Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arkivat e CIA, zbardhet padia e Kryeprokurorit Siri Çarçani për bandën e Zenel Shehut, diversantët u stërvitën nga amerikanët në Gjermani, Greqi dhe Itali për të rrëzuar sistemin komunist

Arkivat e CIA, zbardhet padia e Kryeprokurorit Siri Çarçani për bandën e Zenel Shehut, diversantët u stërvitën nga amerikanët në Gjermani, Greqi dhe Itali për të rrëzuar sistemin komunist

Postuar: 15/07/2016 - 10:01

Për rreth tre vjet, nga 1949 deri në 1952 Shqipëria ishte në qendër të vëmendjes së shërbimeve sekrete më në zë të kohës. Agjentë dhe grupe zbuluesish zbarkonin në Shqipëri nga çdo cep i kufirit. Detyrat e tyre ishin të bënin të mundur rrëzimin e regjimit komunist në vend. Por gati të gjitha këto sulme të agjenturave të huaja në bashkëpunim me shumë shqiptarë që dëshironin rënien e regjimit komunist, dështuan. Kjo në sajë të lojës së shërbimeve sekrete shqiptare, të cilat arritën t'i neutralizonin të gjitha bandat diversante që mësynë në Shqipërinë e viteve '40-'50. Gazeta “SOT” boton padinë e hartuar më 28 mars 1954 nga Prokurori i Përgjithshëm, Siri Çarçani për bandën e Zenel Shehut.

Gjyqi i diversantëve në Shqipëri, 5 prill 1954

Më 5 prill 1954 nisi gjyqi i grupit të spiunëve dhe diversantëve në shërbim të imperializmit amerikan, me qëllim organizmin e kryengritjes së armatosur, në Kinemanë e Brigadave në Tiranë. Çështja do të gjykohet nga trupi ushtarak i Republikës së Shqipërisë nën drejtimin e Shuaip Panaritit si kryetar, dhe me anëtarët e mëposhtëm: Major Loni Dimoshi dhe Kapiten i Parë Ilmi Telegrafi. Padia e prokurorisë prezantohet nga Siri Çarçani, prokuror i përgjithshëm. Padia kundër të akuzuarve Zenel Shehu dhe Halil Branica. Të dy akuzohen për krime kundër shtetit sipas neneve 2, 3 (paragrafi 1,2, 7, 8, 12) e 4 të ligjit 372, të dhjetorit 1946, për krime kundër shtetit dhe popullit. Ndërsa Ahmet Kabashi, Hamit Matjani, Naum Sula dhe Gani Malushi akuzohen për krime kundër shtetit sipas neneve 64, 69, 72 e 78 të kodit penal. Rrapush Agolli dhe Ibrahim Lamçe akuzohen për krime kundër shtetit si as neneve 14, 64 3 69 të Kodit Penal.

Hetimet për bandën dhe gjyqi

Disa kohë më parë, organet e sigurisë së shtetit kapën bandën e armatosur të diversantëve dhe spiunëve të organizuar jashtë shtetit nga imperialistët amerikanë dhe shërbimet e inteligjencës, duke u dërguar nga toka ose lëshuar nga ajri, me qëllim organizimin e kryengritjes së armatosur dhe përmbysjen me forcë të pushtetit të popullit. Hetimet treguan se imperializmi amerikan, i cili ka luajtur rolin kryesor në drejtimin dhe organizmin e planit kriminal të agresionit e spiunazhit kundër Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Demokracive të Popullit, ka një mënyrë sistematike dhe vazhdon me armiqësi të punojë kundër Republikës Popullore të Shqipërisë duke përgatitur plane për kryengritje të armatosur e duke dërguar sabotatorë. Për përgatitjen e këtyre bandave amerikanët kanë përdorur baza në vendet e tyre satelite si Gjermania Perëndimore, Italia, Greqia. Në këto baza ata, me anë të shërbimeve sekrete kanë organizuar kriminelët shqiptarë të luftës në emigracion, hordhitë e mbetura të organizatave tradhtare si Balli Kombëtar, Legaliteti dhe komiteti famëkeq Shqipëria e Lirë, për të rekrutuar e stërvitur këta njerëz kundër popullit patriotik e liridashës të Shqipërisë.

