BREAKING NEWS

Zbardhet projekti për bazën e Kuçovës, amerikanët zbarkojnë në Shqipëri dhe u tregojnë dhëmbët rusëve, brenda 2023 nisin fluturimet e para

Zbardhet projekti për bazën e Kuçovës, amerikanët
x

Dossier

CIA hedh dritë mbi konfliktet Hoxha-Shehu dhe spastrimet në parti, ja si Tito doli kundër ndërhyrjeve ushtarake në Shqipëri

CIA hedh dritë mbi konfliktet Hoxha-Shehu dhe spastrimet në parti, ja

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet politike në Shqipërinë komuniste. Sipas disa dokumenteve të deklasifikuara për vitin 1952, Hoxha dhe Shehu kanë pasur përplasje të shumta mes tyre. Po ashtu tregohen dhe lëvizjet e Titos në raport me Shqipërinë.

9 korrik 1952

Shqipëri, gjendja e brendshme politike

Duke gjykuar nga raportimet e ardhura gjendja politike në Shqipëri mbetet e pandryshuar. Rivaliteti i ashpër mes Hoxhës e Shehut vazhdon prapa kuintave, por nuk ka shenja se mund të kemi së shpejti një përballje publike. Kongresi i dytë i partisë i mbajtur në mars 1952 zbuloi dështimet e regjimit komunist. Dy ministra u spastruan për inkompetencë dhe u ngarkuan në poste të ulëta partiake, që do të thotë se po përpiqen të rrisin disiplinën e partisë. Edhe pas këtij kongresi nisi fushata e spastrimeve të zyrtarëve, kryesisht për përvetësime fondesh, mungesë disipline dhe raste të tjera korrupsioni. Situata ekonomike, e cila prej muajsh ka qenë e dëshpëruar, nuk tregon shenja përmirësimi. Çmimet e ushqimeve janë të paarritshme për punonjësit e zakonshëm dhe shumë artikuj nuk mund të blihen. Në fund të dimrit BRSS u detyrua të dërgonte grurë për popullatën që po vdiste urie. Moska ka dërguar gjithashtu makineri për rritjen e kapacitete industriale, por dërgesat kanë qenë të ngadalta dhe shpeshherë të papërshtatshme për detyrat. Gjithsesi hidrocentrali Lenin dhe radiostacioni në Tiranë janë kompletuar, së bashku me disa punime rrugësh e hekurudhash, dhe vazhdon puna për tharjen e kënetës së Maliqit. Ka nisur ndërtimi i një hidrocentrali të madh mbi lumin Mat. Ushtria e Shqipërisë, e cila ka qenë nën kontrollin e rreptë të organeve të partisë, thuhet se është në proces zgjerimi. Raportime të sakta ende konfirmojnë se ajo përbëhet nga tre divizione, ndërsa lajme të tjera thonë se ato mund të jenë shtuar në pesë. Ushtria nuk është më në kontroll të aparatit të brendshëm të sigurisë, i cili tashmë kontrollohet nga Sigurimi dhe Policia e Popullit, ndërsa rojet kufitare janë ende nën kontrollin e ushtrisë. Këto organe nuk kanë ende besimin e plotë të qeverisë prej faktit se në polici bëhen reduktime me detyrim dhe se në ushtri ka disiplinë të ashpër.

Roli jugosllav

Raportime të kohëve të fundit tregojnë për një ndryshim të qëndrimit nga Jugosllavia, megjithëse ka dallime të qëndrimeve nga një zëdhënës te tjetri. Një vit më parë Tito ka kundërshtuar çdo veprim ushtarak ndaj Shqipërisë nga frika e reagimit dhe e akuzave të Bashkimit Sovjetik për konspiracion të Jugosllavisë ndaj Shqipërisë. Në të njëjtën kohë jugosllavët janë përfshirë në operacione të vogla infiltrimesh, dhe Tito i është përgjigjur negativisht një apeli të mbretit shqiptar Zog, duke thënë se aktualisht nuk ishte i gatshëm për të bashkëpunuar në përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Pra megjithëse raportimet kanë ndryshime, duket se aktualisht politika e Jugosllavisë drejt Shqipërisë është e tipit agresive pozitive. Në maj 1952 emisarëve të mbretit Zog në takimin me përfaqësuesit e Titos, iu tha se Jugosllavia nuk merakosej nëse Shqipëria është republikë apo monarki, por vetëm që ajo të jetë miqësore ndaj Beogradit, pasi një konflikt mes të dyjave mund të përshkallëzohet në luftë rajonale. Tito gjithsesi tregoi gatishmëri për të diskutuar plane të së ardhmes në përmbysjen e regjimit në Shqipëri, si dhe pranoi vazhdimin e bisedimeve në Turqi në korrik, të cilat nuk u realizuan. Më 26 maj gjatë një bisede me një zyrtar amerikan, Xhilas tha se Jugosllavia dëshironte një Shqipëri të pavarur dhe jo të ndarë mes Italisë e Greqisë. Ai shtoi se Jugosllavia nuk kishte kundërshtime nëse regjimi sovjetik i atjeshëm përmbysej dhe në fuqi vinin grupet demokratike. Ai tha gjithashtu se Jugosllavia nuk trembej se një ndryshim në Shqipëri mund të provokojë Rusinë. Në bisedën me të njëjtin burim, zv. ministri i jashtëm Leo Mates shprehu opinionin se Shqipëria nuk ia vlente nisjen e një lufte dhe se Rusia mund të ndërhynte nëse dëmtohej prestigji i saj në botën komuniste. Ndërsa ministri jugosllav në Romë i tha të njëjtit burim në 28 maj se nuk besonte se sovjetikët do të bënin diçka nëse përmbysej regjimi në Shqipëri, pasi provë për këtë ishte mungesa e një marrëveshje zyrtare e ndihmës reciproke mes dy vendeve. Në qershor një emisar jugosllav u takua në Romë me disa përfaqësues të BKI dhe deklaroi: “Tito do të përdorë forcën nëse është e nevojshme për mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë; Komunizmi, megjithëse është i nevojshëm për jugosllavët, mund të jetë i dëmshëm për Shqipërinë, Çlirimi i Shqipërisë mund të vijë vetëm nga Komiteti i Prizrenit, dhe se tentativat nga burime të tjera do të shkaktojnë vetëm gjakderdhje të panevojshme”. Ai shtoi se shqiptarët në Jugosllavi janë të gatshëm të përmbysin regjimin në momentin e duhur, dhe se BRSS nuk është i gatshëm të hynte në luftë për Shqipërinë. Operacionet e agjentëve jugosllavë janë shtuar kohët e fundit dhe të infiltruari po trajtohen gjithnjë e më mirë. Sipas një kabllogrami grek, raportohet se Athina do të preferonte më mirë që të ndante Shqipërinë sesa ta shihte të aneksuar nga Jugosllavia, dhe kjo reflekton në përgjithësi mendësinë greke ndaj problemit.

Operacionet

Që prej 1 prillit tre grupe janë infiltruar me sukses në Shqipëri nga toka, plus një grup anglo-amerikan që është infiltruar nga deti. Grupi që hyri për një kohë të shkurtër në veri të Shqipërisë nga Jugosllavia, kaloi aty dimrin dhe më pas dolën nga territori. Ata janë duke dhënë raportin e operacionet , të cilin po e presim. Tre anëtarë të një grupi të dytë të infiltruar, gjithashtu janë kthyer dhe kanë raportuar gjerësish mbi udhëtimin e tyre. Ata lanë pas katër anëtarë të grupit të tyre dhe përmbledhjen e deklaratave të tyre e kemi bashkangjitur këtu. Një grup i tretë është i infiltruar në Shqipëri prej dy javësh dhe prej tyre ende nuk kemi asnjë informacion. Operacionet e vitit 1952 kanë qenë në përgjithësi shumë më të suksesshme sesa ato të 1951, kryesisht prej kualitetit superior të agjentëve të rekrutuar. Në raportin e mëposhtëm përshkruhet gjendja aktuale brenda Shqipërisë dhe një panoramë e operacioneve të grupeve tona. Siç u përmend më sipër, raporti vjen nga 3 agjentët e rikthyer të grupit prej 7 personash që vepronte në Shqipërinë veri-qendrore. Individët u detyruan të tërhiqeshin prej kushteve të ushqimit, dhe gjithashtu pasi puna e tyre si udhërrëfyes për pjesën tjetër të grupit ishte kompletuar.

Detajet e raportit

Shumica e komunistëve besohet se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me çdo organizatë për përmbysjen e qeverisë, pasi janë të zhgënjyer me regjimin aktual, ata besojnë se BRSS nuk do të rrezikojë të hyjë në luftë për Shqipërinë dhe tremben se në rast të rënies së qeverisë Hoxha do të duhet të japin llogari te regjimet e reja që do të vijnë. Qeveria nuk i zë më bese as policisë dhe besohet se shumica e forcave janë në favorin tonë. Rreth 90 për qind e njerëzve besohet se janë të gatshëm të veprojnë në favor të një lëvizjeje serioze për përmbysjen e pushtetit, por ata kërkojnë garanci se nuk do të ketë tolerime territoriale ndaj Greqisë e Jugosllavisë, apo Italisë. Popullata është me të drejtë pak konfuze në lidhje me sponsorizimet e ndryshme ndaj grupeve të emigracionit dhe besojnë se nëse grupet nuk bashkohen në një front të vetëm, operacionet e tyre mund t’i bëjnë më shumë dëm sesa të mirë vendit. Qeveria ka bërë një propagandë të efektshme duke përfituar nga situata. Ajo akuzon Komitetin Shqipëria e Lirë se punon për llogari të Greqisë, me qëllim kthimin te Athina të Epirit të Veriut. Propaganda e Hoxhës thotë se grupet e sponsorizuara nga Itali kërkojnë të rivendosin përsëri hegjemoninë italiane, ndërsa grupet e sponsorizuara nga Jugosllavia kërkojnë t’i japin Kosovën Jugosllavisë. Agjentët e kapur i kanë raportuar autoriteteve emrat e atyre që i kishin ndihmuar, dhe shumë shqiptarë besojnë se është më mirë t’i dorëzojnë grupet e infiltruara te autoritetet. Grupet e dërguara nga Jugosllavia nuk kanë shumë influencë të popullatat, dhe as ato të dërguara nga Greqia nuk shihen me simpati. Ka grupe të vogla rezistence në shumë fshatra e qyteza, deri në njëfarë mase aktive, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur dhe nuk kanë kontakte me jashtë vendit. Disa kontakte të grupeve tona kanë shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me forca të jashtme, një prej tyre ishte anëtar i Sigurimit. Megjithë ndjenjat anti-qeveritare të popullatës dhe mosbesimin e qeverisë te policia, praj 1 marsit autoritetet u kanë dhënë armë fshatarëve në zonat kufitare. Rreth 100 pushkë janë shpërndarë në qyteza me rreth 500 banorë, me të cilat vullnetarët bëjnë roje prej orës 20.00 deri në 24.00, për të zbuluar grupet të infiltruara ose për të ruajtur që banorët të mos marrin fletushkat dhe furnizimet e lëshuara. Situata e ushqimit është shumë e rëndë. 1 kg bukë kushton 70 lek kur një punëtor i zakonshëm paguhet 75 deri në 120 lek në ditë. Grupet tona kanë arritur të mbijetojnë me anë të racioneve të tyre të emergjencës, pa iu nevojitur të kërkonin ushqim nga lokalët. Popullata ishte e kënaqur me idenë e ushqim3ve të lëshuara nga Komiteti Shqipëria e Lirë, por thanë se nga kjo kishin përfituar vetëm anëtarët e partisë, pasi askush nuk ishte lejuar t’i mbante pakot e mbledhura. Megjithëse qeveria njoftoi se ushqimet e lëshuara janë të helmuara, grupet thanë se kjo ishte besuar nga njerëzit. Dokumentet që kishin me vete grupet e kaluan provën e kontrollit, si me autoritetet që i ndaluan dhe nga miqtë e kontaktuar. Një nga grupet raporton se është e rëndësishme që grupe të ardhshme të pajiset me valutë shqiptare.