Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Ja si regjimi i Enver Hoxhës shtetëzoi shtëpitë më 1949, anëtarët e partisë morën banesat më të mira, si nisi “lufta” ndaj klerit katolik

Postuar: 05/12/2018 - 07:00

Amerikanët kanë dhënë detaje nga procesi i shtetëzimit gjatë regjimit komunist. Përveç shtetëzimit të tokës bujqësor, Enver Hoxha shtetëzoi dhe banesat. CIA në disa dokumente të deklasifikuar ka dhënë detaje se si u shtetëzuan banesat dhe si bëhej ndarja e tyre. Aty tregohet se njerëzit e partisë morën shtëpitë më të mira.

Shkurt 1954

Procedurat e strehimit publik

Të gjitha shtëpitë dhe apartamentet në Shqipëri u shtetëzuan në vitin 1949 dhe nuk kishte agjenci private shtëpish me qera. Ndërsa të shpallurve reaksionarë iu shtetëzuan dhe mobiljet. “Seksioni i Strehimit” i cili varet nga komiteti ekzekutiv i partisë së qarkut bëri një census të të gjithë apartamenteve e shtëpive në Tiranë dhe qytete të tjera për të llogaritur masën dhe banorët e tyre. Seksioni i Tiranës pas një viti u zhvendos në ambiente më të mëdha prej numrit të madh të aplikuesve. Procedura normale e kërkesës së banimit niste me dërgesën e lutjes në zyrën e strehimit, që shkruhej me dorë në një copë të thjeshtë letër me një pullë 50 lekëshe, e cila regjistrohej në zyrë. Një nga tekstet standarde të përdorura për lutjen ishte: “Unë i nënshkruari ... bashkë me familjen time të përbërë prej kaq persona ..., nëpunës në ministrinë ... kam nderin të parashtroj kërkesën si më poshtë: Prej tre muajsh po jetoj në hotel se nuk kam banesën e nevojshme familjare, prandaj po bëj këtë lutje për zyrën kompetente për të më gjetur strehimin e përshtatshëm pasi nuk mund të përballoj hotelin dhe të ruaj vendin e punës. Ju lutem merrni kërkesën time në konsideratë. Hapi i mëtejshëm është pritja deri sa zyra e strehimit të caktojë vendin e banimit, që zakonisht zgjaste nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Nuk kërkohet dokumentacion tjetër pasi vetë zyra kontrollon informacionet me këshillin e lagjes dhe vendos për kërkesën e aplikantit. Kur zyra e strehimit cakton banesën, ajo e poston njoftimin në tabelën e njoftimeve. Aplikantët që njoftohen në tabelë marrin Autorizimin i cili është i shtypur me makinë shkrimi. Më pas personi e dorëzon autorizimin te Kryetari i Këshillit të Lagjes i cili e shoqëron personin te banesa në fjalë dhe i jep çelësat. Emri i personit shënohet më tej në listën familjare së bashku me anëtarët e familjes. Në dhënien e banesave kanë prioritet anëtarët e rëndësishëm të partisë dhe më pak rëndësi kanë nëpunësit e ulët ose punëtorët, të cilët transferohen nga një vend në tjetrin për arsye pune. Për anëtarët e partisë jepen dhe mobilje me çmime të ulëta nga zyrat e quajtura Pasuria e Shtetit, e cila mban mobiljet e konfiskuara nga reaksionarët dhe të tjera të shtetëzuara prej vitit 1949. Këto mobilje u jepen vetëm ministrave, sovjetikëve apo drejtorëve.

Dhjetor 1954

Marrëdhëniet BRSS-Jugosllavi

Pas vdekjes së Stalinit nisi një fushatë formale për përmirësimin e lidhjeve mes sovjetikëve dhe Jugosllavisë por ishte sipërfaqësore deri në fund të verës 1954. Në këtë kohë ata ndaluan propagandën anti-Tito dhe nisën të citojnë shtypin jugosllav në programet e tyre, si për shembull për kontributin jugosllav gjatë luftës kundër nazistëve. Jugosllavia gjithashtu ka nisur të lejojë fluturimet mbi hapësirën e saj të avionëve sovjetikë drejt Shqipërisë. Këto ishin shenjat e para të “aprovimit” sovjetik ndaj “heretikëve” jugosllavë që prej prishjes në 1948, dhe mund të kenë ardhur pas rivlerësimit të politikës së jashtme dhe afrimit të Jugosllavisë me Perëndimin. Veprimet miqësore vijnë pas një sërë hapjesh të tjera ndaj vendeve që kanë lidhje me Perëndimin, të cilat Moska shpreson të dobësojë. Liderët sovjetikë mund të shpresojnë se me joshjen e Jugosllavisë të inkurajojnë neutralitetin te vendet e tjera, duke inkurajuar teorinë e tyre të sinqeritetit dhe “bashkë-ekzistencës”, e cila do të quhej më vonë “revizioniste” nga Shqipëria. Në terma afatgjata, programi sovjetik mund të ketë si objektiv një rikthim të mundshëm të Jugosllavisë në orbitën sovjetike, ndoshta pas vdekjes së Titos. Edhe reagimi jugosllav ndaj joshjes sovjetike është një konfirmim i qëndrimit të tyre asnjanës mes Perëndimit e Lindjes. Bashkëpunimi i tyre me të dyja palët i jep Beogradit si ndihmën ekonomike e ushtarake të Perëndimit, ashtu dhe respektin e Lindjes. Në një qartësim të pozitës jugosllave, Tito ka deklaruar publikisht dhe privatisht se “nuk kthehemi te Moska” dhe se biseda të tilla janë pa kuptim. Ai ka specifikuar se Jugosllavia nuk do të reduktojë buxhetin e armëve dhe do të vazhdojë punën për krijimin e Aleancës Ballkanike. Kjo doktrinë duket se zbut rrezikun e një agresioni nga sovjetikët, duke treguar se Lufta e Ftohtë ka arritur në pikën e “ekuilibrit të fuqive”. Jugosllavia ka deklaruar se sovjetikët po zbatojnë politika të “relaksimit të tensioneve” në Evropë, në një kthesë nga politikat Staliniste. Në këtë kontekst, Jugosllavët kërkojnë që Perëndimi të negociojë me sovjetikët për problemet ndërkombëtare. Ndërsa një rikthim në orbitën sovjetike do t’u hiqte jugosllavëve mundësinë e ndihmës së Perëndimit apo të bashkëpunimit me vendet neutrale.

Prill 1957

Tito refuzon linjën e re sovjetike

Në një fjalim të 18 prillit, presidenti jugosllav Tito refuzoi komentet këshilluese të Kremlinit dhe sinjalizoi se nevojiten ndryshime madhore të politikave sovjetike në Evropën Lindore për një rikthim të mundshëm të marrëdhënieve të mira me Beogradin. Tito deklaroi se komentet e Hrushovit më 15 prill për nevojën e përmirësimit të lidhjeve, kishin nxitur një fije shprese, por ishin ndjekur nga sulmet e Suslov ndaj Jugosllavisë për “komunizëm kombëtar” dhe revizionizëm. Ai pretendoi se ishte gjithashtu i shqetësuar për provokimet e Shqipërisë dhe nxitjen e trazirave në komunitetin shqiptar të Kosovës, si dhe mundësisë së Hungarisë për të bërë të njëjtën gjë me minoritetin e saj. Në komentet që me siguri do të sjellin kundër-reagime, Tito tha se megjithëse liderët sovjetikë kanë korrektuar disa tendenca staliniste, ato përsëri janë të rrënjosura në politikën e tyre të përgjithshme me vendet e tjera. Tito shprehu vullnetin për të diskutuar problemet me logjikë, por shtoi se palët e tjera të ndalonin kritikat dashakeqe ndaj Jugosllavisë, sistemit të saj të brendshëm dhe marrëdhënieve me Perëndimin, të cilat sipas tij nuk do të ndryshojnë.

