Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Amerikanët zbardhin detaje nga zhvillimet më 1991, ja si u shkua te zgjedhjet e para pluraliste dhe si dolën fitues komunistët

Postuar: 30/08/2019 - 07:13

Gazeta amerikane “New York Times” ka hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipërinë e viteve 1991. Bëhet fjalë për vitin ku sapo nisi rruga e demokracisë. Aty jepen detaje se si u shkua te zgjedhjet pluraliste dhe se si komunistët dolën sërish fitues.

Shqipëria liron 120 të burgosur politikë

18 mars 1991

Shqipëria komuniste ka liruar sot më shumë se 120 të burgosur politikë, por aktivistë të opozitës thonë se kjo nuk është realizim i plotë i premtimit për lirimin e të gjithë të burgosurve për aktivitet anti-qeveritar. Disa nga të burgosurit e liruar raportonin se ishin 26 të burgosur të tjerë që shihnin në grevë urie dhe kërcënonin "t’i vinin zjarrin vetes" nëse nuk liroheshin bashkë me të tjerët, tha Genc Pollo, zëdhënësi i Partisë Demorkatike. Javën e kaluar Shqipëria kishte premtuar të lironte të burgosurit nga burgjet ku mijëra kundërshtarë të qeverisë kanë vdekur gjatë 46 viteve të regjimit stalinist të Hoxhës. Shqipëria është udhëhequr nga lideri stalinist Enver Hoxha prej Luftës II Botërore deri në vdekjen e tij në prill 1985. Vetëm muajt e fundit qeveria ka nisur të ndryshojë kursin e politikave radikale komuniste dhe të lëvizë drejt reformave.

Zgjedhjet e para shumëpartiake

31 mars 1991

Populli i Shqipërisë, duke rrahur sytë në dritën e parë të lirisë politike, voton të dielën në zgjedhjet shumëpartiake që organizohen nga Partia Komuniste në pushtet. Rezultati nuk është i qartë pasi nuk janë kryer sondazhe. Por komunistët e udhëhequr nga president Ramiz Alia, janë vënë nën presion nga lëvizja popullore demokratike, që nisi me protestat e studentëve të Tiranës në dhjetor. Teksa komunistët mbajnë mitingjet e tyre të fundit elektorale për mbështetësit e tyre relativisht të paktë, Partia e sapoformuar Demokratike e drejtuar nga kardiologu karizmatik Sali Berisha, ka mbledhur rreth 90,000 mbështetës në mitingun e fundit në Tiranë të premten. Tirana ka një popullatë prej 300,000 banorësh. Këto janë zgjedhjet e pra shumëpartiake që prej vitit 1923, por asokohe Shqipëria kishte një shoqëri feudale dhe kandidatët zgjidheshin vetëm nga klanet e mëdha. Shqipëria është vendi më i varfër i Evropës dhe është qeverisur prej vitit 1944 nga regjimi Stalinist i themeluar nga Enver Hoxha. Ky i fundit vdiq në 1985 pasi kishte zgjedhur Alian si pasues. Majin e shkuar, i shqetësuar nga rënia e qeverive komuniste në të gjithë Evropën Lindore, President Alia nisi atë që quante proces "demokratizimi." Por një numër i madh shqiptarësh të zemëruar me politikat katastrofike ekonomike të komunistëve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, e bënë të qartë me protestat e tyre se dëshironin liritë e tyre shumë më shpejt nga sa qeveria ishte e gatshme të lejonte. Ata vërshuan në ambasadat e huaja duke kërkuar azil, dhe mbushën anijet duke kaluar detin Adriatik drejt Italisë. Ata kërkuan gjithashtu hapjen e kishave e xhamive të mbyllura në 1967. Dhjetëra demonstrues u vranë në përleshjet me policinë komuniste, por protestat kanë sjellë lirimin e 329 të burgosurve politikë, shumë prej të cilëve ishin burgosur prej gati 30 vjetësh. Ato bënë gjithashtu që Alia të shkarkojë ministrat e vjetër dhe të formojë një qeveri të re muajin që shkoi. Në të njëjtën periudhë Alia ka tentuar të përmirësojë imazhin e tij duke nisur marrëdhëniet me SHBA dhe duke ftuar amerikanë e të huaj të tjerë për të vëzhguar zgjedhjet e pritura. Ai është zotuar për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të marrëveshjes së Helsinkit në 1975. Por këto dhe tolerime të tjera janë bërë me hezitim nga komunistët të cilët nuk pritet të mbështeten nga rreth 1 milionë të rinj në elektoratin total prej 1.8 milionësh elektorat. Fjalimet e zbehta të Alias tregojnë për një sens dyshimi në shanset e partisë së tij. Ai vazhdimisht ka thënë, "Kemi bërë gabime". Të premten në konferencën e shtypit ai tha, "Unë nuk jam diktator", duke shtuar se komunistët do të pranojnë humbjen nëse ky është vullneti i popullit. Në kontrast me duartrokitjet e sjellshme që Alia dhe komunistët e tjerë morën në Parlamentin me 250 vende, turma të mëdha njerëzish brohorisnin për kandidatët e Partisë Demokratike edhe në zonat e largëta rurale. Pranë portit të Durrësit, katër ushtarë të rinj që ecnin anash rrugës kombëtare i bënin shenjën e dy gishtave makinave që kalonin. Komunistët duket se kanë mbështetje në disa zona rurale ku partitë opozitare kanë pasur vështirësi për të depërtuar. Gjashtëdhjetë për qind e shqiptarëve jetojnë në zonat rurale. Partia Demokratike është themeluar në dhjetor nga Dr. Berisha dhe Gramoz Pashko, bashkë me disa liderë të studentëve dhe një punëtor. Parti të tjera opozitare kanë lindur, por nuk kanë fituar mbështetje të madhe. Qeveria Alia i ka dhënë partive opozitare hapësirë për fushatë, disa telefona dhe disa automjete, në vendin ku automjetet private kanë qenë të ndaluara deri muajin e kaluar. Demokratët janë zotuar ta sjellin Shqipërinë në Evropë dhe të krijojnë vërtet "liri e demokraci". Ata gjithashtu kanë sugjeruar se asistenca ekonomike amerikane për Shqipërinë do të jetë bujare nëse fitojnë në zgjedhje.

Garë e ashpër mes udhëheqësve të Shqipërisë dhe sfiduesve të tyre

1 Prill 1991

Rezultatet fillestare të votës së parë të lirë e moderne në Shqipëri, sugjerojnë se Partia e re Demokratike është në një garë të ngushtë me komunistët, të cilët kanë tiranizuar vendin për 46 vite me radhë. Por vetëm 15 për qind e votave janë numëruar dhe rezultatet zyrtare priten vetëm të hënën ose të martën. Partia demokratike dukej se po fitonte në qytetet e mëdha, duke përfshirë deh kryeqytetin me 300 000 banorë. Por komunistët po fitonin në zonat rurale. Ndërsa votën e kanë hedhur rreth 95 për qind e rreth 1.9 votuesve të ligjshëm. Shqipëria është vendi i fundit në Evropë, përveç Bashkimit Sovjetik që qeveriset nga Partia Komuniste. Një fitore për Partinë Demokratike do t’ia shtonte vendin e vogël ballkanik listës së gjatë të vendeve që përmbysën udhëheqjet komuniste në vitet 1989 e 1990. Rumania e Bullgaria mbajtën zgjedhje të lira vitin e kaluar, por në të dy vendet fituan pasuesit e komunistëve.

Disa muaj trazira

Kreu i Partisë Demokratike Dr. Sali Berisha, fitoi 88 të vota në elektoratin e tij në Kavajë, 30 milje në juglindje të Tiranës, që ishte qyteti industrial që u ngrit i pari kundër diktaturës komuniste vitin e shkuar. 46 vjeçari Berisha, është kardiolog dhe profesor në Universitetin e Tiranës. Kundërshtari i tij në vendin e varfëruar prej rreth 3.5 milionë banorë është Presidenti Ramiz Alia, i cili është 65 vjeç dhe ka qenë në pushtet prej gjashtë vjetësh. Një atmosferë fitoreje mbizotëronte në selinë e Partisë Demokratike teksa vota tregonte se kryeministri i Alias, Fatos Nano, ishte pranë humbjes në kryeqytet. Ekonomisti 39 vjecar Nano, u zgjodh nga Alia muajin e kaluar në përputhje me kërkesat popullore për ndryshim, por qëndronte prapa kandidatit demokrat, inxhinieri mekanik 36 vjeçar. Por më vonë kryeministri Nano barazoi dhe tejkaloi kundërshtarin e tij, edhe pse gara mbetej e afërt. Ministri i Jashtëm i Alias, Muhamet Kapllani, ishte duke humbur ndaj mësuesit të fizkulturës Albert Karriqi, në zonë e tij në kryeqytetet. Zyrtarë zgjedhorë të cituar nga agjencia Reuters thonin se Alia po humbiste vendin e tij në Parlament ndaj rivalit demokrat gjeologut Franko Krroqi, por nuk është e qartë sesi humbja e karriges në parlament mund të ndikojë në presidencën e tij. Komunistët ndërkohë kanë përgatitur një draft të ri të Kushtetutës për Parlamentin e ardhshëm, ku presidentit nuk i kërkohet të jetë dhe deputet. Në zonat rurale, ku jeton rreth dy të tretat e shqiptarëve, rezultatet ishin të ngadalta për të ardhur. Shqipëria është vend kryesisht malor dhe komunikimet rrugore apo telefonike janë të këqija. Por disa sondazhe informale javën e kaluar tregonin se dhe në zonat rurale kishte tendenca për të votuar demokratët, siç tha Robert Manchian, specialist i Evropës Lindore i fondacionit Gallup. Rezultatet fillestare gëzuan shumë punonjësit e selisë kryesore të Partisë Demokratike, jashtë të cilës ishte mbledhur një turmë prej 1,000 vetash. Me ardhjen e rezultateve të para turma ishte e zhurmshme dhe entuziaste, por teksa vinin rezultatet e mëvonshme turma bëhej më e qetë. Selia demokrate është një reflektim i realitetit shqiptar, të rreth pesë dekadave diktaturë. Një llambë është varur mbi dy kompjuterë ku regjistrohen rezultatet e votave dhe llogariten parashikimet. Dyshemeja është e pafshirë dhe tavolinat e karriget të vjetruara.

2 prill 1991

Komunistët fitojnë votën e parë të lirë në Shqipëri

Partia Komuniste që ka qenë në pushtet prej më shumë se katër dekadash në Shqipëri, ka fituar edhe zgjedhjet e para të lira shumëpartiake, duke kapërcyer pengesat e votës në qytete me votën e shumicës rurale të vendit. Mes humbjeve të saj ishte disfata e kreut komunist, Presidentit Ramiz Alia, në kryeqytet, ndaj gjeologut të opozitës demokratike. Megjithëse ende nuk kanë dalë rezultatet zyrtare, anëtari i Byrosë Politike, Xhelil Gjoni, shpalli fitoren për komunistët në një konferencë shtypi. "Partia me Ramiz Alia në krye është partia kryesore në Shqipëri dhe ka mbështetjen e masave”, tha ai. Nuk është e qartë sipas rregullave elektorale, nëse Alia do të jetë përsëri president. Ministri i Jashtëm Muhamet Kapllani, gjithashtu raportohet se ka humbur. Pak pas fjalës së Gjonit, kreu demokrat Sali Berisha, pranoi se partia e tij nuk kishte arritur mazhorancën në Parlamentin me 250-vende, me gjithë votën dominuese për demokratët në gjashtë qytetet e mëdha të Shqipërisë, ai tha se partia e tij do të vazhdojë të luftojë për demokracinë. Komunistët fituan më shumë se 160 vende në Parlament, kryesisht në zonat rurale ku jeton më shumë se dy të tretat e popullsisë prej 3.5 milionë njerëz. Rezultatet fillestare tregonin se Berisha kishte fituar vetëm 72 vende. Disa figura të opozitës thanë se në rajonet rurale kontrolli i Partisë Komuniste është aq i ashpër sa votuesit nuk e kishin mësuar se kishin mundësi të zgjidhnin dhe parti të tjera përveç komunistëve. Por, në shumë zona bujqësore, komunistët u kishin dhënë fuqi të mëdha kandidatëve të tyre dhe ashtu si në disa vendeve të tjera të Evropës Lindore partia ka pasur impakt në jetën e fermerëve me furnizimet e nevojshme prej tyre dhe blerjen e prodhimit. Në gara të tjera elektorale, rezultati nuk ishte vendosur dhe aty ku nuk kishte mazhorancë procesi zgjedhor do të përsëritet. Partia Demokratike e themeluar në dhjetor, pas demonstratave anti-komuniste, kishte mbështetjen në zonat e mëdha urbane, por humbi në zonat rurale e malore.

Raportime për kërcënime

Ka pasur sinjalizime të shumta për kërcënime dhe intimidime të votuesve në zonat rurale nga komunistët dhe disa akuza për manipulim të votave. Të tjera humbje të opozitës i atribuoheshin kohës së pakët që ata kishin për t’u organizuar. Senatori demokrat amerikan Claiborne Pell, i cili prej katër ditësh vëzhgonte përgatitjet e zgjedhjeve në Shqipëri tha sot: "Nga ajo që pashë ishin zgjedhje të arsyeshme e të lira nga njerëzit". Opinioni i tij u mbështet dhe nga vëzhgues të tjerë. Në një miting të opozitës Dr. Berisha tha se "nuk do të ketë" koalicion me komunistët. Rezultatet finale do të njoftohet nga komisioni elektoral të martën. Kryetari i komisionit, i emëruar nga komunistët, humbi në zonën e tij elektorale në Tiranë. Megjithë qetësinë relative të votimit, rezultati do të ketë pasoja të këqija, pasi e la vendin e vogël ballkanik të përçarë mes fshatit e qytetit, mes të rinjve të vjetërve. Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë. Që prej qershorit 80,000 shqiptarë të rinj janë larguar nga vendi nga toka ose nga deti, dhe fitorja e komunistëve mund të shkaktojë largime të tjera. "Nuk ka më për çfarë të qëndrosh këtu", tha një votues. 66-vjeçari Alia erdhi në pushtet në 1985 pas vdekjes së Enver Hoxhës. Pas protestave të gjera dhe largimit të refugjatëve, Alia legalizoi partitë opozitare dhe thirri zgjedhjet e reja.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 07:45

Mediat ndërkombëtare kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Postuar: 07/12/2019 - 07:26

Ndërkombëtarët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë Shqipërisë komuniste.

Postuar: 06/12/2019 - 07:06

Ndërkombëtarët zbardhin detaje nga zhvillimet e zgjedhjeve në Shqipëri më 1945.

Postuar: 03/12/2019 - 07:08

Ndërkombëtarët e kanë paralajmëruar se në Shqipëri po lindte një diktator i frikshëm.

Postuar: 01/12/2019 - 07:36

Amerikanët kanë dhënë detaje për marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik.

Postuar: 30/11/2019 - 07:20

CIA ka hedhur dritë mbi të tjera detaje nga Lufta Nacional-Çlirimtare.