Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Ja si u nda në tre klane qeveria komuniste në vitin 1950, amerikanët skeptikë për rolin e Hasan Dostit gjatë kohës që ishte ministër

Postuar: 13/09/2018 - 07:06

 CIA tregon me detaje se si qeveria komuniste nisi të përçahej në fillimet e saj. Në një dokument të deklasifikuar prej tyre tregohet se në vitin 1950 ishin krijuar 3 klane në të. Po ashtu tregohen detaje dhe për rolin e Hasna Dostit. Ai ndihmoi amerikanët në tentativat për rrëzimin e regjimit komunist, por një letër kundër tij ngriti dyshimet te amerikanët, të cilët nisën verifikimet mbi rolin e tij.

Aktiviteti politik

Pas ardhjes së Said Kryeziut në Nju Jork, janë mbajtur një seri takimesh mes tij Hasan Dostit dhe Nuçi Kotës në Nju Jork, për të bindur kryesinë e Komitetit Shqipëria e Lirë të zgjerojë përfaqësimin e saj. Një nga planet që po studiojmë është ai i shtimit të një përfaqësuesi i fraksionit të Këlcyrës nga Balli Kombëtar, mundësisht i një figure të pavarur e të pranueshme si Ndue Markagjoni, ndërsa një tjetër plan është zgjerimi i komitetit drejtus me gjashtë anëtarë të rinj. Është formuar një grup prej tre vetësh i Komitetit për rekrutimin e kandidatëve për aktivitete në Turqi. Kanë nisur gjithashtu veprimet për kundërveprimin ndaj kërcënimit të komitetit të refugjatëve shqiptarë të sponsorizuar nga Jugosllavia. Instrumenti jugosllav për çështjet shqiptare kohët e fundit ka mbajtur një konferencë në Prizren, e organizuar nga Dushan Mugosha, përfaqësuesi i plotfuqishëm i Titos për çështjet shqiptare, ku në linja të përgjithshme sinjalizohet vullneti i Beogradit për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Në konferencë u tha se “veprimi duhet të kryhet nga rrethet demokratike shqiptare të Jugosllavisë, dhe jo nga rrethet reaksionare shqiptare të Italisë, Greqisë apo të tjetërkund. Para kongresit, Nik Sokoli, kreu i lidhjes shqiptare jugosllave, i shprehu besimin Abaz Kupit se kishte mjaftueshëm terren të përbashkët për veprim mes Partisë së Legalitetit dhe Lidhjes jugosllave të Prizrenit, por nuk do të merreshin veprime deri në qartësimin e qëndrimit të Lidhjes jugosllave ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë të SHBA. Në lidhje me këto zhvillime KSHL është instruktuar të mbajë një qëndrim skeptik, duke mirëpritur krijimin e një tjetër grupi në shenjë të opozicioni ndaj regjimit të Hoxhës, por duke theksuar se KSHl është organizata e vetme shqiptare që gëzon mbështetjen e fuqive të mëdha. Me kërkesën e OPC, DASH po merr në konsideratë rekrutimin e ambasadorit tonë në Beograd për të tentuar të mësojë mbi qëllimet e vërteta të organizatës shqiptare të Jugosllavisë, duke i pyetur hapur autoritetet e atjeshme nëse kanë objektiva ndërhyrjeje në Shqipëri, apo nëse i tremben një reagimi të BRSS, siç kanë deklaruar. Edhe gjenerali Omar Bradly është instruktuar të përpiqet të mësojë prej jugosllavëve mbi çështjen, gjatë bisedave me përfaqësuesit ushtarakë.

 

Nëntor 1951

Letra e mëposhtme e marrë nga zyra jonë e Nju Jork vjen nga Alberto Malis dhe përmban akuza për Hasan Dostin. Qendra kërkon të informohet nëse ka baza për akuzat e bëra në letër nga zoti Malis. Letra akuzon Hasan Dostin për kolaboracionizëm si me gjermanët ashtu dhe komunistët, por duket se është nxitur nga urrejtja personale dhe jo në interes të popujve të lirë, prandaj nuk duhet të përdoret si bazë për veprime diskriminuese ndaj Dostit. Akuzat e përgjithshëm për kolaboracionizëm gjatë kohës së luftës në sipërfaqe mund të duken të rënda, por nuk konfirmojnë informacionet tona. Akuza specifike për furnizimin e gjermanëve me materiale ushtarake nuk është e verifikueshme. Ne besojmë se informacioni i dyshimtë i ofruar është i një observuesi me paragjykime. Është e vërtetë se në dhjetor 1941 deri në maj 1942, Dosti ka qenë ministër i Drejtësisë në kabinetin e Mustafa Krujës, i cili konsiderohet nga qeveritë më mizore të italianëve. Por raportohet se ai mori postin me këshillën e udhëheqësit të njohur Mit’hat Frashri, me shpresën se do të mund të parandalonte veprime hakmarrëse ndaj popullit shqiptar. Nga ky post ai kaloi si presidenti i gjykatës së lartë kriminale në maj 1942, dhe qëndroi deri në gusht 1943 kur u shkarkua për aktivitete anti-gjermane, të cilat kishin lidhje me rolin e tij në grupin nacionalist të rezistencës Balli Kombëtar. Edhe regjimi aktual, ashti si shkruesi i letrës, e akuzojnë Dostin për ligjin e dënimit me vdekje për ata që mbanin armë pa leje dhe për autorizimin e pushkatimit të dy partizanëve, që në fakt mund të kenë qenë terroristë komunistë. Qeveria e Hoxhës e akuzon Dostin si anëtar të “komitetit qendror të organizatës tradhtare kolaboracioniste të Ballit Kombëtar”. Por Dosti ka qenë pjesëmarrës në konferencën e 1943 për arritjen e marrëveshjes për rezistencën ndaj gjermanëve mes Ballit Kombëtar dhe frontit çlirimtar partizan, pas të cilës Hoxha ekzekutoi të gjithë pjesëmarrësit komunistë, duke i quajtur tradhtarë. Si presidenti i Partisë Shqiptare Agrare (emri i ri i Ballit Kombëtar) dhe i Komitetit Shqipëria e Lirë, Dosti ka një rol udhëheqës në përpjekjen anti-komuniste të shqiptarë në ekzil. Për arsye se disa anëtarë të familjes së tij janë ende në Shqipëri, Dosti hezitoi për disa kohë para se të pranonte presidencën e komitetit por u bind ta bënte atë për interesat e vendit të tij. Në këtë pozicion ai ka bashkëpunuar nga afër me kolegët amerikanë dhe nuk ka treguar asnjëherë urrejtje për racën anglo-saksone. Bazuar në këto fakte, duhet të merret parasysh roli i Dostit me Ballin Kombëtar gjatë kohës së luftës dhe aktivitetet anti-komuniste në Komitetin Shqipëria e Lirë, dhe jo një letër e tillë pa substancë të qartë.

