Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, qëllimi i amerikanëve ishte rrëzimi i Enver Hoxhës brenda vitit 1954, ja si do të bëhej infiltrimi i agjentëve në veri të Shqipërisë

Postuar: 10/12/2017 - 10:31

Dështimi i tentativave të CIA për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës gjatë vitit 1949, detyruan amerikanët që të shtyjnë afatin e hedhjes në veprim. Sipas disa dokumenteve të deklasifikuar së fundmi, amerikanët planifikuan një operacion më 1954, përmes të cilit do të rrëzohej regjimi, por më vonë edhe një operacion i tillë dështoi.

6 shtator 1951

Diskutim mbi Shqipërinë dhe çështje të tjera të lidhura

Më datën 8 gusht është mbajtur një takim në zyrën e zotit Reinhardt me qëllim rishikimin e politikave tona në lidhje me Shqipërinë. Si rezultat i kësaj, u vendos të hiqej masa e ndalimit të Departamentit të Shtetit për lëshimin e broshurave të propagandës në Shqipëri dhe kryerjen e lëshimit të të broshurave nga ajri në një të ardhme të afërt. Teksti i lëshuar do të jetë një formë reagimi ndaj tekstit të lëshuar nga jugosllavët mbi Shqipëri (në emër të Lidhjes së Prizrenit) i cili sulmonte Komitetin Kombëtar për Shqipërinë e Lirë. Teksti do të hedhë dyshime mbi vlefshmërinë e Lidhjes së Prizrenit si një lëvizje demokratike dhe e pavarur, dhe do të ngrejë lart Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, si një lëvizje e bazuar në parimet e demokracisë, me mbështetjen e të gjitha kombeve liridashëse. U ra dakord se nëse Lidhja e Prizrenit sulmon Komitetin me mënyra më të ashpra në të ardhmen, edhe Komiteti do të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë. U pranua gjithashtu se tekste të mëtejshme për t’u lëshuar do të aprovoheshin nga Departamenti i Shtetit. Kjo nuk përfshinte lëshimet e vogla të teksteve që përdoren për të mbuluar operacione të veçanta.

Infiltrimet

U përcaktua gjithashtu se dega e OPC duhet të zgjerojë operacionet e saj duke shtuar të infiltruarit dhe mbështetjen e tyre me deri 50 njerëz, deri në fund të vitit 1951, dhe më pas forca e agjentëve në vend të mbahej në këtë nivel. Agjentët do të përdoren për krijimin e grupeve të rezistencës, e pikave të sigurta si dhe detyra të tjera operacionale për të cilat do të marrin udhëzimet e nevojshme. Më tej u diskutua programi i luftës psikologjike, dhe u pranua nga të gjithë se kur ky aktivitet të përforcohej me bllokime të transmetimeve, do të kthehej në një program të plotë. Zoti .. propozoi se një seri veprimesh të vazhdueshme duhet të zhvilloheshin në mënyrë që programi të mos humbiste efektivitetin e tij, në formën e lëshimeve nga ajri të qeseve të miellit apo furnizime të tjera. U pranua nga të gjithë se ky propozim kishte merita dhe duhej të ndiqej.

Stërvitja e agjentëve

U ra dakord nga të pranishmit se ishte e dëshirueshme për OPC që të krijohej një kuadër prej rreth 500 trupash shqiptare të stërvitura që do të shërbenin si thelbi i rezistencës së dominuar nga SHBA, të aktivizuar në rast situatash të mundshme krize, si më poshtë:

Në rast se bëhej politikë e Shteteve të Bashkuara nxitje dhe përmbysja e regjimit komunist me anë të një revolucioni. Në rast se dëshirohej të ruhej influenca e SHBA në Shqipëri, për kushtet që mund të formoheshin në rast të një agresioni nga Jugosllavia për përmbysjen e pushtetit. Një revolucion i tillë do të sillte padyshim edhe ndërhyrjen greke në jug të vendit, prandaj një situatë e tillë e rrezikshme do të sillte nevojën e një force amerikane që do të justifikonte dhe lejonte ushtrimin e influencës në situatën e komplikuar që mund të shpalosej. Në rastin e një pushtimi jugosllav e grek të Shqipërisë, prezenca e një force “parandaluese” e sponsorizuar nga SHBA do të shërbente për kontrollin e situatës... Përmendi se numri i madh i problemeve me të cilat po përballet aktualisht regjimi komunist shqiptar, e bëjnë të dëshirueshme rritjen e numrit të njerëzve të gatshëm për operacione të OPC. Zyrtari përmendi se masa e kompanisë së gardës shqiptare mund të rritej në 500 me shpejtësi, pa shtuar rreziqe sigurie, dhe OPC do të merrte hapa për arritjen e kësaj. Zoti Reinhardt sugjeroi që OPC të përgatisë një dosje me të gjithë aktivitetin e njohur të Jugosllavisë kundër Shqipërisë dhe kundër NCFA (Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë). Një tjetër mbledhje do t mbahej menjëherë si pikënisje e diskutimeve me jugosllavët, nëse sigurohemi se ata janë vërtet duke zgjeruar aktivitetet e tyre për marrjen e kontrollit në Shqipëri, në mënyrë të hapur ose të fshehtë.

