Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbardhet memorandumi i SHBA, ja paralajmërimet e amerikanëve për Enver Hoxhën në shkurt të vitit 1946 dhe si nisi të tërhiqej kreu i PKSH

Postuar: 12/05/2019 - 08:16

Viti 1946 është viti kur nisën përplasjet mes Shqipërisë dhe SHBA. Deri në këtë vit amerikanët kishin diplomatë e tyre në vendin tonë, por sapo Partia Komuniste mori pushtetin nisën tensionet. Gazeta tregoi një ditë më parë se si Hoxha, izoloi amerikanët. Sot po tregojmë një memorandum që departamenti i Shteti i dërgoi atij.

Sekretari i shtetit për përfaqësuesin në Shqipëri

Uashington, 12 shkurt 1946

Në lidhje me zhvillimet që prekin seriozisht dhe dëmtojnë prestigjin e misionit tonë në Shqipëri dhe ngrenë dyshime të mëdha mbi politikat e SHBA ndaj regjimit në Shqipëri, Departamenti beson se janë të pranueshme ankesat më të forta për regjimin në Shqipëri. Udhëzoheni t’i komunikoni gjeneral Hoxha memorandumin e mëposhtëm për të qartësuar se Departamenti e merr çështjen shumë seriozisht.

Memorandum: Qeveria e SHBA ka vënë re kohët e fundit një rritje të provave për qëndrim jomiqësor nga autoritetet shqiptare ndaj SHBA dhe misionit të saj në Tiranë. Kjo situatë reflektohet nga sulmet e kohëve të fundit në shtyp dhe radio dhe gjithashtu nga trajtimi negativ i personelit të misionit amerikan, çka pengon seriozisht kryerjen e funksioneve të tij. Qeveria e SHBA konsideron veçanërisht të pasjellshme e të pajustifikuar urdhrin e autoriteteve më 28 janar për largim të personave të caktuar të misionit amerikan. Asnjë paralajmërim nuk i është dhënë përfaqësuesit Joseph E. Jacobs, për qëllimet e autoriteteve vendase. Këta punonjës janë zgjedhur me kujdes nga Jacobs dhe në asnjë rast nuk janë përfshirë në aktivitete subversive. Dëbimet dëmtojnë misionin tonë dhe nëse ekzekutohen shkelin marrëveshjet tona paraprake të stafit të huaj, të cilat janë gjithashtu kundër frymës së letrës së mirëkuptimit të nënshkruar mes vendeve në mars 1945. Qeveria e SHBA ka vënë re se aktivitetet e misionit janë kufizuar gjithnjë e më shumë javët e fundit, me anulimin e lejeve të qarkullimit dhe me refuzimin e kërkesave të bëra. Nga këto incidente është e qartë se nuk ka më besim nga autoritetet shqiptare. Ne i kujtojmë autoriteteve miqësinë që ka ekzistuar mes dy vendeve tona që prej pavarësisë së Shqipërisë. Ato gjithashtu mund të kujtojnë deklaratën e 10 dhjetorit 1942, dhe rastet e tjera kur qeveria jonë ka insistuar për pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë luftës SHBA ka inkurajuar rezistencën e popullit shqiptar kundër forcave pushtuese të Aksit duke dhënë asistencë të konsiderueshme. Misioni informal amerikan ka hyrë në Shqipëri më 8 maj, 1945, për të mbikëqyrur kushtet në vend dhe me mirëkuptim simpatia për problemet e popullit shqiptar. Në nëntor 1945 qeveria e SHBA ka bërë të ditur gatishmërinë për të njohur regjimin aktual pas garancive të zgjedhjeve të lira dhe pranimit të vlefshmërisë së traktateve mes dy vendeve para 7 prillit 1939. Kopjet e traktateve në fjalë janë dërguar te autoritetet shqiptare dhe kemi ftuar për të përgjigje sa më hershme. Për të evituar çdo keqkuptim që mund të ekzistojë në lidhje me qëllimin e SHBA për pranimin e Shqipërisë në OKB, qeveria përfiton nga rasti të deklarojë se është e ndërgjegjshme për dëshirën e pranimit nga Shqipëria dhe ka dispozitë në favor të saj. Por duhet të theksojmë se kjo është e lidhur parimisht me vullnetin e Shqipërisë për plotësimin e detyrimeve të saj ndërkombëtare. Duke parë trajtimin miqësor që ju keni rezervuar në të shkuarën për zotin Jacobs e stafin e tij, është vështirë të kuptohet ose të justifikohet qëndrimin i tanishëm i autoriteteve. Prandaj rrethanat tregojnë për mungesë të sinqeritetit në premtimet tuaja apo të dëshirës për të hyrë në marrëdhënie normale me qeverinë e SHBA. Qeveria e SHBA kërkon gjithashtu qe autoritetet shqiptare të mos kenë dyshime se nëse trajtimi i tanishëm vazhdon do të jetë e detyruar të riekzaminojë qëndrimin në lidhje me autoritetet shqiptare.

Tiranë, 28 shkurt 1946
Përfaqësuesi në Shqipëri (Jacobs) për Sekretarin e Shtetit: Meqenëse nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Hoxha u interesova te zyra e tij, dhe sekretari më tha se dëshironte të më takonte më 27 shkurt në kohën e zakonshme, mesditë. Diskutuam çështjen për rreth një orë e gjysmë me rezultatet e mëposhtme:

-Shumica e diskutimit ishte mbi traktatet dhe marrëveshjet, për të cilat Hoxha përsëriti se disa traktate ndërkombëtare ishin të pranueshme por qeveria e tij nuk mund të pranonte paraprakisht vazhdimin e tyre. Pozita e qeverisë së tij mbetej e njëjtë me qëndrimin e paraqitur në memorandumin e nëntorit që njohja nga SHBA të vinte e para dhe më pas të ekzaminoheshin traktatet e vjetra mes vendeve, për rishikimi ose anulimin e tyre nga parlamenti i ri shqiptar. Hoxha tha se duhet të kisha besim te qeveria e tij, por unë thashë se nuk ishte çështje besimi pasi duke parë zhvillimet e fundit në vend, marrëveshja e “kombit më të favorizuar” dhe ajo e natyralizimit të qytetarëve, ishin shumë të rëndësishme për ne. Kur unë i propozova njohjen në lidhje me garancitë e rinegocimit të traktatit për qytetarët e kombit më të favorizuar, ai u përgjigj negativisht.

-Në këtë bisedë nuk kishte kohë për të diskutuar trajtimin aktual të misionit tonë, por Hoxha u përpoq disi të shpjegonte dëbimin e shërbëtorëve italianë duke thënë se nuk duhet marrë si mungesë mirësjelljeje. Unë thashë se nuk isha dakord me këtë pasi italianët tashmë ishin larguar dhe në rast se qeveria dëshiron të bëjë diçka për të dëshmuar të kundërtën duhet të aprovonte lejen e rezidencës së Marinschak, për të cilën Hoxha tha se do ta rishikonte, duke më dhënë përshtypjen se do të aprovohej. Ndërsa kur pyeta për lejen e hyrjes për gruan e Marinschak ai mohoi me kokë duke thënë se nuk është e mundur. Kjo çështje nuk është diskutuar vetëm me Hoxhën, por dhe me zyrën e rezidencës pasi nëse ai paraqitet atje pa u zgjidhur çështja mund të arrestohet, siç ndodhi me dy shërbëtorët e mi Fultz e Hoffman. I përmenda Hoxhës gjithashtu se të shtunën e shkuar tre stenografë nga zyra ime aplikuan për leje për të vizituar Shkodrën dhe megjithëse ata aplikuan bashkë me tre ushtarë britanikë të cilëve i erdhi përgjigje negative, misionit tim nuk iu dha asnjë përgjigje. Kjo dukej se e irritoi Hoxhën i cili mbajti shënim dhe tha se do ta shikonte çështjen menjëherë. Meqenëse zyra e lejeve të rezidencave drejtohet nga kreu i Sigurimit, Koci Xoxe, i cili punon në zyrën e komisarit rus, m’u shtuan akoma më shumë dyshimet se vetë Hoxha nuk di fare se çfarë ndodh aty, por veprohet vetëm nga rusët.

Qëndrimet

Komentet e mia për situatën e krijuar janë si më poshtë:

1. Ne ndjehemi të sigurt se autoritetet nuk do ta njohin paraprakisht vlefshmërinë e traktateve dhe marrëveshjeve pa u dhënë njohja e plotë e pa u ndryshuar përfaqësuesit diplomatikë.

2. Megjithëse ka mundësi që trajtimi i misionit të përmirësohet në disa aspekte (të paktën deri në vlerësimin e ardhëm të Shqipërinë në OKB) jam i sigurt se të ashtuquajturit këshilltarë politikë dhe ushtarakë jugosllavë do të vazhdojnë të kërkojnë anëtarët e mbetur të opozicionit në të gjithë vendin, ndërsa ne do të na kufizohet lëvizja në Shqipëri dhe në rastet e rralla kur lejohemi, do të jemi të shoqëruar gjithmonë nga një roje partizan. Jemi të sigurt se Misioni nuk do të lejohet të punësojë shqiptarë ose amerikanë të tjerë dhe jo vetëm që zonja Marinschak nuk do të lejohet të hyjë por dhe vetë Marinschak nuk do të lejohet të qëndrojë shumë gjatë. Në përgjithësi trajtimi i misionit tonë në Shqipëri pritet të jetë i ngjashëm me atë të misioneve të huaja në Moskë, ndoshta pak më i keq këtu sepse Moska është një qytet i madh dhe ka mundësi për zbavitje dhe largim të vëmendjes, ndërsa Tirana është e vogël dhe pa mundësi të tilla. Gjithashtu nga frika dhe presioni i autoriteteve, ashtu si në Moskë, kontaktet tona me vendasit thuajse janë mbyllur.

3. Është e qartë se Shqipëri është bërë asgjë më shumë se një satelit i BRSS dhe Jugosllavisë dhe ndoshta i vetmi interes i këtyre dy vendeve për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë është shpresa se ndoshta do të pranohet në OKB dhe rrjedhimisht një tjetër votë për BRSS. Nëse në sesionin tjetër të Këshillit të Sigurimit, Shqipëria nuk pranohet me shumë gjasa do të bëhet pjesë e federatës jugosllave. Por megjithatë jemi të sigurt se shumica e shqiptarëve e kundërshtojnë infiltrimin e dominimin rus si dhe pranimin në federatë.

4. Sipas prononcimeve zyrtare dhe kushtetutës së re që po hartohet, është e qartë se regjimi aktual dhe këshilltarët e tij rusë po krijojnë një sistem shtetëror dhe ekonomik sipas linjave sovjetike, i cili do t’i mohojë SHBA aksesin në tregtinë dhe zhvillimin e vendit. Gjithashtu kufizimet në shpërndarjen e letërsisë së huaj do të ndalojnë aktivitetet kulturore ose të paktën dot reduktohen ndjeshëm. Si pjesë e sovjetizimit, të gjithë të huajt (siç ka nënkuptuar Hoxha) edhe amerikanët, do të përjashtohen nga vendi. Si rezultat i këtij hapi, edhe shqiptarëve tashmë u ndalohet të emigrojnë ose të udhëtojnë jashtë vendit, përveç BRSS dhe aleatëve të tij.

5. Sipas procesit të Sovjetizimit, çdo formë opozicioni ndaj qeverisë do të shtypet pa mëshirë, nëse është e nevojshme me asistencën jugosllave apo sovjetike. Edhe fëmijëve të shkollave po nxitën dhe po shpërblehen për të spiunuar ndaj mësuesve apo prindërve të tyre. Dëshmi për këtë është arrestimi i grupit Kokoshi-Asllani të cilët tentuan të formojnë një parti të dytë për zgjedhjet e dhjetorit të shkuar. Ndërsa vetë regjimi shqiptar, disa nga anëtarët e qeverisë nuk janë në favor të kthesës që po marrin ngjarjet por nuk kanë mundësi të veprojnë. Qeveria është në dorën e një grupi të paskrupullt e të egër komunistësh të cilët edhe nëse besojnë vërtet në parimet e tyre, nuk janë më të mirë se regjimet e shkuara që ia shitën vendin Italisë apo Jugosllavisë. Duke pasur parasysh sa më sipër ne i rekomandojmë Departamentit marrjen në konsideratë të lëvizjeve të mëposhtme:

-Do të preferoja të udhëzohesha të raportoja te Hoxha se qasja e qeverisë së tij për çështjen e marrëveshjeve e traktateve është e papranueshme dhe se qeveria e SHBA nuk mund të japë njohjen derisa autoritetet shqiptare të ndryshojnë mendim. Letra ose memorandumi duhet të përfshijë një alternativë si paragrafi 2 më poshtë.

-Misioni ynë për këtë do të tërhiqet plotësisht ose një pjesë e stafit largohet, duke lënë Fultz në krye të misionit. Para se të merren vendime duhet të bëjmë prezantimet e duhura për Moskën

Duke parë se dhe në të kaluarën grupet ndryshme politike shqiptare të paskrupullta në pushtet ia kanë shitur vendin njëri pas tjetrit fuqive të huaja, kam nisur të mendoj se populli shqiptar nuk duhet të kualifikohet për pavarësi.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 08:23

Pretendimet territoriale nga Greqia nuk janë aktuale. Prej shumë vitesh Athina ka kërkuar që të marrë jugun e Shqipërisë dhe tentativat e saj janë dhjetravjeçare.

Postuar: 25/05/2019 - 07:10

 Zbardhen të tjera detaje mbi zhvillimet politike gjatë regjimit komunist.

Postuar: 22/05/2019 - 07:07

Dalin në dritë të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë instalimit të regjimit komunist.

Postuar: 19/05/2019 - 07:47

Italia ka shkaktuar mbi 3 miliardë franga ari dëme gjatë pushtimit në Shqipëri.

Postuar: 18/05/2019 - 07:25

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipëri gjatë vitit 1946.