Rekrutimi i bandës nga Mbreti Zog

Anëtarët e bandës janë tradhtarët e atdheut Zenel Shehu e Halil Branica, si dhe terroristët Hamit Matjani e Naum Sula, dhe gjithashtu kriminelë të tjerë që kanë bashkëpunuar me fashistët pushtues, e më vonë u vunë në shërbim të spiunazhit amerikan. Hetimet treguan se rekrutimi i këtyre elementëve është bërë me ndihmën e armikut të betuar të popullit shqiptar, tradhtarit të atdheut, ish-mbretit Zog, një agjent i vjetër i spiunazhit të huaj. Ai ka vënë në shërbim të spiunazhit amerikan njerëzit e tij më të besuar, oficerët dhe rojet e tij personale Zenel Shehu e Halil Branica. I akuzuari Zenel Shehu ka pranuar gjatë hetimeve sa më poshtë: “U bëra agjent i zbulimit amerikan me anë të mbretit Zog, pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1951. Kur u pyet për rrethanat e rekrutimit të tij, Branica u përgjigj: “U bëra agjent i spiunazhit amerikan pak pas kthimit të Zogut nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1951”. Pjesa tjetër e të akuzuarve duke përfshirë Hamit Matjanin, Ahmet Kabashin, Naum Sulën e Gani Malushin, janë të gjithë anëtarë të organizatës tradhtare të Legalitetit, të rekrutuar nga agjencitë amerikane të spiunazhit. Duke folur mbi rekrutimin e tij në shërbim të amerikanëve, i akuzuari Hamit Matjani, rrëfeu se një ndihmë e madhe është dhënë nga ushtria greke, e cila pasi përdorte për pak kohë të arratisurit për spiunazhin e saj, i dërgonte ata më vonë te shërbimet amerikane. I akuzuari pranonte: “te shërbimet amerikane të spiunazhit më çoi gjenerali grek Nikolopulos, i cili më prezantoi me oficerin amerikan të quajtur Xhon, i cili i ka dorëzuar amerikanëve edhe Asim Jakovën, për të njëjtat aktivitete spiunazhi.

Stërvitja e diversantëve

Gjatë hetimeve është deklaruar se i akuzuari është stërvitur në baza sekrete si ajo e Klifadhi, pranë stacionit Ayios Nicolaos, në Katsika në Janinë dhe në vende të tjera. Instruktorët në këto stërvitje ishin amerikanë dhe grekë të shërbimeve të spiunazhit dhe mësimet kishin të bënin me kryerjen e planeve kriminale kundër republikës Popullore të Shqipërisë. I akuzuari ka pranuar se është stërvitur për përdorim të hartës dhe busullës, si dhe si të sinjalizonin avionët për lëshimin e materialeve me parashutë. Ndërsa në lidhje me kurset, i akuzuari Matjani ka deklaruar: “Gjatë kursit në Katsika u stërvitëm për rreth 15 ditë për sulme ndaj ushtrisë dhe policisë, për mbledhje të informacioneve, për përdorim të kodeve të radios e të tjera, nga oficeri grek Maniatis dhe amerikani Xhon, mes të tjerëve”. Në këto kurse spiunazhi, sipas rrëfimit të të akuzuarve, instruktorët amerikanë i mësonin të përdornin armë të ndryshme dhe si të kryenin aktivitete terroriste. I akuzuari Ahmet Kabashi ka mësuar në bazën sekrete të Katsikës si të përdorë transmetuesin radio, me të cilin u kalonte informacionet e tij amerikanëve në Athinë nga Shqipëria. Sipas hetimeve, ky grup i armatosur, i cili do të dëshmojë dhe do të tregojë me detaje mbi planin e tyre kriminal, ka marrë detyra të sakta kundër popullit të Shqipërisë. Puna armiqësore e kësaj bande të drejtuar nga Zenel Shehu, konsiston në shkatërrimin e dhunshëm të pushtetit të Popullit.

