BREAKING NEWS

Ngjarje tragjike/ Policja ekzekuton 4 pjesëtarët e familjes dhe më pas merr vendimin ekstrem (Detajet e rënda)

Ngjarje tragjike/ Policja ekzekuton 4 pjesëtarët e familjes dhe
x

Dossier

CIA hedh dritë mbi rivalitetin mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, akuza për ngjashmëri mes kreut të PKSH dhe Titos

CIA hedh dritë mbi rivalitetin mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut,

Rivaliteti mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ka qenë tepër i hershëm. Edhe pse vdekja e këtij të fundit ka ngjallur shumë debate nëse u vra apo u vetëvra, është inteligjenca amerikane ajo që tregon se marrëdhëniet mes tij dhe diktatorit kanë qenë shumë të nxehta që në fillimet e regjimit komunist. Përmes një dokumenti të deklasifikuar, CIA në vitin 1951 raportonte se marrëdhëniet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ishin shumë të nxehta. Edhe pse në publik nuk kishte dalë asnjë informacion i tillë, sipas CIA, ata i mbanin të fshehta tensionet mes tyre, teksa një rol të rëndësishëm në përkeqësimin e marrëdhënieve kanë pasur sovjetikët. Sipas amerikanëve, Mehmet Shehu ishte një njeri i Bashkimit Sovjetik dhe ata donin më shumë atë se Hoxhën.

Rivaliteti mes Hoxhës e Shehut

Enver Hoxha, kreu komunist i Shqipërisë, thuhet se është në një beteje të ashpër popullariteti me të preferuarin e ri të Rusisë, gjeneralin Mehmet Shehu, sipas raportimeve të fundit të besueshme.

Arsyeja për këtë rivalitet, i cili mbahet shumë sekret, është vërtet unike mes vendeve satelite sovjetike. Hoxha, themeluesi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, e ka vënë emrin e tij si lider i forcave të rezistencës gjatë luftës. Ashtu si dhe Tito, ai ka qenë bashkëluftëtar me shumë bashkë-atdhetarë të tij, dhe për të ndihmuar ambiciet e tij si dhe për të përforcuar pushtetin pas ndarjes së Jugosllavisë me vendet e Cominform, Hoxha nisi të reklamonte veten si një tjetër Skënderbe, heroi kombëtar i Shqipërisë që ka luftuar kundër pushtimit turk rreth 500 vjet më parë. Si rezultat i suksesit të fushatës së tij, komunizmi në vend po personifikohet gjithnjë e më shumë me një person, Hoxhën.

Roli i sovjetikëve

Rusia e konsideron rritjen e popullaritetit të tij si të dyshueshme, prandaj preferon ta shpërndajë pushtetin e vendeve satelite te disa liderë komunistë, të cilët konkurrojnë me njëri-tjetrin, deri në një farë mase. Megjithëse Hoxha i spastroi pa mëshirë të gjithë titoistët nga Partia Komuniste e Shqipërisë, ngjasimi i tij personal me Titon sa i përket popullaritetit, mbetet objekt dyshimi për sovietikët. Për më tepër bashkëpunimi i ngushtë i mëparshëm i Hoxhës me Jugosllavinë gjatë kohës së luftës dhe menjëherë pas saj, ka gjasa të përdoret nga sovietikët kundër Hoxhës, sa herë që ata preferojnë të promovojnë Mehmet Shehun.

(Gjatë luftës, partizanët shqiptarë në dy divizione i shkuan për ndihmë forcave të rrethuara të Titos. Në vitet e pasluftës, hegjemonia jugosllave ishte një fakt i ditur në Shqipëri, i cili shprehej në shumë kompani të përbashkëta shqiptaro-jugosllave, ekspertët jugosllavë që punonin në Shqipëri, si dhe me ofertën e Titos për shkrirjen e dy monedhave për të përdorur vetëm dinarin jugosllav.) Gjenerali Shehu nuk ka një të kaluar të madhe politike, por ka mbajtur disa poste kabineti nën regjimin e Hoxhës. Ai është më pak inteligjent e më pak i arsimuar se Hoxha, por ka mbështetur hapur ambasadën sovjetike në Tiranë, e cila e konsideron si një të besuar të saj, aq më shumë sa i përket çështjeve ushtarake. Kjo përplasje e brendshme mes Shehut e Hoxhës është ruajtur e fshehtë për popullin shqiptar të cilët ende nuk kanë asnjë dijeni.

Operacionet nga Italia e Greqia

Aktualisht dega e jashtme është e angazhuar në dy operacione inteligjence kundër Shqipërisë dhe do të nisin një të tretë gjatë muajit qershor. Detajet e tyre listohen më poshtë: Plani I, operacione të përbashkëta me inteligjencën detare italiane për infiltrim të grupeve të inteligjencës në Shqipëri në rrugë ajrore. Organizata u kontaktua nga inteligjenca detare italiane në pranverën e vitit 1948 me propozimin për operacione të përbashkëta inteligjence në Shqipëri. Në korrik 1948, u dha aprovimi final për përkushtimin tonë në operacion, ku përfshihet edhe dhënia e një avioni C-47 për lëshimin e personelit dhe furnizimeve. Një oficer i shërbimeve italiane të inteligjencës ka punuar bashkë me grupin për zhvillimin e operacionit. Avioni C-47 erdhi në tetor 1948 dhe furnizimet e tjera u siguruan nga Gjermania e Zvicra.

Anëtarët e grupit u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi dhe transporti u sigurua nga CIA. Agjentët e dërguar në Shqipëri do të kontaktojnë me lëvizjet lokale të rezistencës me anë të liderëve të tyre, të identifikuar në memorandumet të datës 18 janar. Të gjithë individët janë kontrolluar në skedarët e CIA për informacione denigruese. Shqiptarët janë zgjedhur për arsye të lidhjeve të tyre familjare në rajonet qendrore të Elbasanit e Mirditës, ku është raportuar më parë për ekzistencën e grupeve të rezistencës. Në grupe përfshihen agjentë të besimeve myslimane dhe katolike. Lideri shqiptar në Itali i cili ka punuar në matinën italiane dhe CIA, është Ismail Verlaci.

Objektivi i parë i planit është infiltrimi i agjentëve nga ajri, të cilët të pajisur mjete transmetimi radio do të vendosin kontakte me grupet vendase të rezistencës, për të mbledhur informacione. Fillimisht ata do të vëzhgojnë situatën lokale dhe do të vendosin një bazë komunikimesh dhe marrjes së furnizimeve të lëshuara nga ajri.

Agjentët e rekrutuar

Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes. Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë. Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak. Më 24 prill Ismail Verlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoria në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.

Plani II

Një tjetër plan po përgatitet aktualisht në Itali dhe pritet të hyjë në fazën operacionale në qershor. Aktualisht agjentët, që me shumë gjasa do të lëshohen nga ajri, duket se nuk kanë shumë mundësi për propagandë apo krijim rezistence. Nëse në të ardhmen potenciali i tyre rritet, dega e OPC do të informohet.

Plani III

Ky plan është aprovuar më 1 mars 1949 dhe ka të bëjë me përdorimin e personelit nga organizata Keva, më e madhja e refugjatëve grekë nga Shqipëria e jugut (e njohur ndryshe si Epiri i Veriut) për mbledhjen e inteligjencës. Agjentët e këtij operacioni janë Stefanos Venakides, sekret i Keva, dhe një punonjës i bankës kombëtare të Greqisë, Nikolaos Pangos, zëvendës-president i Keva. Këta dy individë kanë punuar prej kohësh në infiltrimin e agjentëve në Shqipërinë jugore, dhe raportojnë për një total prej tetëmbëdhjetë agjentë në qytetet shqiptare të Gjirokastrës, Leskovikut, Përmetit, Vlorës, Koriza dhe Himarës. Aktualisht pesëmbëdhjetë korrierë janë të gatshëm për kalimet kufitare. Një listë prej njëzeteshatë agjentësh të njohur dhe korrierë nga organizata Keva, bashkë me vendndodhjet dhe punësimet e tyre, i është bashkangjitur dokumentit. Organizata Keva ka një rang të gjerë funksionesh, duke përfshirë aktivitete ndihmëse në Greqi dhe grupe rezistencë në Shqipëri, me një anëtarësi prej rreth 5000 njerëzish në Greqi dhe rreth 2300 në Shqipëri, sipas raportimeve.

Objektivat

Objektivat e këtij operacioni përfshijnë mbledhjen e inteligjencës mbi grupet e rezistencës në jug të Shqipërisë dhe programet e planet e tyre, të dhëna mbi portet e aeroportet, ndërtimet, si dhe mbi asistencën që Shqipëria i jep rebelëve grekë. Korrierët do të nisen në kufirin shqiptar për krijimin e rrjeteve të agjentëve. Bazat kryesore të këtij operacion janë në Athinë, por është planifikuar që ato të zhvendosen në Janinë. Pritet që grupet e para të korrierëve nën drejtimin tonë të nisen pas disa javësh. Ndërkohë, është marrë një numër i vogël lajmesh me vlerë, mbi aktivitetet e dy zyrtarëve të grupit Keva të identifikuar më sipër. Pritet që produktet e rëndësishme të këtij operacioni të rriten në mënyrë të konsiderueshme kur drejtimi dhe mbështetja jonë të ndjehen më shumë

Aktiviteti i Lidhjes Kombëtare të Maleve

Janë identifikuar liderët e mëposhtëm të Lidhjes Kombëtare të Maleve: Don Zef Oroshi, president; Haki Bushati, zëvendës-president; Jake Prel Jaku, sekretar; Karlo Coba anëtar; Ndrek Kakarriqi, anëtar; Sulejman Hafizi, anëtar; Gjon Daija, anëtar; Preng Kil Gjonmarkaj, anëtar; Liman Koldashi, anëtar; Don Frano Iliaj, anëtar. Në prill 1951, sekretari i lidhjes Jaku transmetoi apelin e shkruar për ndihmë ndaj kombeve demokratike perëndimore, të liderit të rezistencës shqiptare, teksti i të cilit ishte pak e shumë si më poshtë: “Një apel për të gjithë kombet e lira, demokratike e anti-komuniste! Megjithse jemi në dijeni të sakrificave të panumërta të popullit shqiptar në këto shtatë vite të gjatë nën regjimin barbar e të pashoq të komunizmit, dhe gjithashtu të vullnetit të pandryshueshëm të popullit shqiptar për revolucion kundër pushtetit aktual, ne gjithsesi besojmë se Shqiparia nuk mund t’ia arrijë të çlirojë veten e saj nga brenda, vetëm me forcat e mjetet që ka në dispozicion. Ajo ka nevojë për ndihmë nga jashtë, prandaj i drejtohemi Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë dhe kombeve demokratike, veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe mbretërisë britanike. Ne u bëjmë apel për të në dërguar mjetet e nevojshme, përfshi dhe armë e municione, në mënyrë që të realizojmë qëllimet për të cilat sakrifikuan jetën e tyre Mark Gjonmarkaj, Jup Kazazi, At Anton Arapi, At Lek Luli, Ndoc Mirakaj, Alush Lleshanaku, Halil Alia, Bahri Omari, Kol Tromara dhe Prek Cali. Ne besojmë se çështja shqiptare është e lidhur ngushtë me interesat ndërkombëtare politike e strategjike. Çlirimi i Shqipërisë do të zhdukë nga tokat e Adriatikut një pikë të rëndësishme të epidemisë së kuqe, që po përpiqet të depërtojë sa më thellë në Evropë. Të bindur se paeli ynë do të gjejë mbështetje te ju, ju kërkojnë të pranoni mirënjohjen tonë. Nënshkruar: Komiteti qendror, Lidhja Kombëtare e Maleve”.