Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Amerikanët zbardhin detaje nga konfliktet e 1996, ja si Berisha manipuloi rezultatin dhe përplasja me vëzhguesit ndërkombëtarë

Postuar: 11/09/2019 - 07:17

Gazeta amerikane “New York Times” ka hedhur dritë nga zgjedhjet e 1996. Të gjithë i mbajnë mend këto zgjedhje, ku pati manipulim të rezultatit. Në gazetën amerikane tregohen detaje se si Berisha trukoi rezultatin e zgjedhjeve.

Policia rreh e arreston protestuesit e zgjedhjeve në Shqipëri

29 maj 1996

Duke përshkallëzuar më tej taktikat e shtypjes që shënuan zgjedhjet parlamentare të së dielës, forcat speciale të policisë kanë rrahur dhe arrestuar mbështetësit e opozitës në sheshin kryesor të kryeqytetit. Megjithëse presidenti Sali Berisha pretendoi fitoren në zgjedhje, shumë vëzhgues ndërkombëtarë besojnë se procesi u shënua nga shkelje serioze. Berisha ndaloi sot protestën e opozitës. Shumë prej atyre që sfiduan masën e ndalimit, duke përfshirë dhe burra e gra të moshuara që ishin pranë sheshit kryesor, u rrahën me shkopinj gome nga policia, përpara syve të tmerruar të vëzhguesve të OSCE që shikonin nga ballkoni i hotelit. Disa njerëz qëndronin në shesh me gjak që u rridhte nga fytyra. Rreth dymbëdhjetë politikanë opozitarë u morën në fugonat e policisë nga shkallët e Pallatit të Kulturës. Shumica e tyre u liruan më vonë por zv. kryetari i Partisë opozitare Socialiste, Servet Pellumbi, u mbajt në arrest, ndërsa sekretari i Aleancës Demokratike, Arben Imami, raportohej se ishte shtruar në spital nga goditjet. Dhuna e sotme ishte më e rënda që prej zgjedhjeve më të trazuara që vëzhguesit raportonin të kishin parë në Evropën Lindore. “Nuk kam parë kurrë sjellje më totalitare se kjo, njerëz që rrihen, kamera të sekuestruara”, tha Yuraj Atabaki, vëzhgues nga Holanda, i cili ka monitoruar zgjedhjet në rajon që prej vitit 1991. Drejt fundit të zgjedhjeve të dielën, opozita njoftoi se po tërhiqte kandidatët e saj dhe se nuk do të njihte rezultatin. Mitingu i sotëm ishte për thirrjen e zgjedhjeve të reja. Veprimet e zotit Berisha, për të cilin kritikat thonë se ka marrë stilin e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, janë edhe më të rëndësishme në një kohë kur Evropa e SHBA e kanë mbështetur si njeriun e tyre në rajonin delikat të Ballkanit. Uashingtoni ka mbështetur ish-komunistin Berisha, me ndihma ekonomike dhe ushtarake, dhe në këmbim ai ka nxitur minoritetin shqiptar në Kosovë të mos rebelohen kundër Beogradit në kërkim të autonomisë. Edhe qeveritë evropiane e kanë parë atë me simpati, pas përpjekjeve të tij për të ndaluar emigracionin ilegal të shqiptarëve drejt Italisë e Gjermanisë. Mungesa e vullnetit të Uashingtonit dhe OSCE për të kritikuar shkeljet masive zgjedhore ka zemëruar shumë vëzhgues ndërkombëtarë, të dërguar këtu nga qeveritë perëndimore. "Jam i shtangur që ka pasur një tentativë të hapur për manipulimin e zgjedhjeve dhe i zhgënjyer që nuk kishte një deklaratë zyrtare", tha vëzhguesi britanik Paul Keetch. “Sigurisht që nuk mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të akreditojë këto zgjedhje”. Atabaki tha se mungesa e kritikave për zgjedhjet nga organizatat ndërkombëtar kishte bërë që vëzhguesit si ai të përdoreshin si pulla poste në zgjedhje që nuk ishin as të lira e as të drejta. Rreth 40 nga 53 vëzhgues të dërguar nga O.S.C.E. thanë se kishin parë abuzime elektorale dhe kishin nënshkruar një deklaratë ku thuhej se, procesi nuk plotësonte standardet e zgjedhjeve të lira e të drejta. Ata thanë se në shumë raste numri i fletëve të votimit kalonte numrin e votuesve, dhe se shumë vota ishin ndryshuar ose bërë të pavlefshme në favor të Partisë Demokratike të Berishës. Ata shtuan se prezenca e policëve të armatosur dhe atyre që besohej se ishin policë në veshje civile, në qendrat e votimit e kishin kthyer atmosferën nga e tensionuar në intimidim e kërcënim. “Sjellja e përgjithshme e intimidimit ka pasur impakt serioz në procesin elektoral”, thuhej në deklaratë. Atabaki tha se ndoshta manipulimet nuk kishin qenë të nevojshme, pasi Partia Demokratike do të kishte fituar gjithsesi. Opozita dënoi qeveritë perëndimore për predikimin e demokracisë në Shqipëri, por në fakt mbështetën zgjedhje me shkelje e kërcënime.