Partia Komuniste, aktivitete qeveritare

Partia Shqiptare e Punës e udhëhequr nga Enver Hoxha vazhdon të ndjekë politikat radikale të izolimit pa trazira të dukshme nga brenda. Udhëheqja dhe linja e përgjithshme politike duket se është aprovuar nga lideri sovjetik Hrushov gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri nga 25 maji deri më 4 qershor 1959. Me shumë gjasa Hrushovi u ka thënë shqiptarëve të rrisin përpjekjet për ndërtimin e vendit. Megjithëse përmirësimet e vogla të standardit të jetesës u kanë dhënë mbështetje popullore autoriteteve, partia gjithmonë i pret shfaqjet e opozicionit me masa të ashpra represive. Sipas raportimeve të refugjatëve, ekziston një masë disidence mes radhëve të partisë edhe pse ndaj simpatizantëve titistë vitet e fundit janë ushtruar masa hakmarrëse. Në një fjalim të 24 qershorit 1959 në Gjirokastër, Hoxha sulmoi si intelektualët e rinj dhe ata të vjetër, duke pretenduar se të vjetrit kishin ruajtur tendenca të borgjezisë së vogël, apo sjellje oportuniste e revizioniste. Ndërsa për të rinjtë, ai tha se nuk e vrisnin mendjen se çfarë po ndodh me shtetin, prandaj duheshin marrë masa për çrrënjosjen e kësaj mendësie që përplaset me politikat komuniste. Para se polemikat anti-jugosllave të zbuteshin, para vizitës së Hrushovit, në Shqipëri po zhvilloheshin disa gjyqe të të akuzuarve si spiunë jugosllavë. Mes “spiunëve” ishin dhe dy priftërinj katolikë, të cilët më pas raportohet se u burgosën. Prandaj do të ishte me interes që agjencia të zbulonte nëse ka klerikë të tjerë të arrestuar përveç të dyve, apo nëse regjimi ka nisur një fushatë të gjerë kundër klerit katolik. Do të ishte gjithashtu me interes të zbulohej nëse ekzistojnë grupe rezistence në vend, si manifestohen ato dhe a shqetësohet regjimi prej tyre.

Pika të tjera të hetimeve tona janë:

A pritet që Shqipëria të organizojë sistemin e arsimit të bazuar në modelin sovjetik të politeknikumeve? Nëse ndryshimet ndodhin në sistemin arsimor, si do të reflektohet jo te edukatorët, prindërit dhe nxënësit? A mendojnë shqiptarët se po shfrytëzohen nga Bashkimi Sovjetik, politikisht apo ekonomikisht? Cila është ndjesia e përgjithshme ndaj kontrollit sovjetik? Cili është reagimi ndaj raportimeve se raketat sovjetike mund të vendosen në Shqipëri? Sa sukses ka arritur regjimi në fushatën e tij anti-jugosllave? Nëse ka fituar mbështetje, a mos bazohet ajo vetëm në armiqësinë tradicionale ndaj jugosllavëve? Cili është konceptimi publik për Shtetet e Bashkuara? Çfarë pritjeje ka ndaj atyre që kthehen nga SHBA? Më 27 prill 1959 qeveria njoftoi për një seri uljeje çmimesh dhe rritje të cemit të shpërndarjes së prodhimeve bujqësore, të cilat së bashku mund të përmirësojnë standardin e jetesës së fshatarëve dhe mund të rrisin prodhimin bujqësor. Sa kanë influencuar këto masa opinionin publik?

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:10

Në vitin 1949 CIA po përdorte shumë tentativa për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Në një dokument të deklasifikuar së fundmi, tregohet se si u bashkëpunua me Italinë dhe Greqinë për të përmbushur misionet.

Postuar: 08/12/2018 - 07:17

Amerikanët kanë nxjerrë detaje se si regjimi komunist kishte në kontroll gjithçka.

Postuar: 07/12/2018 - 07:09

Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë me dhjetra operacione gjatë regjimit komu

Postuar: 06/12/2018 - 07:06

CIA u ka kushtuar një hapësirë proceseve gjyqësore që zhvilloheshin gjatë regjimit komunist.

Postuar: 04/12/2018 - 07:08

CIA ka deklaruar se Enver Hoxha në 10 vitet e para të pushtetit futi në burg më shumë se 10 për q

Postuar: 02/12/2018 - 07:36

Për regjimin komunist të Enver Hoxhës armiku më i madh i shqiptarëve ishte Amerika.

Postuar: 01/12/2018 - 09:50

CIA ka treguar detaje se si në veri të Shqipërisë shumica e popullsisë ishte kundër regjimit komu