BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

rusi-2018-bota-sport

Ja si Enver Hoxha u shpalli luftë të gjithëve, më 1961 nisi arrestimin e “spiunëve” sovjetikë dhe akuzonte amerikanët për komplot kundër regjimit të tij

Ja si Enver Hoxha u shpalli luftë të gjithëve, më 1961 nisi

Amerikanët kanë treguar se si diktatori Enver Hoxha ishte i vetëm kundër të gjithëve. Më 1961 ai akuzonte amerikanët se po thurnin komplote për ta rrëzuar nga pushteti. Po në të njëjtin vit nisi dhe krisja e madhe me Bashkimin Sovjetik, pasi u arrestuan disa persona të dyshuar për spiunazh.

14 shkurt 1961

Sulmet ndaj SHBA

Kreu i Partisë Komuniste shqiptare Enver Hoxha akuzoi sot Shtetet e Bashkuara për pjesëmarrje në komplotin e kohëve të fundit për përmbysjen e regjimit shqiptar. Hoxha tha se komploti përfshinte gjithashtu Jugosllavinë dhe Greqinë të cilat sipas tij “kishin bashkëpunuar me Flotën e Gjashtë amerikane në Mesdhe si dhe me një grup tradhtarësh shqiptarë. Udhëheqësi komunist i bëri akuzat gjatë fjalimit të tij në kongresin e katërt të partisë në Tiranë. Ai paralajmëroi gjithashtu se nën udhëheqjen e presidentit Kenedi bota “po përgatitet për Luftën e tretë Botërore”. Fjalimi i tij luftënxitës e vendos vendin e vogël ballkanik të vendosur prapa Kinës komuniste, dhe është në kontrast të plotë me qëndrimin e administratës sovjetike ndaj udhëheqjes së Kenedit në SHBA. Megjithatë Hoxha akuzoi se komploti amerikan vinte që prej kohës së administratës amerikane të Ajzenhauer. Ai tha se Shqipëria ka të gjitha provat për “komplotin që është tentuar disa muaj më parë”. Disa tradhtarë shqiptarë kishin bashkëpunuar ngushtë me agresorët, ndërsa të tjerë ishin arratisur drejt Jugosllavisë. “Ky komplot i urryer dështoi pasi partia jonë heroike, populli dhe ushtria jonë janë gjithmonë vigjilentë dhe të gatshëm për të mbrojtur atdheun”, tha Hoxha. Ai paralajmëroi 800 delegatë shqiptarë të kongresit dhe 24 përfaqësues të partive komuniste lindore që ishin prezentë se imperializmi nuk ka ndryshuar as lëkurën e as natyrën e tij. Hoxha tha se iniciativat e paqes nga Blloku Komunist nuk kanë sjellë rezultatet e pritura sepse “vendet imperialiste dhe mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara po përgatiten për Luftën e tretë Botërore”. Fjalimi i tij që u transmetua nga shtypi shqiptar, parashtroi politikën e jashtme të njëjtë me atë të konferencës komuniste në Moskë vitin e kaluar. Por toni i tij agresiv tregonte se regjimi shqiptar po mbështet Kinën në debatin e saj ideologjik mes Moskës e Pekinit. Hoxha tha: “Jeta konfirmon çdo ditë se asnjë problem ndërkombëtar nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen e një fuqie botërore si Kina komuniste”. Ai shtoi më tej se nuk ka shpresa për negociata paqeje për sa kohë që imperializmi i kryesuar nga SHBA qëndron para nesh si një rrezik i egër, edhe pse nuk është më komandues i botës”. Hoxha tha se partia e tij beson se është e mundur të evitohen luftërat, por kjo nuk mund të bëhet duke toleruar ndaj imperialistëve ose duke iu servilosur atyre. “Është e nevojshme që në të gjithë botën, masat popullore të ngrihen kundër imperialistëve, lakenjve të tyre, revizionistëve dhe atyre që përpiqen të mbjellin përçarjen mes popujve”, tha Hoxha. Për marrëdhëniet me bllokun komunist ai shtoi: “Miqësia me Bashkimin Sovjetik do të jetë gjithmonë guri themeltar i politikës sonë”, por tha më tej se vendi dhe populli janë krenarë që kanë një mik të dashur si populli i madh e i talentuar i Kinës. Sipas raportimeve nga Beogradi, megjithëse Stalini është ulur në status në Bashkimin Sovjetik që prej vitit 1956, në Shqipëri portretet e tij qëndrojnë në mure bashkë me ato të Marksit, Engelsit e Leninit. Një publicitet i madh është bërë për delegacionin nga Pekini në kongres, që drejtohej nga zv. kryeministri Li Hsien Nien. Ndërsa delegacioni sovjetik drejtohej nga anëtari i presidiumit të Komitetit Qendror Pjotr N. Pospelov. Vëzhguesit kanë vërejtur një solidaritet në rritje mes Pekinit e Tiranës që prej konferencës së Moskës në nëntor, ku besohet se janë ftohur marrëdhëniet e Shqipërisë me pjesën tjetër të bllokut komunist.

