Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raportet e CIA, ja pse SHBA vendosi të bashkëpunojë me britanikët kundër Enver Hoxhës, u angazhuan 5 nëndetëse për të izoluar ekonomikisht Shqipërinë

Postuar: 29/07/2018 - 09:40

Amerikanët vendosën të bashkëpunojnë me britanikët me qëllim rrëzimin e regjimit komunist. Në një dokument të 1951 tregohen detajet e bisedimeve mes dy vendeve, ku palët ranë dakord për të eliminuar rrezikun që vinte nga fqinjët e Shqipërisë. Ndërsa në një tjetër dokument, thuhet se CIA vendosi të angazhonte 5 nëndetëse, të cilat do të bllokonin tregtinë e Shqipërisë me vende të tjera.

Romë 22-24 nëntor 1951

Raport i konferencës së shërbimeve anglo-amerikane për Shqipërinë.

Përfaqësuesit e dy shërbimeve partnere theksuan se si rezultat i qasjeve të fundit një deklaratë e përbashkët do të arrihet mbi procedimin e operacioneve në Shqipëri dhe objektivave finale. Dy shërbimet ishin dakord se politikat për pavarësinë e Shqipërisë duhet të koordinohen me Jugosllavinë, Greqinë e Italinë. Në lidhje me qëllimet jugosllave britanikët thonë se ambasadori i tyre në Beograd do të udhëzohet të deklarojë te autoritetet se Britania kërkon një Shqipëri të lirë e të pavarur, prandaj qeveria dhe Komiteti jugosllav i Prizrenit duhet të bëjnë të qartë qëndrimin e tyre në lidhje me çështjen. Nëse objektivat e Komitetit të Prizrenit janë të ngjashme me ato britanike e amerikane mund të arrihet njëfarë bashkëpunimi dhe koordinimi mes tij dhe Komitetit Shqipëria e Lirë. Ne besojmë se shprehja e sinqertë e Titos në lidhje me çështjen është e nevojshme dhe se avantazhe të konsiderueshme mund të lindin nga bashkëpunimi me jugosllavët. Ne jemi dakord se Jugosllavia dëshiron në Shqipëri as ndryshim sa për të shkëputur lidhjet e saj me bllokun sovjetik dhe për të lejuar që qeveria e re të jetë miqësore ndaj Beogradit. Si zgjedhje të dytë Tito mund të preferojë një Shqipëri të orientuar drejt Perëndimit. Sidoqë të jetë mbështetja jugosllave për një vend të lirë mund të sigurohet vetëm me anë të presionit. Për këtë dy agjencitë tona ranë dakord të informojnë në mënyrë të kufizuar qeverinë e Titos për një pjesë të operacioneve. Në rast të lëvizjes finale për përmbysjen e pushtetit, ne duhet të marrim garanci të shkruara nga fqinjët e Shqipërisë që nuk do të ndërhyjnë dhe nuk do të ngrejnë pretendime territoriale, pasi pretendime të tilla do të zgjidhen nga agjencitë përkatëse të OKB.

Qëndrimi italian ndaj Shqipërisë

Pas deklarimit të qëndrimit tonë me italianët për një Shqipëri të pavarur, ata u shprehën të lehtësuar që nuk dëshironim ndarjen e vendit mes Greqisë e Jugosllavisë dhe sinjalizuan që Itali është e kënaqur me zgjidhjen e problemit shqiptar nga anglo-amerikanët. Italianët nuk kanë ambicie territoriale ndaj Shqipërisë dhe aktualisht operojnë vetëm operacione të vogla mbledhje inteligjence në vend. Ata ranë dakord të japin kontributin e tyre për operacionet tona nëse dëshirohet dhe gjithashtu pranuam se interesat e italianëve në Shqipëri do të merrnin konsideratën e duhur në të ardhmen.

Situata greke

Edhe situata e Greqisë mbetet e favorshme për operacionin Fiend/Valuable. Në takim u pranua se elementët e Ballit Kombëtar në Greqi janë të dëmshëm, por ky është një problem që mund të tejkalohet. Për hir të operacioneve ata pranuan deklaratën tonë për ruajtjen e një Shqipërie të pavarur. Me Athinën është pranuar se operacionet aktuale, përfshi dhe fluturimet e shpeshta mbi Shqipëri nuk rrezikojnë marrëdhëniet e mira me Greqinë, edhe pse situata mund të ndryshojë si rezultat i rrethanave të paparashikuara.

Propaganda

Në Shqipëri është e nevojshme ruajtja e moralit të lartë të lëvizjes çlirimtare, por gjithashtu parandalimi i rritjes së parakohshme të pritshmërive që mund të sjellë më vonë zhgënjim dhe apati. Prandaj duhet treguar kujdes në përgatitjen e materialeve të propagandës. Lëshimet e fletushkave do të bëhen çdo tetë javë dhe në to do të përfshihet dhe një mini-edicion i gazetës së Komitetit Shqipëria e Lirë. Fluturimet e lëshimit të fletushkave do të përdoren gjithashtu si mbulim për lëshimet e agjentëve dhe të furnizimeve. Do të ishte e dëshirueshme të organizohen gjithashtu aksione të shpejta zjarri ose sabotimit me qëllim krijimin e incidenteve, pa prekur popullatën lokale, të cilat do të ngrinin moralin e popullatës dhe do të përbënin material për mjetet e propagandës. Ndërkohë duhet bërë përpjekje për forcimin e uniteti në Komitetin Shqipëria e Lirë dhe nxitjen e anëtarëve të komitetit për të vepruar në emër të kauzës dhe jo të partive përbërëse. Ne besojmë se ndërprerja e lëshimit të fletushkave do të krijonte ndjesinë se Komiteti Shqipëria e Lirë dhe Perëndimi e ka braktisur Shqipërinë prandaj besojmë se ato duhet të vazhdojnë një herë në çdo gjashtë-tetë javë.

Udhëzimet për agjencitë e jashtme BBC, Zëri i Amerikës, REL.

Kemi rënë dakord të bëjmë përpjekje për të parandaluar daljen e materialeve shqiptare kontradiktore ose të padëshirueshme në edicionet informative të shtypit ose të BBC, VOA, REL. Kjo pas raportimeve se Zëri i Amerikës i është referuar disa herë burimeve të Ballit Kombëtar për materialet shqiptare, duke i dhënë atyre publicitet të padëshirueshëm dhe duke sugjeruar madje se ata mund të kenë mbështetjen e SHBA. OPC do të punojë për korrektimin e situatës dhe për të siguruar që publiciteti të shkojë vetëm për Komitetin Shqipëria e Lirë. Kemi rënë dakord që publiciteti i KSHL të përhapet sa më gjerë në Itali, Greqi, Turqi Australi etj, ku dihet që ka koloni shqiptarësh. Në lidhje me komitetin shqiptar të sponsorizuar nga Jugosllavia ne do të ruajmë politikat e përmbajtjes e mos-provokimit si dhe të qëndrimeve se Komiteti Shqipëria e Lirë e shikon me dyshim komitetin jugosllav pasi ka motive të panjohura dhe nganjëherë retorika e tyre është e ngjashme me atë të Radio-Tiranës. Ne nuk do të sulmojnë drejtpërdrejt Komitetin e Prizrenit, përveç rasteve kur ai merr qëndrim të hapur armiqësor ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë. Ne dëshirojmë një qëndrim përgjithësisht jo-provokues ndaj tij pasi në të ardhmen një bashkëpunim i mundshëm me ta mund të jetë i dobishëm dhe praktik. Direktivat ekzistuese të propagandës janë tashmë të kaluara kohe dhe duhet të përmirësohen sipas situatës së re në Jugosllavi. Është rënë dakord që një lëshim fletushkash të përgatitet për dhjetor 1951, materiali i të cilave të trajtojë pozitivisht çështjen e ruajtjes së rezistencës ndaj komunizmit dhe të fokusohet në kushtet e vështira të jetesës së shqiptarëve të cilat ata i njohin mirë. Broshurat duhet të kenë materiale relativisht të shkurtra dhe të përdorin sa më shumë karikaturat. Më tej kemi rënë dakord që fushata e propagandës me postë të zgjerohet, të krijohet një slogan i lëvizjes së rezistencës dhe të hetohen mënyra për infiltrimin e materialeve të propagandës në mallrat me destinacion Shqipërinë. Për zgjerimin e publiciteti të Komitetit Shqipëria e Lirë kemi menduar të hartojmë manifeste e letra për qeveritë evropiane dhe OKB. Dy palët vendosën se lëshimi në Shqipëri i artikujve të dobishëm si brisqe, sapun, gjilpëra etj. do të shtonte prestigjin e Komitetit, prandaj ne do të vazhdojmë këtë program me intensitet dhe kemi këmbyer detajet teknike e operacionale. Ndërkohë hapa përgatitore po merren për formimin e kompanisë së gardës dhe akumulimin e armatimeve. Shpresojmë që së shpejti të miratohet legjislacioni i Legjionit të Huaj, ku të përfshihen dhe shqiptarët. Një veprim përgatitor për Shqipërinë do të ishte llogaritja e masës së dezertimeve në ushtri, pasi çështja e pakënaqësisë së ushtarëve është vitale për ne. Përmbysja e regjit aktual në Shqipëri nuk mund të arrihet nga brenda pa mbështetjen nga jashtë prandaj kjo ndihmë e jonë duhet të portretizohet si mbështetje për kryengritjen e brendshme. Me fjalë të tjera të bëhen të gjitha përpjekjet për maskimin e forcës mbështetëse si një grup i vogël në mbështetje të revolucionit të brendshëm. Kemi rënë dakord që Komiteti Shqipëria e Lirë të mos e prezantojë veten si një qeveri e emigracionit dhe as si regji i pas-çlirimit. KSHL duhet të shprehet në mbështetje të zgjedhjeve dhe qeverisë së mbikëqyrur nga OKB, pas mbylljes së fazës ushtarake të operacionit. KSHL nuk duhet të besojë se është në krye të operacioneve por vetëm në mbështetje të tyre. Ata duhet të përfshihen në panoramën e politikës pas hyrjes së forcës ndjekëse, dhe gjithmonë ne duhet të kemi parasysh pasigurinë që mbizotëron në KSHL.

Inteligjenca

Më shumë përpjekje duhet të bëhen për përftimin e inteligjencës mbi Shqipërinë nga Greqia dhe Italia. Për këtë po marrim në konsideratë hapjen e një qendre tonën të marrjes në pyetje në Janinë, ndërsa për Italinë ne besojmë se zotërojnë më tepër informacione nga sa kanë këmbyer me ne. Ne kemi rënë dakord për inkurajimin e një zyrtari të ambasadës së Romës, nëse vërtetohet se ai mund të shërbejë me inteligjencë të vlefshme.

Riorganizmi i Komitetit

Palët ranë dakord për një formë riorganizimi të Komitetit Shqipëria e Lirë për mundësi manovrimi mes dy partive më të mëdha Legaliteti dhe Balli Kombëtar. Një riorganizim i Komitetit do të sillte përfshirjen e grupeve të tjera që mund të kenë mbetur të papërfaqësuar, ose formimin e nën-komiteteve të tjera për çështje si propaganda ose mirëqenia. Britanikët thanë se mbështetja aktuale për Komitetin është një njohje de facto e tij si qeveri e emigracionit, por ne theksuam se propozimet i përshtaten politikave të ngjashme me komitete të tjera emigrantësh. Ata i qëndruan kundërshtimit të tyre për propozimin. Ne ramë dakord që përfaqësuesit tanë në Romë të përgatisin propozimet për reformimin e komitetit dhe krijimin e nën-komiteteve, të cilat duhet të pranohen me detyrim nga KSHL, për të siguruar të drejtat tona dhe të britanikëve për të vendosur ndryshime sipas rrethanave që paraqiten.

Operacionet

Një këmbim i plotë i eksperiencave mes programit BGFiend dhe Valuable u krye. Ne ramë dakord që kufiri grek të vazhdojë të përdoret në të dyja drejtimet, dhe të punohet për të evituar problemet me anëtarët e Ballit Kombëtar në Greqi. Britanikët kanë kryer disa tërheqje të suksesshme të agjentëve nga deti dhe besohet se kjo metodë mund të përdoret me sukses në të ardhmen nga të dy palët. Këto operacione mbështeten nga marina britanike, të cilët janë të gatshëm të vënë në dispozicion një mjet detar. U pranua se është thelbësore të reduktohet siguria e agjentëve me numra të mëdhenj të infiltruarish gjatë sezonit të kufizuar operacional. Për vitin 1952 ne ramë dakord për objektivat kryesorë të rritjes së masës së operacioneve të inteligjencës, për kontaktet specifike me zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe të ushtrisë. Operacionet e 1952 duhet të marrin formën e aktiviteteve specifike të gradës së lartë

 

30 qershor 1953

Plani i veprimeve agresive të operacionit

Në rrethana ideale objektivi i operacionit është përmbysja e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, deri në vjeshtën e vitit 1954. Duke parashtruar veprimet për t’u ndjekur para grushtit të shtetit, ne supozojmë se Greqia, Jugosllavia e Italia do të mbajnë një qasje bashkëpunuese dhe do të pranojnë të mos ndërhyjnë në Shqipëri, përveç rasteve kur u kërkohet asistencë. Në këto kushte rekomandimet tona do të ishin: Zgjerimi i menjëhershëm i Komitetit Shqipëria e Lirë për të përfshirë të gjitha fraksionet politike të emigrantëve shqiptarë, veçanërisht BKI dhe grupin e Ali Këlcyrës.

Printimi i kartëmonedhave lek për furnizimin e agjentëve.

Prokurimi i menjëhershëm i 5 nëndetëseve për të vendosur bllokadë të plotë të transporteve detare nga brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nëndetëset nuk duhet të kenë shenja dalluese si amerikane, por si mjete pirate pa flamur, dhe me ekuipazh vullnetarësh pa dokumente. Ato do të veprojnë nga Italia e Greqia, vende të cilat do të ndihmojnë në vendosjen e bllokadës duke ndaluar tregtinë me Shqipërinë. Rekrutimi dhe stërvitja e 1000 deri në 1500 shqiptarëve si forcë goditëse në kohën e grushtit të shtetit. Forca goditëse do të hyjë në Shqipëri nga Greqia e Italia, si dhe me mjete amfibe nga deti. Më tej në 1954 do të zhvillohen rekrutimet dhe infiltrimet sapo ta lejojë moti. Ekspertët tanë parashikojnë nisjen e aktiviteteve të rezistencës dhe të krijimit të një bërthame të stërvitur e cila të organizojë popullatën. Këta ekspertë do të veprojnë kryesisht në zonën e veriut ku tashmë ekziston një fillesë strukture rezistence. Ata do të furnizohen nga ajri me armë, municione e ushqime për revoltën. Ushqimi duhet të kihet parasysh në mënyrë që forcat e rezitencës të mos vuajnë nga bllokada ekonomike që pritet të vendoset mbi vendin. Në fillim të verës të merren peng ambasadorët shqiptarë në Romë dhe Paris, dhe të njoftohet me mjetet e propagandës klandestine se ata kanë dezertuar. Programi i fletushkave dhe transmetimeve radio të intensifikohet me komente gjithnjë e më të ndezura dhe referenca ndaj ditës së revoltës. Për të paktën dy muaj para grushtit të shtetit fletushkat të lëshohen çdo javë. Të infiltrohet në Shqipëri me mjetet më të sigurta, një agjent i nivelit të lartë amerikan me autorizim për të kontaktuar me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, të cilëve do t’i ofrojë deri në 500 000 dollarë dhe siguri për të ardhmen, në këmbim të dezertimit të tyre. Dezertimi duhet të përfshijë urdhrat për ushtrinë dhe sigurimit për të ulur armët në momentin e duhur. Transmetimet radio nga udhëheqësit e emigracionit të nxisin ndjekësit e tyre t’i bashkohen lëvizjes së rezistencës. Anëtarët e juntës ushtarake të lëshohen në Shqipëri për të drejtuar kryengritjen në ditën e caktuar. Deri në gusht 1954, veprimet e koordinuara të forcave të rezistencës dhe të forcës goditëse duhet të rezultojnë në përmbysjen e suksesshme të pushtetit komunist dhe vendosjen në fuqi të një qeverie të përkohshme të pranueshme sipas kujdesit të OKB. Gjatë këtij revolucioni forcat e stërvitura të rreth 4000 shqiptarëve që pretendohet se ekzistojnë në Greqi dhe Jugosllavi, së bashku me njësi të ushtrive greke e jugosllave, të qëndrojnë në gatishmëri në rast nevoje. Pas suksesit të operacionit ushtritë e huaja duhet të tërhiqen menjëherë jashtë kufijve të Shqipërisë. Flota e Gjashtë amerikane do të angazhohet në manovra në detin Jon dhe Adriatik duke asistuar në zbarkimet e mjeteve amfibe dhe duke ndihmuar revolucionarët nëse është nevoja. Flota nuk duhet të marrë një rol aktiv, përveç rastit kur thirret për ta bërë. Ajo do të mbetet në zonë për disa javë për të dekurajuar veprime hakmarrëse nga Bashkimi Sovjetik ose satelitët e tij. Më tej Shqipëria do të procedojë me zgjedhjen e qeverisë demokratike. Megjithëse disa nga rekomandimet e paragrafëve të mësipërm nuk janë thelbësorë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës, dashamirësia e qeverive jugosllave, italiane e greke janë të domosdoshme.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi dhe hapjes së kooperativave. Dihet që Hoxha pasi mori pushtetin nisi shtetëzimin e tokës dhe CIA ka treguar detaje nga problemet e pra që u hapën.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.

Postuar: 13/09/2018 - 07:06

 CIA tregon me detaje se si qeveria komuniste nisi të përçahej në fillimet e saj.

Postuar: 11/09/2018 - 06:59

Amerikanët pretendojnë se në krye të shtetit shqiptar pas viteve 1960 ishin servilët e diktatorit