Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja si Tito përçau shqiptarët në Greqi, emrat që do drejtonin kryengritjet ndaj Enver Hoxhës dhe letra e Ismail Vërlacit

Postuar: 03/09/2017 - 08:50

Jugosllavia bëri me qindra tentativa për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, por nuk ja doli. CIA ka deklasifikuar një dokument të vitit 1950, ku tregohet roli i refugjatit Abaz Ermeni. Ai ishte arratisur në Jugosllavi dhe më pas kjo e fundit e përdori atë për të ndërhyrë te shqiptarët në Greqi. Në dokument tregohet misioni i tij dhe përplasjet që  solli pasi shqiptarët atje nuk e besuan. Po ashtu paritet dhe një letër e Ismail Vërlacit.

Aktivitetet e Abaz Ermenit në Greqi

Shtator 1950

Kthimi në Athinë nga Italia i refugjatit shqiptar Abaz Ermeni, i cili një vit më parë ishte larguar me ndihmën e britanikëve, ka krijuar një zhurmë të pazakontë mes rretheve të shqiptarëve të Epirit të Veriut dhe refugjatëve të tjerë në Greqi. Ata kanë kërkuar të mësojnë qëllimet ardhjes me qëllim që të kundërshtojnë planet e tij. Shqiptarët e pritën Ermenin me skeptcizëm. Ata e kishin informacionin se një agjent i britanikëve kishte shkuar në Trieste në 1949 për të nënshkruar bashkëpunimin me një përfaqësues të Titos, Kasanoviç, për nënshtrimin e Shqipërisë ndaj influencës së Titos, prandaj ai dhe Balli Kombëtar i ktheheshin nga Titizmi. Kjo nuk u prit me entuziazëm nga shqiptarët. Mes atyre që Ermeni kishte qenë vazhdimisht në kontakt, ishin Luan Gashi, Muharrem Bajraktari, Ibrahim Kelmendi dhe Jup Binjaku. Ermeni tha se kishte ardhur në Greqi më urdhër të anglo-amerikanëve. Kur shqiptarët iu përgjigjën se britanikët dhe amerikanët nuk ishin në një mendje për problemin shqiptar, Ermeni i siguroi ata se po vepronte sipas urdhrave të të dy aleatëve, britanikë dhe amerikanë dhe ata kishin rënë dakord me njëri-tjetrin. Më tej ai deklaroi se nuk ekziston çështja e Epirit të Veriut për Greqinë, dhe se ajo duhet të pranojë kufijtë e vitit 1939. Ermeni nuk zbuloi qëllimin e vërtetë të ardhjes së tij në Athinë, ose nëse e ka bërë, e ka bërë vetëm me rrethin e ngushtë, të cilët deri tani nuk e kanë përhapur.

Katër ditë pas ardhjes së Ermenit në Athinë, një letër nga refugjati shqiptar Islamil Vërlaci, i erdhi Evangjelos Kirkos. Në letër raportohej se qilimi i ardhjes së Ermenit në Athinë është organizimi i celulave titiste në Greqi, të cilat do të kalonin propagandën në Shqipëri, duke deklaruar se Tito do të jetë çliruesi i vetëm i Shqipërisë nga diktatura e Hoxhës, prandaj shqiptarët duhet të mbështesin përpjekjen e tij. Verlaci shkruante gjithashtu se Ermeni i përket krahut të majtë të Ballit Kombëtar dhe se Ali Këlcyra mund të shkaktojë përçarje në Ballin Kombëtar me qëllim që të luftojë kundër shqiptarëve titistë. Vërlaci rekomandonte veprim kundër aktiviteteve të Ermenit. Birkos menjëherë e kaloi letrën te autoritetet greke dhe rrjedhimisht te refugjatët e tjerë shqiptarë. Prandaj ata evituan kontaktet e mëtejshme me Ermenin, përveç emrave të sipërpërmendur. Në të njëjtën kohë refugjatët nisën të organizonin opozicionin e tyre. Refugjatët e kampit të Lavrion bënë përgatitje për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj Ermenit, në rast se ai do të vinte për vizitë. Por Ermeni ose duhet ta ketë mësuar këtë ose nuk është lejuar nga autoritetet greke pasi nuk erdhi në kampin e Lavion, por qëndroi në hotel Bristol gjatë gjithë qëndrimit të tij në Athinë.

Përplasjet

Ardhja e Ermenit dhe raportimi i Verlacit se ai ishte kthyer nga titizmi, nxiti rritjen e një ndjenje të fortë antijugosllave mes refugjatëve shqiptarë në Greqi. Mes disa manifestimeve të kuaj ishte dhe konfrontimi i gjeneralit shqiptar Prenk Previzi, i cili e quajti Ermenin “tradhtar”. Por një zhvillim paralel u provokua nga Ermeni edhe vorio-epiriotëve të cilët janë kryesisht anti-sllavë. Kur u bë e ditur letra e Vërlacit, ata të gjithë u bashkuan kundër Ermenit dhe e denoncuan te autoritetet greke. Gjithsesi, disa prej tyre përfshi dhe Papadimas, vizituan Ermenin dhe folën me të. Ermeni i bëri të ditur Papadimas se po vepronte sipas instruksioneve të britanikëve dhe amerikanëve. Sipas opinioni të burimit tonë, Papadimas ra në njëfarë ujdie me Ermenin, por nuk u kuptua çfarë ndodhi. Në vitin 1946 Ermeni i dorëzoi autoriteteve greke një memorandum ku besohet se shprehej në mbështetje të bashkimit të Greqisë dhe Shqipërisë në një shtet. Birkos tashmë i ka treguar shqiptarëve dhe vorio-epiriotëve një kopje të memorandumit të Ermenit, të cilin ky i fundit e fshihte prej tyre. Duke marrë parasysh deklaratën e tij se Greqia duhet të pranojë kufijtë shqiptarë të vitit 1939, kjo e zbulonte Ermenin si njeri të pabesë dhe inkonsistent në bindjet e tij. Kjo ishte dhe arsyeja pse Ermeni nuk mori pritjen e mirë që kishte dëshiruar nga refugjatët. Në kohën e vizitës së Ermenit në Athinë ndarjet politike shqiptare ishin si më poshtë: 60 kosovarë të drejtuar nga Xhafer Deva, 45 zogistë të drejtuar nga Spahi Dina, 18 ballistë të drejtuar nga Ali Këlcyra, 7 ballistë ndjekës të Ermenit, 23 të pavarur mbështetës të Vërlacit, dhe 35 të tjerë. Ermeni i tha një të njohuri se kishte ende opinionin se Shqipëria dhe Greqia duhet të bashkohen në një shtet, dhe se nuk kishte ndryshuar mendim prej memorandumit që i kishte dërguar qeverisë greke në 1946. Ai tha se qeveria greke duhet të caktojë një përfaqësues që ta trajtojë çështjen në mënyrë të përgjegjshme, dhe se propaganda greke anti-sllave duhet të ndalojë. Ermeni gjithmonë i shmangej pyetjeve për qëllimin e ardhjes së tij në Athinë. Ndaj referencave të tërthorta mbi Titon dhe mundësinë e përmbysjes prej tij të qeverisë Hoxha, Ermeni përgjigjej se Tito nuk kishte shumë mbështetës në Shqipëri dhe se ishte shumë e vështirë që populli të nxitej kundër regjimit të Hoxhës. Kur iu përmend fakti që edhe Tito ishte komunist dhe se kushdo që bashkëpunonte me komunistët pësonte fatin e Petkov e të tjerëve, Ermeni nuk u përgjigj.

Bisedimet

Evangelos Kirkos foli me ambasadorin grek në Itali, Giorgios Eksindaris, dhe ky i fundit u shpreh në favor të bashkimit të Shqipërisë me Greqinë. Sipas atyre që Konstandin Rendis i tha Kirkos, zëvendës-ministri i ri i jashtëm grek Politis kishte të njëjtën ide dhe së shpejti do të priste Kirkos. Lidhja vorio-epiriote Celasforos mbante qëndrim kundër bashkimit të Greqisë me Shqipërinë dhe kishte publikuar disa artikuj mbi çështje. Por kohët e fundit në një artikull të presidentit të lidhjes kolonel Karisiades është shprehur mbështetja për bashkimin. Muharrem Bajraktari rivalizon Ermenin për udhëheqjen e organizatës. Në lidhje me këtë, burimi ynë thekson se Bajraktari është mik i sllavëve dhe bashkëpunon me britanikët.

Koment: Informacionet besohet se i referohen vizitës së Ermenit në Athinë mes 15 qershorit dhe 1 korrikut 1950.

Shkurt 1953

Shtypi shqiptar dhe sovjetik për shëndetësie

Arritjet

Sipas gazetës “Puna” të 29 janarit 1952, një total prej 157 milionë lekë janë shpenzuar gjatë vitit 1951 për qëllime të mirëqenies së punëtorëve, duke përfshirë kujdesin e lindjes pushimet në kampe shtetërore, shifër kjo që përfaqësonte një rritje prej 41 milionë lekë në krahasim me vitin 1950. Gazeta thotë se shuma e shpenzuar në vitin 1952 për këto institucione ishte 72.5 milionë lekë, rreth 20 milionë lekë më shumë se shifra e vitit 1951. Zëri i Popullit raportonte në 13 mars 1952 se punonjësit e shëndetit publik në Durrës ishin mobilizuar në fushatën e vaksinimit të dyfishtë kundër tifos dhe kolerës, gazeta shtonte se vaksina ishte e cilësisë së mirë dhe kishte ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Më 9 mars “Zëri i Popullit” raportonte se në pjesën e dytë të shkurtit, Kryqi i Kuq dërgoi disa brigada në lokalitetet Vertop, Roshnik dhe Hajdërbenaj të Beratit, për të sensibilizuar popullatën ndaj zakoneve të dëmshme e paragjykuese ndaj shëndetit publik. Brigada që shkoi në fshatin Dardhë të Roshnikut gjeti një vajzë që kishte qenë sëmurë prej 20 ditësh. Prindërit e saj nuk e kishin dërguar te doktori, por kishin porositur një hajmali nga hoxha musliman. Brigada ndërhyri menjëherë duke mjekuar vajzën e cila u përmirësuar,. Babai i vajzës duke parë përmirësimin falënderoi brigadën e Kryqit të Kuq. Më pas të gjithë fshatarët morën një libër me rregullat i higjienës, të të cilat ishin shumë mirënjohës. Sipas “Zërit të Popullit” të datës 13 maj, u morën masa kundër malaries në rrethin e Beratit dhe në qytetin Stalin. Në fshatin Orize dhe në qytetin Stalin rreth 90 000 metra katrorë u spërkatën me solucion dezinfektues RF 25. Gazeta thotë se në qytetin e Beratit rreth 20 000 metra kanal u spastruan nga larvat e malaries, ndërsa në tokat e mbjella të qytetit u spërkat dezinfektues. Më 10 maj “Zëri i Popullit” shkruante se malësorët e Tropojës kishin vuajtur nga shumë sëmundje në të kaluarën, dhe se e gjithë zona kishte vetëm një ambulancë. Gazeta thotë se sot, lokaliteti ka një spital në Kolgecaj me një doktor, një ambulancë dhe stafin ndihmës. Gjithashtu gjashtë ambulanca operojnë në fshatrat përreth, si dhe tre infermiere fëmijësh e disa zyrtarë shëndetësie. Gazeta deklaron se shkenca ka ndërhyrë në viset malore për t’i dhënë fund trajtimeve primitive të njerëzve të prapambetur dhe të papërgjegjshëm.

Ndërhyrja sovjetike

Në një tjetër lajm të “Zërit të Popullit”, dr. Fejzi Hoxha duke folur para shoqërisë Shqiptaro-Sovjetike më 26 maj, tha se aplikimi i metodave sovjetike mjekësore në spitalin e Tiranës, ka bërë të mundur një seri operacionesh që nuk shin kryer kurrë më parë në Tiranë. Ai tha se shumë sëmundje që më parë konsideroheshin të padurueshme, tashmë kurohen me shpejtësi dhe me vdekshmëri të ulët, me anë të trajtimeve të reja sovjetike. Sipas gazetës, ai besonte se nuk mjaftonte që doktorët shqiptarë të mësonin vetëm disa trajtime të reja, por duhet të qëndronin gjithmonë në kontakt me literaturën mjekësore sovjetike për të zgjeruar bazën e tyre teorike me konceptet e reja sovjetike. Më 29 nëntor, e përditshmja “Uchitelskaja” raportonte për hapjen në Shqipëri të një instituti të ri mjekësor me tetë departamente, duke përfshirë biologji, histologji, fizikë, kimi dhe marksizëm-leninizëm. Ajo shkruante se institucioni do të kishte laboratorë anatomie, kimie dhe fizike. Në kurset e para do të pranoheshin 50 studentë. Specialistët sovjetikë kishin dhënë ndihmë të madhe në organizimin e institutit, shkruante gazeta.

Ankesat

Më 14 mars 1052, një letër nga E. Tefiku e publikuar në “Zërin e Popullit” deklaronte se në fillim të marsit, një fshatar i varfër i quajtur Hasim nga Novosela e Elbasanit, u sëmur dhe i kërkoi doktorit ta vizitonte në shtëpi. Doktori i rrethit Mihal Caushi shkoi në shtëpinë e fshatarit sipas urdhrit të sektori t të shëndetit publik. Pasi mbaroi vizitën dhe dhënien e mjekimeve, doktori kishte thënë se vizita kushtonte 2600 lekë. Në një letër të shkruar nga Misto Gjoka nga miniera e bakrit në Rubik, e botuar në “Zërin e Popullit” në 11 maj 1952, përshkruhet shërbimi i dobët i spitalit vendor. Sipas Gjokës, doktorët nuk ishin në detyrë natën dhe pacientët ankoheshin për gjendjen e krevateve, por asnjë veprim nuk është marrë për ankesën. I njëjti numër i gazetës “Zëri i Popullit” deklaronte se Sadik Bilaj është ankuar për kushtet në dispanserinë e fshatit Dhëmbian në rrethin e Tepelenës, ku Hasan Musaj punon si roje. Ambientet ishin jo-sanitare dhe Bilaj u ankua se roja nuk i kishte dhënë ndihmën e shpejtë. Pacientët që vinin me temperaturë të lartë, nuk u jepej mjekimi në kohë. Për situatën u sinjalizuan autoritetet lokale por Bilaj tha se ende nuk ishin marrë masat e nevojshme. E njëjta gazetë deklaronte se mjekimi nuk ishte dhënë në kohë në spitalin e Vlorës, duke përmendur shembullin e një pacienti që nuk mori injeksionin sipas urdhrit të doktorit, deri në mbrëmje. Pacienti duhet të bënte dhe një analizë gjaku, por kjo u bë vetëm pas largimit të tij nga spitali.

