Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arkiva e CIA, ja si Bashkimi Sovjetik kontrollonte qeverinë e Enver Hoxhës përmes zv/ministrave, më 1952 u infiltruan 7 grupe spiunësh në territorin shqiptar

Postuar: 04/08/2018 - 07:05

CIA ka treguar se si Bashkimi Sovjetik mbante nën kontroll Shqipërinë në vitet e para të pasluftës. Edhe pse u arrit bashkëpunimi mes dy vendeve, sipas CIA nuk kishte asnjë dokument të shkruar, ndryshe nga sa kishte ndodhur në partneritetin e Moskës me shtetet e tjera. Po ashtu tregohet se BRSS kishte njerëz në çdo kabinet ministrie që kontrollonin punën e ministrave. Në një tjetër dokument të deklasifikuar tregohen detaje nga infiltrimet e sipunëve në vendin tonë.

Shtator 1951

Situata në Shqipëri

Nuk ka shumë informacione për situatën në Shqipëri pas bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë më 19 shkurt, por besohet se kontrolli politik i policisë dhe ushtrisë është forcuar edhe më shumë. Hoxha dhe Shehu janë nën kontroll të veglave të shtetit, por ata vetë janë objekt kontrolli nga shefat sovjetikë të misionit në Shqipëri. Për të siguruar kontrollin një nga dy zv. ministrat e Mbrojtjes është shtetas sovjetik dhe ka titullin drejtor politik i forcave të armatosura. Ai drejton aktivitete e këshilltarëve politikë (agjentëve) që janë të atashuar në çdo njësi ushtarake të ushtrisë Sigurimit dhe policisë. Nuk ka asnjë traktat të njohur asistence apo mbrojtjeje reciproke mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, siç ky i fundit ka me vende të tjera dhe as nuk njihen pakte të Shqipërisë me vende të tjera të bllokut sovjetik, përveç atij të arritur me Bullgarinë në 16 dhjetor 1947. Raportimet e fundit tregojnë se dhe zyrtarët sovjetikë në Shqipëri bëjnë kujdes të mos deklarojnë zyrtarisht mbështetjen e BRSS që mund të interpretohet si zotim zyrtar nga Shqipëria në rast nevoje. Ky lloj kurs ka vazhduar të mbetet e tillë me gjithë kërkesat e qeverisë shqiptare për ta bërë zyrtare aleancën mes vendeve. Por gjithsesi nuk ka sinjalizime se BRSS do të braktiste Shqipërinë në rast lufte. Nuk ka as marrëveshje politike mes Shqipërisë e BRSS ose aleatëve të tij, përveç pakteve tregtare e kulturore me disa vende satelite.

Situata

Regjimi stalinist i Enver Hoxhës ka mbështetjen e sinqertë të vetëm një pjesë të rreth 30 000 anëtarëve të partisë, ndërsa shumica e vendit e kundërshton atë. Regjimi po qëndron në pushtet vetëm me kontroll të ashpër të popullatës dhe terrorit të policisë. Por me gjithë këto masa grupe të shumta rezistenca janë të shpërndara kryesisht në veri të vendit. Grupet besohet se janë si natyrë të pavarura dhe relativisht jo-aktive. Ato angazhohet në akte sporadike sabotazhi në shenjë proteste. Kjo rezistence ka ekzistuar tradicionalisht në Shqipëri dhe me shumë gjasa do të vazhdojë edhe sikur regjimi i Hoxhës të përmbyset dhe një tjetër qeveri qendrore të vendet në vend të saj. Nuk ka bashkëpunim mes grupeve të ndryshme të rezistencës aq sa për të merituar të merret në konsideratë. Shqiptarët janë një popull tribal me një histori të gjatë gjakmarrjeje me njëri-tjetrin. Po kështu dhe aktivitetet e rezistencës kryhen në struktura tribale e fisnore, dhe rivaliteti i vjetër mes tyre e bën të vështirë bashkëpunimin. Shumicën e kohës tentativat nga grupet e migracionit për t’u koordinuar me grupet vendore të rezistencës nuk kanë pasur sukses dhe aktualisht nuk ekzistojnë lidhje mes tyre. Grupi më i njohur, Komiteti i Shqipërisë së Lirë me bazë në Romë, besohet se merr një pjesë të fondeve nga qeveria italiane. Ky grup është paksa më i organizuar dhe me tendencë më intelektuale se të tjerët por efektiviteti është i kufizuar nga udhëheqja e dobët, mungesa e politikave të mirëpërcaktuara dhe nga mungesa e kontakteve me grupet shqiptare të rezistencës. Edhe jugosllavët kanë sponsorizuar kohët e fundit një komitet të ngjashëm shqiptarësh në Kosovë pranë kufirit me Shqipërinë, por për momentin ata nuk po nxiten t’i kundërvihen regjimit të Enver Hoxhës. Grekët nuk sponsorizojnë organizata specifike emigrantësh shqiptarë për momentin.

Fqinjët

Italia, Jugosllavia e Greqia duket se po minimizojnë asistencën e tyre ndaj grupeve të emigracioni për dy arsye. Grupe të tilla janë të shumta dhe me kontradikta mes tyre. Derisa ata të merren vesh me njëri-tjetrin, këto grupe nuk përfaqësojnë një investim serioz për qeveritë e vendeve ku banojnë, ndërsa për Shqipërinë ata mund të kryejnë vetëm trazira të buta. Gjithashtu asnjë nga këto vende nuk dëshiron të kërcënojë drejtpërdrejt BRSS dhe të rrezikojë një agresion të mundshëm në jug të Evropës. Për një mbrojtje efektive të Evropës juglindore dhe të Mesdheut Lindor gjatë kohës që regjimi i Hoxhës mbetet në pushtet, ne duhet të kompletojmë bashkëpunimin mes Italisë, Greqisë e Jugosllavisë. Planet dhe operacionet tona ushtarake duhet të integrohen thellë në një front të përbashkët me tre vendet dhe të përshtaten si pas një bazë interesi të përbashkët. Për të arritur këto objektiva është fillimisht i nevojshëm afrimi ideologjik, që i hap më tej rrugë masave të përbashkëta të mbrojtjes, dhe mundësisht marrëveshjeve të përbashkëta të asistencës. Aktualisht nuk po merren hapa për masa të tilla, ndërsa problemi i Triestes e bën të pamundur një afrim të tillë mes Italisë e Jugosllavisë. Ndërsa mes Greqisë e Jugosllavisë ka sinjalizime se mund të ketë marrëveshje këmbimi informacioni të mbrojtjes, në rast të plotësimit të kushteve të caktuara. Regjimi armiqësor në Shqipëri bën që trupat ushtarake greke e jugosllave të përqendrohen gjatë kufirit me të, kështu që Greqia e Jugosllavia organizojnë një mbrojtje të dy fronte. Ndërsa Italia nuk ka kufi me Shqipërinë prandaj çështja e prek me planifikimet e forcave të marinës. Formulimi i këtyre planeve duhet të marrë gjithashtu në konsideratë faktin se BRSS në Shqipëri ka një bazë nga e cila mund të nisë sulme agresive detare, si ndaj tre fqinjëve dhe ndaj vendeve të tjera të Mesdheut. Objektivi kryesor i tre fqinjëve të Shqipërisë është largimi i saj nga dominimi sovjetik, duke reduktuar edhe për veten e tyre rrezikun komunist. Kjo bën që planet e tyre të mbrojtjes të përputhen në këtë pikë. Ndërsa interesat dhe pretendimet e tyre konfliktuese që komplikojnë problemin shqiptar marrin një pozicion dytësor, i cili pranohet në heshtje prej tyre. Duhet konsideruar gjithashtu si mundësi përshkallëzimi i mbrojtjes perëndimore me pjesëmarrjen më aktive të Italisë, Greqisë e Jugosllavisë, gradualisht të zgjidhen p[problemet e interesave të tyre brenda strukturës mbrojtëse të Perëndimit.

Parashikimet

Nëse regjimi i Enver Hoxhës rrëzohet dhe zëvendësohet me një qeveri miqësore ndaj Perëndimit do të bëhej e mundur që Jugosllavia e Greqia ulnin theksin e sigurisë kufitare, duke ripozicionuar forcat e tyre ushtarake. Italia do të ishte në gjendje të ndryshonte planifikimet detare dhe të inteligjencës, me synim dominimin e detit Adriatik dhe të kalimit drejt Tunizisë. Problemet logjistike të tre vendeve gjithashtu do të zbuteshin pas heqjes së influencës sovjetike. Regjimit të ri në Shqipëri do të duhej t’i jepej asistencë konkrete në armë e pajisje, të cilat aktualisht ai i merr nga BRSS. Nëse një nga tre fqinjët e tij merr pozitë dominonte në regjimin e ri shqiptar, atëherë kjo do të prishte marrëdhëniet mes tyre, ndërsa nëse ato marrin pjesë në mënyrë të njëjtë në asistencën e qeverisë së re dhe nuk ndërhyjnë në punë e brendshme, bashkëpunimi do të lehtësohet. Krijimi i një mbrojtjeje të koordinuar në juglindje të Evropës e Mesdheut, do të prekej nga një ndryshim regjimi në Shqipëri. Nëse një nga vendet kërkon të marrë kontrollin e Shqipërisë, vendet e tjera me siguri do të përpiqen ta pengojnë këtë ashtu si dhe bashkëpunimin mes fqinjëve. Nëse Perëndimi siguron neutralitetin e Shqipërisë sipas një deklarate të përbashkët mbrojtja e koordinuar do të jetë më e thjeshtë dhe kërcënimi sovjetik nga baza e Shqipërisë do të eliminohej. Situata aktuale në Shqipëri e komplikon krijimin e mbrojtjes së përbashkët në Evropën jugperëndimore dhe kjo është vlera e saj kryesore për BRSS. Ndryshe Shqipëria nuk do të kishte shumë vlerë për Perëndimin pasi portet deh aerodromet e saj janë të papërdorshme, ashtu si dhe trupat tokësore të ushtrisë shqiptare që janë të neglizhueshme për aleancën.

Gusht 1952

Arritjet paraushtarake

Në 4 gusht 1952 grupi “Apple” mori me sukses furnizime materiale dhe në njerëz. Gjatë këtij misioni Halil Branica, i cili kishte humbur ndjenjat gjatë kalimit të kufirit, u ribashkua me grupin, çka u konfirmua me një mesazh radio. Në mesazhe të tjera konfirmohej se grupi ishte i sigurt dhe vazhdonte operacionet. Grupi Uillou ka krijuar një zinxhir të suksesshëm për këmbimin e inteligjencës. Kur ata dolën nga Shqipëria në 9 gusht 1952 morën me vete gazeta, mostra lekësh shqiptare, pulla poste dhe objekte të tjera me vlerë propagande. Grupi është riinfiltruar më 25 gusht. Nuk kemi marrë asnjë njoftim për Grupin e Kuq gjatë muajit gusht, por supozohet se ata janë aktivë brenda Shqipërisë së veriut. Gjatë infiltrimit të grupit Cedar më 22 gusht 1952, një nga dy anëtarët e grupit humbi ndjenjat në këmbën e majtë pas një orë e gjysmë ecje drejt kufirit. Atij iu dha një gomar, por pas njëfarë kohe u bë e qartë se mund të vazhdonte më tej. Gjendja e këmbës së tij u shkaktuar nga terreni i vështirë i ecjes. Anëtari tjetër i grupit ofroi të kompletonte vetëm infiltrimin, por ai nuk e njihte mirë zonën dhe misioni u braktis. Tashmë po kërkojmë për dy njerëz që të zëvendësojnë anëtarin e dëmtuar të grupit dhe shpresojmë të tentojmë përsëri në shtator.

Detaje mbi infiltrimet

Grupi Throttler është infiltruar në zonën e Sarandës në 19 korrik, por prej masave të ashpra që ishin marrë nga autoritetet komuniste pas një infiltrimi britanik në të njëjtën zonë, grupi u detyrua të dilte përsëri nga vendi më 4 gusht. Meqenëse ata kërkonin me ngulm të riktheheshin sipas kushteve të favorshme të motit, grupi i riinfiltrua më 19 gusht. Grupi britanik Scrutiny doli nga Shqipëria në rrugë tokësore më 2 gusht 1952. Gjatë gjithë kohës së tyre në Shqipëri ata ishin në arrati pasi u përballën me armë me komunistët në zonën e Delvinës dhe e gjithë zona u vu nën alarm. Jemi këshilluar nga baza që përkundër besimit tonë, grupi britanik nuk do të shoqërohet nga një agjent i yni, për arsye sigurie. Agjenti ynë punoi me britanikët për konsultim por nuk u infiltrua me ta. Grupi Britanik Sambo u infiltrua në zonën e Beratit natën e 22 korrikut dhe është tërhequr në rrugë tokësore më 10 gusht. Përfaqësuesi britanik në Athinë beson se grupi u tërhoq pas alarmit të gjerë të shkaktuar nga lëshimet e fletushkave nga BGFiend në 28 korrik dhe misioni i furnizimit të grupit Apple më 4 gusht.

Situata politike

Nuk kemi marrë raportime nga korrierët për Hasan Dostin, Nuçi Kota dhe Selim Damani, të cilët përfaqësuan Shqipërinë në kongresin e Berlinit nga 25 korrik deri në 1 gusht. Raportime nga burime të tjera thonë se kongresi ishte i suksesshëm dhe do të përsëritet në tetor. Dosti dhe kota janë aktualisht në Romë dhe po marrin pjesë në diskutime për riorganizimin dhe zgjerimin e Komitetit Shqipëria e Lirë. Transmetuesi ynë i vendosur pranë Athinës ka vazhduar transmetimet e rregullta gjatë gushtit. Gazeta “Shqipëria” organi çdo dyjavor i KSHL i shtypur në Romë, është shpërndarë sipas planit. 50 000 kopje të edicionit të vogël janë shtypur në Uashington dhe dërguar në Athinë për përdorim në lëshimet ajrore të propagandës. Gjithashtu një porosi prej 360 000 kopjesh e edicionit të vogël është kompletuar për britanikët dhe është dërguar në Londër.

Lëshimet

Natën e 26-27 gushtit britanikët kryen lëshimin e suksesshëm të një mase fletushkash dhe të mini-edicionit të “Shqipëria”. Fletushkat u lëshuan si kamuflazh për misionin e furnizimit të grupit Apple. Prej 20 gushtit dy takime të përgjithshme, të drejtuar nga përfaqësuesit amerikanë dhe britanikë në Romë, janë mbajtur me anëtarët e KSHL, ku është prezantuar plani ynë për zgjerimin e përfaqësimit të Komitetit. Ka pasur gjithashtu shumë takime me individë dhe grupe partiake, dhe deri tani nuk ka pasur kundërshtime për planin e riorganizimit. Megjithse asnjë marrëveshje nuk është arritur ende, diskutimet do të vazhdojnë sipas ritmit të llogaritur për të mos dëmtuar Komitetin me këtë çështje. Mbreti Zog ka kërkuar që përfaqësuesi ynë të vijë në Aleksandri për të diskutuar probleme të rëndësishme lidhur me Shqipërinë dhe vendet fqinje. Përfaqësuesi ynë niset atje në fillim të shtatorit. Gjatë gushtit raportimet nga Stambolli flisnin për negociata mes përfaqësuesve të mbretit Zog e atyre të Titos në Stamboll e në Shkup, ku Zogu përfaqësohej nga Irfan Bej Ohri, Avni Daralla e Lutfi Safet Tozani. Ata raportohet të jenë udhëzuar të kërkojnë garanci pë integritetin dhe pavarësinë e Shqipërisë, dhe më pas të organizojnë takimin personal mes mbretit Zog dhe përfaqësuesve të Titos, për të diskutuar çështjet kryesore të bashkëpunimit. Përfaqësuesi ynë në Romë raportonte se kishte marrë një plan jugosllav për pushtimin e Shqipërisë, i cili thuhet se ka nisur prej Ndue Pjetër Markagjoni në Prizren, dhe është sjellë në Romë nga kreu i BKI Gjon Markagjoni. Plani bën thirrje për grumbullimin e 6000 refugjatëve shqiptarë, të cilët pretendohet se janë mobilizuar, të cilët do dislokohen në gjashtë sektorë. Komandantët e sektorëve nuk e dinë datën e aktivizimit të planit por janë sinjalizuar se do të jetë së shpejti. Operacioni llogaritet të përfundojë dhjetë ditë pas aktivizimit. Ky raportim nuk konfirmohet nga burime të tjera, por në një mesazh radio nga grupi Apple raportohej për një informacion nga Halil Branica sipas të cilit aktiviteti jugosllav kishte si qëllim aneksimin e Shqipërisë. Mesazhi konfirmon se operacionet po kryhen nga Lidhja Shqiptare e refugjatëve dhe drejtohen nga Dushan Mugosha, përfaqësuesi personal i Titos te komunistët shqiptarë gjatë luftës.

Inteligjenca

Tre grupet tona të fundit të kthyera nga Shqipëria ishin të gjithë të mendimit se popullsia ka arritur në pikën ku është e mundur nxitja e revoltës së hapur kundër regjimit me nxitjen e mjaftueshme nga jashtë. Në një raportim nga Roma më 19 gusht thuhej se sipas radio Moskës sovjetikët kërkojnë të spastrojnë Enver Hoxhën. Burimet tona po përpiqen të konfirmojnë raportimin dhe burimet. Në raportimin e grupit Uillou theksohet nevoja për valutë shqiptare në mbështetje të operacioneve. Ata thonë se radiot nuk lejohen për popullatën e thjeshtë. Miku i Ali Petritit i cili doli nga Shqipëria bashkë me grupin Uillou raporton se në zonë nuk ka rezistencë të organizuar por vetëm disa elementë anti-komunistë te të cilët mund të mbështetemi për asistencë ndaj grupeve që operojnë në atë zonë. Popullata është e bindur se regjimi mund të përmbyset me ndihmë nga jashtë. Petriti deklaroi se njerëzit nuk kanë besim te grekët e te jugosllavët prej pretendimeve të tyre territoriale, por besojnë se SHBA do të ruajë kufijtë e vendit. Popullata nuk beson te propaganda komuniste se BRSS po e ndihmon Shqipërinë. Petriti tha se leku është e vetmja valutë në qarkullim dhe se mbajtja e monedha të floririt është e rrezikshme prandaj mbahet sekret. Në të gjithë Shqipërinë ka mundesh të theksuar ushqimi dhe shumë besojnë se ushqimi shkon në Rusi.

Rekrutimet

Meqënëse komplikacionet e bënë të padëshirueshme dërgimin e kapiten John Ellis në krye të Kompanisë së Gardës shqiptare në Gjermani, kemi kërkua një tjetër oficer për këtë detyrë. Shqip-folësi i kërkuar në Greqi për marrjen në pyetje të refugjatëve, nuk od të punësohet pasi nuk është i kualifikuar për këtë detyrë.

Reagime

Grupi Pine Tree raporton se programet e radios klandestine ishin të dëgjueshme në zonën e Kukësit gjatë dy muajve të qëndrimit të tyre atje. Programet ishin dëgjuar dhe në Durrës, por nuk kemi informacione mbi reagimet e popullatës ndaj tyre. Ali Petriti, i eksfiltruar bashkë me grupin Uillou, thotë se populli beson se e vetmja shpresë e çlirimit është Komiteti Shqipëria e Lirë me mbështetjen e HSBA. Ai raporton se fletushkat e KSHL kalohen dorë më dorë dhe janë një faktor në ngritjen e moralit. Autoritetet i kërkojnë njerëzve të dorëzojnë fletushkat e gjetura dhe ata që nuk e bëjnë këtë burgosen për tre muaj. Petriti thotë se në zonën e tij fletushkat nuk kanë shkaktuar trazira dhe se populli nuk i beson autoritetet që thotë se sendet ushqimore të lëshuara janë të helmuara.

Konkluzione

Jemi informuar se situata e lekëve shqiptare është e vështirë dhe se megjithë përpjekjet e kolegëve nuk kemi gjetur zgjidhjen. Grupet raportojnë se Lekët janë thelbësore për suksesin e misioneve dhe ne ndihemi në siklet kur raportojmë se nuk mund ta plotësojmë këtë nevojë. Do të vazhdojmë punën për riorganizimin dhe zgjerimin e Komietit Shqipëria e Lirë dhe parandalimit të tërheqjes së asnjë partie prej tij. Jemi duke studiuar dhe vlerësuar qëllimet jugosllave në Shqipëri me synim arritjen e njëfarë marrëveshjeje me ta në të ardhmen.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 3. Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:33

CIA ka treguar detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik më 1992 sa i takon marrëdhënieve me Jugosllavinë. Moska ktheu sërish sytë nga Beogradi dhe kjo nuk u kapërdi nga Enver Hoxha.

Postuar: 22/09/2018 - 07:12

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komun

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.