Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ballkaniada 1946, kur Shqipëria u shpall kampione e Ballkanit

Postuar: 09/10/2016 - 08:48

(Me rastin e 70-vjetorit, Tiranë, 6-13 tetor 1946 – 2016)

Vijon nga numri i kaluar...

Nuk do të zgjatem në dy takimet e tjera. Qe fat për ne që rumunët u dhanë dajak jugosllavët 2-1, të cilëve u duhej patjetër fitorja për të zënë përfundimisht vendin e parë. Por në takimin e fundit ata arritën të mposhtnin me të njejtin rezultat bullgarët dhe prisnin përfundimin e ndeshjes së fundit, Shqipëri-Rumani, që u zhvillua në pasditen e bukur të 13 tetorit.

Ato ditë, jo vetëm ne, çunat e mëhallës, por kudo, kalamaj e të rritur, nuk flisnin veçse për këtë ndeshje. Skuadrës sonë i duhej vetëm fitorja për të qenë kampione e Ballkanit. Por, ama, fitorja u duhej edhe rumunëve. Barazimi na degdiste në vendin e tretë, kurse jugosllavët zinin rehat-rehat vendin e parë.

Nga të rriturit dëgjonim se të mundje Rumaninë, nuk ishte shaka. Ata, ashtu si jugosllavët edhe rumunet kishin marrë pjesë jo vetëm në Botërorin e Parë në Uruguaj më 1930, por edhe në të dytin, në Itali, më 1934.

Erdhi më së fundi dhe 13 tetori. Mirëpo shokëve të mi trimoshë, që aq shumë më kishin quajtur frikash, nuk ua mbajti të kacavirreshin nëpër mure, se policët, këtë radhë ishin shumuar dhe i bënin sytë katër, ngaqë në tribunë kishte ardhur qeveria me Enver Hoxhën e Koçi Xoxen në krye.

Bëmë, ç’bëmë dhe shpëtimin e gjetëm sërish te drurët e pemëve në kodër. Dhe mirë që shkuam shpejt, se edhe kalamaj të tjerë që i kishin rënë në erë kësaj mënyre për të parë ndeshjen aty mbinë. S’do mend, u ruajtëm se mos o zot, ndonjë degë do të thyhej e ndonjëri nga ne do të përfundonte, këtë radhë në spital.

Shqipëria në pjesën e parë luajti me portën nga shtëpitë e qytetit, pra, nga veriu. Mirëpo, ç’është e vërteta, pak i pamë tanët t’u afroheshin portës kundërshtare. (Më pas morëm vesh se rumunët na kishin vënë përpara, por pa rrezikuar e pastaj loja kishte rrjedhur pa telashe si për ne, ashtu edhe për ata).

Mirëpo në pjesën e dytë, kur u hapën portat, vërshuam më shkallët e stadiumit, por këtë radhë të tribunës nga jugu, ku mezi gjetëm vend, midis mizërisë së gjindjes që kishte dyndur në stadium për të parë këtë finale të paharruar.

Dhe duhet thënë se në pjesën e dytë ishim ne qe i vumë përpara kundërshtarët…Por goli nuk po dukej ende. Dhe ja, pas një sulmi të rrezikshëm portieri rumun, për të larguar topin, u ndodh bashkë me të jashtë vijës së 16-metërshit. Sipas rregullores, goditje dënimi për skuadrën tonë.

Thuajse të gjithë rumunët u vunë ne një mur të ngjeshur. Prisnim të gjuante Boriçi por, pasi e rregulloi topin bukur mirë, ishte Teliti, që si u mat ca, i këputi një të gjuajtur që tundi rrjetën. Në shkallët e stadiumit nuk u mor vesh se ç’u bë. Në ajër fluturonin kasketa civile e ushtarake, xhaketa, fanella e hallku puthej e përqafohej, të njohur e të panjohur.

Mirëpo loja donte edhe 35 minuta që të merrte fund. Jo pak. Rumunët nuk kishin gjë për të humbur, ndaj u derdhën yrysh përpara. Por më kot. Ishte shumë vështirë të thyeje mbrojtjen tonë, me Sllave Llambin e portierin Pozeli në krye.

