Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Ahmet Zogu i gatshëm të bashkëpunonte me këdo për të marrë pushtetin, ja ndihma që i kërkoi Titos për të rrëzuar Enver Hoxhën

Postuar: 07/02/2019 - 07:15

CIA ka treguar detaje nga ambicia e ish-Mbretit Zog për të rimarrë pushtetin. Lufta e Dytë Botërore e detyroi atë të braktiste vendin, por për vite e vite me radhë ai nuk rreshti së punuari për të larguar Enver Hoxhën. CIA ka treguar se si ai ishte i gatshëm të bënte marrëveshje me këdo që do i jepte mundësinë që ai të kthehej në pushtet.

Bashkëpunimi me Zogun

SHBA ka pasur mjaft interes për të vëzhguar negociatat e ish-Mbretit shqiptar me liderin komunist të Jugosllavisë, Tito. Nga burime agjenturore në Turqi, informohet mbi përbërjen e delegacionit të Zogut, i cili përbëhet nga një turk me emrin Tozani, Irfan Bej Ohri, një pasues i njohur i Zogut si dhe ish-Konsulli i Mbretërisë, Avni Dërhalla, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Sekret Britanik me mision informimin e britanikëve mbi mërgatën shqiptare në Turqi. Sipas burimit, delegacioni shqiptar i Zogut ka qenë i autorizuar për t’i kërkuar Titos armatosjen dhe përgatitjen ushtarake të 8000 kosovarëve me të cilët Zogu shpresonte të hynte në Shqipëri. Ideja e Zogut për krijimin e një ushtrie private me kosovarë nuk ishte e re. Dihet se Zogu kishte ardhur në fuqi me ndihmën jugosllave edhe në të kaluarën. Megjithëse faktorët politikë ishin shumë të ndryshëm, përsëri Zogu shpreson në një aleancë me komunistët jugosllavë për t’u rikthyer edhe një herë në Fronin Shqiptar. Duket qartë ideja dhe kërkesat që ish-Mbreti shqiptar kishte ndaj Titos, por Tito nuk ka qenë shumë i gatshëm për të përmbushur dëshirat e ish-Mbretit shqiptar edhe pse një forcë para-ushtarake kosovare e rekrutuar nga Tito, do të ishte një garanci e madhe për një qëndrim pro jugosllav të Mbretit shqiptar nëse ai vinte në pushtet. Elementi kosovar, i njohur për problemet e shumta që i sillte faktorit serb në pushtet, do të ishte një problem i madh për Titon nëse ai do të dërgohej me mision rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës. Përfshirja e amerikanëve në këtë mision i komplikon edhe më shumë gjërat, pasi Tito do ta kishte të vështirë për të kontrolluar rrjedhjen e ngjarjeve në Shqipëri nëse ky mision në fjalë do të kishte sukses.

Synimet e Zogut

Zogu tashmë pas gati 30 vjetësh kërkonte përsëri ndihmën jugosllave për t’u rikthyer në pushtet, megjithëse tashmë Jugosllavia udhëhiqej nga një lider i famshëm komunist. Me sa duket Zogu i njohur për pikëpamjet e tij pragmatiste kërkonte me çdo kusht çfarëdo aleati të mundshëm për t’u rikthyer përsëri në Shqipëri. Zbulimi i kësaj marrëdhënieje të Zogut me Jugosllavinë komuniste do të sjellë një këndvështrim të ri mbi rolin e Zogut në emigracion dhe do të rrëzojë pohimin e historianëve mbi qëndrimin e fortë nacionalist të Zogut kundër jugosllavëve. Me sa duket nga dokumentet e shumta, ka qenë Zogu ai që ka tentuar dhe ka krijuar lidhje me Titon duke i propozuar atij bashkëpunim me interesa të përbashkëta. Megjithatë, lëvizja e Zogut duhet parë në kontekstin historik të zhvillimit të ngjarjeve. Jugosllavia tashmë e shkëputur nga Blloku Sovjetik kërkonte një rrugë të pavarur nga rusët dhe si rrjedhim kishte filluar një bashkëpunim të heshtur me disa prej ish-armiqve ideologjikë. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe përpjekja e Titos për rrëzimin me çdo kusht të Enver Hoxhës, i cili tashmë ishte kthyer në një prej aleatëve më të ngushtë të sovjetikëve në luftën kundër Titos. Një Shqipëri mike e Jugosllavisë do të ishte një fitore e madhe për Titon, i cili kërkonte jo vetëm një prapavijë të qetë, por edhe një zbutje të problemeve që ai kishte në Kosovë. Për këtë arsye Tito ka autorizuar Shërbimin e tij të Fshehtë UDB për të filluar kontakte me inteligjencën amerikane dhe për të marrë pjesë nëse do ishte e mundur, në një operacion të përbashkët në rrëzimin e Enver Hoxhës dhe grupit të tij. Në këtë moment, ish-Mbreti Zog ka kërkuar të përfitonte nga ndryshimi i situatës politike dhe kërkon mbështetjen e Titos për të udhëhequr një sulm me armë ndaj Tiranës, ashtu siç kishte bërë gati 30 vjet të shkuara. Duket qartë se sipas dëshmisë së Gjeneralit Rankoviç, ish-Shefi i UDB-së dhe një prej figurave më antikosovare në Jugosllavi, UDB ka pasur kontakte të vazhdueshme me Mbretin Zog i cili strehohej në Egjipt. Po kështu, duket se Gjenerali Rankoviç nuk ka pasur ndonjë opinion të lartë mbi influencën që Zogu kishte ende tek shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në kundërshtim me pikëpamjen e Gjeneralit Rankoviç, amerikanët mendonin se Zogu kishte mjaft influencë ende në Shqipëri. Ka shumë mundësi që ky mendim bazohej në lojën që tashmë Shërbimet Shqiptare dhe ato Sovjetike kishin filluar të bënin me amerikanët, duke dërguar informacion jo realist mbi Shqipërinë nëpërmjet agjentëve të kapur dhe të rikthyer në rol të dyfishtë. Në dokumentet që vijnë nga pala jugosllave, duket se jugosllavët ishin shumë më të mirinformuar mbi situatën në Shqipëri se sa amerikanët. Në dokumentin e dytë flitet për një raport të ardhur nga Zyra e CIA-s në Romë, e cila konfirmon se lajmet për një Mision të Zogut tek Tito tashmë janë konfirmuar, si dhe japin edhe emrin e personit që do të kryejë këtë mision. Safet Lutfi Tozan, një personash enigmatik nga Turqia, i cili dërgohet nga Zogu në një mision kaq delikat.

