BREAKING NEWS

Kush do jenë ministrat e ardhshëm të Ramës? Kreshnik Spahiu nxjerr për herë të parë EMRAT: Do ketë prurje të reja!

Kush do jenë ministrat e ardhshëm të Ramës? Kreshnik Spahiu
x

Dossier

Ali Pasha, rusët dhe ... ne

Ali Pasha, rusët dhe ... ne

Në përgjithësi autorët, kur duan të shkruajnë për një personalitet historik, krijojnë mendimin e tyre që më parë, nëse këtë njeri do ta “lavdërojnë” apo do ta “shajnë”. Në këtë rast, përpiqen që të gjitha dokumentet ose materialet e tjera për këtë personalitet, t’ia përshtatin mendimit të krijuar në kokën e tyre. Nëse kanë vendosur që një personalitet ta “lavdërojnë”, atëherë të gjitha dokumentet dhe materialet që nuk flasin mirë do të përpiqen t’i zvogëlojnë, t’i anashkalojnë dhe të nxjerrin lloj – lloj pretekstesh për të ulur vlerën e tyre. Ndërsa, nëse kanë vendosur që ta “shajnë”, atëherë edhe kur për këtë personalitet dokumentet dhe materialet flasin mirë, ata do të përpiqen që të gjejnë lloj – lloj arsyesh për ta ulur këtë figurë.

Për Ali Pashë Tepelenën (Janina) janë shkruar shumë libra, si nga autorë të huaj dhe vendas, të cilët përpiqen të japin një panoramë të plotë të kësaj figure historike të shqiptarëve.

Në arkivat ruse ka një shumicë të madhe dokumentesh për Shqipërinë, për shqiptarët, ku ka shumë edhe për Ali Pashë Tepelenën. Aliu përmendet në shumë botime ruse dhe atij i është kushtuar një libër i veçantë, shkruar nga akademiku rus G. L. Arsh në vitin 1963. Ky libër kryesisht është shkruar mbi bazën e dokumenteve zyrtare, të informacioneve të konsujve rusë në Ballkan, ambasadorëve në Kostandinopojë dhe të agjentëve të tjerë rusë që vepronin në Ballkan dhe në zonën e Adriatikut. Nëse veçon dokumentet që janë në librin e G. Arsh, ato përbëjnë një dosje të tërë. Ali pasha ishte i rrethuar nga të gjitha anët me konsuj rusë dhe njerëz të besuar të tyre. Pjesa më e madhe e këtyre ishin grekë dhe shqiptarë në shërbim të Rusisë. Dhe informacionet që dërgoheshin, pjesa më e madhe ishin në gjuhën italisht, frëngjisht dhe greqisht, shumë pak ishin në gjuhën ruse. Kështu, rusët kishin konsuj në Korfuz, Kotor, Ankona, Trieste, Otranto, në Shqipëri dhe Himarë, Prevezë, Artë, Vlorë, Napoli, Negroponte etj., informacionet e të cilëve kanë qenë me shumë vlerë për njohjen e Ali pashës dhe pashallëkut të tij.

Librat e shkruar si Kujtime, Përshtypje udhëtimi dhe të tjerë, zënë shumë pak vend në librin e akademikut G. Arsh.

Në pjesën më të madhe, dokumentet janë nxjerrë nga Arkivi i Politikës së Jashtme të Rusisë (????? ??????? ???????? ?????? – ????) dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Flotës luftarako – detare (??????????? ??????????????? ????? ??????-???????? ????? – ??????). Këto informacione ambasadorëve,të konsujve dhe personave të tjerë zyrtarë, rusë ose të huaj, paraqesin në vetvete burime të dorës së parë. Në to ka shumë të dhëna edhe për ngjarjet e politikës së brendshme në Shqipëri dhe në Greqi, materiale që kanë të bëjnë me përshkrimin e Shqipërisë dhe promemorie për sundimtarët feudalë shqiptarë, kryesisht për Ali Pashën, të përpiluara nga diplomatët rusë.

Në librat në gjuhën shqipe materialet e arkivave ruse, e kryesisht të akademikut rus G. Arsh, pasqyrohen në: Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës, e autorit I. Ushtelenca, botuar para viti 1990 dhe ribotuar në 1996; Ali pasha tiran apo reformator, i autorit Ll. Ruci, botuar nga “OMBRA GVG” në vitin2002; Ali pasha dhe fillesat e nacionalizmit shqiptar, e autorit F. Meksi dhe botuar nga “ILAR” në vitin 2015, dhe Aliu midis historisë dhe legjendës, e autorit P. Thëngjilli, botuar në vitin 2019 nga Akademia e Shkencave.

Në këto botime vihet re se ka shumë pasaktësi në ngjarje të ndryshme, sajime faktesh, përkthime të gabuara, “përvetësim” të referencave si dhe disa probleme të tjera, që nuk përputhen me ato reale.

Kur ka lindur Ali Pasha?

Në libra të ndryshëm, nga autorë të ndryshëm, si vitlindje të Ali pashë Tepelenës jepen vitet 1740, 1744 e përfundon deri në vitin 1750. Problemi i vitlindjes së Ali pashës trajtohet më gjerësisht në librin “Aliu midis historisë dhe legjendës”.

Në këtë libër, në faqet 35 – 36, shkruhet: “Viti i lindjes së Aliut është një nga çështjet ku ka mendime kontradiktore më shumë se për çështjet e tjera. Në letërsinë e deritanishme historike data e lindjes së Aliut ka lëvizur nga 1740 deri në 1752. Sqarimin e problemit me qëllim për t’iu afruar së vërtetës, po e nis me pohimet e vetë Aliut dhe të dëshmitarëve okularë. Në një letër të Aliut, dt. 27.9.1821, Aliu i deklaron sulltanit se ishte plak dhe i ka kaluar të shtatëdhjetat. I takon që Aliu të ketë lindur rreth vitit 1750. (Këtu jepet referenca e dokumenteve turke). Pohimin e tij e mbështet dhe folklori. (Këtu jepet referenca përkatëse: Shtatëdhjetë vjet që rrove/ sa zë dielli edhe shtrove, sos të dhanë vilajeti/ po të gremisi dovleti, i madhi vezir të erdhi me pahir. Thimi Mitko, Vepra, fq. 267 – 268). Zh. Marier, ambasadori britanik pranë Aliut, në vitin 1804 e vlerësonte Aliun 52 vjeç. (Referenca përkatëse: Letër e Zhon Marier – lordit Houkshëri, Janinë, 30 qershor 1804, dok. 20, f. 184). Pra paska lindur më 1750.Këto tri burime më bëjnë të pranoj si vitlindje vitin 1750. Para nesh disa autorë kanë pranuar këtë vitlindje. S’ka pse të vazhdohen më tej kërkimet, kur vetë Aliu pohon një gjë të tillë”.

Po në këtë libër, në referencën Nr 105, në faqen 35, ndërmjet të tjerash thuhet se “Mbështetur në burime diplomatike, K. Fleming e çon vitin e lindjes më 1752”.

Në fakt, K. Fleming ka të drejtë. Nëse i analizojmë tre burimet e para që jepen në libër, nuk del ashtu siç shkruhet. E para, letra që Aliu i dërgon sulltanit, është me përafërsi. Aliu mund ta ketë shkruar kështu, sepse në atë kohë ndodhej i rrethuar nga forcat e sulltanit, pesë muaj para se ta vrisnin, dhe me këtë mund të përfitonte diçka. Ndërsa dy burimet e tjera, nëse bëjmë veprimet matematikore, del viti 1752. Në këngën ku thuhet Shtatëdhjetë vjet rrove .../, nëse nga viti 1822, kur e vranë Aliun, po të heqim shtatëdhjetë vjet që jetoi, atëherë përfundimi del 1752. Kjo këngë ndodhet edhe te libri i I. M. Qafëzezit. Por edhe te letra e Zh. Marier, nëse nga viti 1804, që është data e letrës, do të heqim moshën 52 vjeç që e vlerësonte ai Aliun në atë kohë, atëherë përsëri del viti 1752. Pra, nga këto tri burime, bilanci është 2 me 1 në favor të vitit 1752.