Kur u dëgjua vërshëllima e fundit e gjyqtarit, ne, kalamajtë, nuk u përmbajtëm e deshëm të kapërcenim telat e të hidheshim në fushë. Ndërkohë, Loro Boriçi me një kurorë me dafina mbi kokë, ngriti lart kupën, ndërsa nga shkallët e stadiumi vazhdonin brohoritjet “Shqipëria, Shqipëria!…” Jehona e kësaj fitoreje që u quajt historike, vazhdoi për disa ditë. Kudo nuk flitej veçse për këtë ngjarje të madhe. Dhe në fakt, e tillë ishte.

Cilët ishin heronjtë e Ballkaniadës?...

Kur në mars të vitit 1999 u largova nga atdheu për në SHBA, pata rast të takohesha me Pal Mirashin. Ishte “i fundit i mohikanëve”, po të perifrazoj titullin e një roman të shkrimtarit amerikan, Kuper. Të tjerët ishin ndarë nga ne në vite.

Po përpiqem t’ua kujtoj lexuesve:

Dodë Tahiri - Portier i “Vllaznisë” së Shkodrës, dy herë kampione më 1945 dhe 1946. Luajti në dy takimet e para kundër Jugosllavisë dhe Bullgarisë. Shquhej për pritjet e gjuajtjeve nga lart. Më pas vazhdoi të luante përsëri me skuadrën shkodrane. Më 1948 u hap fjala se ishte arratisur në Jugosllavi.

Xhakomino Pozeli- Me origjinë italiane, portier i “Flamurtarit” të Vlorës, luajti vetëm në takimin e fundit vendimtar me Rumaninë. Shumë i kujdesshëm, sidomos në dyluftimet e afërta me kundërshtarët, siç e mbaj mend në ndeshjen që na dha titullin kampion.

Deri në vitin 1948, kur u riatdhesua në Itali, mbrojti dhe pesë herë të tjera portën e kombëtares, në takimet me Bullgarinë, Hungarinë, Jugosllavinë, përsëri me Rumaninë në Bukuresht më 2 maj 1948, që i solli fitore skuadrës sonë, si dhe në dy barazimet historike, (0-0), kundër Hungarisë në Tiranë dhe Jugosllavisë në Beograd pas disa javësh, të cilat e vunë atë në vendin e parë në Kampionatin e Evropës Qendrore.

Muhamet Dibra -Mbrojtës i djathtë i “Vllaznisë”. Zuri vend në kombëtare që në takimin e parë miqësor të saj me Malin e Zit, të zhvilluar në Shkodër, disa javë para fillimit të Ballkaniadës, ndeshjet e së cilës i zhvilloi të tëra. Mbeti mbrojtës i djathtë i kombëtares deri më 1952, duke zhvilluar me të 19 ndeshje ndërkombëtare.

E kam njohur së afërmi në maj të viti 1948, kur isha dhjetë vjeç. Kombëtarja po bënte stërvitje në fushën e Shallvares dhe unë po sajoja një “komentim” të ndeshjes, duke imituar Anton Mazrekun. Dibrës i bëri përshtypje dhe më tha që para ndeshjes me Hungarinë, që u mbyll, siç e përmenda më lart, 0-0, ta prisja para hotel “Dajtit”, nga ku më mori me vete dhe më futi në stadium, kurse shokët e mi mezi gjetën bileta për këtë ndeshje, ose u futën si dy vjet më parë... pa bileta.

Sllave Llambi - Qendërmbrojtës “17 Nëntorit” dhe i kombëtares. Në fund të viteve ‘30-të kishte luajtur në radhët e SK Tiranës kampione, të drejtuar nga Selman Stërmasi. Ishte aktivizuar edhe në Itali me skuadra vendase gjatë fillimit të viteve ‘40-të. Shquhej për kërcimet në ajër, (jo më kot ishte edhe atlet i kërcimit së larti). Me kombëtaren deri më 1950 zhvilloi 19 takime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe tri ndeshjet e Ballkaniadës, pa u ndarë nga “Partizani” që edhe drejtoi për disa vite.

 

Rexhep Spahiu - Mbrojtës i majtë i “17 Nëntorit” dhe i kombëtares në të trija takimet e Ballkaniadës. Vërtet shtatshkurtër, por shumë i shkathët. Gjatë viteve ‘40-të kishte luajtur më “Shprefenë”e Tiranës , e cila takimet me skuadrat ushtarake italiane gjatë pushtimit, i kishte kthyer ato në shfaqje të urrejtjes ndaj pushtuesve fashistë. Deri më 1952 zhvilloi 18 ndeshje më kombëtaren dhe gjatë kësaj kohe u aktivizua me “Partizanin”.Më pas qe edhe trajner i kësaj skuadre, e cila nga viti 1956 e deri 1961 u shpall pesë herë kampione. E kam njohur në fillim të viteve ‘60-të, kur e kam intervistuar disa herë në “Rubrikën Sportive” të Radios e pastaj të TV-së.

Xhavit Demneri - Futbollist i “17 Nëntorit”, luajti vetëm në takimin parë kundër Jugosllavisë, sepse u dëmtua rëndë. Ishte gjysmëmbrojtës i djathtë. Edhe ai, si Spahiu, kishte luajtur në radhët e “Shprefesë”. Shquhej për teknikë të lartë. Përvoja e madhe i vleu kur nisi të punonte si trajner i të rinjve të “17 Nëntorit”. Ishte ai që në fund të viteve ‘50-të e fillimi i viteve ‘60-të zbuloi talente të tilla si Pano, Frashëri, Halili, Bukoviku, Hyka, Kazanxhi, Ishka, Bytyci,vëllezërit Ali dhe Osman Mema etj., që u bënë lavdia e skuadrës tiranase, disa herë kampione, dhe përfaqësueses sonë.

Bahri Kavaja - Zëvendësoi Xhavit Demnerin në takimin tjetër kundër Bullgarisë, për t’u zëvendësuar pastaj edhe ai nga i riu Besim Fagu, i cili luajti edhe në takimin e fundit kundër Rumanisë. Kavaja, duke qenë pjesëtar i kombëtares më 1950, së bashku me futbollistin tjetër, Bule Vathi, u bë në Dardanele të Turqisë, protagonist i një arratisjeje spektakolare, duke u hedhur nga një anije që po e transportonte kombëtaren tonë në një turne jashtë shtetit. Të dy, pasi qëndruan disa ditë në Stamboll, ia nisën një aventure, që Kavajën e çoi, të mos gaboj, në Zelandën e re dhe Vathin në Amerikë.

Besim Fagu - Luajti gjatë tërë ndeshjes kundër Rumanisë. Për shumë vite, do të bëhej qendërmbrojtës i pazëvendësueshëm i kombëtares dhe “Partizanit”. Deri më 1958 zhvilloi me përfaqësuesen 13 takime ndërkombëtare. Në gusht të viti 1999, kur nuk kisha veçse disa muaj që ndodhesha në SHBA, mora vesh lajmin e hidhur të vdekjes së tij dhe menjëherë shkrova një portret, me titull ”Postblloku Fagu”, që u publikua në faqet e disa gazetave shqiptare. Veç kësaj, ashtu si Dibrën, e kam intervistuar në filmin dokumentar të Kinostudios “Shqipëria e Re”, kushtuar historisë së futbollit tonë, (1973).

Bimo Fakja - Futbollist i “Vllaznisë”, luajti gjysmëmbrojtës i majtë i kombëtares në të tria takimet e Ballkaniadës. Deri më 1948 zhvilloi 6 takime me kombëtaren, pa u ndarë nga skuadra shkodrane, ku gjithnjë u shqua si gjysmëmbrojtës i majtë.

Aristidh Parapani - Futbollist i “17 Nëntorit” dhe më pas i “Partizanit”, luajti sulmues i djathtë. Ashtu si Xhavit Demneri dhe Besim Fagu, vinte nga skuadrat e lagjeve të Tiranës te fillimit të viteve 40-të. Luajti në të trija ndeshjet e turneut të Ballkaniadës dhe u shqua për depërtimet dhe harkimet e topit në zonën e rreptësisë kundërshtare. Mori pjesë deri më 1952 në 18 takime ndërkombëtare me përfaqësuesen.

Qamil Teliti - Luajti gjysmësulmues në të trija ndeshjet dhe u shqua sidomos në takimin e fundit me golin fantastik kundër Rumanisë. Kishte nisur të aktivizohej me “Besën e Kavajës” në fund të viteve 30-të. Më pas luajti me “Partizanin”, “Dinamon” dhe me “17 Nëntorin”. Me kombëtaren luajti deri më 1952 11 herë. Ishte shumë i fuqishëm, kishte forcë depërtuese dhe ishte i pakrahasueshëm me goditjet me të djathtën.

 

Loro Boriçi - Qendërsulmues, u bë që atëherë simboli i futbollit shqiptar. Kishte nisur të luante që më 1938 me “Vllazninë”, kur nuk ishte veçse 16 vjeç, duke premtuar se do të bëhej futbollist i madh. Në fillim të viteve ’40-të, gjatë studimeve universitare në Romë, luajti më “Lacion”. U shqua si qendërsulmues, krahas Piolës, qendërsulmuesit të axurrëve, kampionë të botës më 1938. Me kapitullimin e Italisë fashiste u kthye më 1943 në Shkodër. Nga viti 1945- 47 luajti me “Vllaznië” e pastaj me “Partizanin”, trajner i të cilit u bë më pas. Ishte i domosdoshëm në të tria ndeshjet e kombëtares gjatë Lojërave Ballkanike, si dhe në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të përfaqësues sonë, ku luajti 24 herë deri më 1957.

Më kujtohet një episod domethënës në takimin me Hungarinë, të zhvilluar më 25 maj të vitit 1948, të cilën ia kam kujtuar në një intervistë televizive më 1973: Portieri Tot nuk arriti të zotëronte një top të fortë dhe Boriçi, me intuitën e një lojtari të zgjuar, iu shkëput mbrojtësve kundërshtarë. U ndodh para topit, aq sa edhe Toti. Mund të gjuante, mund ta kalonte topin mbi trupin e portierit, por edhe mund ta godiste atë rëndë në fytyrë, kokë, ndaj kërceu mbi të. Ishte një rast i rrallë për të shënuar dhe për ta fituar atë ndeshje.

Loroja, duke parandier zhvillimet e futbollit ndërkombëtar, ishte i pari futbollist shqiptar që nisi të luante si “qendërsulmues i tërhequr”, pa e ditur që këtë rol nga mesi i viteve ’50-të të shekullit të kaluar kishte nisur ta interpretonte Hidegkuti i përfaqësues së famshme hungareze. Ishte fillimi i një skeme taktike, 3-3-4. që më pas do të shpinte në sistemin 4-2-4, i cili u përkrye nga brazilianët, dy herë kampionë të botës, më 1958 e 1962 dhe u përhap në botë.

Vasif Biçaku - Luajti gjatë ndeshjeve të Ballkaniadës gjysmësulmues i majtë. Vinte nga SK Tirana e famshme e fundit të viteve 30-të. Binte në sy për teknikën e lartë dhe me e Boriçin formonte një çift të goditur, që vazhdoi edhe më pas kur të dy luajtën krahas me “Partizanin”. Me kombëtaren zhvilloi deri më 1949 në 13 ndeshje ndërkombëtare. Pas vitit 1950 luajti me “17 Nëntorin” edhe u transferua për “arsye… biografie” në Fier.

Pal Mirashi - Sulmues i majtë luajti edhe ai më të trija ndeshjet e Lojërave Ballkanike. Shquhej për kërcimet dhe gjuajtjet me kokë. Siç kam përmendur më sipër, Veç golit me Bullgarinë,shënoi dhe golin e fitores me Rumaninë në Bukuresht, në 2 maj të viti 1948, që na dha fitoren. Me përfaqësuesen zhvilloi 9 takime ndërkombëtare.

Ljubosha Brociç - Pas prishjes së marrëdhënieve në Jugosllavinë, siç thashë më lart, në qershor të vitit 1948, emri i trajnerit të kombëtares sonë gjatë turneut të futbollit në Lojërat Ballkanike, mbeti i varrosur. Ai ishte kroati Ljubosha Broçiç, një burrë shtatlartë, flokëverdhë dhe tepër miqësor edhe me ne, fëmijët. E kisha parë gjatë një stërvitjeje të kombëtares sonë në Shallvare, ku na buzëqeshte përzemërsisht.

Boriçi pati meritë të madhe, sepse diti që futbollistët e mësipërm, brenda, kësaj kohe të shkurtër, t’i përshtaste të luanin sipas sistemit ËM, i cili nuk njihej në vendin tonë. Deri atëherë skuadrat tona njihnin sistemit piramidor, (portieri, dy mbrojtës anësorë,tre gjysmëmbrojtës dhe pesë sulmues në një vijë).

Refreni i një jehone…

U bënë më shumë se 17 vjet që jam ndarë nga mikrofoni dhe kamera sportive, ku për 40 vjet, (1959-1999), krahas kolegëve të mi, Anton Mazreku, Ismet Bellova dhe më të vonshmëve, Aleko Gjergo, Veli Rada, Fatmir Mëneri, Ymer Kurti, Frederik Fico, Ahmet Shqarri, Agron Kaja, Vladimir Grillo e të tjerë, kam komentuar plot e plot ndeshje futbolli.

Por edhe këtu në Boston, ku jetoj prej shumë vjetësh, ndjek futbollin tonë e botëror në TV dhe internet e, madje, edhe shkruaj jo rrallë për ta. Është e pamundur të shkëputem nga ky pasion fëminor që lindi që më 1946, që me Lojërat Ballkanike të tetorit të vitit 1946, krahas një pasioni tjetër të madh, krijimtarisë letrare e publicistike, që e vazhdoj gjithnjë edhe në faqet e gazetave dhe me libra që botoj herë pas here.

Por, edhe të dua, nuk mund të shkëputem. Pallati ku banoj, ndodhet jo larg një fushe, që më kujton Shallvaren e viteve ‘40-‘50-të, ku shoh djem e, veçanërisht, vajza amerikane që luajnë futboll, sport që prej vitesh është bërë shumë popullor këtu në Amerikë. Jo vetëm kaq, por, sipas rasteve, ndjek edhe ndeshje në stadiumin modern, “Foksboro”, në rrethinat e Bostonit.

Kur largohem që andej, më përcjell një jehonë. Çuditërisht nuk vjen nga “Foksboro”, por nga larg, shumë larg. Kjo jehonë më bëhet se vjen nga stadiumet shqiptare, nga sa e sa ndeshje të zhvilluara atje dhe të komentuara më pas prej meje dhe kolegëve të mi të mësipërm, sidomos nga ato ndeshje të paharruara të kombëtares sonë, që na dhanë atë fitore të bujshme në Ballkaniadën e ’46-ës, ngjarje të së cilës ua ndërmend lexuesve, me sytë e një 8-vjeçari, aq sa kam qenë atëherë, me dëshirën që futbollistët e sotëm të kombëtares sonë të tilla fitore t’i përsërisin në takimet që do të vijnë.

Nga Skifter KËLLIÇI

 

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 80

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/07/2017 - 08:47

Shërbimi i Inteligjent Amerikan ka zbardhur prapaskenat e prishjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë komuniste dhe Kinës. Në një raport të deklasifikuar ditët e fundit, CIA tregon me detaje si nis bashkëpunimi midis dy vendeve dhe sinjalet e para që tregonin se gjithçka po merrte fund.

Postuar: 15/07/2017 - 08:32

Duke i mëshuar temës së saj të përhershme se SHBA është në mes të një krize të brendshme, Tirana sugjeron se raporti reflekton një ndryshim të taktikave, por gjithsesi Ëashingto

Postuar: 01/07/2017 - 12:22

Një gazetar italian, Onide Donati tanimë 63-vjeç ka realizuar një set fotografik të vërtetë nga koha e izolimit të madh. 

Postuar: 19/05/2017 - 15:54

Presdenti Bujar Nishani ka vlerësuar me  dekoratën “Nderi i Kombit” Orkestrën Simfonike  të RTSH në 55 vjetorin e  saj.

Postuar: 01/04/2017 - 10:33

Termi “terrorizëm” që po përdoret në kohën e sotme gjithnjë e më shumë, ka mbi 100 përkufizime.

Postuar: 02/11/2016 - 08:08

Kohët e fundit në shtyp ka pasur disa artikuj mbi vdekjen e Nako Spirut, një nga drejtuesit e regjimit komunist në vitet e para të tij.

Enver Hoxha aplikoi për vizë franceze për t’i shpëtuar Shehut (FOTO-LAJM)

Postuar: 13/10/2016 - 21:22

Studiuesi Armand Plaka ka publikuar në faqen e tij në ‘Facebook’ një faksimile të rrallë të CIA-s.