Korrik 1950

Artikull i shtypit turk

Përçarje tre-palëshe mes komunistëve shqiptarë

Politikat e Moksës në Shqipëri kanë tërhequr vëmendje të konsiderueshme nga fuqitë botërore që prej ndarjes me Titos dhe grupit të Cominform. Situata tashmë pritet të kristalizohet pas rivendosjes së marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Një jave më parë SHBA raportoi se po kryheshin negociata sekrete në Romë mes delegacioneve shqiptare, britanike e greke. Ata pranuan se në Romë kishte një delegacion shqiptar, por thanë se ishte delegacion tregtarësh që kishin ardhur vetëm për bisedime tregtare. Por këto raportime duket se konfirmojnë faktin se ka pasur trazira në Shqipëri për arsye të rritjes së opozicionit. Megjithëse problemi zyrtarisht është mbyllur ka sinjalizime se udhëheqja shqiptare është në siklet prej disa kohësh dhe ndoshta kërkojnë të hyjnë në marrëdhënie me Perëndimin. Pas afrimit Greqi-Jugosllavi situata është bërë më e qartë se ndoshta Moska do ta braktisë Shqipërinë në fatin e saj. Ka raportime se diktatori shqiptar Enver Hoxha ka qenë në Moskë duke u lutur për ushqim dhe gjithashtu për forca ushtarake për të shtypur lëvizjen e rezistencës që po rritet në vend. Raportimet vijën në kohë negociatash sekrete mes Romës dhe Perëndimit. Në fakt Partia Komuniste Shqiptare ka një përçarje të trefishtë. I pari është grupi i Hoxhës i lidhur verbërisht me Moskën, grupi i dytë i përket rrymës nacionaliste titiste pro-jugosllave, i cili kundërshton çdo iniciativë të sovjetikëve dhe kërkon braktisjen e sistemit të kolkozeve (kooperativave) i cili nuk ka pasur sukses prej fillimit dhe që po e çon vendin në një katastrofë ekonomike. Me sa kuptohet gjatë kësaj përpjekjeje kanë ndodhur përplasje me armë që e kanë vënë pushtetin e Hoxhës në vështirësi. Ndërsa grupi i tretë i cili ia ka dalë me sukses të sigurojë postet qeveritare si rezultat i dobësisë regjimit, favorizon një orientim drejt Perëndimit. Anëtarët e ministrisë së tregtisë dhe të Byrosë Politike që ishin në takimin e Romës i përkasin këtij grupi. Reagimet e Perëndimit ndaj rrëmujës politike dhe ekonomike në Shqipëri duhet të llogariten mirë. Ka nga ata që thonë se kushtet e vështira ekonomike e bëjnë të volitshëm momentin për ndihma ekonomike dhe ndërhyrje për shkëputje të tij nga Perdja Komuniste e Lindjes. Beogradi insiston se nuk ka hyrë në negociata me Hoxhën dhe se nuk dëshiron të përshkallëzojë konfrontimin me sovjetikët. Po ashtu dhe fuqitë perëndimore nuk kanë dëshirë të përfshihen në Adriatik për të trazuar qetësinë relative në Ballkan, para se të qartësohet tërësisht lidhja e tyre me Jugosllavinë dhe problemi i Triestes.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/11/2018 - 07:08

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e Enver Hoxhës, kanë bërë në atë kohë që pjesëtarët e Sigurimit të Shteti të dilnin edhe jashtë vendit.

Postuar: 11/11/2018 - 07:35

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e

Postuar: 08/11/2018 - 07:12

CIA ka treguar detaje se si Shqipëria i shpalli armiq të gjithë shtetet që ishin krah Bashkimit S

Postuar: 07/11/2018 - 07:09

Amerikanët kanë dhënë detaje se si një numër i madh intelektualësh u bënë bashkë kundër regjimit

Postuar: 06/11/2018 - 07:10

Amerikanët i kanë kushtuar shumë rëndësi përplasjeve mes Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes.