Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, SHBA ultimatum Italisë, Greqisë e Jugosllavisë të qëndronin larg Shqipërisë, synohej armatosja e 10 mijë personave për rrëzimin e Hoxhës

Postuar: 25/07/2018 - 08:08

CIA kishte parashikuar dhe armatosjen e popullit shqiptar me qëllim rrëzimin e regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar tregohen planet e amerikanëve për të larguar Enver Hoxhën nga pushtetit. Synimi ishte që 10 mijë civilë të armatoseshin dhe të nxisnin revoltat. Nga ana tjetër amerikanët u trembeshin synimeve të fqinjëve dhe për këtë arsye dërgonin ultimatume ndaj Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë.

22 tetor 1951

Konkluzione të konsultimeve për operacionet në Shqipëri

Është rënë dakord se viti 1952 duhet të jetë vendimtar për operacionet e përbashkëta BGFiend/Valuable. Pranvera e vitit 1953 mund të jetë limiti i ruajtjes së moralit të lartë aktual të rezistencës në vend, para se të nisë përkeqësimi dhe demoralizimi i palëve tona aleate. Ministria e Jashtme britanike ka njoftuar Departamentin e Shtetit se në politikat e saj përfshihet një Shqipëria e pavarur. Britanikët thonë se pranojnë urgjencën e situatës dhe do të lejojnë përshkallëzim të aktiviteteve. Edhe qëndrimi i Departamentit të Shtetit është i njëjtë, prandaj misioni pritet të marrë një fuqizim brenda 3-muajve. Deri në marrjen e instruksioneve të tilla operacionet do të vazhdojnë në nivelin aktual. Politika zyrtare kundrejt komitetit shqiptar të Prizrenit, të sponsorizuar nga jugosllavët të jetë në mbikëqyrje. Motivet e vërteta të këtij grupi mund të vënë në dyshim apo dhe të sulmojnë Komitetin Shqipëria e Lirë, por gjithsesi duhet të evitojmë konfrontimet e hapura me jugosllavët. Ambasadori britanik është instruktuar për sa më poshtë në lidhje me Titon dhe Jugosllavinë: Britania favorizon një Shqipëri të pavarur dhe kërkon qartësi mbi qëllimet e vërteta të Komitetit të Prizrenit dhe nëse ato janë politike apo ushtarake. Londra kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim mes vendeve nëse është e mundur. Britania dhe SHBA kanë rënë dakord të informojnë Titon për qëndrimin e tyre të përbashkët mbi Shqipërinë dhe pavarësinë e saj, prandaj 3 vendet e saj fqinje Jugosllavia, Greqia e Italia duhet të heqin dorë nga pretendimet territoriale dhe t’i denoncojnë ato. Britanikët besojnë se Tito kërkon ndryshime në qeverinë e Shqipërisë të cilat të sjellin largimin e saj nga blloku sovjetik i Cominform dhe qëndrim miqësor ndaj Beogradit. Si zgjedhje e dytë, Tito do të preferonte një Shqipëri miqësore ndaj Perëndimit (përveç rastit të një politike të vendosur për veprim të gjerë kundër regjimit të Enver Hoxhës, një marrëveshje e mundshme mes dy komunitete shqiptare në ekzil nuk do të shërbente për gjë, me gjithë vullnetin e mirë të mundshëm të Titos). Britanikë raportojnë se kanë arsye të besojnë se italianët nuk kanë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë dhe se do të ishin ë kënaqur t’ia linin çështjen shqiptare ne ose britanikëve, pasi i tremben vetëm copëtimit të Shqipërisë mes grekëve e Jugosllavëve. Italia në Shqipëri kryen vetëm misione të vogla periodike inteligjence. Edhe kushtet në Greqi mbeten të favorshme për vazhdimin e operacioneve.

 Propaganda

Është e nevojshme mbështetja e vullnetit të popullit për rezistencë, por për momentin ajo nuk duhet shtuar, por vetëm ruajtur. Të tregohet kujdes në aplikimin e formave të zakonshme të propagandës, plus përdorimin e gazetave si mjet mbulimi e furnizimi, sabotimet e radio-Tiranës dhe operacionet e lëshimit. Është rënë dakord që operacionet e fluturimeve vetëm për lëshime fletushkash të kufizohen në çdo dy muaj gjatë kësaj periudhe të ndërmjetme. Në Komitetin Shqipëria e Lirë të nxitet vazhdimisht uniteti dhe aktiviteti i koordinuar në interes të KSHL dhe jo të partive të veçanta. Ne theksuam me britanikët natyrën delikate të çështjes së bashkëpunimit për tekstet e Zërit të Amerikës dhe ramë dakord se përpjekjet për përmirësimin e kohës së publikimit të lajmeve në mënyrë që ato të përdoren nga BBC. Kemi menduar se mund të përdorim më mirë shtypin amerikan, britanik dhe agjencitë e huaja si italiane, greke, turke, neo-zelandeze etj. Britanikët theksuan dëshirën për të mos u konfrontuar me Komitetin shqiptar të Prizrenit, në mënyrë të shfrytëzimit të tij nëse agjencitë do të kishin nevojë më vonë. Siç kemi deklaruar më herët, çdo lloj propagande e KSHL që kundërshton linjën e Titos, duhet të ndjekë kursin e hedhjes së dyshimeve ose vetëm të skepticizmit ndaj Komitetit Shqiptar të Prizrenit, duke i shmangur provokimeve ekstreme. Nëse është e mundur propaganda jonë të punojë drejt eliminimit të objektivave të grupit të Prizrenit.

Strategjia

Përfaqësuesit tanë në Romë kanë marrë një draft të direktivave për rishikimin e linjave kryesore të propagandës, të cilat të bëjnë që KSHL t’i kundërvihet çfarëdo përpjekje nga Komiteti i Prizrenit për diskreditimin e KSHL ose për uljen e prestigjit të tij mes shqiptarëve. Ne kemi rënë dakord të rishikojmë politikat për raste të veçanta devijimi nga linja e përgjithshme e propagandës. Kjo është e nevojshme për të siguruar që dy palët të jenë të koordinuar me linjën e mediave të tjera. Ne ishim dakord se populli shqiptar po i njeh me dhimbje mizoritë e komunizmit, prandaj propaganda duhet të fokusohet në qasjen pozitive dhe jo në theksimin e negatives. Dëshirohet që fletushkat të minimizojnë tekstet editoriale dhe të përdoren më shumë karikaturat. Fushata e influencimit me postë duhet të intensifikohet dhe gjithashtu duhet të krijohet një slogan ose simbol sa më shpejt, i cili të përdoret në materialet dhe mallrat e dërguara në Shqipëri. Më shumë punë duhet të bëhet dhe publicizmin e KSHL nëpër botë, veçanërisht në fushën e përhapjes së lajmeve të KSHL, aq sa për t’u përdorur dhe nga agjenci të tjera botërore. Në lidhje me lëshimet ajrore të mallrave të vogla të nevojshme, ne dhe britanikët do të bashkëpunojmë nga ana teknike dhe mbi mallrat, por do të veprojmë në mënyrë të veçuar .

23 tetor 1951

Britanikët e Valuable thonë se kanë nevojë për leje nga Ministria e Jashtme dhe ushtria për fondet e krijimit të batalionit shqiptar në një brigadë ndërkombëtare, të mbledhjes së armatimeve dhe materialeve, si dhe nisjes së trajnimeve. Ata thanë se sipas planit të tyre, stërvitjet në Maltë do të nisin menjëherë. Në lidhje me këtë ne deklaruam propozimin për zgjerimin e forcës aktuale në 500 njerëz dhe të një njësie elitare oficerësh brenda saj. Megjithëse propozimet mund të sjellin dyfishimin e përpjekjeve, kjo mund të sjellë probleme koordinimi. Kjo është e lidhur gjithashtu me masën e simpatisë dhe e rezistencës brenda ushtrisë së Shqipërisë. Është parashikuar gjithashtu armatosja e popullatës civile simpatizante ndaj lëvizjes, në mënyrë që ajo të duket si një kryengritje e brendshme. Një operacion i tillë duhet të jetë i shpejtë, simuluan dhe nuk duhet të nisë pa i siguruar strategjia e plotë dhe e suksesshme për përmbysjen e regjimit. Në planet tona duhet të përfshihen armë për 10.000 njerëz dhe mbi të gjitha, çelësi i operacionit është që shqiptarët të bëhet të kuptojnë se kryengritja është reale (kjo të arrihet me anë të teksteve të nxehta të fletushkave që do të lëshohen vetëm pak ditë para operacionit). Plani të përfshijë dezertimin masiv të ushtrisë dhe të bëhet që trazirat të duken totalisht të brendshme. Dezertimi masiv duhet të jetë i menjëhershëm. Për depërtimin në tre zonat e caktuara ku do të lëshohen furnizimet dhe armatimet për nacionalistët, duhet të bëhet sa më poshtë: 1. Të sigurohet bashkëpunimi sekret i Greqisë dhe Jugosllavisë, ose 2. Bashkëpunimi sekret i Greqisë dhe neutraliteti dashamirës i Jugosllavisë. Greqia të bashkëpunojë për zbarkimet detare dhe fazën logjistike të operacioneve, kryesisht në lidhje me fluturimet e avionëve ushtarakë. Sasi të konsiderueshme ushqimesh duhet të lëshohet, të paktën aq sa për njerëzit që do të armatosen. Dy javë janë caktuar si koha e llogaritjes së masës së ushqimit për mbështetjen e revoltës.

Komunikimet

Komunikimet duhet të organizohen paraprakisht dhe grupet e komunikimit duhet të veprojnë nga secila prej zonave të lira. Britanikët thonë se nuk e shikojnë mundësinë e një operacioni të tillë para pranverës 1953, duke kërkuar një vit për përgatitjet. Me sa duket është gjithashtu e rëndësishme që Komitetit Shqipëria e Lirë të mos i jepet mundësia të ndërtohet si një qeveri e emigracionit apo as si qeveria e mundshme pas çlirimit. Në fakt ne duhet të presim që KSHL të shprehet në favor të zgjedhjeve të sponsorizuara prej nesh, pasi fuqitë kërkojnë të evitojnë një luftë të mundshme civile pas çlirimit. Vetëm për rrëzimit të regjimit të vjetër, duhet të nisë ngritja e profilit të Komitetit, edhe kjo duke u shprehur si në favor të operacionit dhe jo duke u prezantuar si komandues i tij. Inteligjenca më e mirë për Shqipërinë duket se është ajo që ka ardhur nga shërbimet greke, edhe pse është e turbullt dhe jo sipas interesave kryesore të BGFiend/Valuable. Marrjet në pyetje të refugjatëve shqiptarë ndodhin shumë kohë pas arratisjes së tyre në sistemin grek, prandaj po bëhet e nevojshme që ne të stacionojmë një marrës në pyetje në veri të Greqisë. Britanikët besojnë se informacioni i ardhur nga Italia nuk është i favorshëm, duke marrë parasysh që ata kanë lidhje tregtare me Shqipërinë dhe një ambasadë në Tiranë. Ndoshta italianët besojnë se ne kërkojmë t’u marrim të gjitha informatat, por gjithsesi besojmë se marrëveshja jonë e këmbimit të informacionit me italianët nuk është ezauruar siç pritej. Problemi i arritjes së inteligjencës së mirë mund të zhduket me aktivizimin e agjentëve të specializuar, ose me shfrytëzimin e dezertorëve të nivelit më të lartë. Mes të tjerave ne kemi konsideruar të favorshme skemat e dezertimit të zyrtarëve të ambasadës, siç ishte rasti i Romës, ku u ofrua ndihmë në rast të këmbimit me inteligjencë të vlefshme. Kemi rënë dakord që britanikët të merren me kontaktin, duke përcaktuar kredibilitetin e tij, dhe nëse është e mundur, të realizojnë dezertimin.

Politika

Britanikët kanë deklaruar se pozicioni i tyre në lidhje me Komitetin Shqipëria e Lirë duket të ulet në përgjegjësitë e mëparshme, dhe daljen nga “operacionet”. Ata besojnë se operacionet vetëm ngacmuese nuk mund të krijojnë bazën për riorganizim ose rindërtim, prandaj kërkojnë ribërjen e Komitetit, rritjen e fuqive të tij, për ta kthyer në një vegël të fortë dhe jo vetëm në një grup njerëzish. Edhe pikëpamjet tona janë të ngjashme, sa i përket zgjerimit të tij. Ne besojmë se funksioni i Komitetit duhet të jetë si mbulesë e aktivitetit tonë, ashtu dhe burim propagande dhe organ i shqiptarëve të interesuar në mirëqenien e popullit (çështjet operacionale nuk duhet të pranohen në asnjë rrethanë në kuadrin e Komitetit). Ne kemi rënë dakord se preferojmë një ndryshim në strukturën e komitetit për të eliminuar sistemin aktual të dyfishtë, dhe krijimin e një grupi drejtues me nëngrupe, anëtarët e të cilëve herë pas herë humbasin në rotacion. Nga nëngrupet e komitetit, një mund të punojë specifikisht me propagandën, pastaj me mirëqenien, ndërsa junta ushtarake e tij të jetë një degë e papublikuar. Kemi rënë dakord se përbërja e KSHL të jetë vazhdimisht objekt ndryshimesh, dhe jo një dyqan i monopolizuar. Kjo gjë duhet bërë e qartë për anëtarët. Kryeziu nuk duhet të shkarkohet nga posti i tij por vetëm të kritikohet ashpër. Ne kemi rënë dakord se nëse nuk marrim veprime të tilla rinovuese, prestigji i Komitetit në Shqipëri mund të dëmtohet shpejt. Mbështetja e tij anglo-amerikane e pengon Komitetin nga kritikat e brendshme. Kjo vjen nga indiferenca e popullatës ndaj aktivitetit të Komitetit, kryesisht prej të infiltruarve të nivelit të ulët, bisedat e tyre për gjërat që do të vijnë dhe mospërputhja e realitetit të tyre me kushtet brenda Shqipërisë.

Operacionet

Është dhënë miratimi për rinisjen e operacioneve. Deri tani 39 njerëz kemi infiltruar në vend, 12 gjenden ende aty, 2 prej të cilëve duke operuar në mënyrë aktive. Kemi kryer 5 operacione lëshimesh fletushkash, dhe 31 fluturime klandestine mbi Shqipëri, në një total prej 46 orësh, gjatë të cilave kemi lëshuar rreth 4000 kg armë, furnizime e municione. Janë kryer 23 fluturime klandestine në të cilat janë infiltruar 39 njerëz. Shtatëmbëdhjetë prej tyre janë rikthyer në Greqi, shtatë kanë dezertuar të Tito, katër janë kapur dhe kanë dalë në gjyq. Në operacionet e britanikëve janë infiltruar katër grupe agjentësh, një prej të cilëve ka bërë kontakt me bazën. Nga infiltrimet nga deti, është ekzekutuar një dalje, ose eksfiltrim i suksesshëm. Kemi nevojë për integrim më të thellë mes operacioneve tona dhe të britanikëve. Në të kaluarën, agjentët tanë të nivelit të ulët janë konsideruar më shumë të dëmshëm se të dobishëm. Si rezultat i këtij kalibri të ulët të agjenturës, edhe palët në Komitetin Shqipëria e Lirë kanë pasur tendencë të mbrojnë më shumë interesat partiake sesa ato të kombit. Kemi qenë dakord se të gjitha problemet e grupeve në 1951 kanë ardhur nga niveli i ulët i agjentëve të furnizuar nga Komiteti. Brenda kufizimeve të logjikshme, kufiri grek do të vazhdojë të përdoret në të dy drejtimet përveç anëtarëve të Ballit Kombëtar. Do të ishte e dëshirueshme të tejkalohej ky kundërshtim nga ana e Greqisë dhe e BK. Britanikët kanë raportuar se infiltrimet fillestare nga deti kanë qenë të suksesshme dhe se kjo metodë pritet të përdoret më gjerë në të ardhmen. Sipas kushteve të caktuara operacionale kjo formë infiltrimi dhe eksfiltrimi (dalje, rikthim) është një formë e leverdishme dhe praktike me ndihmën e marinës britanike.

Planet për 1952

Ne do të trajnojmë 8-10 agjentë transmetues radio për misionet afatshkurtra të kontaktimit të zyrtarëve shqiptarë (kryesisht të ushtrisë) dhe për vendosjen e kontakteve të përhershme radio. Gjithashtu do të fokusohemi në detyrat e veçanta si dezertimet, mbledhja e inteligjencës dhe propaganda për sabotazhe. Do të vazhdojmë rekrutimet e individëve të nivelit të lartë dhe do të mbyllim rekrutimet e agjentëve nga Kompania e Gardës. Ashtu si britanikët, ne do të synojmë që operacionet e 1952 të jenë më klandestine. Parimet operacionale të britanikëve janë të ngjashme me tonat dhe ata janë dakord për koordinim më të ngushtë meqenëse dhe fusha e veprimit është ngushtuar. Masa e koordinimit e arritur në të kaluarën është gjykuar si e paplotë edhe pse ishte e tillë prej ruajtjes së parimit të “mospërfshirjes operacionale”.  

Siguria e operacioneve

Është pranuar nga anëtarët e Komitetit se shqiptarët dinë për operacionet klandestine thuajse sa dhe vetë agjentët, prandaj KSHL duhet të përjashtohet tërësisht nga operacionet. Për operacione më të vogla e më të fshehta në 1952, Kompania e gardës dhe kampe të tjera do të lihet jashtë tërësisht në lidhje me rekrutimin e agjentëve. Zakoni i këmbimit të letrave është ditur që ka qenë burim i dekonspirimit të planeve tona ndaj grekëve dhe italianëve, prandaj zgjidhja e vetme është kufizimi i marrjes së informacione nga këta “shkrimtarë të palodhur”. Britanikët e Valuable raportojnë përdorim të suksesshëm të skemës së Fermës së Punës për nga ana e sigurisë dhe gjithashtu e detyrimeve morale. Theksojmë se britanikët nuk janë prekur nga probleme si gjendja e rëndë e familjeve. Skema e fermave kolektive mund të parandalojë një shpërndarje të madhe të shqiptarëve dhe humbjes së gjurmëve të tyre në rast nevoje për mobilizim. Më vonë këta njerëz ata i përfshinë në Brigadën Ndërkombëtare Britanike. (Duke marrë parasysh pamundësinë e Kompanisë së Gardës për furnizimin me agjentë të cilësisë së operacioneve vërtet klandestine, ne po studiojmë mundësinë e përdorimit të saj si një njësi për lëshimin e individëve të panevojshëm). Ne konsiderojmë me vlerë studimin e mundësisë së blerjes së një toke, plantacioni apo prone në territore tona koloniale nëpër botë për grumbullimin dhe ekzistencën e njerëzve të panevojshëm. Fillimisht u mendua për periferinë e kryeqytetit por ideja është që ky investim të arrijë të bëhet të paktën i vetëmjaftueshëm. Megjithëse na është ofruar nga britanikët, ne do të përpiqemi të mos përdorim modelin e tyre të Fermës së Punës. Për problemin e heqjes qafe të individëve të panevojshëm do të negociohet dhe në Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit në Gjenevë.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2018 - 07:09

Amerikanët kanë ecur me plane të detajuar për të rrëzuar regjimin komunist në vend.

Postuar: 16/11/2018 - 07:05

Amerikanët i kanë kushtuar një rëndësi shumë të madhe ish-Mbretit Zog.

Postuar: 15/11/2018 - 07:06

Mit’hat Frashëri është një figurë që ka zënë hapësirë dhe më arkivat amerikane.

Postuar: 14/11/2018 - 07:02

 Amerikanët kanë dhënë detaje mbi kosto e operacioneve të CIA për rrëzimin e regjimit komuni

Postuar: 13/11/2018 - 07:08

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e

Postuar: 11/11/2018 - 07:35

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e