Rrugë e vështirë për shqiptarët e karrocave dhe BMW-ve

31 maj 1996

Për Besa Manin, 17-vjeçarja në shkollë te mesme që shikon telenovela amerikane, pi Fanta dhe dëshiron të bëhet gjykatëse, vendi i saj është paksa i paqartë. Për disa tre vjet ajo ka ecur disa qindra metra në rrugën me pluhur nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas, pasi ka frikë të shkojë tjetërkund. Ndërsa prindërit e saj mund të dalin deri në kopsht. Familja e saj është e ngujuar në një gjakmarrje tradicionale ku një njeri mund të vritet për të marrë hak ndaj tjetrit. Vëllai i Besës ka vrarë dikë që tentoi të sulmonte nënën e tij, dhe prej atëherë familja Mani trembet se do të vritet nga familjarët e të vrarit. "Nuk mund të dalim", thotë Besa, ambiciet moderne të së cilës bien në kontrast me praktikat e ligjet e lashta të rajoneve malore të Shqipërisë. "Kush e di çfarë mund të ndodhë? I vdekuri ishte njeri i keq. Por ka një familje të madhe. Ata janë kudo, kanë armë”. Shqipëria është vendi më i varfër i Evropës dhe ka qenë i izoluar prej vitesh nga një regjim i ashpër komunist. Tashmë me hapjen e saj, vendi po përpiqet të përshtatet në botën bashkëkohore. Në të njëjtën kohë kur Besa e familja e saj qëndrojnë të ngujuar, fqinjët e tyre shkuan për të votuar në zgjedhjet e katërta që prej rënies së komunizmit në 1991. Por eksperimenti me demokracinë i të dielës shkoi keq, kur policia e presidentit Sali Berisha intimidoi votuesit dhe dy ditë më vonë rrahu kandidatët e opozitës në kryeqytet. Berisha, është mbështetur gjatë pushtetit të tij katër-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara. Ai shpalli dje fitoren e Partisë Demokratike, në zgjedhjet për të cilat vëzhguesit thanë se u shënuan nga shkelje serioze e manipulime. Në vend ka shqetësim për kthim të qeverive autokratike si ato të Turqisë otomane, të mbretit Zog para Luftës II Botërore dhe ajo e marksistit radikal Enver Hoxha, për të cilin edhe komunistët kinezë ishin shumë të butë. Kalimi nga shoqëria e kolektivizuar te ajo kapitaliste po rezulton i vështirë. Sa i përket zgjedhjeve demokratike, drejtësisë dhe lirisë së shtypit, Shqipëria nuk po paraqitet mirë me Berishën. Por tutela e Bankës Botërore dhe e SHBA, ka lejuar një lloj kapitalizmi të mbushur me korrupsion. Jugu i Shqipërisë është kthyer në një pazar të madh. Shqipëria ka ndoshta më shumë Mercedes të vjetër në rrugët e këqija sa çdo vend i botës. Në një fushë jashtë qytetit bregdetar të Durrësit gjen me qindra Mercedes, BMW, Volkswagen të përdorur që presin blerësit. Çmimi i një Mercedesi të ri të vjedhur në Itali ose Gjermani është $10,000 para në dorë. Makinat private që ishin të ndaluara në kohën e diktatorit Hoxha, tashmë kanë mbushur çdo trotuar dhe pika kufitare për ushtrime ditore tregtie apo trafiku. Ç’profesion keni?- pyet roja kufitare, një shqiptar që pret të hyjë në Malin e Zi. "Trafikant",- thotë i riu nga dritarja e makinës ndërsa roja kufitare nuk e vret mendjen fare. Por në fshatin verior Koplik, ku jeton Besa dhe është bastion i popullsisë gegë që besohet se ka ardhur në Ballkan para grekëve, karrocat me kalë ende dominojnë. Llogariten rreth 10,000 burra që rrinë të fshehur në veri të Shqipërisë që prej shembjes së komunizmit. Ata kanë frikë si dhe babai i Besës, Saliu, se dikush do i ndjekë dhe do të marrë hak. Nën regjimin komunist gjakmarrjet ishin ndaluar. Megjithëse janë shumë të varfër, fermerët shqiptarë duket se jetojnë më mirë se të tjerët. Toka u është kthyer edhe pse jo gjithmonë te pronarët e vërtetë. Met Sula, fshatar 66-vjeçar në Gose, 20 milje në jug të Tiranës, ka vetëm një lopatë dhe krahët e tij për pesë hektarët e tokës që tashmë ka mbjellë me shalqi. "Kam tokën time tani", thotë Sula. "Nuk është toka e vjetër e familjes time dhe është pak larg. Por është më mirë sesa me Hoxhën", thotë ai, duke shtuar se nëse kërkon tokën e tij që ka pasur, do i heqin pensionin. Të ardhurat mesatare vjetore në vend janë $600 në vit, ndërsa vendi tani varet nga tre burimeve të pazakonta të ardhurash, sipas ekonomistëve. E para është ndihma nga jashtë, të cilën evropianët e kanë dhënë bujarisht si një mënyrë për të ndaluar emigracionin masiv të shqiptarëve drejt Italisë e Gjermanisë. E dyta janë të ardhurat e rreth 400,000 shqiptarëve që punojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe remitancat që ata sjellin në Shqipëri. Ndërsa e treta është kontrabanda, duke përfshirë volumin e madh të drogave që kalojnë transit në Shqipëri, me destinacion Evropën Perëndimore. Në qytetin verior të Shkodrës po ngrihen çdo ditë vila të reja, me çati të bukura të importuara nga Maqedonia, që janë dëshmi e pasurisë së re të trafikantëve të drogave. Privatizimi i pronës shtetërore gjithashtu ka nisur, edhe në shumicën e rasteve shoqërohet me korrupsion dhe vjedhje të liçensuar. "Metoda e zakonshme e kthimit të pronave të zotëruara para Luftës II Botërore, është si më poshtë”, thotë një biznesmen i ri shqiptar. "Qeveria cakton çmimin për ish-pronarin, që është shumë i lartë. Pronari nuk mund ta përballojë atë dhe qeveria thotë se kanë ofruar, por është refuzuar dhe më pas ia ofrojnë dikujt tjetër me një çmim shumë më të ulët". Berisha ka anësi nga Perëndimi, por përpiqet të marrë ndihmë ngado që të mundet. Ai e ka afruar Shqipërinë me Aleancën Islamike dhe vitet e fundit numri i xhamive po shtohet me shpejtësi. Në Shkodër, qyteti më i madh i veriut, xhamia me kupolë e quajtur Ebu-Bekr, dhuratë nga familja mbretërore saudite, u hap vitin e kaluar. Deri tani feja islame në Shqipëri është laike. Në Shkodër një rrotullame lojërash punon përditë jashtë xhamisë kryesore. 38-vjeçari Faik Spahia, thotë se xhamia e re ka avantazhe të mëdha. "Unë kam mbaruar shkollën e mesme dhe kam lexuar shumë libra", thotë ai para nisjes së lutjes. "Por nuk e kam gjetur askund të vërtetën përveç Kuranit, të cilin e lexoja fshehtas në shtëpi. Për mua liria fetare është gjëja më e rëndësishme", thotë ai.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 07:45

Mediat ndërkombëtare kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Postuar: 07/12/2019 - 07:26

Ndërkombëtarët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë Shqipërisë komuniste.

Postuar: 06/12/2019 - 07:06

Ndërkombëtarët zbardhin detaje nga zhvillimet e zgjedhjeve në Shqipëri më 1945.

Postuar: 03/12/2019 - 07:08

Ndërkombëtarët e kanë paralajmëruar se në Shqipëri po lindte një diktator i frikshëm.

Postuar: 01/12/2019 - 07:36

Amerikanët kanë dhënë detaje për marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik.

Postuar: 30/11/2019 - 07:20

CIA ka hedhur dritë mbi të tjera detaje nga Lufta Nacional-Çlirimtare.