Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, më 1969 Enver Hoxha po mendonte t’i jepte fund izolimit të Shqipërisë, nisi bashkëpunimin me Kongon, Kuvajtin e Sirinë

Postuar: 17/09/2017 - 09:18

Enver Hoxha tentoi që t’i jepte fund izolimit të Shqipërisë në vitin 1969. Sipas një dokumenti të deklasifikuar nga CIA zhvillimet në Çekosllovaki trembën diktatorin dhe ai nisi të lidhte marrëdhënie me shumë vende të tjera përveç Kinës. Aty tregohet se si Hoxha po synonte vende larg Evropës, teksa hodhi sytë nga Kongo, Kuvajti e Siria. Po ashtu u tentua ngritja e një konsullate në Turqi.

Shtator 1969

Shqipëria nis daljen nga izolimi

Shqipëria ka nisur kohët e fundit një politikë të jashtme më të hapur, në kontradiktë me qëndrimin e saj kryeneç dhe mbylljen e vetë-vendosur. Duket se kriza e Çekosllovakisë e vitit të kaluar ka bërë që regjimi të rivlerësojë politikat dhe të marrë iniciativën për të bërë miq të rinj. Në të njëjtën kohë Tirana nuk po tregon shenja të zvogëlimit të lidhjeve me Pekinin apo të zbutjes së ideologjisë marksiste-leniniste. Masa e ndryshimit që po ndodh mund të vlerësohet duke e krahasuar me paranojën dhe ksenofobinë tradicionale të Shqipërisë nga dominimi i huaj. Prej dy dekadash vendi ka refuzuar çdo nocion lidhjesh të ngushta po interesash të përbashkëta me fqinjët e Ballkanit. Gjithashtu regjim i Hoxhës nxitet dhe nga armiqësia me Jugosllavinë e Titos dhe Bashkimin Sovjetik. Me përjashtim të qëndrimit antisovjetik, Shqipëria ka zbutuar retorikën ndaj Perëndimit dhe për momentin mendësia antagoniste mbetet nën sipërfaqe. Vendi i ka vënë qëllim vetes të minimizojë diferencat me një numër shtetesh, por kohëzgjatja e këtij qëndrimi do të varet nga presion sovjetik ndaj Evropës Lindore dhe rruga që do të marrë debati Sino-Sovietik. Tingujt nacionalistë dhe izolacionistë të politikës Shqiptare vijnë jo vetëm nga e kaluara e trazuar e pushtimeve të njëpasnjëshme të vendit, dominimet e huaja dhe revoltat, por dhe nga eksperienca e drejtpërdrejtë e partisë me sovjetikët dhe nga tentativat e jugosllavëve për të kontrolluar Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë 24 viteve të fundit të ekseseve shoviniste të Hoxhës regjimi ka arritur të ruajë pavarësinë nga ambiciet jugosllave e sovjetike, dhe ky fakt mund të shpjegojë kursin e shfrenuar dhe të palogjikshëm të politikës së jashtme shqiptare në dy dekadat e fundit.

Bashkëpunimi me Kinën

Të kërkuarit e Tiranës për një vëlla të madh me ideologji të ngjashme që ta ndihmojë nga agresorët (por pa kërcënuar pavarësinë e regjimit të Hoxhës) e bëri atë të lidhej me Pekinin në 1961 deri në gusht 1968, por aleanca pati disa probleme. Aksi Tiranë-Pekin vazhdon të ketë aspekte të ndërsjellta shfrytëzuese. Shqipëria nuk e pëlqen pavarësinë e plotë të Pekinit dhe ashtu si pjesa tjetër e botës nuk e di se çfarë gatuhet në Kinën komuniste. Revolucioni kulturor me Gardën e Kuqe fanatike, e zuri në befasi regjimin. Shqipëria u informua me vonesë për hapjet dhe procedurat e fundit të prillit të Kongresit të Partisë Komuniste. Nga shtatori 1967 deri në maj 1969, Kina mbante një ambasadë gjigante në Tiranë, por nuk kishte ambasador, që do të thotë se nuk i kushtonte shumë rëndësi lidhjes. Ndihma kineze duket se nuk kishte arritur të plotësonte as cilësinë as sasinë e asaj që jepej më parë nga Moska, por mungesa e pretendimeve territoriale nga Pekini dhe thjesht kërkesa e mbështetjes politike në këmbim të ndihmës së tyre, e zbukuronte imazhin e lidhjes kineze në sytë e Hoxhës. Pekini mbetet kujdestari kryesor politik dhe ekonomik i Tiranës. Propaganda shqiptare ka goditur agresionin kinez në kufirin ruso-sovietik duke akuzuar Moskën se mban linjë të njëjtë me Uashingtonin në lidhje me krijimin e “rrethit të zjarrit” rreth Kinës si dhe duke ngritur lart vlerat e lidershipit Maoist. Po ashtu dhe Pekini duke mbrojtur pjesën e tij të pazarit, pranoi të rriste mënyrë të konsiderueshme tregtinë me Tiranën, edhe pse detajet e marrëveshjes nuk janë publikuar. Por pushtimi i Çekosllovakisë ishte një detaj që bëri Shqipërinë të përmbahej nga një lidhje ekskluzive me Pekinin. Hoxha nuk mund të mbulonte me disavantazhet e lidhjes kineze pasi Kina nuk mund t’i jepte Shqipërisë mbështetjen serioze ushtarake në rast të një agresioni sovjetik, sado i rrallë që mund të ishte ai. Tirana u detyrua të përballej me faktin se edhe ajo kishte ndikim në atë që mund të ndodhte me dy vendet e tjera gjysmë të pavarura të Ballkanit, Rumania dhe Jugosllavia, dhe se në rast të ndryshimit të situatës në Evropën Lindore, vetizolimi stoik i Shqipërisë mund të rezultonte e keqja e saj më e madhe. Politika e re e jashtme e regjimit të Hoxhës reflektonte mësimet e mësuara nga kriza e Çekosllovakisë një vit më parë dhe nga ambiciet territoriale të Athinës apo pasiguria për qëllimet sovjetike në Evropë. Duke parë qëndrimin konfrontues të Shqipërisë në politikat e Ballkanit dhe fleksibilitetin e ri të Tiranës me Perëndimin, drejtimi i ri i politikave tregon për një ndryshim kursi dhe përqendrim vetëm në çështjet parësore.

Marrëdhëniet me Jugosllavinë

Një ndryshim i dukshëm erdhi në marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi. Tirana nisi të zbuste qëndrimin e saj antijugosllav menjëherë pas pushtimit të Çekosllovakisë. Prova e parë për këtë ishte marsin e kaluar kur kongresi i partisë jugosllave, normalisht një objektiv kryesor i propagandës helmuese të Tiranës, u lejua nga Hoxha të kalonte pa komente në shtypin shqiptar. Një muaj më vonë regjimi i Hoxhës ndryshoi qëndrim ndaj Jugosllavisë, dhe në 11 prill e përditshmja partiake “Zëri i Popullit”, deklaroi për herë të parë që prej vitit 1948 një armëpushim në polemikat e saj me armikun e saj kryesor, Jugosllavinë e Titos. Kjo u bë më një editorial të gjatë ku theksohej rëndësia e armikut të përbashkët të dy vendeve. Që prej prillit lidhjet e Tiranës dhe Beogradit janë afruar. Tregtia pritet të rritet me 35 për qind këtë vit teksa kontratat ndërkufitare janë shënuar nga një masë e pazakontë bashkëpunimi. Për herë të parë turistët jugosllavë po vizitojnë Shqipërinë në tre vjet dhe negociata po kryhen për rritjen e numrit të tyre.

Roli i Rumanisë

Që prej largimit të Tiranës nga Pakti i Varshavës në 1961, Rumani ka zënë një vend të veçantë në idetë e Hoxhës. Dy palët janë përpjekur të ruajnë marrëdhënie korrekte për të mos thënë të mira në muajt e fundit. Regjimi i Hoxhës e ka veçuar Bukureshtin nga vendet e tjera të Paktit të Varshavës, gjatë kritikave të tij për pushtimin e Çekosllovakisë. Rumania nuk është përmendur në asnjë nga sulmet e ashpra ndaj Konferencës Komuniste Ndërkombëtare. Tirana ka dhënë mbështetjen e saj në prani ndaj qëndrimit të pavarur të Rumanisë ndaj Moskës. Pritja e ngrohtë në Rumani e presidentit amerikan Nixon u raportua korrektësisht në mediat Shqiptare në krahasim me kritikat ndaj pjesës aziatike të turneut të tij. Megjithëse Shqipëria e ka bojkotuar kongresin e dhjetë të Partisë Komuniste të Rumanisë në shenjë kundërshtimi ndaj përfaqësuesve sovjetikë në Bukuresht, Tirana çuditërisht foli me lëvdata ndaj përvjetorit të 25 të çlirimit të Rumanisë muajin e kaluar. Pa shumë zhurmë Shqipëria po prezanton një stil të re politike të jashtme. Prej dhjetorit të kaluar, regjim Hoxha ka vendosur marrëdhënie me gjashtë vende të reja: Kongo (Brazaville), Kuvajti, Jumeni i Jugut, Siria, Suedia e Zambia. Përveç kësaj, një numër çuditërisht i lartë delegacionesh të huaja morën pjesë në festimet e 1 majit këtë vit në Tiranë. Mëgjithse më parë mirësjellja diplomatike mungonte tërësisht, tashmë Shqipëria po e bën atë pjesë të këmbimeve me të gjitha shtetet. Telegrame përgëzuese janë dërguar për shembull drejt presidentëve të Austrisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara apo Marokut, me rastin e festave të tyre kombëtare.

Bashkëpunimi me Turqinë

Traditat shqiptare janë të rrënjosura në botën myslimane dhe është logjike që, në një kohë kur vendi po del nga guaska e tij, disa prej hapjeve të drejtohen te Lindja e Mesme, Turqia, megjithë anëtarësimin e saj në NATO. Sipas një marrëveshje të fundit mes dy vendeve Shqipëria do të hapë një konsullatë në Stamboll, në këmbim të konsullatës turke në Shqipëri, në një qytet që nuk është emëruar ende. Presidenti i kuvendit popullor Behar Shtylla kaloi rreth dhjetë ditë në Turqi duke i kthyer vizitën e shtatorit të shkuar liderit parlamentar turk Feruh Bozbeyli. Për më tepër, gjatë vitit të kaluar ka pasur disa këmbime të nivelit të ulët mes Shqipërisë dhe Turqisë. Në vendet të tjera të Ballkanit, Shqipëria ka shënuar vetëm një përmirësim të vogël të lidhjeve me Bullgarinë që prej prishjes në 1968 dhe ka pasur një marrëveshje për këmbimin e “konsujve tregtarë”. Çdo përmirësim i mundshëm mes lidhjeve Shqipëri-Greqi është parandaluar nga dyshimet shqiptare për qëllimet e juntës ushtarake greke në fuqi, të thelluar prej një deklarate të fundit ku mbrohen pretendimet për Epirin e Veriut. Miqësia e Tiranës me Turqinë mund të jetë në fakt një pjellë e frikërave të saj territoriale me Greqinë. Gjatë gjashtë viteve të fundit, një përmirësim gradual i lidhjeve Shqipëri-Itali ka qenë përjashtimi i vetëm i politikës antiperëndimore të vendit. Në pranverën e vitit 1964 dy vendet pranuan rritjen e statusit të misioneve të tyre të ndërsjellta diplomatike në nivel ambasadorësh dhe Italia ka treguar interes në rritjen e investimeve në Shqipëri. Edhe Tirana kërkon rritjen e tregtisë me Italisë dhe k pasur zhurma se palët janë të interesuara për hapjen e një linje direkte anijesh. Iniciativat e reja të Tiranës plotësojnë dhe nuk dëmtojnë lidhjet e saj me Pekinin. Për shembull shfaqja e Shqipërisë në diplomacinë e Mesdheut Lindor jo vetëm hap dyer të reja për regjimin e Hoxhës, por dhe zgjeron temat e propagandës standarde shqiptaro-kineze për të theksuar dështimin sovjetik në parandalimin e fitores së Izraelit në luftën e vitit 1967. Bazat e politikave aktuale të Shqipërisë kanë nisur të hidhen janarin e shkuar kur Behar Shtylla zëvendësoi Abdyl Këllezin si presidenti i Kuvendit Popullor, teksa regjimi mendoi të zgjidhte një diplomat karriere për vendin e rëndësishëm të Presidentit të Parlamentit. Shtylla ka qenë në shërbimin e jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1945 dhe është relativisht i ri (51 vjeç), me kredenciale të plota. Ai ka hyrë në parti disa muaj pas themelimit të saj në 1941 dhe ka luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai është i arsimuar në diplomaci dhe është një oportunist i fortë e i shkathët që mund të kryejë role të ndryshme. Origjina e Shtyllës orientohet nga Perëndimi. Ai ka qenë ministër i Francës dhe Italisë dhe flet mirë italisht, frëngjisht e anglisht. Prandaj duket se nuk ishte një koincidencë që Shtylla drejtoi delegacionin parlamentar shqiptar drejt Turqisë majin e shkuar, që ishte delegacioni i parë shqiptar i nivelit të lartë drejt një vendi jo-komunist, prej tetë vitesh.

Hoxha dhe Shehu

Për të ardhmen e afërt kreu i partisë Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu e kanë futur vendin në një rrugë të re diplomatike, megjithëse me druajtje Hoxha dhe klika e tij besojnë se është rruga më e mirë për të siguruar mbijetesën e regjimit të tyre dhe e markës së marksizëm-leninizmit që ata përfaqësojnë. Pritet që Shqipëria të zgjerojë lidhjet me disa vende të tjera. Në të njëjtën kohë, Hoxha do të veprojë në mënyrë të tillë për të evituar që t’i jepet ekskluziviteti influencës një vendi të vetëm. Çështja e pavarësisë mbetet parësore në mendjet e liderëve të Shqipërisë dhe fleksibiliteti aktual tregon vetëm vullnetin për të përdorur çdo mjet për evitimin e dominimit të huaj. Veprimet po i japin Shqipërisë një aftësi politike dhe diplomatike që i mungonte prej kohësh, vazhdimi i së cilës sigurisht që do të mirëpritet nga shumica e fqinjëve Ballkanikë të vendit. Edhe ndryshimet më të vogla, siç është rinisja e kontakteve jo-zyrtare me SHBA, do të aprovohen nga Beogradi apo Bukureshti. Shumica e regjimeve ballkanike kanë tendencë ta konsiderojnë hapjen e Shqipërisë ndaj botës (përveç sovjetikëve) si një hap pozitiv që premton për të ardhmen edhe lidhje të tyre me Tiranën. Tirana pritet të konsolidojë disa nga arritjet diplomatike të vitit të kaluar, me theks të veçantë në lidhjet me vendet e Lindjes së Mesme dhe ato të “botës së tretë”. Për sa kohë që regjim i Hoxhës ndjehet i kërcënuar nga Kremlini, ai do të ketë vullnetin të kapërcejë murin e diferencave me Jugosllavinë. Kjo është bërë e qartë në prononcime të kohëve të fundit të regjimit, siç ishte ai i 12 korrikut nga ministri i tregtisë Vasil Kati që tha se rritja e tregtisë me vendet jo-komuniste është hapi i ardhshëm i iniciativës politike shqiptare, që sjell rritje të kontakteve me vendet e zhvilluara të Perëndimit dhe mundësisht me SHBA.

 

Raport i lidhjeve financiare

Përmbledhje

Lidhjet tregtare e financiare të Shqipërisë janë të kufizuara, ashtu si dhe informacioni ynë për to. Shqipëria refuzon të pranojë kreditim nga bankat e qeveritë e huaja, dhe transaksionet i kryen thuasje të gjitha me këmbime mallrash. Tirana punon me disa banka të huaja për lehtësimin e tregtisë, por nuk kemi informacione për lidhje të saj me banka qendrore shtetërore. Që prej mbylljes së tregtisë dhe asistencës ekonomike të Kinës në 1978, Shqipëria me ndrojtje ka zgjeruar disi lidhjet tregtare me vende të tjera për promovimin e zhvillimit ekonomik, duke minimizuar sa më shumë varësinë nga një partner i vetëm. Jugosllavia fqinje është aktualisht partneri më i rëndësishëm tregtar me rreth 21 për qind të tregtisë totale. Pjesën tjetër Tirana e ka ndarë mes vendeve të bllokut sovjetik dhe vendeve Perëndimore. Megjithëse Shqipëria nuk ka lidhje tregtare me BRSS që prej daljes nga grupi tregtar komunist CEMA në 1961, shqiptarët kanë negociuar me vende lindore të saj si Bullgaria, Çekosllovakia e Rumania. Kohët e fundit regjimi i Hoxhës ka treguar më shumë interes në rritjen e importeve nga vendet perëndimore në makineri dhe teknologji ekonomike për të arritur rritje ekonomike me anë të industrializimit. Italia, Gjermania Perëndimore, Greqia e Suedia janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë në Perëndim. Duke reflektuar planet ambicioze të regjimit për modernizim, importet e vendit nga vende të zhvilluara perëndimore përqendrohen në hekur e çelik, makineri transporti e nxjerrjeje mineralesh, dhe telekomunikacione. Regjim i Hoxhës mbështet në zhvillimin e kapaciteteve minerare me anë të pajisjeve të importuara. Eksporti kryesor i Shqipërisë mbetet kromi, i cili ka sjellë rreth 44 për qind të të gjithë valutës së vendit në 1979. Karburantet si nafta dhe energjia elektrike, janë gjithashtu eksporte të konsiderueshme por vlera e tyre ka qenë e paqëndrueshme. Meqenëse kushtetuta e Shqipërisë ndalon huamarrjen nga jashtë, Tirana mund të ruajë balancat e tregtisë së saj me jashtë dhe importon vetëm kur mund të mbulojë kostot, në tregtinë me Perëndimin ajo mbështetet shumë në këmbimin e mallrave. Tregtia organizohet nga agjencitë shtetërore të tregtisë me jashtë, sektor pas sektori. Një gazetë perëndimore ka raportuar se disa agjenci shtetërore tregtare mund të përfshihen nganjëherë në një transaksion të vetëm.

Lidhjet me kompani të caktuara

Ne nuk kemi informacion të gjerë mbi lidhjet me kompani të caktuara të huaja, por më poshtë kemi renditur disa nga lidhjet e njohura: Në nëntor 1982 kompania e Gjermanisë Perëndimore, Salzgiter AG pranoi të zgjerojë një minierë nikeli në Shqipëri, në një projekt me vlerë 23 milionë dollarë, që pritet të financohet me këmbime tregtare. Kompania japoneze C. Itoh po negocionte në vitin 1982 për ndërtimin e një uzine çeliku në Elbasan, pagesa për të cilën do të bëhej në krom. Konsullata amerikane në Trieste raportoi në korrik 1984 se kompanitë e mëposhtme italiane po negociojnë ose po punojnë me Shqipërinë: FIAT, Italimpianti, ITALTEL, Montedison, Danieli, EFIM dhe FATME. ITALTEL raportohet se ka pranuar të modernizojë linjat telefonike shqiptare në Tiranë dhe dy qytete të tjera, ndërsa Danieli do të asistojë në rritjen e kapacitete të përpunimit të çelikut në një uzinë çeliku. Nuk njihen kushtet e shpërblimit.

Lidhjet financiare

Nuk kemi asnjë informacion për rezerva valute të jashtme të Shqipërisë, dhe besojmë se ato janë të pakta. Nuk ka prova se Shqipëria ka lidhje me banka të huaja qendrore dhe besojmë se ideologjikisht Shqipëria kundërshton diçka të tillë. Me sa jemi në dijeni, Shqipëria nuk është përfshirë në skandale financiare që prej Luftës së Dytë Botërore. Nuk kemi informacion sesi qeveria e Tiranës apo ambasadat e saj transferojnë fondet dhe nuk e dimë sesi financohen ambasadat e saj. Shqipëria ka tashmë lidhje formale me rreth 100 shtete por në shumicën e tyre nuk ka ambasadorë rezidentë. Shqipëria përdor akreditime të shumëfishta për të mbajtur të ulëta kostot e shpenzimeve në valutë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2017 - 08:41

CIA ka bërë një krahasim mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Përmes një dokumenti të deklasifikuar, janë renditur dallimet mes tyre, si dhe është bërë një listë me të gjithë njerëzit që kishin ata pas vetes.

Postuar: 15/10/2017 - 08:58

CIA ka zbardhur situatën politike në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha.

Postuar: 13/10/2017 - 08:40

CIA ka zbardhur të tjera dokumente sa i takon Shqipërisë komuniste. Në një prej tyre tregohen marrëdhëniet mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 07/10/2017 - 08:56

CIA vijon të deklasifikojë të tjera dokumente për Shqipërinë. Në një prej tyre të përkthyer nga gazeta, tregohet prishja e bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik.

Postuar: 06/10/2017 - 08:45

Enver Hoxha arrinte ta mbante pushtetin përmes repartit të propagandës.