Planet e bandës

Gjatë marrjes në pyetje, i akuzuari Zenel Shehu pranoi se objektivi kryesor i grupit diversant “të drejtuar nga unë” ishte organizmi i kryengritjes së armatosur. Detaje të saktë të planit janë gjetur në një dokument që ai zotëronte në kohën e arrestimit. Në të përshkruhet tre faza të aktiviteteve armiqësore sipas të cilave grupi do të vepronte. Hapi i parë ka të bëjë me krijimin e kushteve të favorshme për aktivitetet e grupit dhe reklamimin e Zogut. Më pas ata do të njoftonin qendrën e tyre në Athinë me anë të fjalëkalimit “situatë e mirë”. Pasi ata të kishin shtuar bazat e tyre duke përfshirë elementët e pakënaqur dhe elementët anti-regjim, ata do të informonin qendrën në Athinë me anë të fjalëkalimit “situatë shumë e mirë”, kurse në fazën e tretë të operacionit, kur të ishin gati të nisnin kryengritjen e armatosur ata do të njoftonin qendrën me fjalëkalimin “situata në favorin tonë”. Përveç këtij dokumenti, ne kemi si prova disa letra të Zenel Shehut që iu dërguan nga spiunazhi amerikan me anë të bashkëpunëtorit Ahmet Kabashi. Edhe këto letra iu gjetën në trup në momentin e arrestimit. Në një prej letrave thuhej “Na trego për sa armë ke nevojë për miqtë e tu”. I akuzuari Zenel Shehu dhe Halil Branica pranuan gjatë marrjes në pyetje se përpara nisjes së tyre nga Athina për në Shqipëri, koloneli amerikan Xhon u kishte premtuar t’u dërgonte me avion aq armë sa kishin nevojë, sapo të kishin krijuar bazat e sigurta. Përveç objektivit të kryengritjes së armatosur, grupi i terroristëve dhe diversantëve duhet të kryente edhe aktivitete terroriste kundër figurave të pushtetit të popullit, kundër ndërmarrjeve, si dhe të kryenin propagandë informacioni kundër pushtetit të popullit. Grupi i diversantëve ishte i armatosur me armë automatike, municione, tableta helmuese, thika, dokumente false, radio-transmetues, dhe u dërguan në territorin e Shqipërisë me ndihmën e oficerëve grekë ose të lëshuar me parashutë nga avionët amerikanë.

Si hynë diversantët në Shqipëri

I akuzuari Hamit Matjani, teksa merrej në pyetje mbi futjen në Shqipëri, deklaroi: “Më 1 maj 1953 avioni ushtarak amerikan na lëshoi në territorin shqiptar, por sapo u ulën bashkë me dy shokët e mi u kapëm nga forcat e sigurisë së Shtetit”. I akuzuari Zenel Shehu, ish-kapiten në vitin 1938, ishte në shërbim të princeshave, motrave të mbretit Zog, dhe u largua bashkë me ta nga Shqipëria në kohën kur hordhitë fashiste po grabisnin popullin shqiptar duke u marrë pavarësinë. Në emigracion i akuzuari Zenel Shehu ishte anëtar i partisë tradhtare Legaliteti, e cila gjatë pushtimit fashist ka bashkëpunuar me fashistët gjermanë, dhe tani është bërë vegël e agjencive të spiunazhit amerikan e britanik. Për të mbuluar qëllimet e tyre, Shehu dhe Branica udhëtuan nga Egjipti në Francë dhe më pas në Gjermaninë Perëndimore. Më tej ata shkuan në Greqi, në Pire. Gjatë udhëtimit të tyre ata u shoqëruan nga agjenti amerikan Hysen Selmani. Për të fshehur identitetet e tyre ata ndryshuan emrat, për shembull Zenel Shehu u quajt “Oskar Frederik” kurse Halil Branica “Uiliams”. Më 14 mars 1952, të shoqëruar nga një agjent amerikan, të akuzuarit Zenel Shehu dhe Halil Branica u nisën nga Parisi për në Gjermaninë Perëndimore. Më tej ata shkuan në Pire. Gjatë gjithë kohës ata kanë kaluar kufijtë pa dokumente personale. Pasi u stërvitën në kurse spiunazhi dhe nga një amerikan i quajtur Xhon, tradhtari Zenel Shehu, kreu i grupit diversant të përbërë prej Hamit Matjanit, Haxhi Gjylit, Tahir Preçit dhe Xheladin Tresovës, hynë në territorin e Shqipërisë për të ekzekutuar planet kriminale kundër pushtetit të popullit.

Zenel Shehu

I akuzuari Zenel Shehu, ish-kapiten i rojës së Mbretit Zog, i mbeti besnik shefit të tij, tradhtar të atdheut, duke u vënë në shërbim të spiunazhit amerikan. I akuzuari Halil Branica, anëtar i organizatës tradhtare Legaliteti, bashkëpunëtor i Zenel Shehut, nuk mundi të arrinte objektivat që i ishin caktuar nga spiunazhi amerikan, sepse u kap nga forcat e sigurimit bashkë me materialet dhe dokumentet që po sillte për Zenel Shehun.