7 qershor 1951

Memorandum bisede

Pas diskutimit të subjektit me zotin Joyce, u takova me Higgs dhe Cambell të Departamentit të Shtetit, dhe u tërhoqa vënendjen në pikat e mëposhtme: Natyra gjithnjë e më shumë ushtarake e aktiviteteve të organizatave shqiptare të emigracionit në Jugosllavi, e cila po shkakton eksitim në rrethet e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë dhe grupet e tjera shqiptare të emigracionit në përgjithësi. Njoftimi i ekzistencës së grupit të sponsorizuar nga Jugosllavia në radion jugosllave, bënte të qartë se grupi ka si qëllim arritjen e përmbysjes së regjimit Hoxha. Për më tepër, qasjet që janë bërë nga jugosllavët te përfaqësuesit shqiptarë të grupit, kanë bërë të qartë se Jugisllavia është e gatshme të mbështesë një program shumë më të gjerë sesi ai që ka sponsorizuar SHBA në formën e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA). Si rezultat i perspektivës atraktive për veprim të dhunshëm në të ardhmen e afërt, edhe anëtarët e komitetit tonë mund të joshen nga grupi jugosllav, duke bërë që NCFA të humbasë mbështetjen e liderëve dhe të publikut shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Aktivitetet jugosllave, siç është reklamuar nga publiciteti i grupit të sponsorizuar nga Jugosllavia dhe fushata e tyre e rekrutimit, tregojnë se shqetësimet e tyre nuk ishit të sinqerta kur sinjalizuan për qeveritë amerikane e britanike se aktivitetet e NCFA mund të shkaktonin një ndërhyrje sovjetike që mund të rrezikonte paqen në Ballkan. Vetë jugosllavët po përfshihen në një aktivitet shumë më provokativ sesa është kryer deri tani nga ne apo vende të tjera perëndimore. Në rast të një grushti shteti të sponsorizuar nga Jugosllavia, do të ishte e vështirë të ndalonim grekët në pushtimin e pjesës jugore të Shqipërisë, të cilën e konsiderojnë si interes legjitim, situatë e cila mund të jetë e vështirë dhe e sikletshme.

Ndërhyrja e SHBA

Unë sugjerova se është e dëshirueshme të sinjalizojmë me anë të ambasadorit tonë në Beograd, për paqartësinë e deklaratave jugosllave mbi rrezikun e ndërhyrjes sovjetike në rast të provokimeve perëndimore me grupe rezistence, në një kohë kur vetë Jugosllavia ka krijuar një organizatë shumë më militante dhe po njofton hapur rekrutimin e një force për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Mendimi im për sugjerimin e përpjekjeve diplomatike, duhet të ndihmojë në perceptimin e qëllimeve të vërteta jugosllave, sipas të cilave do të konceptohet edhe politika amerikane në lidhje me këtë çështje. Unë sugjerova gjithashtu se meqënëse pezullimi dymujor i lëshimit të broshurave nga ajri ka skaduar, do të ishte mirë që të riniste lëshimi i teksteve ku ngrihet lart aktiviteti i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë për ruajtjen e prestigjit të SHBA dhe për të treguar shenja të aktivitetit tonë duke ruajtur besimin e publikut e duke penguar dezertimin masiv nga Komiteti i sponsorizuar nga SHBA drejt atij jugosllav. U pranua gjithashtu nga anëtarët prezentë të Departamentit të Shtetit se do të ishte e dëshirueshme ngritja e çështjes së mësipërme me shtetin jugosllav dhe zoti Higgs sugjeroi se kjo duhet të kryhej pas marrjes së përgjigjes së jugosllavëve nga ambasadori ynë atje. Në rast s kjo përgjigje do të ishte jo e kënaqshme, ne duhet të rifillojmë lëshimet e broshurave me efektin e kërkuar si për Shqipërinë dhe qeverinë jugosllave. Zoti Joyce pyeti nëse mendoja se ishte e dobishme të ngrihej çështja e organizatës shqiptare të sponsorizuar nga Jugosllavia, me gjeneralin Popoviç. Unë u përgjigja se karakterin jo-produktiv të bisedave të deritanishme me të, do të ishte e panevojshme ngritja e debatit me të, prandaj mbrojta qëndrimin se çështja duhet të ngrihet me anë të kanaleve diplomatike në Beograd.

30 qershor 1953

Memorandum për krerët e divizioneve

Sipas rrethanave ideale të përshkruara, qëllimi ynë është përmbysja e regjimit të Enver Hoxhës deri në vjeshtën e vitit 1954. Duke hartuar veprimet paraprake për nisjen e grushtit të shtetit, ne kemi supozuar se Jugosllavia, Greqia dhe Italia do të kishin një mendësi krejtësisht bashkëpunuese se secila do të pranonte të mos prekte Shqipërinë nga ana territoriale, përveç rasteve kur thërritej për asistencë. Sipas këtyre kushteve rekomandimet tona janë:

Plani për vitin 1953

Zgjerim i menjëhershëm i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë për të përfshirë të gjitha fraksionet politike veçanërisht BKI dhe grupin e Ali Këlcyrës; Të printohen mjaftueshëm Lek për të furnizuar operacionet e agjentëve; Të sigurohen shpejt 5 nëndetëse për nisjen e bllokadës totale të anijeve brenda e jashtë Shqipërisë. nëndetëset nuk duhet të identifikohen si amerikane por duhet të operojnë si mjete pirate pa flamur. Ato të drejtohen nga staf vullnetar pa dokumente; Nëndetëset të veprojnë në ujërat e Greqisë e Italisë dhe bashke me këto vende të zbatohet ndalimi i gjithë tregtisë mes tyre dhe Shqipërisë; Të rekrutohen 1000 deri në 1500 shqiptarë si forcë goditëse në momentin e grushtit të shtetit. Forca goditëse do të hyjë nga Jugosllavia e Greqia, si dhe me mjete amfibe zbarkimi.

Plani për vitin 1954

Sapo moti ta lejojë, të infiltrohen e të rekrutohen ekspertë amerikanë transmetimesh radio, për të drejtuar aktivitetet e rezistencës dhe të krijojnë një bërthamë të besueshme njerëzish të stërvitur që do të aktivizohen kur të jepet sinjali. Këto ekspertë të veprojnë kryesisht në veri të vendit ku kemi tashmë një organizatë fillestare rezistence. Ata do të furnizohen me lëshime ajrore ushqimesh, armësh e municionesh për revoltën. Ushqimi duhet të furnizojë edhe forcat e rezistencës që ato të mos vuajnë gjatë bllokadës ekonomike. Në fillim të verës të merren peng ambasadorët shqiptarë në Romë e Paris, dhe të njoftohet në radio dhe mjetet e propagandës se ata kaun dezertuar. Një program i zgjeruar me transmetime radio dhe lëshime broshurash të bëjë të ditur për afrimin e shumëpritur të ditës së zjarrtë të revoltës. Të paktën dy muaj përpara grushtit të shtetit broshurat të lëshohen me intervale të përjavshme. Të infiltrohet në Shqipëri në mënyrën më të sigurt të mundshme një agjent amerikan i nivelit të lartë, që do të kontaktojë me Enver Hoxhës ose me Mehmet Shehun për t’i ofruar deri 500.000 dollarë dhe siguri për të ardhmen në këmbim të dezertimit të tyre. Dezertimi duhet të përfshirë edhe urdhrin e dorëzimit të armëve për Ushtrinë dhe Sigurimin, në momentin e duhur. Të bëhen transmetime nga të gjithë liderët e emigracionit, për të nxitur mbështetësit e tyre t’i bashkohen lëvizjes së rezistencës. Anëtarët e juntës ushtarake të lëshohen në Shqipëri për drejtimin e revolucionit në ditën e caktuar

Deri në gusht 1954, operacionet simulante të forcave të rezistencës dhe forcave goditëse të kenë siguruar përmbysjen e suksesshme të regjimit komunist dhe vendosjen e një qeverie të përkohshme të pranueshme, nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja nga fqinjët

Gjatë veprimeve të revolucionit forcat e stërvitura prej rreth 4000 shqiptarësh që pretendohet se ekziston në Jugosllavi dhe forcat ushtarake të Greqisë e Jugosllavisë duhet të qëndrojnë të gatshme për asistencë nëse lind nevoja. Forcat greke dhe jugosllave duhet të tërhiqen menjëherë prapa kufijve të tyre sapo revolucioni të ketë shpallur suksesin. Flota e gjashtë amerikane do të bëjë manovra në detin Adriatik e Jon gjatë revolucionit, për të mbuluar zbarkimet amfibe dhe për të ndihmuar revolucionarët në rast nevoje. Ajo nuk do të ketë një rol aktiv nëse nuk thërritet për këtë. Flota do të mbetet në zonë për disa javë për të shkurajuar dhe parandaluar veprime antagoniste nga Bashkimi Sovjetik apo satelitët e tij. Të organizohen zgjedhje të lira për qeverinë demokratike. Teksa shumë nga rekomandimet individuale në paragrafët e mësipërm mund të mos jenë të nevojshëm, është me rëndësi të kërkohet neutraliteti miqësor i Italisë, Greqisë e Jugosllavisë për përmbysjen e qeverisë shqiptare, në mos bashkëpunimi i tyre aktiv.

