Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Komunistët erdhën në pushtet me mashtrime, maskuan qëllimet e tyre të vërteta, më 1947 premtuan zgjedhje të lira dhe të ndershme

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive. CIA ka deklasifikuar disa dokumente për vitin 1947 dhe aty tregohet se si Hoxha dhe njerëzit pas tij arritën të ngjiten në pushtet. Sipas tyre, komunistët premtuan zgjedhje të lira dhe të ndershme, por që nuk ndodhi kurrë.

Studim Shqipëria

Gusht 1947

Sistemi aktual në Shqipëri e ka origjinën në zhvillimin e lëvizjes së rezistencës kryesisht pas pushtimit gjerman. Koha e vonshme e shfaqjes së tij ishte e leverdishme për degëzimin komunist të rezistencës i cili në kohë të caktuara kreu një luftë civile brenda luftës çlirimtare, me elementët nacionalistë që përbëheshin nga ish-pronarët e tokave, kleri, thuajse në të njëjtën mënyrë që luftuan dhe komunistët e Titos në Jugosllavi kundër mbështetësve të Mihailoviç. Ashtu si në Jugosllavi edhe në Shqipëri komunistët i maskuan qëllimet e tyre duke i bërë apel unitetit kombëtar e duke premtuar zgjedhje të lira, me të cilat fituan mbështetje më të gjerë se rivalët e tyre. Deri në tetor 1944 “Ushtria e Popullit” kishte çliruar tre të katërtat e vendit dhe Këshillat Çlirimtarë kishin marrë kontrollin e zonave të çliruara. Në nëntor 1944 qeveria e tyre u vendos në Tiranë dhe mori kontrollin e vendit. Temat e zakonshme të rezistencës vazhduan të trumbetoheshin në zgjedhjet e dhjetorit 1945 ku Fronti Çlirimtar fitoi bindshëm, edhe pse ishte e vetmja parti që u lejua të merrte pjesë. Vetëm pas votës regjimi zbuloi programin e tij specifik.

Regjimi aktual

Në regjimin aktual gjenerali Enver Hoxha është njeriu më i fuqishëm, i cii megjithëse merr urdhrat nga Kremlini duke kaluar më parë nga Jugosllavia, ushtron kontroll të gjerë në vend me anë të zyrave të tij si ministria e brendshme, ministria e jashtme, ministria e mbrojtjes. Bashkë me Hoxhën është një grup i ngushtë zyrtarësh elitarë që qeverisin vendin, mes të cilëve përfshihen gjenerali Koçi Xoxe, gjenerali Mehmet Shehu, Koço Tashko e Nako Spiru. Disa zyrtarë të tjerë që kanë qenë aktivë në organizmin e regjimit aktual janë zbritur kohët e fundit në role më të parëndësishme, për arsye të preferencave të tyre pro-perëndimore. Besnikëria e ushtrisë së vendit nuk vihet në dyshim. Qeveria bën gjithashtu drejtësi me anë të gjyqeve ushtarake të cilat trajtojnë çështjet e rëndësishme politike. Gjykatat civile lejohen të marrin vetëm rastet e vogla të vjedhjeve ose divorceve. Ndërsa gjykatat ushtarake janë me staf ish-partizan dhe komunistë të besuar, por pa trajnim juridik. Procedurat gjyqësore nuk ngjasojnë fare me ato perëndimore, kryesisht me faktin se gjykata supozon se i gjykuari është fajtor derisa të provohet e kundërta, dhe jo anasjelltas. Aktivitetet e policisë së sigurimit janë vetëm një degëzim i instancave ushtarake, të cilat me asnjë shqetësim për të drejtat e njeriut përdorin fuqitë e tyre të pakufizuara për kërkime, arrestime, kërcënime dhe heshtje të disidentëve. Një ish-ministër i arsimit ka deklaruar se në Shqipëri mund të ekzistojnë të drejta civile vetëm në kuadrin e “demokracisë së re” që drejtohet vetëm nga një grup politik dhe që lejon vetëm praktikumin e një ideologjie. Qeveria me anë të ministrisë së financave dhe të ekonomisë kontrollon jetën e njerëzve dhe gjithçka ka të bëjë me tregtinë e jashtme, çmimet, prodhimin bujqësor, shpërndarjen dhe taksimin. Kontrolli i qeverisë ushtrohet gjithashtu me anë të Komisioneve të Kontrollit që drejtohen nga një komunist i besuar. Këto komisione kanë fuqi të gjera hetimi mbi çdo agjenci të qeverisë dhe i japin prioritet kontrolleve mbi entet ose personave që nuk shfaqin mjaftueshëm simpati pro-komuniste. Qeveria kontrollon gjithashtu mediat dhe mund të sekuestroja aparatet private të radios. Regjimi gjithashtu ruan kontrollin me anë të sindikatave, organizatave të masave dhe të të rinjve.

