BREAKING NEWS

Publikohet lista e plotë, zbardhen emrat e propozuar nga PD për qarkun e Dibrës

Publikohet lista e plotë, zbardhen emrat e propozuar nga PD për qarkun
x

Dossier

Arkiva e CIA, ja si amerikanët tentonin të krijonin përçarje mes Shehut dhe Hoxhës, kritikat ndaj Abaz Kupit e Said Kryeziut

Arkiva e CIA, ja si amerikanët tentonin të krijonin

CIA pretendonte se mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ka pasur gjithmonë përplasje. Në një dokument të vitit 1963, tregohet se Hoxha ishte duke thurur komplote ndaj Shehut. Sipas amerikanëve, Hoxha e shihte atë si rrezik për postin e tij. Më pas jepen detaje nga operacionet e CIA në vendin tonë. Agjentë e saj kishin mbledhur një sërë informacionesh për situatën në Shqipëri. Ndërkohë në dokumentet e deklasifikuar tregohet se ka pasur dhe përplasje mes shqiptarëve në emigracion. CIA tentoi t’i përdorë ata për të rrëzuar Enver Hoxhën, por mes tyre kishte përplasje.

 

Korrik 1953

Shfrytëzim i mundshëm propagande i ngjarjeve të fundit qeveritare në Shqipëri

Vërejmë se në riorganizimin e fundit të qeverisë më 23 korrik duket se kontrolli i pushtetit mbetet në duart e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, teksa i pari vazhdon si kryeministër dhe udhëheqës i partisë, ndërsa Shehu, edhe pse i liruar nga roli i sekretarit të Komitetit Qendror mban postin e ministrit të Brendshëm dhe të zv. kryeministrit. Nuk e di sesa informacion kemi mbi rivalitetin mes të dyve dhe as mbi lidhjet e secilit apo mbështetjen e BRSS që Shehu ka gëzuar deri tani. Por doja të dorëzoja këtë zhvillim të fundit për t’u marrë në konsideratë për trajtim dhe shfrytëzim në elementet e propagandës. Unë mendoj se mund t’i japim atyre trajtim të zi ose të hirtë, sipas tematikës se Shehu është “njeriu i Berias” dhe se po vuan dhe ai pasojat e rrëzimit të Berias në BRSS. Por gjithsesi pozita e Shehut mbetet e fortë sa për të mos u shkarkuar plotësisht nga Hoxha, dhe në fakt ruajti postin e rëndësishëm të kreut të sigurisë së vendit. Bazuar në informacionet e fundit nga burimet brenda qeverisë shqiptare që deri tani kanë rezultuar të besueshme, duket se do të ketë lëvizje të tjera të Hoxhës për të minuar pozitën e Shehut. Nuk dihet se deri në ç’masë Shehu është në dijeni të planeve për të, por supozohet se duhet të ketë informacione mbi komplotin dhe raportohet se ka marrë masa për mbrojtjen e vetes. Meqë ra fjala, ku jemi në lidhje me qasjen e re të DASH mbi rëndësinë e akordit të ri Greqi-Turqi-Jugosllavi për Shqipërinë. Subjekti i Shqipërisë u ngrit përsëri në takimin e fundit me PSB, ku u theksua nevoja e veprimit. Kryetari Dulles besonte se duhet të avancojnë aq shpejt sa e lejojnë kushtet diplomatike.

5 mars 1954

Lëvizjet Kupi-Kryeziu

Abaz Kupi dhe Said Kryeziu po tentojnë të diskreditojnë Komitetin Shqipëria e Lirë me anë të letrave drejt qeverisë së SHBA dhe Britanisë, ndërsa Gogo Gaqi me një iniciative private i ka shkruar sekretarit të shtetit Dulles në mbrojtje të aktiviteteve të Komitetit. Deklaratat e mëposhtme janë provat e fushatës së pamëshirshme për të sabotuar Komitetin e rikonstruktuar dhe për të diskredituar sponsorët e tij amerikanë. Burimi i informacioni karakterizohet si me anësi nga BKI por situata e prezantuar prej tij duket e saktë. Kjo duhet marrë në konsideratë si një sinjal i mundshëm për kursin e ardhshëm të Komitetit. Pas hartimit të programit të ri, Komiteti i riorganizuar së fundmi hyri në një fazë konfuzioni dhe paqartësie, në një situatë që i leverdis vetëm armiqve të tij, qofshin ata Enver Hoxha, Tito apo ekstremistët e Ballit Kombëtar Agrar. Ka kritika të ashpra në rrethet shqiptare ndaj Komitetit, të cilat po intensifikohen nga propaganda e Partisë Agrare. Nga fundi i shkurtit 1954 sponsorët amerikanë të Komitetit njoftuan Vërlacin dhe Këlcyrën se Kupi dhe Kryeziu kishin dërguar letra proteste te ambasadat amerikane dhe britanike. Komunikimet e tyre me agjencitë shtetërore në Uashington dhe Londër, thonë se metodat e Komitetit janë bërë arbitrare dhe po influencohet nga konsulentë të këqij. Më tej ata thonë se anëtarësia e Komitetit është artificialisht e fryrë dhe se nuk po funksionon në mënyrë demokratike pasi krerët e tij urdhërojnë kursin e veprimit pa konsultime e diskutime. Protesta e tyre përfundonte duke kërkuar që të ngrihet një komision hetimi i cili të marrë masat e nevojshme të korrektimit.

Krerët e Komitetit Vërlaci e Këlcyra sugjeruar që të pakënaqurit të konfrontoheshin për protestën e tyre, sipas linjave të mëposhtme:

a)      Duke theksuar se çdo hap i marrë pa njohurinë e kolegëve të Komitetit është mungesë besnikërie dhe vetëm dëmton Komitetin, i cili është duke u përballur me tentativa të tjera sabotazhi.

b)      Kupi e Kryeziu të pyeten nëse ky është opinioni i tyre personal apo nëse përfaqëson linjën e partisë.

c)      Të përcaktohet natyra e përmirësimeve që ata mendojnë se do të përmirësonte Komitetin

Ne nuk ishim gati ta çonim çështjen në sesion ekzekutiv, gjë që do të kishte qartësuar qëndrimin e Kupit e Kryeziut. Por menduam ta lëmë në dorë të Hasan Dostit trajtimin e dy të pakënaqurve duke kërkuar shpjegime. Dosti u takua me ta në shoqërinë e anëtarëve të tjerë dhe kërkuan shpjegime. Ata nuk mohuan ankesat dhe thanë se Komiteti dhe anëtarët e tij po ktheheshin në një kukull të CIA, se Komiteti ishte zgjeruar shumë dhe se nuk e pranonin zgjerimin e Komiteti me shtatë anëtarë kristianë, disa prej të cilëve ishin zgjedhur në kryesi pa kriteret e nevojshme. Gjonmarkaj theksoi se këto ishin kundërshtime që duheshin ngritur kohë më parë dhe jo në një kohë kur riorganizimi i Komitetit ishte aprovuar. Ai shtoi se anëtarët e kryesisë kishin rënë dakord veprimet e rëndësishme para nisjes së tyre. Ndaj kësaj Kryeziu u përgjigj i nervozuar se as ai e as Kupi nuk kishin nevojë për BKI dhe Gjonmarkaj (katolikët shqiptarë). Në këtë pikë diskutimi dukej se po dilte jashtë kontrollit. Bajraktari i tha Kryeziut se një Komitet vetëm mysliman nuk i shërbente kauzës shqiptare dhe parimi i përfaqësimit sipas proporcionit fetar ishte në fuqi prej shekujsh. Gjatë takimit Kupi duket se ndryshoi qëndrimin e tij dhe nënkuptoi se pranonte programin e ti të Komiteti dhe strukturën e tij, duke pranuar të botonte listën e emrave në organin e shtypit të Komitetit SHqipëria e Lirë “Shqipëria”. Vetëm dy javë më parë qëndrimet e Kupit dhe Kryesiut ishin krejt të ndryshme nga atio që deklarojnë tani. Asokohe Kupi dukej i bezdisur se duhet të ndante pushtetin e Komitetit me 13 kolegë. Ndërsa Kryesiu u përpoq të ruante aparencat duke përmendur kontributin e tij për riorganizimin e Komitetit, por nuk arriti të fshihte pakënaqësinë e tij dhe dakordësinë me linjën e propagandës ekstremiste të Ballit. Ata të dy kanë marrë një qëndrim agresiv dhe kanë rivendosur lidhje me disidentë të Ballit që më parë i konsideronin tradhtarë. Kjo e fundit ndoshta prej influencës së kolonel Oakley-Hill. Situata u komplikua pas gabimit teknik të nëntorit të kaluar kur çdo partie iu kërkua lista e anëtarëve të rekomanduar për asistencë financiare. Kjo solli një periudhë euforie pasi edhe ata që merrnin asistencë mendonin se të ardhurat do u dyfishoheshin. Tashmë kanë kaluar tre muaj asistenca nuk u materializua. Liderët e Ballit Agrar i frynë zjarrit të pakënaqësisë duke krijuar një front të bashkuar kritike. Por fushata e tyre nuk pati shumë efekt pasi fondet e asistencës në fakt u shkurtuan. Një aspekt demoralizues i situatës së nacionalistëve shqiptarë është mungesa e vizionit dhe e ndjekjes së një linje të qartë e të fortë. Më 26 shkurt 1954 Gaqi Gogo i tregoi Verlacit një letër që kishte përgatitur për sekretarin e shtetit John Dulles, dhe i kërkoi atij ta nënshkruante. Letra e Gogos mohonte protestat e Kupi-Kryeziut në lidhje me mangësitë e Komitetit, dhe përmendte meritat e pamohueshme, por nuk mori aprovimin e Verlacit pasi përmbante frazën: “Me këtë letër ne besojmë se shprehim aprovimin e Muharrem Bajraktarit dhe Atlant Koçit”. I pyetur nga Bajraktari se përse Bajraktari i Koçi nuk ishin kërkuar të nënshkruanin, Gogo tha se ata mund të informojnë ambasadën britanike. Verlaci tha se iniciativa klandestine të kësaj natyre nuk ishin dinjitoze. Gogo arriti të marrë firmat e Vërlacit, Gjonmarkaj e Këlcyrës për dokumentin, të cilët thanë se po firmosnin vetëm prej solidaritetit me eprorët amerikanë, të cilët i konsideronin viktima të sulmit të pajustifikuar të Kupit e Kryeziut.

Letra

Sekretarit të shtetit, i nderuari John Dulles,

Kemi mësuar kohët e fundit për një letër drejtuar shkëlqesisë suaj dhe ambasadorit Anthony Eden, nga Abaz Kupi dhe Said Kryeziu. Të dy autorët e letrës janë anëtarë të kryesisë së Komitetit Shqipëria e Lirë, dhe ju kërkojnë të hetoni sjelljen e përfaqësuesve të Komitetit dhe të zotit Archibald Lyall. Ne të nënshkruarit ju drejtojmë juve këtë letër, dhe nuk duam të përzihemi me britanikët, pasi letra drejtuar juve dhe zotit Eden duket qartë që tenton të diskreditojë përfaqësuesin tuaj në Komitet... Ne e mirëpresim një komision hetimi dhe ju inkurajojmë të pranoni kërkesën e Kupit dhe Kryeziut, pasi besojmë se hetimet do të zbulonin se përfaqësuesi juaj është në fakt një autoritet i aftë dhe i shkëlqyer i qeverisë suaj. Ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm të besnikërisë dhe durimit që kemi treguar për kauzën shqiptare, dhe kanë qenë disa raste kur ne vrisnim mendjen sesi mund të mbajë një sjellje civile ndaj elementëve si Kupi e Kryeziu, të cilët kërkojnë kaq shumë dhe nuk japin asgjë në këmbim. Në letrën drejtuar juve ata thonë se përfaqësuesi i juaj ka vepruar në mënyrë arbitrare për riorganizimin e Komitetit, por kjo akuzë është e padrejtë. Komiteti i ri është i gjerë në strukturë dhe proceset demokratike po funksionojnë, dhe kjo është arsyeja kryesore që Kupi dhe Kryeziu nuk janë të kënaqur.