Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbardhen letërkëmbimet, ja si Ahmet Zogu lobonte në SHBA që të njihej mbretëria e tij dhe marrëveshjet që u nënshkruan me amerikanët në 1928

Postuar: 06/04/2019 - 07:49

Zbardhen letërkëmbimet me Ahmet Zogut dhe zyrtarëve të lart të Shteteve të Bashkuara në vitin 1928. Gazeta nga dita e sotme do të publikojë një cikël me të gjitha letërkëmbimet që kanë ndodhur mes zyrtarëve të ndryshëm shqiptarë që nga periudhë e Zogut, por edhe më herët, e deri te ajo komuniste. Bëhet fjalë për një sërë letrash të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Aty jepen detaje shumë interesante mbi zhvillimet në Shqipëri.

14 shtator 1928

Mbreti Zog për presidentin Coolidge

Jemi impresionuar nga mesazhet tuaja të dashamirësisë për ngritjen time në fronin mbretëror të Shqipërisë. Unë dua t’ju siguroj për mirënjohjen time për aktin tuaj të miqësisë ndaj meje dhe popullit shqiptar. Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen që populli im ndjen drejt popullit fisnik amerikan për asistencën humane që po jepni me anë të Kryqit të Kuq, në këtë kohë kritike.

Shqipëria është gjithashtu mirënjohëse për pritjen ndaj shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara duke u dhënë atyre kulturën dhe mirëqenien amerikane.

27 shtator 1928

Ambasadori Hart për Sekretarin e Shtetit

Kam nderin të raportoj se autoritetet e Italisë, Greqisë, Hungarisë, Uruguait, SHBA, Jugosllavisë, Francës e Britanisë kanë njohur Mbretërinë Shqiptare. Pas njohjes nga Uruguai, mbizotëroi një qetësi e disa ditëve që nisi të bëhej e rëndë për mbretin Zog dhe këshilltarët e tij, e cila u thye më 13 shtator me letrën e përgëzimeve nga presidenti Coolidge. Mbreti menjëherë kërkoi një përkthyes dhe kur u lexua telegrami e gjithë Tirana nisi të gumëzhinte. Në ora 16.00 atë pasdite ministri i jashtëm Iliaz Vrioni erdhi të më takonte dhe më tregoi telegramin origjinal. Fytyra e tij ishte e ndriçuar dhe unë duhet të pranoj se nuk kisha marrë njoftim nga Uashingtoni. Por nën gjithë gëzimin kishte njëfarë përçmimi ndaj Britanisë, Francës e Jugosllavisë. Ai tha se njohja e SHBA do të nxiste dhe fuqitë e tjera të kthenin vëmendjen. Më pas kur unë prezantova letrën zyrtare të njohjes më 15 shtator, ai tha se ky ishte kurorëzimi i triumfit diplomatik të qeverisë së re. Ai shtoi se njohja nga Italia nuk kishte domethënie të veçantë pasi Italia është një aleat i Shqipërisë, por e rëndësishme ishte njohja e Greqisë e Hungarisë, edhe pse kjo nuk e kishte impresionuar audiencën botërore. “Kur të njeh qeveria më e madhe e botës, të tjerët e kuptojnë se herët a vonë duhet të vendosin çfarë duhet të bëjnë”, tha ai. Vrioni tha se të gjithë zyrtarët në Tiranë kishin dëgjuar për letrën e presidentit Coolidge dhe mëngjesin e ardhshëm shumica e qeverive që nuk kishin njohur mbretërinë erdhën për të verifikuar lajmin. Mes tyre duket se kishte një atmosferë trishtimi pasi besonin se kjo mund të trazojë konsultimet që ne kemi dëgjuar se po zhvillohen mes Parisit, Londrës e Beogradit. Qeveria e Beogradit njohu mbretërinë shqiptare në të njëjtën ditë kur unë dhashë njoftimin formal dhe në opinionin tim kjo ndodhi sepse pas njohjes nga SHBA, britanikët dhe francezët i sugjeruan Beogradit që të vepronte menjëherë në mbështetje të vendimit. Kolegët e mi francezë e britanikë nuk e fshehën se qeveritë e tyre po studionin së bashku çështjen e njohjes pasi kishin rezervime për titullin e monarkut të ri “Mbret e Shqiptarëve”. Me njohjen e Britanisë e Francës më 21 shtator, unë jam i bindur se nëse nuk do ta njihnin mbretërinë shqiptare, do të ndiqnin një politikë të përbashkët që mund të sillte fërkime të tjera në Ballkan. Gjithashtu und të them se Italia është pak e shqetësuar për heshtjen fillestare të Britanisë dhe Francës dhe kur erdhi njohja e SHBA ata u lumturuan.  Një demonstratë u urdhërua të mbahej para Legatës në mbrëmjen e 15 shtatorit. Unë i ftova ata në oborrin e legatës, ishin rreth 1500 persona, të drejtuar nga banda muzikore e ushtrisë. Ata luajtën në fillim himnin amerikan dhe më pas himnin shqiptar dhe më pas duartrokitjet e mëdha lanë të kuptohej se kishte nevojë për një fjalim, të cilin unë e dhashë edhe se nuk isha përgatitur.

Departamenti nuk do të marrë një kopje të fjalimit pasi ishte tërësisht ‘impromptu’. Ndryshe nga sa bëjnë zakonisht të huaj në Shqipëri, qofshin zyrtarë apo jo, të cilët i trajtojnë shqiptarët sikur të ishin fëmijë në fjalimet e tyre, unë nuk e bëra këtë.  Politika ime që prej fillimit të karrierës u ndoq edhe në këtë rast. Unë supozova se kisha përballë disa qindra intelektualë dhe u dhashë një bazë ku të mbështeten. Ndërkohë parlamenti i vendit po punon për modifikimin e Kushtetutës. Statuti i krijimit të monarkisë, i cili për momentin është i vetmi akt i parlamentit, është i atashuar këtu.

Më tej po citoj nga letra e qeverisë ndaj dokumentit formal të njohjes:

Zoti ministër (ambasador): Kam nderin të marr letrën tuaj me të cilën shkëlqesia juaj më informon se qeveria amerikane njeh rezolutën e asemblesë së Shqipërisë për vendosjen e regjimit të monarkisë, dhe ngritjen në fron të madhërisë së tij Zogu, Mbret i Shqiptarëve. Ky akt miqësor nga ana e qeverisë suaj të nderuar, duke njohur regjimin nga të parat regjimin e ri në Shqipëri, vlerësohet shumë nga qeveria mbretërore dhe populli shqiptar, të cilët e konsiderojnë si një dëshmi të ndjenjave të simpatisë ndaj Shqipërisë. Lutem që shkëlqesia juaj t’i kalojë qeverisë falënderimet më të thella dhe mirënjohjen e qe Qeverisë Mbretërore, republikës së SHBA, për veprimin që forcon lidhjet miqësore mes vendeve tona .

Presidenti i Këshillit, ministër i Jashtëm,

K. Kota

22 tetor 1928

Traktat arbitrazhi mes Shqipërisë dhe SHBA, nënshkruar në Uashington mes presidentit të SHBA dhe madhërisë së tij Mbretit të Shqiptarëve. Të vendosur për të parandaluar çdo ndërprerje në marrëdhëniet paqësore e miqësore që kanë ekzistuar gjithmonë mes dy kombeve,

Duke dashur të konfirmojnë aderimin te politikat e zbatimit të drejtësisë së paanshme ndaj çdo debati që mund të lindë mes tyre, dhe  Duke dashur që me shembullin e tyre të demonstrojnë dënimin ndaj luftës si instrument i politikës kombëtare në marrëdhëniet e tyre, e gjithashtu  me qëllim përshpejtimin e përmirësimit të marrëveshjeve ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe eliminimin e mundësisë së luftës mes fuqive botërore,

Kemi vendosur të mbyllim traktatin e Arbitrazhit me anë të përfaqësuesve respektivë të plotfuqishëm: Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Frank b. Kellog, Sekretar Shteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe  Madhëria e tij Mbreti i Shqiptarëve, Faik Konica i dërguar i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA, Të cilët pasi kanë komunikuar dhe rënë dakord me njëri-tjetrin sipas fuqisë e tyre, kanë rënë dakord për nenet e mëposhtme:

Neni 1

Të gjitha mospërputhjet në çështjet ndërkombëtare mes palëve për të drejtën e tyre sipas një traktati apo marrëveshjeje, të cilat nuk janë mundur të zgjidhen me anë të diplomacisë, të cilat janë të justifikueshme në natyrën e tyre për arsye të influencimit ndaj vendimeve sipas parimeve ligjore të barazisë, duhet të depozitohen në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit në Hagë, sipas Konventës së 18 tetorit 1907, ose në një tjetër gjykatë kompetente, siç mund të vendoset me marrëveshje të veçantë. Marrëveshja e veçantë në çdo rast duhet të jetë bëhet për llogari të Shteteve të Bashkuara nga presidenti i SHBA dhe me miratimin e Senatit, si dhe nga pala e Shqipërisë sipas ligjeve të saj kushtetuese.

Neni 2

Nenet e këtij traktati nuk aplikohen për çështje debatesh që kanë të bëjnë me:

Juridiksionin e brendshëm të palëve kontraktuese

Kur përfshihen intersat e palëve të treta,

Kur varen apo përfshijnë qëndrimin tradicional ë Shteteve të Bashkuara në lidhje me çështjet amerikane, të përshkruara zakonisht si Doktrina Monroe,

Kur varen apo përfshijnë ruajtjen e obligimeve të Shqipërisë sipas Konventë së Ligës së Kombeve

Neni 3

Ky traktat do të ratifikohet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me miratimin e Senatit, dhe nga Shqipëria në përputhje me ligjet e saj kushtetuese.

Letërkëmbimet do të kryen së shpejti në Uashington dhe traktati hyn në fuqi pas këmbimeve. Ai do të mbesë në fuqi, deri në momentin që ndërpritet prej një nga palët me njoftim të shkruar.

Me besim se të dërguarit fuqiplotë kanë nënshkruar traktatin si në gjuhën angleze dhe shqiptare, teksti në anglisht do të ketë përparësi në rast konflikti mes dy teksteve.

Uashington,

22 tetor 1928

Frank B. Kellogg

Faik Konica

22 tetor 1928

Traktat bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA, nënshkruar në Uashington

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Madhëria e tij Mbreti i Shqiptarëve, me dëshirën për të forcuar lidhjen e miqësisë dhe përparimin e paqes së përgjithshme, kanë vendosur të bëjnë një traktat për këtë, për çka kanë emëruar përfaqësuesit e tyre fuqiplotë:

Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Frank B. Kellogg, sekretar i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Madhëria e Tij Mbreti i Shqiptarëve, Faik Konica, i dërguar fuqi plotë të Shqipërisë në SHBA Pas diskutimeve me njëri-tjetrin sipas pushtetit të tyre, ata ranë dakord për nenet e mëposhtme:

Neni 1

Çdo debat që lind mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të SHBA, i cilido natyre qoftë, nëse dështojnë procedurat diplomatike dhe palët nuk kanë akses për rikurs në një gjykatë kompetente, duhet të dorëzohet për hetim në organin e përhershëm Komisioni Ndërkombëtar siç përshkruhet në nenin e mëtejshëm, dhe palët pranojnë të mos shpallin luftë apo të nisin luftime gjatë kohës së zhvillimit të hetimeve pas dorëzimit të raportit.

Neni 2

Komisioni Ndërkombëtar do të përbëhet nga pesë anëtarë si më poshtë: Një anëtar do të zgjidhet nga çdo vend në debat, nga qeveria e tij, një anëtar do të zgjidhet nga secila palë nga një vend i tretë, dhe anëtari i pestë do të zgjidhet me pranimin e dy palëve. Shpenzimet e komisionit do të paguhen në mënyrë të barabartë nga të dyja qeveritë.

Komisioni Ndërkombëtar do të emërohet brenda gjashtë muajsh pas letër-këmbimit të këtij traktati.

Neni 3

Në rast se dy palët nuk arrijnë të zgjidhin debatin e tyre me metoda diplomatike dhe nuk mudn të kalojnë në një tjetër gjykatë kompetente, ato duhet t’i referohen komitetit Ndërkombëtar për hetime.

Dy palët duhet të furnizojnë Komisionin Ndërkombëtar me të gjithë mjetet e nevojshme për hetimin dhe raportimin e tij.

Raporti i Komisionit duhet të kompletohet brenda një viti nga data e nisjes së hetimit, përveç rasteve kur palët kufizojnë apo shtojnë afatin e punës së tij me marrëveshje.

Firmosur në Uashington,

22 tetor 1928

Frank B. Kellogg, Faik Konica

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/06/2019 - 07:08

Amerika kërkonte me ngulm të shfrytëzonte burimet natyrore të Shqipërisë.

Postuar: 21/06/2019 - 07:11

Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbardhur së fundmi dokumente të tjera për Shqipërinë.

Postuar: 20/06/2019 - 19:58

Si pasojë e gazit helmues ka mbetur i lënduar edhe ish-deputeti demokrat Flamur Noka, i cili ka d

Postuar: 20/06/2019 - 07:17

Inteligjenca amerikane raportonte në vitin 1959 mbi një destabilizim të mundshëm të Ballkanit.

Postuar: 19/06/2019 - 07:19

Në 1949, SHBA po mendonte seriozisht formimin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë për rrëzimin

Postuar: 18/06/2019 - 07:17

“SHBA të veprojë në koordinim të plotë me Britaninë dhe Francën për situatën shqiptare, ash

Postuar: 16/06/2019 - 08:30

Në vitin 1949, Shqipëria shihej nga fuqitë e mëdha si një pikë e rëndësishme strategjike e sovjet