Një zëdhënës i qeverisë jugosllave nuk pranonte të komentonte dje akuzat e bëra nga Hoxha në kongres.

16 shkurt 1961

Beogradi refuzon akuzat e Shqipërisë

Jugosllavia ka refuzuar sot akuzat e bëra në Kongres nga udhëheqësi shqiptar Hoxha, se ka komplotuar me Shtetet e Bashkuara dhe Greqinë për përmbysjen e regjimit. Në deklaratën zyrtare akuzat e bëra një ditë më parë nga Hoxha quheshin “gënjeshtra të përçmueshme”. Hoxha akuzonte se Jugosllavia e Greqia kishin komplotuar në bashkëpunim me Flotën e Gjashtë amerikane dhe disa tradhtarë shqiptarë, nga të cilët disa ishin arrestuar dhe të tjerë ishin arratisur në Jugosllavi. Deklarata jugosllave i quante më tej akuzat “shpifje të paturpta” ndërsa udhëheqësit shqiptarë “provokatorë profesionistë që kërkonin të helmonin më tej marrëdhëniet me Jugosllavinë”.

20 shkurt 1961

Jugosllavia thotë se Hoxha do të rinisë gjyqet ndaj armiqve

Kongresi i katërt i Partisë së Punës së Shqipërisë aprovoi sot një plan pesë vjeçar të vendit për zhvillimin ekonomik gjatë periudhës 1961-1965, sipas njoftimit të Radio Tirana. Masa erdhi teksa delegatët i afrohen fundit të kongresit një-javor, për të cilin jugosllavët thonë se po përgatit kushtet për gjyqe spastrimi të kundërshtarëve politikë të Hoxhës. Hoxha ka akuzuar Jugosllavinë dhe Greqinë se me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe flotës së tyre në Mesdhe po tentojnë përmbysjen e qeverisë shqiptare. Hoxha është përfshirë gjithashtu në politikën e mbështetjes së pozitës kineze në debatin e tyre të ideologjisë komuniste në Bashkimin Sovjetik. Në thelb të debatit qëndron fakti se Kina nuk pranon pohimin sovjetik se lufta mes kampit socialist dhe atij kapitalist, mund të evitohet. Plani pesë vjeçar i miratuar nga kongresi vazhdon fazën e industrializimit tipik të regjimeve komuniste. Për Shqipërinë e varfër kjo do të thotë shfrytëzim intensiv i minierave dhe mineraleve. Plani parashikon që prodhimi industrial të arrijë në 53 % të prodhimit ekonomik, por me gjithë fokusin te industria, bujqësia mbetet çështje kritike për vendin. Shqiptarët pranojnë se nuk u realizuan planet bujqësore për pesë vitet e fundit dhe se vendi është ende i varur nga drithi i dërguar nga vendet komuniste. Detyra e furnizimit me grurë si dhe kapitali i nevojshëm për programin e zhvillimit thuhet se janë marrë përsipër nga Kina. Vëzhguesit nga Beogradi thonë se Kina ka shënuar një fitore ne debatin me BRSS kur Hoxha prezantoi raportin e aktiviteteve të Komitetit Qendror të partisë që prej kongresit të fundit. Megjithëse ai lavdëroi Bashkimin Sovjetik dhe tha se miqësia me të është gur themeltar i politikës së jashtme, fjalimi i tij ishte një rideklarim i mbrojtjes së linjës kineze dhe kundërshtim i tezës së bashkekzistencës me Perëndimin. Duke parashikuar spastrime të aparatit nga armiqtë e Hoxhës, Beogradi kujton dy ngjarje që tregojnë ekzistencën e opozicionit në Shqipëri. I pari është arratisja e një grupi të konsiderueshëm shqiptarësh numri i të cilëve nuk është bërë ende publik nga Jugosllavia, edhe pse ata kanë treguar se mes tyre ishin një nënë e dy fëmijë të cilët kishin hapur zjarr për të kaluar kufirin më 31 gusht. Ngjarja e dytë është përjashtimi i njoftuar nga partia nëntë ditë më vonë i dy zyrtarëve të lartë si Koço Tashko dhe Liri Belishova, për të cilët Radio Tirana tha se ishin përfshirë në aktivitet armik ndërsa zonja Belishova kishte kryer “gabime të rënda”.

3 mars 1961

Jugosllavia redukton përfaqësuesit

Jugosllavia ka njoftuar sot se po redukton stafin diplomatik në Shqipërinë fqinje në masën “minimale të mundshme” për arsye të keqtrajtimit të përfaqësuesve të saj atje. Masa vjen më pak se një javë pasi një zyrtar i legatës jugosllave në Tiranë u dënua nga Shqipëria. Jugosllavët thanë se zyrtari ishte ndaluar në rrugë dhe ishte rrahur nga agjentë të Sigurimit Shqiptar. Kjo vjen gjithashtu pas Kongresit të katërt të partisë shqiptare, ku Jugosllavia u kritikua ashpër dhe u akuzua se ka komplotuar bashkë me Greqinë dhe SHBA për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

5 mars 1961

Shqipëria arreston spiunët sovjetikë

Mes konfliktit me aleatin e saj BRSS për arsye të mbështetjes për linjën e ashpër ideologjike të Kinës, autoritetet në Shqipëri kanë ngritur akuza ndaj dy personave për “spiunazh për Bashkimin Sovjetik”. Lajmi vjen nga burime që konsiderohen të besueshme por nuk mund të identifikohen me emër. Ata thanë se priten arrestime të tjera. Raportimet nga Tirana i emëruan personat si Sufret Metani e Ismet Jako, zyrtarë të ministrisë së Jashtme, të cilët supozohet të kenë kaluar dokumente të Kongresit të fundit të partisë, te një zyrtar i Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Akuzat raportohet të jenë bërë pasi dyshja kishte folur me zyrtarin sovjetik. Nëse janë të vërteta, kjo do të ishte hera e parë në Bllokun Sovjetik që një vend burgos një zyrtar për lidhje të supozuara me Bashkimin Sovjetik. Të huajt këtu thonë se rasti konfirmon konfliktin mes BRSS dhe Kinës, të cilën Shqipëria tashmë e mbështet hapur. Partia Komuniste Shqiptare e Hoxhës mbështesin linjën kineze të komunizmit të ashpër ndërsa arrestimet po tregojnë tashmë sfidën e hapur që po i bën BRSS.

6 mars 1961

Manovër akrobatike e satelitit më të vogël dhe Enver Hoxhës

Emri i panjohur i Enver Hoxhës së Shqipërisë tashmë po përflitet për lëvizjen akrobatike të kalimit nga mbështetja e Bashkimit Sovjetik te ajo e rivalit të tyre komunist Pekini. Diktatori i Shqipërisë udhëheq vendin e vetëm satelit të izoluar gjeografikisht nga orbita kinezo-sovjetike. Vendi kufizohet me Jugosllavinë heretike, me Greqinë anëtare të NATO dhe me detin Adriatik të dominuar nga Italia, që më tej çon në Mesdhe ku gjendet Flota Gjashtë gjigante e SHBA. Shqipëria është vendi më i vogël e më i varfër komunist, është jo vetëm i rrethuar nga armiq, por dhe një mik të vetëm që i ka mbetur, e ka shumë larg. Hoxha erdhi në fuqi pas pushtimit italian dhe pas prishjes me Beogradin nisi të adhurojë Stalinin. Por Stalini vdiq dhe tentativat e Hrushovit për riafrim me Titon nuk i pëlqyen Hoxhës. Kryeministri sovjetik madje vizitoi Shqipërinë në 1959 por nuk arriti të fitojë besimin e marksistëve të thekur. Shumë udhëheqës të vendeve satelite parashikonin se Hoxha do të vritej së shpejti apo ai është ende në pushtet me gjithë varfërinë ekstreme të vendit dhe po e lidh fatin e vendit me Kinën. Kina ka krizë urie në vendin e saj por megjithatë ka blerë drithë në tregje të tjera për ta çuar në Shqipëri. Në të kaluarën Shqipëria ka qenë me rëndësi strategjike për BRSS pasi ata kishin ndërtuar një bazë nëndetësesh në ishullin e Sazanit nga e cila Stalini mund të niste fushatën e tij kundër Greqisë dhe më vonë për të kërcënuar Titon nga prapa krahëve. Por me revolucionin e armëve e raketave rëndësia strategjike e Shqipërisë u zvogëlua teksa Rusia mund të kërcënonte Evropën me raketat e saj të rangut të mesëm dhe nuk tregoi dëshirë për të dërguar nëndetëse në Mesdhe, ku dominojnë forcat Aleate. Pra humbja e Shqipërisë kishte vetëm një disavantazh politik. Hoxha ka treguar aftësi surprizuese për të dëmtuar paraprakisht opozicionin ndaj tij. Korrikun e shkuar ai eliminoi një komplot të drejtuar nga njëfarë admiral Sejko, dhe dy muaj më vonë shkarkoi dy figura të partisë të quajtur Tashko e Belishova për “aktivitete armiqësore”. Hoxha përdor burimet e tij të kufizuara për të mbajtur të kënaqur policinë e ushtrinë e vendit në mes të urisë e varfërisë. Komplotet dhe kundër-komplotet duken të zakonshme për Shqipërinë por çuditërisht regjimi ende mbahet në këmbë me anë të frikës e terrorit. Gjithashtu vendet fqinje nuk dëshirojnë të prishin gjendjen delikate të rajonit dhe të rrezikojnë që Shqipëria të kthehet në pikën e nisjes së konflikteve.

1 dhjetor 1960

Blloku Sovjetik josh Jugosllavinë, lëvizja lidhet me konfliktin kinez

Sovjetikët dhe komunistët evropiano-lindorë po bëjnë një fushatë të hapur mirësjelljeje ndaj Jugosllavisë, në një kthesë që besohet se është e lidhur me diferencat e thellë që po shfaqen me Kinën gjatë konferencës së udhëheqësve komunistë në Moskë. E përfshirë në shfaqjen e miqësisë sovjeto-jugosllave ishte dhe paraqitja e Vjaçesllav Molotov dhe bashkëshortes së tij në një pritje jugosllave në Vienë. Molotov është tashmë delegat në Agjencinë Ndërkombëtare Bërthamore në Vienë dhe ka qenë një figurë e rëndësishme në konfliktin e vitit 1948 mes Stalinit dhe Titos. Prezenca e Molotov në pritjen e dhënë nga ministri i Jashtëm jugosllav Koca Popoviç u konsiderua si një lëvizje e Moskës për të demonstruar ndjenjat miqësore ndaj Jugosllavisë. Domethënia politike e gjesteve sovjetike vjen nga fakti se konflikti kryesor mes Moskës e Pekinit është mbi etiketimin e ‘revizionizmit’ jugosllav. Pekini vazhdimisht e ka quajtur Jugosllavinë si ‘rrezik për pastërtinë e ideologjisë komuniste’ edhe pse nganjëherë pikëpamjet jugosllave përputhen me ato të Hrushovit. Në kontrast me miqësinë e shprehur ndaj Jugosllavëve BRSS dhe blloku sovjetik nuk i kushtoi fare vëmendje delegacionit shqiptar në bisedimet e Moskës, të drejtuar nga kreu i partisë Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu, kur ata ndaluan në Budapest gjatë rrugës për në Tiranë. Largimi nga Moska i shqiptarëve, të cilët janë të vetmit evropiano-lindorë që mbështesin ideologjinë e Kinës, u konsiderua me domethënie. Ata u pritën shkurtimisht në një darkë nga Partia Komuniste hungareze dhe vazhduan më tej rrugën për në shtëpi, pa shumë zhurmë.

13 shkurt 1961

Komunistët shqiptarë hapin kongresin e partisë

Vendi më i vogël dhe më i izoluar komunist pritet të hapë nesër kongresin e katërt të partisë, të shtyrë dy herë tashmë. Diskutimet në të mund të tregojnë për konfliktin e kohëve të fundit mes Kinës e BRSS për hegjemoni në Shqipëri, që është një nga vendet më të varfra por me rëndësi strategjike në detin Adriatik. Me gjithë zhurmat për disidencë apo spastrime brenda partisë, asgjë konkrete në lidhje me përplasjen nuk ka rezultuar nga Tirana. Ka sinjalizime se Moska mund të jetë duke e dhënë te Pekini postin e saj.

Faktorët

Disa nga sinjalet për këtë zhvillim janë marrja e përgjegjësisë nga Kina për financimin e zhvillimit të Shqipërisë. Dhjetorin e shkuar Moska njoftoi programin e ndihmës ekonomike për bllokun lindor. Por Shqipëria e cila merrte ndihmat më të mëdha për kokë nga BRSS, sivjet nuk u përmend fare. Në vend të kësaj delegacioni i lartë shqiptar ishte këtë muaj në Pekin ku nënshkroi gjashtë marrëveshje ekonomike, përveç raportimeve se kinezët kanë dërguar në Shqipëri disa mijëra ton drithëra. Kreu i partisë shqiptare Enver Hoxha po jep sinjale për ruajtjen e postit me gjithë zemërimin e dukshëm të sovjetikëve me linjën e tij të ashpër staliniste si brenda vendit dhe në çështjet ndërkombëtare. Revista shqiptare ‘Rruga e Partisë’ ka ngritur lart gjeneralin Hoxha duke e quajtur bir besnik i popullit, që gëzon mbështetjen e tij të pakufizuar. Shqiptarët tashmë nuk lavdërojnë shumë Bashkimin Sovjetik por nuk i kanë kursyer lavdet për Pekinin. Në një mesazh urimi për ditëlindje për kreun e partisë kineze Mao Ce Dung, Hoxha shkruante ‘populli i madh kinez’ para se të shkruante ‘populli i lavdishëm sovjetik’ ndërsa lavdëronte partinë kineze si një ‘luftëtare e papërkulur në ruajtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit’. Tashmë dihet që shqiptarët u vunë nën sulme e kritika në takimin e 81 partive komuniste në Moskë për pikëpamjet e tyre ‘dogmatike e sektariane’. Në konferencë delegacioni drejtohej nga Hoxha por ata u kthyen para mbylljes së bisedimeve, duke nxitur spekulimet për një konflikt personal me Hrushovin. Tashmë kongresi shqiptar do të diskutojë për planin pesë-vjeçar ekonomik. Ai ishte parashikuar të zhvillohej dy muaj më herët por në shtator u njoftua përjashtimi i dy zyrtarëve të lartë nga postet e partisë. Koço Tashko, kreu i Komisionit të Kontrollit dhe Liri Belishova, sekretarja e Komiteti Qendror, u dëbuan nga partia. Lëvizjet supozohet se kishin lidhje me debatin ideologjik Moskë-Pekin, mbi largimin e sovjetikëve nga linja tradicionale komuniste dhe i konceptit të Pekinit se luftërat janë të pashmangshme. Në tetor një takim i Komitetit Qendror shtyu kongresin për në dhjetor dhe më pas Radio Tirana njoftoi se ai do të mbahet në shkurt. Nuk ka shumë gjasa për përjashtim të Shqipërisë nga Blloku Sovjetik, teksa Moska ka zgjedhur linjën e injorimit të çdo lëvizjeje të Tiranës. Vlera kryesore për Moskën ishte dhënia e postit ushtarak në Adriatik dhe e bazave të nëndetëseve në Mesdhe. Këto supozohet se do të mbeten në dispozicion të Moskës për sa kohë që do të ruhet fasada e unitetit.