Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Ja si Enver Hoxha mbante pushtetin me ndihmën e Nexhmijes dhe djemve të tij, shëndeti i diktatorit monitorohej nga mjekë japonezë e francezë

Postuar: 14/07/2018 - 08:16

CIA i ka kushtuar një vëmendje të veçantë gjendjes shëndetësore të diktatorit Enver Hoxha. Në një dokument të deklasifikuar dhe përkthyer nga gazeta, tregohet situata në vitin 1985. CIA tregon se si Hoxha monitorohej nga mjekë të huaj, ndërsa jepen dhe ide se kush do ishte pasuesi i tij. Po ashtu tregohet se dhe familja e tij kishte rol në mbajtjen e pushtetit.

Shkurt 1985

Burimi ynë është një shqiptar i arratisur në korrik 1984, pasi kishte kryer 10 vjet burg për një tentativë të mëparshme arratisjeje, e cila përfundoi në 1984. Informacioni i tij bazohet në bisedat në burg me ish-udhëheqësit shqiptarë të spastruar dhe të burgosur, si dhe nga njohuritë e tij personale. Para arrestimit të tij në 1974 për tentativë arratisjeje, ai kishte përfunduar shkollën e mesme teknike, kishte punuar në një uzinë dhe kishte shërbyer në një njësi ushtarake tankesh. Datëlindja e tij nuk është përcaktuar.

Tekst: Që prej vrasjes së kryeministrit shqiptar Shehu dhe eliminimit të qindra mbështetësve të tij në të gjitha degët e partisë dhe qeverisë, lufta për pushtet ka vazhduar me ashpërsi (Koment: Shehu raportohet se ka kryer vetëvrasje në 1981, por zhurmat e vazhdueshme nënkuptojnë se ai është vrarë nga Hoxha). Në të gjitha rrethe shqiptare flitet se Hoxha është i sëmurë, dhe besohet se ka zgjedhur si pasues kryetarin e presidiumit Ramiz Alia. Sido që të jetë Alia është kandidati më i fortë, pasi djemtë e Hoxhës, Sokoli dhe Iliri nuk kanë kurajo për të vepruar apo aftësi për të komanduar. Alia po përgatitet të zëvendësojë Hoxhën kur të vijë koha. Ndërkohë ai ka filluar të vendosë njerëzit e tij nga veriu i Shqipërisë në poste të rëndësishme, si ç janë sekretarët e partisë në Durrës, Vlorë, Gjirokastër e Berat. Nexhimije Hoxha është aktive si në qeveri dhe në parti, dhe vendi ende kontrollohet nga klani i Hoxhës. Vetë Enveri kalon shumicën e kohës në Himarë në jug të Shqipërisë. Në 1984 Ilir Hoxha djali i madh i Hoxhës, drejtonte dy ministri, atë të Brendshme dhe të Jashtme, ndërsa djali tjetër Sokol Hoxha, rreth 34 vjeç, u emërua në 1984 si këshilltar i tregtisë së jashtme, që do të thotë se ishte në kontroll të ekonomisë së vendit (Koment: Nuk mund të konfirmojmë masën e influencës ka në bijtë e Hoxhës në qeverinë shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk është njoftuar publikisht në postet e sipër-përmendura). Industria dhe bujqësia shqiptare është në gjendje të dobët, kryesisht prej mungesës së makinerive dhe pjesëve të këmbimit. Njerëzit duhet të presin në radhë të gjata për të gjitha ushqimet bazë si mishi, qumështi, vezët. Ndërsa për produkte si vaji i ullirit dhe peshku duhet autorizim. Ilaçet si anti-biotikët jepen vetëm për anëtarët e partisë dhe familjarët e tyre. Si pasojë e spastrimeve politike pas vrasjes së Shehut, u ndërtua një burg i ri, burgu 302 në Pllane të Lezhës. Këtu do të mbahen të arrestuarit e profilit të lartë si ish-ushtarakë dhe ish-anëtarë partie. Mes tyre është një ish-gjeneral i forcave ajrore, dhe gjithashtu Vasil Kati ish-zëvendës-ministër i tregtisë nga viti 1964 deri në 1975, i cili u transferua nga burgu u Burrelit në atë të Pllane-Lezhë. Deri në vitin 1981, ish-anëtarët e mëposhtëm të komitetit qendror dhe të ushtrisë, mbaheshin në burgun e Spaçit, nr. 303 pranë Tiranës:

1)      Todi Lubonja, ish-gazetar, sekretar i rinisë dhe anëtar i komitetit qendror. Lubonja është dënuar me 20 vjet burg në 1978 për deviacion politik.

2)      Fadil Pacrami ish-drejtor i propagandës së Partisë së Punës, anëtar i komitetit qendror, i dënuar me 20 vjet burgim për devijacion politik.

3)      Kiço Ngjela, ish-ministër i tregtisë (1954-1976) i dënuar për devijacionizëm.

4)      Gjeneral (Rahman) Perlaku, zv. ministër i mbrojtjes deri në vitin 1972

5)      Gjeneral ... Prodani ish-zv. ministër i mbrojtjes.

6)      Gjeneral ... Fejzo ish-komandant i forcave të armatosura

7)      Gjeneral (Malin) Ramohito, drejtor i drejtorisë politike në ministrinë e mbrojtjes deri në 1974.

 

Mars 1985

Gjendja shëndetësore e Hoxhës

Në 1974, profesor Xhuzepe Xorxoli, një mik i ... kirurg dhe specialist në sëmundjet e mushkërive, i cili vizitoi Hoxhën gjatë një vizite në Shqipëri, tha se Hoxha kishte diabet dhe probleme me qarkullimin e gjakut. Në 1976, Albert Zurani, mik i ngushtë i ..., vizitoi Shqipërinë me një grup biznesmenësh gjermano-perëndimorë dhe në një nga rastet u takua me Dr. Nikoll Shurbani, të cilin e njihte nga shkolla e mesme në Shkodër prej vitit 1938. Shurbani është specialist zemre dhe doktori personal i udhëheqësit Enver Hoxha. Shurbani i tha Zhuranit se Hoxha kishte probleme të vogla zemre dhe se trajtohej dhe kontrollohej vazhdimisht. Sipas Zuranit, Shurbani e kishte porositur Hoxhën të evitonte stresin dhe të kalonte dimrin në Himarë pranë detit. Shurbani ka mbaruar shkollën në Bolonja në 1943 dhe më pas ka bërë tre vjet specializimi në Moskë në fund të viteve 40-të. Në 1983 një doktor francez udhëtoi në Shqipëri për të vizituar Hoxhën, informacion ky që vjen nga dr. Angelo Sferaza, gjatë një bisede që bëri me .. në Romë më 1984. Në pranverë në 1984 dy specialistë japonezë të veshkave kishin udhëtuar drejt Shqipërisë për të vizituar Hoxhën. Gjatë ditës së paradës së vitit 1984 ... pa Hoxhën në TV dhe tha se Hoxha ishte plakur shumë brenda një viti. Gjatë kësaj parade për udhëheqjen ishin vendosur në podium kolltukë në vend të karrigeve, me qëllim për të kursyer lodhjen apo dhimbjen e Hoxhës. Parada zgjati rreth dy orë dhe Hoxha qëndroi i ulur gjatë gjithë kohës, dhe po ashtu dhe anëtarët e tjerë të Byrosë. Pamja e tij ishte e zbehtë dhe duart i lëvizte me vështirësi. Një tjetër faktor i rëndësishëm për shëndetin e udhëheqësit është se për shkak të gjendjes së tij ai nuk ka mundur të udhëtojë më dhe ka anuluar vizitat në qytetet e Shqipërisë. Në 1985 ... kishte shansin të takonte në Trieste N. Prendushi, që kishte ardhur po atë ditë nga Shqipëria. Mes temave të ndryshme, Prendushi përmendi dhe shëndetin e Hoxhës, për të cilin tha se iste në gjendje të rëndë dhe se askush nuk e ka parë në TV prej katër muajsh. Të tjera informacione mbi Hoxhën duhet të kemi prej Silvia Zorxoli Bekteshi , mike e ngushtë e ambasadorit shqiptar në Romë, e cila udhëton në Itali, Francë e Zvicër për të blerë ilaçet.

 

Nëntor 1971

Kongresi i 6-të i partisë

Kongresi i gjashtë i partisë së punës u mblodh në Tiranë nga 1 deri në 7 nëntor në një atmosferë entuziazmi të papërshkrueshëm. Përveç delegatëve shqiptarë në të merrnin pjesë dhe 26 delegatë nga partitë marksiste-leniniste të Evropës, Azisë, Amerikës Latine, Afrikës e Oqeanisë, të cilat vlerësuan kongresin dhe shprehën solidaritet të plotë me linjën korrekte të partisë shqiptare të punës. Dita hapjes së kongresit u shënua nga demonstrata festive popullore mbështetje dhe Tirana ishte mbushur me tinguj muzikore dhe vallëzime. Delegatët erdhën nga i gjithë vendi më 1 nëntor dhe kongresi ishte një tregues për unitetin shqiptar mes popullit dhe partisë. Në kongres kishte gjithashtu përfaqësues të rinisë dhe pionierëve, të cilët po marrin pjesë aktive në ndërtimin e socializmit. Në intervalet mes sesioneve të kongresit udhëheqësit e partisë diskutuan me delegatët. Shoku Enver përgëzoi organizatat rajonale për punën e tyre, të cilat u nderuan me flamurin e kongresit. Në kongres u zgjodh byroja e re politike dhe komiteti qendror i partisë, të drejtuar nga shoku Enver Hoxha. Më pas udhëheqësit e partisë dhe delegacionet e huaja vendosën kurora në varrezën e dëshmorëve. Gjithashtu më 8 nëntor u organizuar një takim me rastin e përvjetorit të themelimit të partisë komuniste ku morën pjesë më shumë se 100 000 punëtorë dhe qytetarë në mitingun e Tiranës. Sekretari i parë i partisë Enver Hoxha dha një fjalim të rëndësishëm.

Marrëdhëniet me BRSS, 1971

Pas lëvizjeve sovjetike në 1956 për përmirësimin e lidhjeve me Jugosllavinë, Moska raportohet të ketë ushtruar presion te liderët shqiptarë Hoxha e Shehu për të ndjekur edhe ata shembullin e saj. Në fjalimin e Hoxhës së vitit 1961, ai pranon se BRSS është përpjekur të bindë liderët shqiptarë të rehabilitojnë figurën e tradhtarit Koçi Xoxe. Hoxha thotë se kjo koinçidonte me një konferencë në Bashkinë e Tiranës në prill 1956 ku elementë oportunistë kishin tentuar të kryenin një “komplot” me inkurajimin e drejtpërdrejtë të revizionistëve jugosllavë. Por liderët shqiptarë me siguri i konsideruan këto lëvizje si tentativa të mundshme për përmbysjen e pushtetit të tyre , dhe zëvendësimin me persona më të pranueshëm ndaj Titos. Revolta hungareze në fund të 1956 dhe përkeqësimi i mëpasshëm i lidhjeve Jugosllavi-BRSS, rrjedhimisht zbutën dhe presionin sovjetik ndaj Hoxhës e Shehut. Në konferencën e 81 vendeve komuniste në Moskë në nëntor 1960, Hoxha deklaroi se BRSS ishte përfshirë në një komplot të brendshëm të zbuluar në gusht 1960. Ai shtoi se ambasadori sovjetik dhe stafi i tij në Tiranë po kryenin sulme mbi udhëheqjen me anë të elementëve të korruptuar, për të mbjellë panik brenda partisë. Për ta bërë më të qartë atë çka po thoshte ai shtoi se anëtarët e partisë Liri Belishova dhe Koço Tashko “kishin kapitulluar ndaj kërcënimeve të pandershme të Bashkimit Sovjetik”. Pas dështimit me përmbysjen e regjimit në Shqipëri, sovjetikët nisën të aplikonin presionin ekonomik, që kulmoi me ndalimin e plotë të ndihmës ekonomike e ushtarake. Kjo e vuri regjimin në një pozitë edhe më të vështirë. Qeveria e përballoi këtë me apel ndaj popullsisë për patriotizëm e sakrifica, deri në ardhjen e ndihmës kineze 1 vit më vonë. Kështu izolimi gjeografik që më parë ishte një pengesë për mbështetjen e plotë nga BRSS, tashmë funksionoi në favor të qeverisë shqiptare për përballjen me tentativat sovjetike për përmbysjen e pushtetit. Politikat e propagandës për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial kundër qëllimeve armiqësor të fqinjëve, mbeten ende nga linjat më të preferuara dhe më të suksesshme të qeverive shqiptare.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste. Në një dokument të vitit 1947 tregohet se që në atë kohë vendi ynë shihej si mjaft strategjik në Ballkan.

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.