Ahmet Kabashi

I akuzuari Ahmet Kabashi, i cili ashtu si gjithë familja e tij është bashkëpunëtor me fashistët, u largua nga Shqipëria gjatë luftës dhe në 1949 shkoi në Itali. Në vitin 1950 në një vend të quajtur Bitanto pranë qytetit të Barit, me ndërhyrjen e armikut të Shqipërisë, Xhafer Deva, u rekrutua si spiun në shërbim të spiunazhit italian dhe kreu një kurs për transmetime radio. Kur grupi i tij u likujdua në vitin 1950 ai kaloi në Greqi. Aty sipas rekomandimit të Asim Jakovës, ai hyri në spiunazhin amerikan. Prej vitit 1950 deri në 1953 i akuzuari Ahmet është dërguar brenda republikës së Shqipërisë katër herë me qëllim kryerjen e aktiviteteve të spiunazhit. Tre herët e para ai është lëshuar bashkë me diversantë të tjerë dhe ka mbledhur informacione ose ka shpërndarë propagandë kundër pushtetit të popullit. Herën e fundit, në janar 1953, i akuzuari Ahmet Kabashi, i pajisur me armë dhe një transmetues radio, u lëshua nga një avion ushtarak amerikan për të bashkëpunuar me grupin e Zenel Shehut. Kapja e këtij spiuni nxori në dritë dokumente të rëndësishme mbi lidhjet e spiunazhit amerikan dhe atij të Greqisë. Dokumentet tregojnë qartësisht qëllimet kriminale të imperialistëve amerikanë kundër popullit të Shqipërisë.

Hamit Matjani

I akuzuari Hamit Matjani, një bandit dhe kriminel profesionist, i njohur mirë në vendin tonë për vrasje, tortura dhe grabitje, është një prej elementëve më të predispozuar për të shërbyer si mercenar për armiqtë e jashtëm të popullit shqiptar. Prej vitit 1930 deri në 1939 ai ka shërbyer në xhandarmërinë e mbretit Zog, kurse gjatë viteve 1940 1943 ai bashkë me një tjetër bandit, Isa Toskën ka kryer vrasje dhe bragitje të popullit tonë. Në vitin 1943 ai ka vrarë Ibrahim Grecon dhe ka plagosur Riza Greco, në fshatin Zegak. Në korrik të vitit 1943 i akuzuari Hamit Matjani hyri në organizatën tradhtare Balli Kombëtar dhe si komandant i Ballit në Peqin ka luftuar kundër Forcave Kombëtare Çlirimtare. I akuzuari Hamit Matjani ka pranuar gjatë marrjes në pyetje se ka vrarë me duart e tij Zejni Meganin, punëtor nga Peqini dhe anëtar i Forcave Çlirimtare, si dhe Harif Hasallaj, që ishin të dy bashkëfshatarë të tij. Në lidhje me djegiet e grabitjet ndaj popullit Hamit Matjani ka pranuar: “Nuk e mbaj mend se sa djegie e grabitje kam kryer, por di se në gusht 1944 kam djegur dy shtëpi partizanësh në Peqin. Kam djegur një tjetër shtëpi bashkë me gjermanët ën fshatin Vrap në Peqin. Ndërsa në Memullaj i thirrëm fshatarët në një konferencë të rreme. Gjatë kohës së konferencës ne grabitëm shtëpitë e fshatarëve që ishin mbledhur në konferencë”. Pas çlirimit të Shqipërisë dhe vendosjes së pushtetit popullor, krimineli Hamit Matjani bashkë me anëtarë të tjerë të bandës, vazhduan aktivitetet e tyre kriminale kundër popullit. Në verën e vitit 1946 anëtarët e bandës sipas urdhrave të tij vranë fshatarin Naum Vata, anëtar i këshillit popullor të fshatit, kurse në 1946 ata vranë Veli Kolaj, fshatar i Peqinit. Duke parë se populli nuk po i mbështeste, krimineli Hami Matjani bashkë me anëtarët e bandës së tij Ul Shkula e Bylyk Bashi, u larguan drejt Greqisë në 1947 për të vazhduar aktivitetet e tyre kundër pushtetit popullor.

Naum Sula

I akuzuari Naum Sula ka shërbyer në radhët e Ballit Kombëtar gjatë pushtimit dhe ka luftuar kundër ushtrisë çlirimtare të Shqipërisë. Ai ka rekrutuar me forcë njerëz për të luftuar për Ballin Kombëtar. Në tetor 1946 ai iu bashkua grupit të kriminelit të luftës Selim Djaci, dhe më vonë në 1947 bashkë me Hamit Matjanin u larguan për në Greqi për të kryer aktivitete kriminale kundër shtetit. Në maj 1949 me ndërhyrjen e Matjanit, Naum Sula hyri në spiunazhin amerikan. Çdo herë që i akuzuari ka hyrë në territorin shqiptar, ka shpërndarë fletë dhe broshura kundër pushtetit popullor në Shqipëri. I akuzuari Naum Sula është bashkëpunëtor i ngushtë i Hamit Matjanit për ekzekutimin e aktiviteteve terroriste kundër Thoma Priftit dhe Llazi Dollanit. Herën e fundit, i akuzuari Naum, i pajisur me dokumente false me emër Vasil Topalli, dhe me materiale të tjerë të dhëna nga amerikanët, hyri në Shqipëri në vitin 1953 i lëshuar me parashutë nga një avion ushtarak amerikan, për të bashkëpunuar me diversantin Zenel Shehu në organizmin e kryengritjes së armatosur kundër pushtetit popullor në Shqipëri. Ai nuk mundi të plotësonte detyrën e tij sepse u kap menjëherë nga Sigurimi pas lëshimit në Shqipëri.

Gani Malushi

I akuzuari Gani Malushi i ka dhënë strehim dhe asistencë të plotë bandës së diversantëve të Safet Malushit, vëllait të tij në vitin 1949. Më vonë bashkë me të ai u largua në Greqi. Me rekomandimin e Hamit Matjanit ai u fut në spiunazhin amerikan, për t’u dërguar më pas disa herë në Shqipëri ku mblodhën informacione sekrete dhe krijuan grupe diversante kundër pushtetit të popullit.

Rrapush Agolli

I akuzuari Rrapush Agolli që prej vitit 1943 ka bashkëpunuar me kriminelë lufte si Pasho Kolamiti dhe të tjerë, duke drejtuar bandat mercenare të Ballit Kombëtar, si dhe ka luftuar kundër Lëvizjes Çlirimtare Partizane. Pas çlirimit të Shqipërisë, i akuzuari Rrapush e ka kthyer shtëpinë e tij në një qendër furnizimi për emigrantët dhe diversantët. Bandat kriminale të Xheladin Tresovës dhe Hamit Matjanit janë ndihmuar disa herë nga i akuzuari Rrapush Agolli për aktivitetet e tyre kriminale dhe në komunikimet me elemente të tjerë anti-popullorë. Në maj 1952, i akuzuari ka strehuar bandën e të akuzuarit Zenel Shehu dhe Hamit Matjani, duke i ndihmuar me informacione sekrete, ushqim, dhe ka pranuar detyrat e kreut të bandës Zenel Shehu në lidhje me përgatitjet për kryengritjen e armatosur. Ai ka marrë shpërblim në flori nga tradhtari Zenel Shehu. Në lidhje me zbatimin e planit kriminal të bandës, roli i këtij kolaboracionisti kishte rëndësi të madhe, me pasoja mjaft të rënda.

Ibrahim Lamçe

I akuzuari Ibrahim Lamçe ka nisur aktivitetet e tij armiqësore në vitin 1946. Ai i ka dhënë strehim e ushqim kriminelëve si Hamit Matjani, Naum Sula, Emin Lamçe e të tjerë. Më vonë ai u bë një bashkëpunëtor direkt me diversantët e bandat e spiunazhit, duke u dhënë atyre jo vetëm strehim e furnizime por duke organizuar kontaktet mes bandës dhe elementeve armiqësore si Kasem Hoshi, të cilët i nxiti të bashkoheshin me bandën dhe të punonin kundër pushtetit. I akuzuari Ibrahim ka deklaruar se do të bashkëpunonte me diversantët për zbatimin e planit të tyre kundër pushtetit. Gjashtë të akuzuarit kryesorë janë zbatuesit e planit kriminal, kurse bashkëpunëtorët e tyre Rrapush Agolli dhe Ibrahim Lamçe kanë kryer aktivitete armiqësore kundër Republikës tonë Popullore.

Provat

Sipas provave të prezantuara të akuzuarit Zenel Shehu, Halil Branica, Ahmet Kabashi, Hamit Matjani, Naum Sula, Gani Malushi, Rrapush Agolli e Ibrahim Lamçe, kanë pranuar fajin e tyre, i cili vërtetohet nga deklaratat e të akuzuarve dhe të dëshmitarëve. Duke marrë parasysh natyrën dhe rëndësinë e çështjes, padia i kalohet kolegjit ushtarak të gjykatës së lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/08/2019 - 07:35

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ato kanë hedhur dritë mbi betejën që nisi mes Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Postuar: 22/08/2019 - 07:13

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Postuar: 21/08/2019 - 07:35

Amerikanët kanë dhënë detaje nga kalimi i pushteti te Ramiz Alia.

Postuar: 20/08/2019 - 07:12

Amerikanët kanë nxjerrë në pah detaje të tjera sa i takon zhvillimeve në sistemin komunist.

Postuar: 18/08/2019 - 14:44

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehmet Shehut.

Postuar: 17/08/2019 - 18:00

 Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehm

Postuar: 16/08/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon përplasjeve në Shqipërinë komuniste.