Në këtë rast, nuk është e drejtë që të shkruhet “S’ka pse të vazhdohen më tej kërkimet, kur vetë Aliu pohon një gjë të tillë”. Arkivat ende janë të pa eksploruara dhe vazhdimisht dalin dokumente dhe materiale që bëjnë fjalë edhe për ngjarje shumë më të vjetra. Më poshtë do japim dy fakte të dala nga vetë goja e Aliut për këtë problem.

Më datë 29 tetor 1798, Aliun e ka takuar një oficer i flotës luftarake ruse, i dërguar nga admirali rus F. F. Ushakov. Në librin e tij, ai sjellë këtë bisedë të bërë me Ali Pashën:

...

- Po sa vjeç është admirali juaj?

- Pesëdhjetë e gjashtë.

- Pra ai qenka shumë më i madh se unë – tha Ali pasha.

- Shkëlqesia juaj – i tha oficeri rus – unë nuk mund t’iu jap më shumë se dyzet vjet. Ju jeni ende i ri!

- Jo! Unë jam dyzet e gjashtë vjeç – shtoi Aliu me pamje të gëzuar.

Edhe në këtë rast, nëse nga viti 1798 do të heqim 46 që thotë Aliu, atëherë del vitlindja 1752.

 Në librin Aliu midis historisë dhe legjendës përmendet në referenca edhe materiali Albanesi musulmani i Dora d’Istrias. Nëse ky libër do të ishte parë më me kujdes, nëse është parë, aty shkruhet se Veli beu, i ati i Aliut ka vdekur në vitin 1759 (Nuova Antologia, V. 14, fq. 33 – 34) dhe më poshtë janë fjalët e vetë Aliut, i cili shprehet: “Pasi vdiq babai im, mbeta vetëm në moshën gjashtë vjeç ...”. Pra edhe këtu Aliu del se ka lindur në vitin 1752-1753, por muajin nuk e dimë që ta jepnim më të saktë. Siç shihet, janë katër burime që vitlindjen e Ali Pashë Tepelenës e japin në vitin 1752.

Po rinia e Aliut, si ka qenë?

Shumë autorë shkruajnë se ka qenë kaçak, kusar që grabiste të tjerët, por në librin Aliu midis historisë dhe legjendës na jepet një tablo ndryshe. Në faqen 44 shkruhet: “Aliu nuk kishte pse ta fillonte jetën si hajdut rrugësh. Ai u rrit dhe u edukua, si gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ai u arsimua si bir i një pashai ...”, ndërsa në faqen 750 shkruhet: “Për sa kohë ishte gjallë i ati, Aliu filloi të marrë arsim pranë familjes me mësues të veçantë, por pas vdekjes së tij, arsimimi i rregullt u ndërpre”.

Që Aliu ishte i biri i Veli beut, kjo jepet nga shumë burime, por që ka pasur ndonjë paraardhës të tij pasha, kjo nuk del në asnjë vend. Pastaj, çfarë arsimi mori ai deri në moshën gjashtë vjeç, që e la i ati kur vdiq? Çfarë mësoi deri në atë moshë? Edhe në vendin tonë, deri nga vitet 1970, në shkollë të pranonin pasi kishe mbushur moshën shtatë vjeç. Mos flas pastaj për vitet deri në 1759, se çfarë zhvillimi arsimor ka pasur Tepelena, nëse ka pasur mësues privat etj. Të gjitha këto jepen me hamendje, sepse nuk ka asnjë referencë ku të bazohesh.

Po në faqen 44 të këtij libri, thuhet: “Për rininë e Aliut në historiografinë është shfaqur mendimi se ai e nisi jetën si një hajdut rrugësh, kecash e dhish, si një djalë i rritur nga e ëma në një varfëri të madhe. ... Aliu rridhte nga një familje bejlerësh e pashallarësh me pasuri dhe katandi. Kur vdiq i ati, e la familjen me disa çifligje në Gjatë, në Karjan dhe në Zagori ... Së dyti, vetë titulli bej që mbante qysh në fëmijëri, e pengonte sado pak atë të fillonte karrierën nga një hajdut kecash e dhish. Për arsye morali të kohës, nuk mund të binte në këtë nivel”.

Vetë fakti i veprimtarisë së mëvonshme të Aliut, tregon se ai nuk pyeste për moral. Për të gjitha këto pasuri që ka pasur Aliu nuk jepet asnjë referencë, ndërsa për veprimtarinë si kusar e japin shumë autorë. Edhe Dora d’Istria, në shkrimin që përmenda më lart, shkruan: “Veli beu, (i ati i Aliut) djali më i vogël i tij (Muhtarit), u dëbua nga Tepelena nga vëllezërit e tij Salih dhe Mehemet, dhe për disa kohë i duhej të bënte zanatin e kapos së kleftëve, domethënë të udhëhiqte çeta kundër armiqve të tij, e ndoshta edhe kundër të tjerëve. Duke u hakmarrë ndaj vëllezërve që i dogji në zjarr, bëri një jetë plot të papritura. Veliu, që mbahej më paqësor se kapot e tjerë të vendit dhe që i nënshtrohej lehtësisht veprimit helen, vdiq në vitin 1759, duke i lënë të birit Ali një kasolle dhe pak fusha shterpë. ...”. Pra, këtu del se edhe Veli beu ishte kusar, dhe “i la Aliut vetëm një kasolle dhe pak fusha shterpë”.

Si vitlindje të Aliut deri tani duhet të marrim vitin 1752, që vërtetohet nga shumë burime. Nëse më vonë do të dalin dokumente të tjera, të reja, atëherë do të jemi të detyruar t’i analizojmë dhe t’i pranojmë osejo.

Duke mbajtur parasysh vitlindjen 1752, atëherë bien poshtë të gjitha historitë e tjera që jepen në faqen 47 të këtij libri se: “Më 1764 Aliu u hodh në Negroponte me 30 trima (palikarë) të ajkës, që u printe si bylykbash dhe hyri në shërbim të pashait të këtij vendi”. Në këtë rast, Aliu ishte vetëm 12 vjeç.

Po në faqen 47 të këtij libri shkruhet: “Ka mundësi dy vjet më vonë (1765) Aliu të ketë marrë urdhër që të inkuadrohej në ushtrinë e Mehmet pashës, mytesarif i Janinës, i cili në krye të 12 000 vetave të shkonte në Gjeorgji (Gjurxhistan). Një vit më vonë ka shkuar me 1 000 këmbësorë levendë, nën komandën e mytesarifit të Janinës, në ndihmë të valiut të Çëlldërit dhe seraskerit të Gjurxhistanit, vezir Hysein Pashës”. (Kjo është marrë nga dokumentet turke dhe jepen në referencat nr 19 dhe 20.).

Së pari, Aliu në moshën 13 vjeç nuk është e besueshme se ka shkuar të luftojë në Gjeorgji, por edhe një vit më vonë, pra që i bie në vitin 1766, pra që ka qenë 14 vjeç.

Së dyti, nuk mund të shkruhet “ka mundësi të ketë marrë urdhër”. Nëse ka marrë urdhër, duhet të ketë një dokument ose një shkrim, por me hamendje nuk mund të jepen si fakte.

Vijon në numrin radhës...