21 gusht 1950

Memorandum për asistent-drejtorin e koordinimit të politikave

Situata e rezistencës në Shqipëri

Nga një prej misioneve tona në Shqipëri, i cili është në kontakt të afërt me lëvizjen e rezistencës, kemi marrë informacionin e shtjelluar në paragrafët e mëposhtëm. Sipas misionit tonë, shumë anëtarë të rezistencës shqiptare besojnë se nuk mund të durojnë më vuajtjet që po heqin dhe kanë vendosur të arratisen drejt Jugosllavisë në mundësinë më të parë. Ata do të preferonin të shkonin në Greqi, po të mos ishte për distancën e largët prej veriut të Shqipërisë deri në kufirin grek. Megjithë përpjekjet e bëra për t’i bindur që të qëndrojnë në Shqipëri, ata duket qartë se nuk mund të qëndrojnë një tjetër dimër në male, pasi jeta është aq e vështirë sa po i çon drejt çmendisë. Lideri i këtij misioni ka kërkuar të dijë nëse aktivistët politikë jugosllavë në Shqipëri (të raportuar më parë te ju) njihen prej nesh dhe nëse ata përfaqësojnë përpjekjen e Aleatëve. Ata pyetën gjithashtu nëse aktivistët anti-komunistë nga Shqipëria do të priteshin mirë në Jugosllavi. Në lidhje me mbështetjen jugosllave ndaj aleatëve, u pyet se cila ishte politika e Jugosllavisë në lidhje me Korenë. Mesazhi i mësipërm na informon se Tropoja është qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, me agjentë jugosllavë dhe shqiptarë duke kaluar vazhdimisht kufirin. Agjentët jugosllavë përshkruhen se të gjithë kanë qenë më parë anëtarë të grupeve shqiptare të rezistencës. Më 10 gusht 1950 misioni ynë në vend dërgo një kontakt për të hetuar mbi ftesën për të takuar një person të paidentifikuar që dëshironte të furnizonte me armë dhe municione jugosllave misionin.

Lëvizjet e jugosllavëve

Mes popullsive të Shqipërisë së Veriut ka një bindje të madhe se jugosllavët po planifikojnë një lëvizje të armatosur në Shqipëri, me qëllim ngritjen e moralit të grupeve malore të rezistencës. Disa sasi armësh raportohet të jenë shpërndarë çdo ditë nga jugosllavët, të cilat janë pranuar edhe nga shqiptarët nacionalistë, të cilëve u janë afruar edhe para, por kanë refuzuar duke pritur aprovimin nga misioni ynë. Lideri i misionit trembet se një bujari e tillë nga ana e jugosllavëve do të ketë efektin e fitimit të simpatisë së shumë personave që kanë vuajtur shumë duke punuar për ne. Në konkluzion, lideri i misionit tha se puna e tij bindëse nuk do të ishte e mjaftueshme, prandaj kishte nevojë për instruksione urgjente për mënyrën e veprimit që duhet të ndiqte.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 17

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2017 - 08:42

Në vitin 1962 Enver hoxha shkaktoi përplasje të forta me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Ai sulmoi në këtë periudhë Gjermaninë Lindore dhe kjo nuk u pranua nga askush. Të dhënat janë bërë publike nga CIA.

Postuar: 18/11/2017 - 08:56

CIA i ka kushtuar një rëndësi të madhe prishjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 17/11/2017 - 08:52

Në vitin 1949 CIA po përdorte shumë tentativa për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 16/11/2017 - 08:26

CIA ka zbardhur synimet që kishte Bashkimi për Shqipërinë gjatë bashkëpunimit të vitit 1954.

Postuar: 15/11/2017 - 08:33

Në vitin 1956 nisën përplasjet brenda Partisë Komuniste të drejtuar nga Enver Hoxha.

Postuar: 14/11/2017 - 08:49

CIA ka dhënë të tjera detaje sa i takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 12/11/2017 - 09:25

CIA ka deklasifikuar disa dokumente sa i takon situatës para dhe pas vdekjes së Enver Hoxhës. Fillimisht tregohet gjendja e tij e rëndë shëndetësore.