30 qershor 1953

Plani i veprimeve agresive të operacionit

Në rrethana ideale objektivi i operacionit është përmbysja e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, deri në vjeshtën e vitit 1954. Duke parashtruar veprimet për t’u ndjekur para grushtit të shtetit, ne supozojmë se Greqia, Jugosllavia e Italia do të mbajnë një qasje bashkëpunuese dhe do të pranojnë të mos ndërhyjnë në Shqipëri, përveç rasteve kur u kërkohet asistencë. Në këto kushte rekomandimet tona do të ishin: Zgjerimi i menjëhershëm i Komitetit Shqipëria e Lirë për të përfshirë të gjitha fraksionet politike të emigrantëve shqiptarë, veçanërisht BKI dhe grupin e Ali Këlcyrës. Printimi i kartëmonedhave lek për furnizimin e agjentëve. Prokurimi i menjëhershëm i 5 nëndetëseve për të vendosur bllokadë të plotë të transporteve detare nga brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nëndetëset nuk duhet të kenë shenja dalluese si amerikane, por si mjete pirate pa flamur, dhe me ekuipazh vullnetarësh pa dokumente. Ato do të veprojnë nga Italia e Greqia, vende të cilat do të ndihmojnë në vendosjen e bllokadës duke ndaluar tregtinë me Shqipërinë. Rekrutimi dhe stërvitja e 1000 deri në 1500 shqiptarëve si forcë goditëse në kohën e grushtit të shtetit. Forca goditëse do të hyjë në Shqipëri nga Greqia e Italia, si dhe me mjete amfibe nga deti. Më tej në 1954 do të zhvillohen rekrutimet dhe infiltrimet sapo ta lejojë moti. Ekspertët tanë parashikojnë nisjen e aktiviteteve të rezistencës dhe të krijimit të një bërthame të stërvitur e cila të organizojë popullatën. Këta ekspertë do të veprojnë kryesisht në zonën e veriut ku tashmë ekziston një fillesë strukture rezistence. Ata do të furnizohen nga ajri me armë, municione e ushqime për revoltën. Ushqimi duhet të kihet parasysh në mënyrë që forcat e rezistencës të mos vuajnë nga bllokada ekonomike që pritet të vendoset mbi vendin. Në fillim të verës të merren peng ambasadorët shqiptarë në Romë dhe Paris, dhe të njoftohet me mjetet e propagandës klandestine se ata kanë dezertuar. Programi i fletushkave dhe transmetimeve radio të intensifikohet me komente gjithnjë e më të ndezura dhe referenca ndaj ditës së revoltës. Për të paktën dy muaj para grushtit të shtetit fletushkat të lëshohen çdo javë. Të infiltrohet në Shqipëri me mjetet më të sigurta, një agjent i nivelit të lartë amerikan me autorizim për të kontaktuar me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, të cilëve do t’i ofrojë deri në 500 000 dollarë dhe siguri për të ardhmen, në këmbim të dezertimit të tyre. Dezertimi duhet të përfshijë urdhrat për ushtrinë dhe sigurimit për të ulur armët në momentin e duhur. Transmetimet radio nga udhëheqësit e emigracionit të nxisin ndjekësit e tyre t’i bashkohen lëvizjes së rezistencës. Anëtarët e juntës ushtarake të lëshohen në Shqipëri për të drejtuar kryengritjen në ditën e caktuar. Deri në gusht 1954, veprimet e koordinuara të forcave të rezistencës dhe të forcës goditëse duhet të rezultojnë në përmbysjen e suksesshme të pushtetit komunist dhe vendosjen në fuqi të një qeverie të përkohshme të pranueshme sipas kujdesit të OKB. Gjatë këtij revolucioni forcat e stërvitura të rreth 4000 shqiptarëve që pretendohet se ekzistojnë në Greqi dhe Jugosllavi, së bashku me njësi të ushtrive greke e jugosllave, të qëndrojnë në gatishmëri në rast nevoje. Pas suksesit të operacionit ushtritë e huaja duhet të tërhiqen menjëherë jashtë kufijve të Shqipërisë. Flota e Gjashtë amerikane do të angazhohet në manovra në detin Jon dhe Adriatik duke asistuar në zbarkimet e mjeteve amfibe dhe duke ndihmuar revolucionarët nëse është nevoja. Flota nuk duhet të marrë një rol aktiv, përveç rastit kur thirret për ta bërë. Ajo do të mbetet në zonë për disa javë për të dekurajuar veprime hakmarrëse nga Bashkimi Sovjetik ose satelitët e tij. Më tej Shqipëria do të procedojë me zgjedhjen e qeverisë demokratike. Megjithëse disa nga rekomandimet e paragrafëve të mësipërm nuk janë thelbësorë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës, dashamirësia e qeverive jugosllave, italiane e greke janë të domosdoshme.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/02/2019 - 07:26

CIA ka nxjerr në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste. Sipas disa dokumenteve të dekalsifikuara, tregohet ajo se çfarë ka ndodhur ndër vite.

Postuar: 16/02/2019 - 07:07

CIA ka zbardhur detaje nga ligjërimet e liderëve komunistë në Shqipëri.

Postuar: 14/02/2019 - 07:05

Ishte Kongresi i Partisë Komuniste të Rumanisë në qershor 1960, vendi i planifikuar nga Shqipëria

Postuar: 13/02/2019 - 07:16

CIA ka treguar se si Shqipëria ishte kthyer në atraksion të shërbimeve inteligjente.

Postuar: 10/02/2019 - 07:41

 Dalin në dritë të tjera detaje mbi lëvizjet e shërbimit inteligjent amerikan gjatë regjimit