Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja parashikimet e CIA më 1952 mbi rreziqet e rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës, Tito u rreshtua kundër planit për ndërhyrje ushtarake

Postuar: 21/08/2018 - 09:12

CIA tentoi për vite e vite me radhë për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, por gjithmonë ekzistonte frika e fqinjëve. Në disa dokumente të vitit 1952, CIA i druhej një sulmi ushtarak nga Jugosllavi apo Greqia në se binte regjimi i Enver Hoxhës. Aty tregohet se vetë Tito doli kundër ndërhyrjes në Shqipëri, por Grekët mendonin e ai bashkëpunonte me britanikët dhe kishte qëllime të tjera.

Shtator 1952

Komente të përgjithshme Shqipëri-Jugosllavi

Gjatë vitit të fundit politikat jugosllave mbi Shqipërinë po marrin në konsideratë të gjitha zhvillimet e mundshme për të ardhmen. Në deklaratat e tyre publike jugosllavët shprehen për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur, brenda kufijve aktualë dhe kundër ndërhyrjeve të vendeve të Ballkanit te ajo, me theks të veçantë te Italia. Jugosllavët thonë se vetë populli shqiptar do ta rrëzojë regjimin e Hoxhës kur të vijë koha, por në të njëjtën kohë ata ruajnë presionin fizik dhe psikologjik ndaj Shqipërisë. Beogradi i kundërvihet gjithashtu grupeve shqiptare të emigracionit jashtë vendit të tij, veçanërisht Komitetit Shqipëria e Lirë të sponsorizuar nga SHBA. Aktualisht nuk ka gjasa që Jugosllavia të bëjë veprime të hapura kundër Shqipërisë, por mbetet në favor të vendit që megjithëse komandohet nga Moska, është teorikisht i pavarur. Propaganda e saj drejtohet si kundër Perëndimit dhe Lindjes, ndërsa Tito i vë theks të madh aspektit jo-agresiv të socializmit të tij. Tito ka thënë vazhdimisht në fjalimet e tij se ka një qeveri paqësore, pasi është e mundur që socializmi i tij të jetojë në paqe me fqinjët, veçanërisht me ato jo-socialistë, kështu që vazhdimi i mbijetesës së regjimit të Hoxhës në Shqipëri është një dëshmi për qëllimet e tij jo-agresive. Për Beogradin, një tentativë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës do të kërkonte mes të tjerave përgatitje të gjerë propagande dhe justifikim të kushteve që e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen e dhunshme. Tito beson se për këtë nevojitet një akord i plotë me Greqinë për çështjen e pretendimeve të saj mbi Epirin e Veriut, dhe gjithashtu një akumulim i forcave jugosllave në kufirin shqiptar, të përbëra kryesisht nga kosovarë të stërvitur.

Rreziku

Por një agresion jugosllav ndaj Shqipërisë do e fuste atë në telashe me fuqi të tjera evropiane, veçanërisht me Britaninë dhe SHBA. E vetmja situatë ku mund të justifikohet përdorimi i forcës në ndërhyrjen në Shqipëri, për momentin do të ishte shpërthimi i një lufte të gjerë, ku Jugosllavia do të ndërhynte menjëherë në Shqipëri për të mbrojtur krahët e saj. Sa i përket gjendjes së brendshme, në Shqipëri pakënaqësia është përhapur gjerë që prej prishjes me Jugosllavinë në 1948. Shumica e popullatës jo vetëm kundërshtojnë regjimin aktual, por dhe elementë të niveleve të ulëta të partisë po tregojnë shenja pakënaqësie. Disa aspekte pozitive të zhvillimeve të brendshme janë zgjerimi i kapaciteteve industriale dhe rritja e asistencës së BRSS, që ka sjellë dhe rritjen e aftësisë së regjimit për t’u përballur me grupet e rezistencës e spiunazhit. Një revoltë e brendshme në Shqipëri do të ishte e pa konceptueshme pa dezertimin e masave të gjera të ushtrisë dhe të forcave të sigurisë, të cilat tashmë duket se kontrollohen plotësisht nga oficerët sovjetike dhe oficerët e besuar shqiptarë që janë shkolluar në Bashkimin Sovjetik. Masa e raportuar e emigracionit shqiptar në Jugosllavi prej 6000 vetë duket e ekzagjeruar, pasi sipas shifrave jugosllave numri ka qenë rreth 3200 në mars 1952 dhe rreth 3500 në gusht.

Në fillim të tetorit 1951 Ljubo Kovaceviç, i ngarkuari jugosllav me punë në Beirut shkoi në Damask të Sirisë me qëllim për të intervistuar disa refugjatë shqiptarë atje, për t’i njohur me qëndrimin jugosllav ndaj çështjes shqiptare dhe për të propozuar formimin e komitetit të ndihmës ndaj luftës për përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës. Sipas tij ky komitet do të kishte ndihmën e plotë politike e financiare të qeverisë jugosllave. Një nga krerët e komunitetit shqiptar atje me të cilin Kovaçeviç bisedoi ishte njëfarë kolonel Myli. I dërguari jugosllav tha se detyra e shqiptarëve do të ishte drejtii i guerilëve për depërtimin nga territori jugosllav në Shqipëri. Refugjatëve iu tha se pas rrëzimit të regjimit Hoxha ata do të merrnin jesh aktiv enë formimin e qeverisë së re pro-Tito në Shqipëri. Refugjati i njohur si Myli refuzoi bashkëpunimin.

Memorandum

Progres-raport ditor për e premte, 6 qershor 1952

Një kabllogram nga Londra deklaron se shërbimet britanike kanë pranuar përkohësisht shtyrjen e lëshimeve të broshurave të propagandës mbi Shqipëri. Ky hap u ndërmor pas një sugjerimi i degëve se dy shërbimet duhet të kryejnë veprime të koordinuara mbi çështjen. Britanikët kanë kërkuar që të informohen sapo të hiqet ndalimi i propagandës nga SHBA, pasi ato nuk kanë një masë të tillë ndalimi nga qeveria e tyre. Agjenti ... raporton nga Kairo se është informuar nga Mbreti Zog se reagimi i Titos ndaj emisarit të Mbretit Zog, Safet Lutfi Tozani, kishte qenë miqësor. Tito kishte bërë të ditur se nuk ishte i lehtë përmbysja e regjimit të Hoxhës dhe se nuk do të lejonte një agresion kundër Shqipërisë nga Jugosllavia, prej frikës së kjo mund të precipitonte në një luftë. Bisedimet e Tozanit me zyrtarë të tjerë jugosllavë rezultuan në një marrëveshje për rifillimin e negociatave me Turqinë në 15 deri në 20 maj. Zogu ka ndërmend t’i propozojë Titos të lejojë futjen e agjentëve të tij në Shqipëri, nga tre pika në Jugosllavi, për punë paraprake, si dhe të kërkojë për ndihmën e hartimit të planit për përmbysjen e regjimit të Hoxhës, që do të miratohet më pas nga amerikanët. Zogu kërkon gjithashtu që Tito t’i kërkojë amerikanëve armë për shqiptarët, dhe beson se është e rëndësishme që Tito të marrë pjesë në përpjekjet e fshehta për çlirimin e Shqipërisë. raportohet se Zogu nuk shpreson shumë në suksesin e iniciativës por beson se diçka e dobishme mund të vijë si rezultat i saj. Ai u informua për progresin e grupit Apple dhe Zogu u përgjigj se do të përgatiste tre agjentë të tjerë të mirë për infiltrim rreth gushtit.

20 qershor 1951

Ministria e jashtme

Subjekti: Pavarësia e Shqipërisë

Nëse pushteti i brendshëm do të shembej apo nëse Jugosllavia do të sulmohej nga Cominform, ajo do të pushtonte Shqipërinë dhe të njëjtën gjë do të bënte edhe Greqia. Meqenëse jugosllavët e kanë prekur pak subjektin e bashkëpunimit me Greqinë, dhe grekët janë konsultuar me SHBA, duke bërë që rrjedhimisht të kërkohet edhe konsultimi me britanikët, Britania dhe SHBA nëse dëshirojnë që Shqipëria të mbetet e pavarur duhet të kërkojnë nga Greqia dhe Jugosllavia garanci që pushtimi i tyre do të jetë i përkohshëm. Ndërsa nëse pavarësia e Shqipërisë nuk është më e rëndësishme, përpjekjet tona duhet të fokusohen vetëm në parandalimin e një përplasjeje mes forcave të dy vendeve pushtuese. Gjenerali britanik do të preferonte një Shqipëri të pavarur miqësore me Perëndimin, por kjo jo me koston e dobësimit të Greqisë apo Jugosllavisë. Ai dëshiron gjithashtu një linjë të aprovuar demarkacioni kufitar mes dy vendeve.

Faktet e mëposhtme argumentojnë për në favorizim të pavarësisë:

Arsyet etnike dhe historike

Ekzistenca e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë; Vështirësitë e një zgjidhjeje alternative dhe konflikti i mundshëm mes vendeve të interesuara si Greqia e Jugosllavisë Faktet kundra pavarësisë: Vogëlsia dhe paqëndrueshmëria si shtet, që të bën të mendosh nëse do të ishte më mirë si një republikë e federatës së Jugosllavisë (me ose pa Epirin e Veriut). Kjo mund të ishte e pranueshme për Jugosllavinë e madje edhe për Greqinë. Shqiptart mund të distancoheshin nga Italia, por meqënëse jugosllavët po orientohen drejt Perëndimit kjo nuk do të ishte një zgjidhje shumë e papranueshme për popullsinë shqiptare. Kjo mund të kryhet edhe me supozimin se Shqipëria do të vazhdojë të jetë e pavarur. Sa më parë të nxiten jugosllavët dhe grekët të mos hyjnë në Shqipëri nëse sulmohen nga satelitët e BRSS, por nëse e bëjnë, të pranojnë një linjë kufitare. Sapo të nisin veprimin të deklarojnë publikisht se pushtimi është i përkohshëm.

Të këshillohen vendet se nëse regjimi bie, ne dëshirojmë të konsultohemi për regjimin pasues, me ta dhe me italianët.

6 tetor 1952

Memorandum

Dyshimet greke për bashkëpunim britaniko-jugosllav

Më 1 tetor 1952 ne bëmë një intervistë me Zyrtarin 2 të ministrisë së Jashtme greke dhe raporti i mëposhtëm është informacioni i marrë prej tij: Zyrtari 2 nuk pranoi të jepte emrat e britanikëve që kishin vizituar kufirin jugosllavo-grek, por na tha se njëri ishte një kolonel atashe i misionit britanik në Beograd që kishte vizituar Athinën kohët e fundit. Ai na informoi se kishte pasur një takim me një tjetër Zyrtar 3, temën e të cilin ata po përpiqeshin ta qartësonin në mendjet e grekëve. Ne lidhje me pozitën britanike mbi Shqipërinë dhe Lidhjen e Prizrenit të sponsorizuar nga jugosllavët, Zyrtari 3 pranoi se politika britanike është “larg duart” nga Shqipëria dhe se britanikët nuk do të bashkëpunojnë e nuk janë të interesuar në aktivitetet jugosllave, përveçse në një pozicion vëzhgues. Zyrtari 2 siguroi se grekët nuk besonin se kjo ishte politika e vërtetë e britanikëve, dhe se ai vazhdonte të besonte se ata janë të interesuar, apo deri në një farë mase mbështesin pozitën jugosllave. Zyrtari 2 theksoi se ministria e Jashtme greke mendonte se mendësia e SHBA mbi Shqipërinë ishte shumë e relaksuar, prandaj ata po mendonin që ambasadori i tyre në Uashington ta paraqiste çështjen te Departamenti i Shtetit, dhe nëse ishte e mundur të shtonte presionin mbi jugosllavët për të vetëpërmbajtur ambiciet dhe aktivitetet e tyre.

Zyrtari 2 përsëriti se Greqi nuk mund të lejonte nga ana morale apo logjike që jugosllavët të ndërhynin në Shqipëri, qoftë kjo e nxitur nga revolta e brendshme apo gjendja e luftës. Ai tha se “Greqia nuk do të qëndrojë duarkryq”, duke dhënë si arsye minoritetin grek në zonën e Gjirokastrës, të cilin Greqia duhet ta mbronte, dhe shtoi se kjo do të thoshte zhvendosjen e kufirit nga një vend komunist te një tjetër vend komunist, por më i fortë. Kur zyrtari 2 u pyet nëse ky problem ishte diskutuar me jugosllavët apo nëse do të diskutohej në të ardhmen, ai tha se nuk do të bëhej pasi në rast të tillë sipas tij, jugosllavët do të ndrinin menjëherë problemin e Maqedonisë greke, të cilin edhe grekët nuk pranojnë ta diskutojnë në asnjë rrethanë. Zyrtari 2 – Vasile Mostras; Zyrtari 3 – Sër Peake, ambasadori britanik;

24 prill 1953

Pozita e Titos

Ky memorandum do të shërbejë për të lidhur disa fije të shkëputura informacioni në lidhje me Shqipërinë dhe kohën e grushti shteti të mundshëm atje. Ju e mbani mend se gjatë javës së parë të prillit zoti Jackson deklaroi se e kuptonte zotin Adam Uatson të ambasadës britanike kur thoshte se gjatë vizitës së fundit të Titos në Londër, ai kishte deklaruar se grushti i shtetit kundër Shqipërisë duhet të bëhet menjëherë, dhe se ai ishte i gatshëm të negocionte me britanikët dhe amerikanët, nëse mund të arrihet një marrëveshje me grekët e italianët. Tito tha se do të ishte i lumtur të merrte pjesë në një ndërmarrje të tilla, ku nuk përfshihet aneksimi i Shqipërisë dhe ruhet integriteti politik e gjeografik i saj. Unë i thashë zotit Jackson se Tito nuk mendon ende se është koha e duhur për grushtin e shtetit në Shqipëri, dhe ashtu siç ka thënë më parë me departamentin e shtetit, ai mendonte se për momentin situata duhet të lihej pa u prekur. Ai është zotuar të mos ndërhyjë në pavarësinë e Shqipërisë, duke besuar se edhe qëllimet e grekëve ishin të ngjashme. Ai nuk kishte dhënë një përshtypje se mendonte se pushteti në Shqipëri mund të bjerë së shpejti.

11 janar 1952

Letër sensitive e shkruar nga agjenti shqiptar

Më poshtë kemi një letrën të shkruar nga agjenti ynë ish-operator radio, gjatë regjimit të ndalimit të komunikimeve. U detyruan që ta bëjmë këtë një shembull për raste të tjera thyerjeje disipline.

Pas disa trajtimeve të ashpra ai është kthyer menjëherë në bazën LFClake dhe më tej do të dërgohet në ishullin e jugut të Peloponezit ku nuk do të mund të përfshihet më në shkrime letrash.

Letra

Letra e Haki Terpezes nga kampi i Bagnolit, Itali, për vëllanë e tij, u përkthye nga zyrtarët grekë: I dashur vëlla Hysen. Po të dërgoj këtë letër edhe pse nuk më lejohet të shkruaj letra, sepse dua të të tregoj për jetën tonë. Siç e di, i dashur vëlla u largova nga kompania dhe qëndrova për katër muaj në Gjermani për trajnim. Ceni, Ramazani dhe disa shokë të tjerë erdhën disa muaj më vonë. U thanë se donim të kalonim nga Greqia për të marrë me vete Hysen Shalkun, që të bëheshim një grup me pesë veta, bashkë me një kosovar të quajtur Abdullah. Hipëm në një avion dhe arritëm në Shqipëri më 14 tetor. Ata na lëshuan në një terren shumë të keq. Hyseni u plagos në këmbë. U lëshuam me parashutë në mesnatë dhe kur kishim mbledhur të gjitha materialet kishte vajtur ora katër e mëngjesit. Hyseni nuk e njihte terrenin dhe as ne. Në mëngjes, dhjetë minuta para nisjes së betejës, dëgjuam të shtënën e parë teksa po kalonim rrëzë një kodre. Prej atëhere nuk e kemi parë më njëri-tjetrin. Beteja vazhdoi prej mëngjesit deri në 4 të pasdites. Gjendeshim në mes të komunistëve pa ditur ku të shkonim, sepse nuk e njihnim terrenin. Rreth orës 4 arritëm të çanim rrethimin dhe u larguam. Qëndruam në Shqipëri për tre ditë dhe ditën e katërt kaluam kufirin për në Jugosllavi, në Dibër të Madhe. Falë zotit Ramazani kishte qenë më parë në Dibër dhe na çoi te kufiri. Por ne nuk e dinim se ku ishin fushat e minuara dhe kishim frikë se mos kapeshim të gjallë nga komunistët. Nuk kishim municione dhe prej disa ditësh ishim pa bukë. Po ecnim në dëborë deri në mes, ishim të lodhur dhe nuk kishim ku të shkonim. Por të paktën kishim kaluar kufirin dhe kur arritën në Kosovë shkuam të shtëpia e një mikut të Ramazanit, i cili na dha bukë dhe ushqim për udhëtimin tonë në Greqi. Sa për Cenin dhe Hysenin, zoti e di ç’është bërë me ta. Nëse nuk janë vrarë para se të binte errësira, mund të jenë të gjallë. Nëse ke dëgjuar gjë për ta, me letër apo në radio, më trego, sepse jam shumë i shqetësuar. Por qëkur e kam pranuar këtë punë, nuk mund të bësh asgjë. Kësaj here nuk u dërguam të luftonim por për të përhapur propagandë mes njerëzve. Por çfarë lloj propagande mund të bëjmë ne kosovarët në Shqipëri? Kjo propagandë është e kotë. Nëse do të ketë luftë, ne jemi gati, por komunistët nuk frikësohen nga katër a pesë persona. Tani dua të të them diçka tjetër. Shumë shqiptarë, edhe nga ata të lindur në Shqipëri, kanë refuzuar të shkojnë atje. Por nëse nuk shkojnë ata kush duhet të shkojë? Po për Kosovën kush duhet të luftojë, kur këta maskarenj refuzojnë të shkojnë në vendin e tyre? Epo Hysen, nëse ata më thonë të shkoj përsëri me Ramazanin e me katër a pesë të tjerë, unë nuk shkoj më. Më vjen turp t’i them “jo” amerikanëve. Në lidhje me Komitetin as nuk dua t’ia di fare më, pasi të gjithë ata që kanë shkuar në Shqipëri janë vrarë. Ja ku ke ca emra: Hamit Shkodra është vrarë bashkë me katër të tjerë; Sejdi Baza është vrarë bashkë me katër të tjerë. Më vjen shumë keq për Sejdiun, një burrë 50 vjeçar që nuk kishte mbajtur kurrë një armë në dorë, në një kohë kur kishte shumë të tjerë më të rinj që mund të kishin shkuar para tij, më duket se e ka dërguar Xhemal Lesi, nuk besoj se ka qenë Abaz Kupi. Përse nuk shkoi vetë Xhemal Laçi? Zir Kabashi është arrestuar, kurse Safet Pokuli dhe Lata nuk shkuan, refuzuan. Muhamet Hoxha është kapur bashkë me disa miq të tij, por besoj se e ke dëgjuar. Pres përgjigje nga ty. Vëllai yt Haki.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 2. Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste. Në një dokument të vitit 1947 tregohet se që në atë kohë vendi ynë shihej si mjaft strategjik në Ballkan.

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.