BREAKING NEWS

Zbardhet projekti për bazën e Kuçovës, amerikanët zbarkojnë në Shqipëri dhe u tregojnë dhëmbët rusëve, brenda 2023 nisin fluturimet e para

Zbardhet projekti për bazën e Kuçovës, amerikanët
x

Dossier

Bujani, një kujtesë historike për kauzën kombëtare

Bujani, një kujtesë historike për kauzën kombëtare

1. Mirë se na erdhi ky vit i ri, 2020, me këto ditë të këndshme pranverore mu në palcën e dimrit, po më shumë, me kremtime festash të veçanta krenarie. Kemi 100 vjetorin e Luftës së Lavdishme të Vlorës dhe KongresiT të Lushnjës. Tirana mbush një shekull kryeqytet; me përmasa po mbarëkombëtare, sipari i vitiT çelet me kujtesën për Konferencën e Bujanit (dhjetor 1943-janar 1944). Para 76 viteve, bij të shquar të kombit, të mbledhur nga të dy anët e një kufiri arbitrar mbi truallin shqiptar, bashkë me shprehjen e vlerës së antifashizmit, rikonfirmuan edhe kauzën e Bashkimit Kombëtar: Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili, ai gjithmonë, ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin. Janë dy motive madhore, që e bënë dhe Bujanin eveniment historik. Po, ndërsa çlirimi u realizua me sukses, kauza kombëtare mbetet çështje e hapur, që kërkon zgjidhje. Krijimi i një komb-shteti të shqiptarëve në trojet e tyre, i vendosur si objektiv programatik në Lidhjen e Prizrenit (1878), si kundërpeshë ndaj planeve skllavëruese të Fuqive të Mëdha e lakmive shoviniste të fqinjëve, që buçiti fuqishëm edhe në Bujan, nuk përbën luks apo pretendim, por buron nga procesi i natyrshëm historik i kombformimit, bazohet dhe në të drejtën demokratike të popujve për vetëvendosje. Çështja jonë kombëtare, e dhunuar rëndë dhe kthyer në një plagë, e hapur që me Kongresin e Berlinit, e thelluar e agravuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ka mbetur nyje gordiane në Ballkanin e shndërruar në fuçi baruti e mollë sherri. Odiseja mbishekullore i ka kushtuar kombit mijëra viktima, copëtim të përgjakshëm, padrejtësi kombëtare, diskriminim, aparteizëm e genocid të egër, shfrytëzim dhe varfëri ekstreme, deri dhe përpjekje shfarosëse e asimiluese, brenda vetë kontinentit plak. Edhe pse problemi botëror kolonial u zgjidh në shekullin e kaluar, padrejtësisht nuk u përfshi në të edhe çështja shqiptare, siç i takonte mirëfilli. Ish-Fuqive të Mëdha të Europës, përfshi dhe Rusisë, nga kjo padrejtësi u ka mbetur ndërgjegjja e vrarë; jo më pak dhe një njollë e politikave të egra shoviniste të fqinjëve.

2. Nga Prizreni na ndajnë rreth 142 vjet, po plaga më e madhe e historisë-njerkë, nuk është shëruar plotësisht. Këtë mision nënkuptonin brigadat shqiptare, që kaluan kufirin në Luftën e Dytë Botërore; kjo kauzë ishte dhe në formulën e betimit të UÇK-së. Krijimi i shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, është një fitore historike. Dalja, së fundi, në krye të politikës së Prishtinës e një biri të denjë, si Albin Kurti, është testim i vullnetit popullor dhe dëshmi e qartë e vlerësimit të politikës atdhetare e përkushtuese, duke mbajtur gjallë edhe Lidhjen e Prizrenit, mesazhin e Bujanit e betimin e UÇK-së, si apel historik. Një referendum mbarëshqiptar do t’i konfirmonte botës drejtësinë dhe domosdoshmërinë e kësaj kauze. Po kujt i takon të merret me të tilla obligime kushtetuese? Prandaj ajo mbetet një imperativ, për të cilin shoqëria civile e organizuar ka ngritur e duhet të ngrejë zërin deri në kupën e qiellit, sepse politikat tona zyrtare, në vend që t’i qëndronin besnik rrjedhës objektive të proceseve shoqërore dhe aspiratës popullore, e kanë deformuar e devijuar rëndë. Kemi të bëjmë me një miopi e ngathtësi politike të institucionalizuar, me servilizëm e konformizëm, me naivitet, plogështi e disfatizëm, me rrëshqitje në pragmatizëm rreth përfitimeve imediate, aq sa Joshka Fisher, në kohën e vet, u detyrua të bënte pyetjen: “Si është e mundur që shqiptarët të mos shohin se si erërat fryjnë për velat e tyre?”. Një metaforë diplomatike kjo, shumë e kuptueshme, domethënëse e orientuese për të nxjerrë konkluzione strategjike; që për zgjedhjen e orientimit më të drejtë e të saktë, për çdo problem të pjesshëm, politikëbërësit tanët të kenë për bosht e strumbullar çështjen kombëtare, ç’hapa hedhin drejt zgjidhjes së saj. Faktori i jashtëm ndjek hesapet e veta, por fatkeqësisht edhe politikanët shqiptarë shprehen si me druajtje, të rezervuar, si miza në qyp, konjukturalisht, pa atë force dhe këmbëngulje që na jep e vërteta dhe e drejta jonë e pakontestueshme për këtë problem kurcial. Konkluzioni i shkrimtarit tonë, Kim Mehmeti, se: “Kjo botë nuk mbështetet mbi shtyllat e drejtësisë. Askush nuk ta jep atë që nuk din ta marrësh” mbetet aksiomë. Gjermania e ndarë u bashkua për bukuri, kurse Kosovës nga gjeopolitikat dy standardshe i vihet kusht të mos bashkohet as me Shqipërinë. Në tërë këtë kompleksitet, përkundrejt kësaj padrejtësie dhe hallakatjeve të sotme të politikave tona zyrtare, Shoqëria Civile ka krijuar edhe subjekte politike të veçanta, jeta ka nxjerrë në skenë me veprimtari të organizuar Frontin për Bashkimin Kombëtar, si dhe atë më masiven: Shoqatën Atdhetare për Identitet e Bashkim Kombëtar, e cila shënoi 15 vjetorin e themelimit të saj me kryesi të ristrukturuar dhe gjallërim të mëtejshëm të veprimtarisë.

3. Nuk kërkojmë më tepër se ç’na takon, komb-shtetin, atë krijesë të proceseve të natyrshme të historisë së popujve, atë normë e rregull të përgjithshëm, që është bëhet realitet nën drejtimin edhe të burrave vizionarë e katërqind drehemsh. Bijtë edhe ndahen nga trungu familjar, po jo një komb në truallin amtar. Për këtë hallakatja e një kombi të lashtë nëpër 6 shtete të Ballkanit Perëndimor e Jugor, si akt arbitrar, krijuar artificialisht, dhunshëm e përgjakshëm, kemi në anën e vet legjitimitetin historik, etnik, juridik dhe politik. Kemi sot dhe tagrin e premisat të jemi vetëm në pozita sulmuese e ofensive politikisht e diplomatikisht; kemi me vete normat dhe parimet më të shëndosha demokratike ndërkombëtare. Atë që demokracia na e ofron, ne, si të viktimizuar rendë, pse, as nuk e kërkojmë, madje, as nuk e shqipërojmë zyrtarisht, hapur e më zë të lartë? Ja një temë serioze e politikologjisë shqiptare. Shoqëria Civile, masa e madhe sovrane e zgjedhësve, do të priste prej mandatarëve të reagonin me integritet e dinjitet, t`u kujtonin homologëve të tyre kundërshtarë, të paktën, historinë e afërt, atë të këtij shekulli të Pavarësisë, të deklaronin maksimalen që na përket natyrshëm e ligjshëm; të lakonin ide të tilla, si, bie fjala: E vërteta historike dhe e drejta kombëtare qëndrojnë si Everesti; herët ose vonë, kauza jonë do të triumfojë; nuk quhet plotësisht demokratike Europa, me një komb të copëtuar, që e gjakosin vazhdimisht dhe me disa zona shqiptare të kthyera në koloni mu në zemër të saj; mjaft më me trojet e Shqipërisë etnike e shqiptarët si plaçkë tregu, monedhë këmbimi, mollë sherri dhe epruvetë eksperimentesh etj. Me ngritjen e zërit e fiton dhe fëmija gjirin e nënës. 4. Ku janë fshehur atdhetaria, mençuria, përkushtimi dhe besa shqiptare? Të huajt shikojnë interesat dhe konjukturat e veta. Kurse i pajustifikueshëm dhe i dëmshëm është orientimi i ri që kanë shpikur e bërë të modës politikat zyrtare shqiptare, tretjen e zgjidhjes së çështjes kombëtare në proceset e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Këtu e çon ujin edhe pohimi i kohëve të fundit: “S’ka shqiptar që nuk e do Shqipërinë, e që nuk do bashkimin kombëtar. Por gjërat kanë ndryshuar prej viteve ‘90, prandaj shqiptarët tani duhet të synojnë të bashkohen në Europë, me integrimin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, e Malit të Zi në Bashkimin Europian. Alternativë tjetër nuk ka” (Ali Ahmeti, gusht 2018). Kjo ide u ka ngjitur në majë të gjuhës, kësaj i shërbejnë dhe e kanë fjetur mendjen për përpjekje të tjera. Këtë version doli dhe e katranosi më keq Meta me idenë: Modeli dhe parimet e bashkëjetesës, harmonisë dhe paqes mes vendeve të Bashkimit Europian, është modeli i shkrirjes dhe zhdukjes së kufijve shtetërorë, veçanërisht atyre etnike. Kështu e shikoj edhe unë procesin e integrimit të rajonit tonë në BE, drejt bërjes të parëndësishme të kufijve dhe jo drejt imponimit të kufijve të rinj (Panorama, 30 gusht 2018). Këtë rrumbullakosje të “zgjidhjes”, është pak ta quajmë iluzion naiv, miopi politike, ëndërr me sy hapur; apo shtrembërim demagogjik të idesë dhe thelbit të vërtetë të bashkimit tonë kombëtar. Të paktën, në stadin e sotëm të kësaj bashkësie, nuk vërejmë, jo më “shkrirje e zhdukje të kufijve”, po as “bërje të tyre të parëndësishme”. Ky devijim do ta shpërfytyronte vetë kombin. Ai shqiptar që nuk do të ketë dinjitetin e duhur, nuk do të ketë mundur të rikuperojë as identitetin e vet, nuk do të jetë as i barabartë midis të barabartëve. Tërë kjo “mënyrë zgjidhjeje” e aspiratës tonë kombëtare është vetëm një truk, është improvizimi i një “Deus ex machina”, që të kujton fabulën e dhelprës para pjergullës me rrush. Është jo zgjidhje, por fshirje e “çështjes shqiptare”. Ta harrojnë politikanët tanë se Bashkimi Europian do u marka me krijimin e komb-shtetit shqiptar! Fakt është se edhe sot e kësaj dite, Europa po zhvillohet e përbëhet nga komb-shtete të pavarur. Gjithsesi, ajo kurrsesi nuk do të marrë përsipër krijimin e një komb-shteti shqiptar, duke e patur brenda vetes kështu të copëtuar. Ky iluzion që vë në gjumë politikën shqiptare rezulton në shërbim të interesave serbë. Me hyrjen në BE arrihet vetëm lëvizja e lirë e njerëzve, kurse kufijtë shtetërorë mbeten të palëvizshëm. Ai bashkim, i përbërë nga komb-shtete, pak a shumë të konsoliduara, ku kudo kanë vendin e vet edhe shumë minoritete, as nuk e bënë pjesë të vet një grup shtetesh me nyjën gordiane të pazgjidhur, siç është kjo e kombit shqiptar. Vetëm ndryshimin e emrit pretendonte Greqia ndaj Maqedonisë dhe pas disa dekadash debati, sikur u arrit konsensusi. Shqiptarët e mbetur ende të ndarë dhunshëm në katër shtete fqinje të Ballkanit Perëndimor, nuk janë pakica, por pjesë e një çështjeje kombëtare të krijuar dhunshëm e artificialisht dhe kërkon zgjidhje. Politika dhe diplomacia beogradase, brenda vetes, e ka të qartë këtë rrjedhë të gjërave, prandaj lufton të sanksionojë ç’është e pranuese për BE-në e frymën e saj. Subjektet shqiptare duhet të vënë në fokus programin maksimal, atë të zgjidhjes reale të çështjes kombëtare. Në fund të fundit, nëse krijimi i Republikës së Kosovës rezulton hapi vendimtar në këtë proces të çlirimit të shqiptarëve, le të përpiqen edhe shqiptarët e tjerë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi të krijojnë shtetet e tyre etnike, duke i dhënë fund gjendjes së tyre të pushtuar, nën sundimin e njohur mizor sllavo-grek, kriminal, terrorist, deri dhe asimilues. Mirëpo, në vend që nga politikat tona zyrtare të ndiqet zëri i të vërtetës objektive dhe i real-politikës, po injorohet dhe mendimi shkencor botëror, po anashkalohet vetë Kushtetuta e vendit, s`përfillet më amaneti i të parëve, shkelet mbi gjakun e sakrificat sublime, asfiksohet ndërgjegjja popullore, nuk dëgjohet as zëri i shumë studiuesve potencialë, deformohet e devijohet arbitrarisht vetë rrota e historisë. Është fjala për një piruetë politike, që duhet vënë në shënjestër, shkencërisht e atdhetarisht. Për më tej, ngjall habi lëvizja e fundit politike e krijimit të mini-Shengenit të Ballkanit Perëndimor, jo si hap e organizim me vete, po për faktin e thjeshtë të mospërfshirjes në të edhe të shtetit të Kosovës, i cili është dhe nyje qëndrore gjeografike e nyje qarkullimi e pretendentëve. Se ku e ka burimin ky gabim apo lapsus dhe ç’peshë kap disponimi negative i Beogradit ndaj Kosovës, mbetet për t’u hulumtuar prej rezultantes së procesit, po përqafimi i real-politikës nga të gjithë shtetet komponente, do t’i shërbente vetë atyre dhe zhvillimeve të përgjithshme. 5. Krahas mos-konsekuencës së politikave tona zyrtare, edhe pala kundërshtare, jo rastësisht, ka kurdisur fobinë nga një “fantazmë”, të ashtuquajtur “Shqipëri e Madhe”, duke lëshuar edhe apel kundërveprues për ndalimin me çdo kusht të krijimit të saj. “Të merresh me të – gjykojnë disa prej tyre, - është e rrezikshme, si loja me zjarrin”. Ajo palë e parandien rrjedhën objektive të proceseve shoqërore, trokitjen e krijimit të Shqipërisë etnike, ndaj dhe i bën çdo parapritë të mundshme. Po thirrjet subjektive për të ndaluar të pashmangshmen e padëshiruar, kurrsesi nuk mund të pengojnë rrjedhën objektive të proceseve historike që të bëjë të vetën. Shqipëria e Madhe, është thjesht një insinuatë shoviniste antishqiptare. Nëse Shqipëria etnike, natyrale, është e drejta jonë legjitime, kundërshtarët tanë, pa u skuqur a zverdhur, na e kthejnë në akuzë, e shoqërojnë edhe me kërcënime. Kur në ndërgjegjen popullore mbahet, si një “Bukuroshe e përgjumur”, aspirata shekullore e bashkimit tonë kombëtar, në qiejt shqiptarë e më tej janë lëshuar edhe tullumbace me mbishkrimin: Kujdes, Ciklopi “Shqipëria e Madhe” po “na kanoset! Është ky një zë i çjerrë, kryesisht sllavo-grek, i një kori të madh nga Moska në Athinë, nga Beogradi nëpër Shkup e Cetinë. Togfjalëshi Shqipëri e Madhe, që ka një histori të tërë nëpër këto dy shekujt e fundit, na vjen sot me një rezonancë më të amplifikuar, tingëllon si një sajesë e shëmtuar, që stonon rëndë me frymën demokratike e humane të kohës, me rrjedhën dhe logjikën e hekurt të historisë dhe i kundërvihet atyre. Forca të errëta me ngjyrime mesjetare, kanë shpikur një ide të shpifur dhe, i janë turrur asaj, si kundër ndonjë fantazme të tmerrshme! Edhe në shtrirjen e saj maksimale, me kthimin e tërë hakut tek i zoti, në bashkimin territorial të trojeve etnike, pa pretenduar as një pëllëmbë të huaj nuk do t`i kalonte përmasat sipërfaqësore e njerëzore të shtet-kombeve të pranishëm; vetëm do të na afirmonte në Ballkan si të barabartë midis të barabartëve, midis katër shteteve pak më të mëdhenj e pesë të tjerëve më të vegjël. Të ishim vërtet paksa vigan e katallan, ani, por kjo formulë, në adresën tonë, tingëllon thjesht si një insinuatë, madje dhe si ironi therëse e tallëse; i ngjan krejt një farë gomari, që i drejtohet gjelit me fjalët “bre, sa ma paske kokën”. I ka mbetur një vendi emërtimi “Britania e Madhe”, po ky emër e ka dhe suportin historik e gjeografik, kurse i përdorur për trojet shqiptare, ky epitet, është ireal, absurd, pa pikën e seriozitetit. S`kemi si e meritojmë këtë epitet dhe s`ka pse të përdoret ai për të na dëmtuar. Fjala “Shqipëria e Madhe”, është sajesë e të huajve dhe mbetet krejt e huaj ndaj të vërtetave historike dhe të drejtave të shqiptarëve, e vënë në përdorim dashakeqësisht, për të na mbyllur gojën. Kështu na del sot një diplomaci e paprinciptë, e paskrupull, irracionale e groteske, e cila, fatkeqësisht, e tillë po vazhdon të vegjetojë. “Shqipëria e Madhe”, është një term i shpifur, propagandistik, i shpikur prej ish-bllokut nazi-fashist, më saktë, prej marrëveshjes Çiano – Ribentrop (qershor 1941), i përdorur edhe aktualisht me konotacion të mirëfilltë shovinist. Ishin Fuqitë e Bllokut, sipas gjeopolitikave dhe për interesat e tyre, me forcë dhe gjuhë imperialiste, i bashkuan Shqipërisë londineze disa mijë kilometra prej ish-trojeve të veta, po thela jo të vogla i ndanë Serbisë së Milan Nediçit dhe Bullgarisë së Car Borisit. Kështu, për herë të katërt veproi gjeopolitika imperialiste ndaj trojeve tona etnike si plaçkë tregu.