27 maj 1953

Konfidenciale

Në lidhje me bisedën tonë telefonike të 27 majit 1953

Këtij memorandumi i bashkangjis tre pyetje për të cilat besoj se është e rëndësishme dhe urgjente të marr një përgjigje nga burime zyrtare, mundësisht nga një zyrtar i administratës që mund të nxitohet me emër. Është e dëshirueshme por jo esenciale që përgjigjet të jepen në kohën e përvjetorit tonë në Shqipëri më 1 qershor, por meqënëse çështja ka një rëndësi të përgjithshme, është po aq e rëndësishme që ne të marrin një përgjigje brenda dy ose tre javëve.

Bashkangjitur do të gjeni drafte të tipit të përgjigjes që do të preferonim, ose që ne shpresojmë të mund të na jepni. Megjithëse si në çdo situatë tjetër, konkluzionet tona duhet të mbështeten më shumë në mundësitë sesa në provat, ka gjithsesi disa tregues që na bëjnë të mendojmë se opinionet tona duhet të merren seriozisht dhe nëse meritojnë këtë seriozitet, ai duhet të jepet me urgjencë.

Rrëzimi i regjimit

Fillimisht dua të përmend mundësinë e çlirimit. Opinioni ynë ka qenë se mundësitë e çlirimit me një kryengritje të armatosur në Shqipëri kanë qenë shumë të vogla, dhe kjo gjithmonë në varësi të fqinjëve të saj. Greqia, Jugosllavia e Italia do të përfitonin menjëherë nga një trazirë në Shqipëri duke e eliminuar si një vend sovran. Disa kohë më parë italianët hoqën dorë nga ambicie të tilla kurse është ende e qartë se grekët nuk janë të kënaqur me situatën në Epirin e Veriut. Njoftimi italian u ndoq nga një qasje e zbutur edhe nga ana e Greqisë për Epirin e Veriut. Ndërsa kohët e fundit një prononcim i qeverisë turke për komentin e Moxhe Pijade (zëdhënës i Titos) thotë se Jugosllavia e ka braktisur krejt pretendimin e saj për të shtuar Shqipërinë si tjetër shtet brenda federatës së saj, duke pranuar pavarësinë e saj si një vend i çliruar. Ne besojmë se kjo do të jetë shumë inkurajuese për forcat çlirimtare të Shqipërisë brenda vendit, cilatdo qofshin opinionet e tyre politike. Kjo iniciativë do të kishte gjithashtu shumë përfitime për vetë Titon.

Sa i përket pikëpamjet tonë, do të ishte shumë më e dëshirueshme një Shqipëri që çlirohet nga forcat e brendshme me ndihmën e Perëndimit, sesa një Shqipëri që shikon nga Tito për mbështetje. Është tashmë e ditur se Tito ka idetë e tij dhe forcat e tij për një çlirim të mundshëm të Shqipërisë, dhe se më parë ai ka kundërshtuar aktivitetin nga vende të tjera fqinje. Që prej vizitës së Titos në Londër për pjekjet e Titos për çlirimin e Shqipërisë kanë treguar shenja të reja aktiviteti. Me shumë rëndësi besoj se është informacioni i marrë për një oficer titist në Itali që po kontakton me grupet shqiptare të emigracionit atje. Duket se amerikanët dhe Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë po përjashtohen nga këto bisedime. Ne i konsiderojmë këto si kërcënuese, edhe përpara lajmit të deklaratës së Pijade në Stamboll, pasi këto të dyja krijojnë një motiv që është i vështirë të mos merret parasysh.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 25

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/12/2018 - 07:08

Amerikanët kanë dhënë detaje për një mision të vitit 1951, ku është infiltruar një agjent i tyre në vendin tonë. Në dokumente e deklasifikuara jepen detaje nga përballja e tij me banorët.

Postuar: 18/12/2018 - 07:07

Amerikanët kanë dhënë detaje nga lufta që regjimi komunist i shpalli fesë.

Postuar: 16/12/2018 - 07:26

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi organizimin për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 15/12/2018 - 07:11

CIA ka dhënë detaje nga misionet e saj për rekrutimin shqiptarëve, me qëllim përdorimin e tyre pë

Postuar: 14/12/2018 - 07:01

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin dhënë urdhër të prerë në vitin 1950 që Tito të mos kishte

Postuar: 13/12/2018 - 07:04

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi situatën pas çlirimi të Shqipërisë nga nazistët.

Postuar: 11/12/2018 - 07:08

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi arsyet që çuan në vendosjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe B