Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Amerikanët zbulojnë detajet, ja si Berisha u kthye nga reformator në autokrat, gjithmonë ka luftuar për pushtet

Postuar: 12/09/2019 - 07:14

Gazeta amerikane “New York Times” ka treguar të tjera detaje sa i takon zhvillimeve në Shqipëri më 1996. Sipas disa shkrimeve, Berisha ishte ai i cili premtoi se do ndryshonte Shqipërinë, por nga reformator u kthye në autokrat.

Reformatori i Shqipërisë kthehet në autokrat

1 qershor 1996

Kur një ish-komunist me reputacion mjekësor doli si kryenegociator për rrëzimin e regjimit të fundit komunist të Evropës, Uashingtoni besonte se kishte gjetur njeriun e tij në vendin e vogël të Ballkanit të jugut. Ai dinte si të fliste për demokracinë dhe si të vlerësonte meritat e ekonomisë së tregut, duke qenë i gatshëm ta bënte vendin e tij një qilim për interesat ushtarake amerikane. Por ngadalë me kalimin e viteve 51-vjeçari Sali Berisha, me ngërdheshjen e tij e sytë e mprehtë, nisi të tregonte instinktet e vërteta autokratike duke i shpalosur ato javës që kaloi që t’i shihnin të gjithë. Pasi diplomatët thanë se zgjedhjet ishin më të manipuluarat post-komuniste në Evropën Lindore, Berisha nuk kërkoi falje as për rrahjet e arrestimet e mbështetësve dhe politikanëve të opozitës një ditë më pas. "Këto janë ngjarje të padëshiruara por ndodhin kudo", tha Berisha sot në një intervistë në zyrën e tij, me pamje nga një kopsht i zbukuruar mesdhetar. "Ato mund të duken më keq më një forcë policore të pakualifikuar si e jona. SHBA duhet të kuptojë se nëfushatën e vet elektorale ka pasur edhe vrasje kandidatësh”, tha Berisha duke shtuar se ishte i lehtësuar që gjatë përplasjeve në sheshin Skënderbej “nuk kemi pasur asnjë vdekje”. "Policia kishte urdhër të qartë për të mos qëlluar", tha ai. Grupi monitorues Human Rights Watch, u bëri thirrje qeverive evropiane dhe të SHBA të mos njohin zgjedhjet në Shqipëri. BE bëri thirrje për përsëritje të zgjedhjeve në disa zona elektorale. Dështimi i Berishës për të zbatuar dhe parimet kryesore të demokracisë gjatë zgjedhjeve parlamentare nuk është një surprizë për ata që e njohin. Gjithashtu nuk është surprizuese që në mitingjet e tij të fushatës, me zërin e thellë e të ngjirur, ai përsëriste me entuziazëm denoncimin e opozitës si "fronti i kuq" që kërkon të risjellë të kaluarën. Në fakt programet e brendshëm dhe të jashtëm të partive kryesore që kandidojnë në zgjedhjet shqiptare favorizojnë avancimin e ekonomisë së tregut dhe të lidhjeve të forta me Perëndimin. Për shqiptarët linja gjithnjë e më radikale e Berishës duket se është rikthimi të e kaluara e trishtë. "Pas katër vjetësh, ndoshta Berisha do ta shpallë veten mbret si Zogu", thotë shkrimtari disident Fatos Lubonja, i cili është burgosur për 17 vjet, pasi babai i tij u shkarkua nga posti i Drejtorit të Televizionit nga diktatori komunist Enver Hoxha. Lubonja po i referohej në krahasimin e tij mbretit shqiptar Zog në periudhën mes dy luftërave, i cili u vetëshpall monark dhe udhëhoqi me dorë të hekurt. Që tani Shqipëria e Berishës po jep shenjat e shteti njëpartiak. Që kur u bë president katër vjet më parë ai ka mënjanuar kundërshtarët e tij disa në ekzil e disa në burg, madje dhe ata që kishin punuar për themelimin e Partisë Demokratike. Ai mbështetet tashmë në ish-të besuarit e Hoxhës, si Mehmet Elezi, ish-kreu i të rinjve komunistë, që tani është këshilltari kryesor politik i Berishës. Berisha insiston se do të mbizotërojë liria e shtypit, por gazetarë janë të arrestuar në polici ose në burg. Pas zgjedhjeve të së dielës shtypshkronja shtetërore ka refuzuar të printojë dy gazeta të opozitës. Ndërkohë gazetat ndalohet të regjistrohen në internet. Megjithatë Berisha, i cili ndryshe nga vendeve të tjera lindore ka mbajtur dyert hapur për gazetarët e huaj dhe preferon të flasë në anglishten e tij të përdorshme, e krahason situatën aktuale me ato të kohës së Hoxhës, kur librat e huaj kaloheshin fshehtas nga një person të tjetri si pako të çmuara. Në këtë mënyrë ai thotë se ka lexuar “Errësirë në mesditë” nga Arthur Koestler, si dhe shkrimtarët e tij të preferuar Sartre e Camus. Si doktor i ri, atij iu lejua udhëtimi i rrallë në Paris për studime në 1978, ku qëndroi rreth një vit dhe perfeksionoi frëngjishten e tij. "Isha shumë i trishtuar për ndryshimet që pashë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, por dëshiroja të kthehesha në shtëpi”, thotë Berisha, i cili ka qenë doktori personal i Enver Hoxhës dhe kreu i aparatit politik komunist të Spitalit kryesor të Tiranës. Dr. Berisha thotë se heronjtë e tij politikë janë Churchill e Kennedy. Ai shton se Churchill ishte një "gjeni" që u ngrit kundër anëtarëve të kabinetit të tij “në mbrojtje të lirisë”. Nëse Berisha nënkuptonte një krahasim mes vetes dhe Churchill, kritikët e tij në Shqipëri nuk e durojnë, por thonë se presidenti po kthehet në një tjetër diktator në Ballkan. Shtetet e Bashkuara kanë favorizuar Berishën me ndihma ekonomike e ushtarake. Ata kanë furnizuar ushtrinë e tij të rreckosur me gjithçka, që prej uniformave deri te armët, kryesisht në këmbim të ruajtjes së qetësisë me shqiptarët në Kosovën fqinje, të cilët Berisha i ka inkurajuar të rrinë pasivë ndaj autoriteteve serbe. "SHBA po tregohet miope ndaj Berishës", paralajmëron Lubonja. "Kur ai të mos mund të përdorë më anti-komunizmin për të qëndruar në pushtet, do të nisë të përdorë nacionalizmin. Do të bëhet si Millosheviçi në Serbi. Ai është i aftë të ndryshojë fenë e tij, miqtë e tij dhe gjithçka për të qëndruar në pushtet. Jam i sigurtë se Berisha do të prishet me SHBA për një arsye apo për një tjetër”, shton Lubonja.

25 tetor 1996

Dënuesi i regjimit të vjetër shqiptar, hedh poshtë edhe të riun

Kur Fatos Lubonja, në vitin e tij të 13-të si i burgosur politik u lejua të zhvendosej nga kampi i punës së detyruar në luksin relativ të qelisë personale, i lindi ideja e një romani mbi absurditetet e komunizmit. Në 100 faqe letër cigaresh, me një laps të mprehur si gjilpërë, ai shkroi për figurën e uritur për pushtet të udhëheqësit radikal komunist Enver Hoxha, dhe e fshehu mikro-dorëshkrimin e tij në shtyllën e fjalorit që mbante. Kur komunizmi shqiptar më në fund vetë-shpërtheu në 1991, pas 17 vitesh burg, 45-vjeçari Lubonja kishte dy libra gati: ditarin e viteve të tij të fundit në burg, dhe romani të cilin e titulloi “Masakra e fundit”. Kudo në Evropën Qendrore e Lindore, shumë të burgosur politikë, veçanërisht shkrimtarët, ishin pranuar nga shoqëria post-komuniste. Në dy raste, Vaclav Havel në republikën çeke dhe Arpad Goncz në Hungari – ata ishin bërë presidentë të vendeve të tyre. Ndërsa Lubonja jeton në një apartament me dy dhoma, mbi një kopsht fëmijësh të rrënuar, dhe shpërndan me biçikletë revistën e tij elegante “Përpjekja”. Lubonja, idetë e të cilit rrjedhin vrullshëm po aq sa anglishtja dhe frëngjishtja e tij e pastër, është kritikuar kohët e fundit në një gazetë qeveritare, bashkë me dy shkrimtarë e artistë të tjerë si “armik i Shqipërisë”, pasi nuk ka mbrojtur “dinjitetin” e kombit. Ai pranon se në Shqipëri ka ndryshuar shumë, që prej vendit më të izoluar komunist, por thotë se shumica e ndryshimeve ka një jehonë të frikshme të së shkuarës. Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist ku qeveria kontrollon valët e radiove shtetërore e private dhe ku stacionet televizive nuk lejohen.

“Për ne nuk është e mundur të shikojmë televizion; ne as që mendojmë ta bëjmë”, thotë ai për shkrimtarët që kanë kritikuar qeverinë, teksa ecën në dhomën e tij të mobiluar thjesht, me disa piktura nga miqtë e tij dhe një koleksion librash mbi letërsinë e artin e shekullit të 20-të. “Unë vetë kam një revistë, por as që më shkon mendja për ndihmë nga Ministria e Kulturës, as për shpërndarjen”, thotë Lubonja, i cili ka kritikuar presidentin Sali Berisha, si një komunist që është kthyer në kapitalist, gjithnjë e më shumë autoritar. Në të njëjtën kohë, Lubonja ka refuzuar t’i bashkohet partive kryesore të opozitës, të cilat i kanë rrënjët te komunizmi. Në një shoqëri ku tradita e vjetër thotë të jesh besnik ndaj kryetarit, kritikat e Lubonjës janë të vështira të kuptohen për shumicën. Shumë shqiptarë të arsimuar thonë se tentativat e vendit për demokraci janë tepër të dobëta për vështrimin kritik të Lubonjës. “Fatosi është një patriot kritik”, thotë Fred Abrahams, specialist për Shqipërinë i grupit Human Rights Watch në New York. “Shqiptarët nuk janë mësuar me vështrime të tilla kritike dhe ai ngre çështje që shqiptarët duhet të diskutojnë”.

Qëndrimet e Lubonjës komplikohen nga prejardhja e tij. Babi i tij Todi, tashmë 73 vjeç, ka qenë i afërt me Hoxhën dhe ka shërbyer si drejtor i Televizionit Shtetëror Shqiptar deri në fillim të viteve 1970-të, kur u prish me të pas ndarjes nga Bashkimi Sovjetik. Lubonja, i vjetri, u arrestua dhe u burgos. Djali i tij atëherë 23 vjeçar, student fizike në Universitetin e Tiranës, gjithashtu u burgos pasi në ditarët e tij, që u gjetën nga Sigurimi në papafingon e xhaxhait, kritikohej Hoxha.

Në prag të përfundimit të dënimit të tij fillestar prej pesë vjetësh, Lubonja u akuzua se ishte pjesë e një grupi pro-sovjetik brenda kampit të punës së detyruar. Dy gazetarë të burgosur prej viteve 1960-të u akuzuan si drejtues dhe u ekzekutuan, ndërsa Lubonja u dënua me 20 vjet të tjera burgim. Lubonja është vlerësuar në Francë dhe ka marrë një titull miqësie në Gjermani. Por nuk është aq i njohur sa Ismail Kadare, i cili ishte lejuar të udhëtonte nga regjimi i Hoxhës dhe u vendos në Francë pak para rënies së komunizmit. Në revistën e tij, të cilën e prodhon me ndihmën financiare të një fondacioni holandez, Lubonja guxon të jetë më pak adhurues ndaj Kadaresësesa pjesë tjetër e klikës ish-komuniste, duke e quajtur veprën e tij, atë të një ''komunisti kombëtar''. Për ditët e errëta të kulturës shqiptare, Lubonja ka shkruar një ‘cri de coeur’ në numrin e fundit. “Arkitektët e Shqipërisë nuk po e ngrejnë zërin e tyre për shkatërrimin e mjedisit urban të Tiranës, por ulërasin për krimet e të kaluarës. Partitë ekologjike flasin çdo ditë për emërimet në poste dhe jo për shkatërrimin e hapësirave të gjelbra. Thesaret natyrore kombëtare po bastisen sistematikisht në mes të ditës. Të rinjtë e drejtojnë jetën e tyre kulturore drejt diskove, kafeneve dhe tornos, ndërsa studentët më të mirë kanë si ëndërr të vetme të largohen nga vendi”. Por Lubonja është i vendosur të vazhdojë të godasë në Shqipërinë e varfëruar e të mbytur nga korrupsioni. Si shqiptar që jam, thotë ai ''nuk mund të kem një revistë kulturore në ndonjë vend tjetër''. “Unë ndjehem si që pema prodhon fruta e lule dhe ndoshta disa fruta të mira. Diku tjetër do të isha si një pemë e çrrënjosur, që pritet dhe përdoret për dru zjarri. Qëndroj këtu sepse këtu është kuptimi i jetës time”.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/10/2019 - 07:05

 Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arratisur jashtë vendit, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm.

Postuar: 18/10/2019 - 07:09

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 17/10/2019 - 07:13

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 16/10/2019 - 07:07

Në vijim të numrit të kaluar, gazeta po tregon të tjera detaje nga rrëfimi që një prej ish-anëtar

Postuar: 15/10/2019 - 07:19

CIA amerikane ka deklasifikuar një dokument tepër voluminoz, ku jepen detajet e të dhënave që rap

Postuar: 13/10/2019 - 07:44

CIA ka treguar detaje mbi mënyrën se si rekrutonte agjentë në vendin tonë.

Postuar: 11/10/2019 - 07:24

CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste.