barkë, projekti u braktis. Problemi u zgjidh me një marrëveshje me shërbimet sekrete greke, që na lejuan ngritjen e një stacioni të vogël radio pranë Athinës ku përdorën aparatet e hequra nga barka dhe mjete të tjera që gjendeshin aty paraprakisht. Transmetimet nga Athina në emër të Komitetit SHqipëria e Lirë nisën në 18 shtator 1951. Një tjetër element dytësor i luftës psikologjike kanë qenë programi letrave e pakove të dërguara nga Roma për individë të ndryshëm, me qëllim turpërimin dhe ngritjen e dyshimeve mbi zyrtarë të caktuar të regjimit komunist. Programi përfshin korrespondencë me letra për llogari bankare inekzistente, në formë përgjigjesh ndaj interesimit inekzistent mbi hapjen e llogarive etj., ose me dërgimin e sendeve të vogla të luksit sipas porosive inekzistente nga gratë e komunistëve. Fondet që ne kërkojmë për zhvillimin e operacioneve në 1952 do të përdoren për ambientet e stërvitjes, pajisje të tjera dhe për krijimin e një depoje të vogël armatimesh e municionesh.

Mësime e konkluzione nga operacionet

Duke u përpjekur të përfitojmë sa të mundim nga eksperienca e mëparshme për hartimin e planeve për vitin që vjen, në tetor të këtij viti u mbajt në Romë një diskutim i përbashkët me Britanikët për operacionet. Përfaqësues nga Uashingtoni, Londra dhe agjentë të terrenit analizuan aktivitetet dhe nxorën konkluzionet për planet e përgjithshme të 1952. Opinioni i përgjithshëm ishte se operacionet në Shqipëri kishin prodhuar rezultate konkrete dhe kishin dhënë si për ne dhe britanikët një masë të madhe eksperience që nuk mund të përftohej në rrugë tjetër. U pranua se disa koncepte ku operacionet ishin bazuar rezultuan të gabuara dhe nuk duhet të ndiqeshin më në planet e 1952. Një prej tyre ishte përdorimi i një numri të madh grupesh me agjentë me njerëz të rekomanduar nga Komiteti Shqipëria e Lirë, si dhe mbi pjesëmarrjen e krahut ushtarak të komitetit në çështjet operacionale të organizimit. Mungesa e suksesit gjatë përdorimit të grupeve të shumta të zgjedhura ose të rekomanduara nga Komiteti, rezulton se vjen prej dy arsyeve kryesore; paaftësia për të mbijetuar në kushtet e vështira në vend e personelit të nivelit të ulët të përdorur, dhe së dytë siguria e ulët e aktivitetit tonë prej përfshirjes së Komitetit në aktivitet, edhe pse këta të fundit nuk kanë akses në të dhënat e infiltrimeve, lëshimeve apo informacione të tjera kritike. Duke u përpjekur të nxirrnim mësime nga pengesat, në politikat e vitit 1952 do ruhen të tjera parime si zhvillimi i teknikave më klandestine për rekrutimin, stërvitjen dhe infiltrimet e agjentëve, të cilët do të ngarkohen me misione specifike, përkundër misioneve me objektiva të përgjithshëm e të përbashkët.

Synimet

Përpjekje do të bëhen për rekrutimin e agjentëve të nivelit më të lartë, që do të na lejojnë kontakte me njerëz më të rëndësishëm e më me influencë brenda vendit. Ata do të rekrutohen në mënyrë të pavarur nga Komiteti Shqipëria e Lirë apo pika të tjera të kompromentuara si Kompania e Gardës apo kampet e refugjatëve në Greqi, Itali dhe tjetërkund. Komiteti Shqipëria e Lirë nuk do të lejohet të marrë pjesë në çështjet operacionale dhe të agjentëve. Më shumë vëmendje do t’i jepet stërvitjes së agjentëve për mbijetesë dhe do të përfshihen vendndodhje të reja stërvitore. Përveç infiltrimeve ajrore e tokësore do të bëhen përpjekje për krijimin e aseteve për infiltrim detar, me të cilin britanikët kanë regjistruar sukses të konsiderueshëm si në zbarkime dhe në tërheqjen e grupeve nga tokat shqiptare. Si një ilustrim i operacioneve të reja që ne propozojmë, mund të citojmë marrëveshjet e bëra me ish-mbretin shqiptar Zog për një grup të veçantë inteligjence. Ky tip misioni mund të jetë i rëndësishëm pasi ne dhe britanikët besojmë se revolucioni që do të pasojë në Shqipëri është i varur në masë të konsiderueshme nga dezertimi thuajse masiv i ushtrisë. Në lidhje me këtë mbreti Zog do të angazhojë dy oficerë që kanë lidhje me zyrtarë shqiptarë të forcave të armatosura dhe të administratës. Në do t’i infiltrojmë këta njerëz nga toka për zhvillimin e një misioni gjashtë-javor zbulimi, për të kontaktuar me zyrtarë në poste dhe për të përcaktuar gjendjen aktuale dhe masën e përafërt të oficerëve apo të tjerëve që mund të na ndihmojnë në përmbysjen eventuale të pushtetit. Për arsye të pozitës së tyre të mëparshme në vend dhe për faktin se janë më të arsimuar se shumica e agjentëve të deritanishëm, besohet se ky mision ka më shumë shanse të prodhojë rezultate të vlefshme. Në lidhje me tipet e tjera të operacioneve për vitin 1952, pikëpamja anglo-amerikane ishte të vazhdojmë lëshimet e fletushkave për të ruajtur nivelin e propagandës. U propozuan gjithashtu hartimi i mënyrave të reja të luftës ekonomike, megjithëse deri tani veprimi në këtë front ka qenë i vogël pasi e gjithë tregtia e jashtme shqiptare bëhet vetëm me vendet satelite sovjetike, përveç një pjese të vogël tregtie që lëviz nga Trieste të cilën do ta godasim. Ne ramë dakord gjithashtu për një riorganizim të Komitetit për ta bërë më funksional e më fleksibël, me qëllim të tërheqë sa më shumë mbështetës. Aktualisht jo të gjithë anti-komunistët shqiptarë janë të përfaqësuar në Komitet dhe duam t’i japim shansin për t’u bashkuar dhe disa grupeve ish-fashiste. Dëshira për zgjerimin e përfaqësimit të Komitetit vjen prej mbështetjes që këto grupe të ndryshme kanë në popullatë të cilat mund të jenë të dobishme. Si rezultat i diskutimeve tona në Romë ne ramë dakord do të jetë nevoja për një forcë të shpejtë prej më shumë se 1000 njerëz.

Diskutimet finale

Në konkluzion ne duam të theksojmë se për arsye të izolimit nga Blloku Sovjetik, dobësisë ushtarake dhe politike dhe armiqësisë së popullit të saj ndaj regjimit komunist, Shqipëria është vendi më i thjeshtë për t’u ndarë nga blloku lindor, dhe ku shtytja e Perdes së Hekurt mund të bëhet me kosto më të vogla e me shanse më të madha suksesi. Duke parë vendndodhjen gjeografike dhe situatën e brendshme Shqipëria rezulton si terreni më i mirë stërvitor për aktivitetet e CIA të tipit OPC. Politikat e SHBA për Shqipërinë përfshijnë gjithashtu arritjen e një Shqipërie të pavarur, miqësore ndaj Perëndimit. Ne besojmë se përpjekjet diplomatike dhe të rrugëve të tjera jo-militante duhet të ndiqen për arritjen e këtij objektivi. SHBA beson se ka terren për veprim të organizuar e koordinuar dhe kjo mund të arrihet me rreziqe minimale diplomatike. Departamenti i Shtetit dëshiron që aktualisht aktivitet e CIA të kenë si objektiv primar krijimin e një organizate me pozicion të fortë dhe përgatitje si brenda dhe jashtë Shqipërisë. SHBA kërkon promovimin e një Shqipërie jo-komuniste dhe trazimin e marrëdhënies së saj me Bashkimin Sovjetik, me qëllim final ndërprerjen e influencës dhe pushtetit të BRSS në vend. Si pjesë e politikave të SHBA në Greqi në rast të një sulm komunist ndaj vendit, dëshirohet mbështetja e luftës antikomuniste në zonat e konfliktit, e cila kërkon përgatitjen e mjeteve të brendshme e të jashtme për fushatën antikomuniste guerile në Shqipëri. Sipas udhëzimeve të ushtrisë për rajonin e Ballkanit, është e nevojshme krijimi i pikave potenciale të rezistencës për kohë paqeje. Sipas këtyre konkluzioneve, rekomandohet ndjekja e aktiviteteve të Shqipërisë në formën e tyre aktuale dhe aplikimi i konkluzioneve të takimit të Romës. Për vitin 1952, operacionet e agjentëve do të na sigurojnë të tjera kontakte për depërtimin në qeverinë dhe front e armatosura të vendit, me qëllimin organizmin e dezertimeve masive në prag te revolucionit. Këto operacione do të përdorin personal të kalibrit të lartë dhe do të kryhen me siguri të shtuar për të siguruar që ky tip personali të mund të përdoret në terma afatgjatë. Operacionet do të sjellin gjithashtu prodhim inteligjence. Do të kryhen gjithashtu operacione speciale ngacmimesh dhe propagande si nga brenda dhe nga jashtë vendit për të ruajtur kurajën dhe moralin e popullit shqiptar. Do të vazhdojë programi i luftës psikologjike sipas linjave të zbatuara më parë, kryesisht me propagandën radio, propagandën e fletushkave dhe lëshimeve të paketave ushqimore. Zhvillimi i kapaciteteve për operacionin final të përmbysjes së pushtetit do të përfshijë krijimin e një force me 500 njerëz të zgjedhur që do të mbahen në Kompaninë e Gardës në Gjermani, e cila do të udhëheqë lëvizjen e rezistencës kur të vijë koha e duhur, për të cilën një pjesë e armatimeve gjenden të depozituara në Greqi. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pjesë e saj. Në një dokument të deklasifikuar tregohet se mund të kishte një bashkim Shqipëri-Jugosllavi.

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.

Postuar: 13/09/2018 - 07:06

 CIA tregon me detaje se si qeveria komuniste nisi të përçahej në fillimet e saj.