Opozicioni

Si rezultat i politikave shtypëse dhe të terrorit, regjimi i Hoxhës ka humbur shumë mbështetje dhe tashmë llogaritet se rreth 80% e popullsisë kundërshtojnë regjimin komunist. Opozicioni më i fortë vjen nga elementët katolikë të cilët janë persekutuar më ashpër nga qeveria dhe si rrjedhim kanë humbur forcën e tyre si lëvizje opozicioni. Disa qindra banditë që operojnë në zonat malore të veriut të vendit i kanë rezistuar qeverisë qendrore por nuk janë të motivuar nga ide anti-komuniste. Megjithëse brenda vendit nuk ka rezistencë të organizuar, ekzistojnë dy grupe të organizuar që veprojnë jashtë Shqipërisë: Ish-mbreti Zog dhe rrethi i tij që janë strehuar në Egjipt po kërkojnë njohje nga fuqitë e mëdha si një qeveri ‘de jure’ në ekzil dhe pranohet si e tillë nga Turqia dhe Egjipti. Nuk besohet se mbreti Zog ka lidhje të forta në Shqipëri dhe as se përbën rrezik serioz për regjimin e Hoxhës, edhe pse lëvizja e tij Legaliteti kohët e fundit ka pësuar rritje në mbështetje. Grupi i Ballit Kombëtar besohet se është vetëm një pjesë e mbetur nga organizata e kohës së luftës me elemente të shpërndarë në Greqi dhe Itali. Në vitin 1947 anëtarësia e tij nuk i kalonte 300 vetët ndërsa kohët e fundit raportohet ka fituar më shumë fuqi. Regjimi i Hoxhës megjithëse është i papëlqyer nuk rrezikon pushtetin e tij. Kontrolli i ushtrisë dhe Sigurimit është absolut dhe deri tani ka shtypur me sukses çdo lloj opozicioni. Ndërsa rezistenca e armatosur në veri të vendit është e pafuqishme pa ndihmë nga jashtë. Vetë Hoxha është i ri, ambicioz dhe mjaftueshëm i zgjuar për të kuptuar se pozita e tij është e paprekshme nëse i përmbahet linjës së Moskë-Beogradit. Edhe nëse ai nuk është më i preferuar i fuqive të mëdha, administrata aktuale shqiptare do të vazhdojë të kryejë udhëzimet pa shumë ndryshime në personel. BRSS dhe Jugosllavia me shumë gjasa do të ofronin asistencë nëse përkeqësimi ekonomik kërcënon stabilitetin ekonomik të regjimit.

Ekonomia

Shqipëria është një vend i varfër prandaj qeveria ka vendosur kontrolle të ashpra mbi të gjitha aktivitetet ekonomike. Të gjitha pronat ish-italiane janë sekuestruar dhe shtetëzimi ka përfshirë të gjithë sektorët. Janë ndaluar tregtarët e pavarur dhe ndërmjetësit. Në 27 nëntor 1946 Shqipëria la peng pavarësinë e saj ekonomike duke nënshkruar marrëveshjen tregtare me Jugosllavinë. E paaftë për të qëndruar në këmbët e saj dhe e detyruar nga Kremlini të mos kthehet nga Perëndimi, me këtë akt ajo u bë satelit ekonomik i Jugosllavisë. Marrëveshja parashikonte monopole të ndërmarrjeve të përbashkëta shqiptaro-jugosllave, të stil të njëjtë me kontratat e bëra nga BRSS me satelitët e Evropës Lindore. Ajo përfshinte sektorët e hekurudhave, minierat, metalurgjinë, energjinë elektrike, anijet dhe import-eksportin. Çdo vend kishte pjesë të barabarta në këto kompani shtetërore dhe Shqipëria kishte të drejtë të blinte pjesën jugosllave të aksioneve pas 30 vjetësh. Jugosllavia do të jepte kapitalin e punës dhe pajisjet, në këmbim të gjysmës së interesit në ndërmarrjet shqiptare dhe në të drejtat e shfrytëzimit. Banka përbashkët shqiptaro-jugosllave do të vendosej në Tiranë, Jugosllavia do të specializonte teknikët shqiptarë dhe do të jepte asistencë teknike në bujqësor dhe industri. Rreth 80% e popullit shqiptar fitojnë jetesën nga bujqësia, por vetëm 12 për qind e tokës së vendit është e kultivuar, rreth 32 për qind janë kullota dhe rreth 20 për qind nuk është produktive. Pjesa tjetër rreth 36 % janë pyje. Metodat bujqësore janë primitive por nuk ka tregti dhe mjete marketingu. Shumicën e kohës bujqësia e fshatit ose e familjes ka vetëm diversitetin e disa të korrave lokale. Në të kaluarën Shqipëria ka arritur vetëmjaftueshmëri deri në 75 për qind për produktet ushqimore, pro kjo vetëm sepse standardet e jetesës janë më të ulëtat në Ballkan. Prodhimi kryesor është misri, e më pas vjen gruri, elbi, tërshëra, thekra. Vendi prodhon sasi të vogla orizi, patate, jonxhë, fasule, qepë e pambuk. Vendi është i varur nga importet e sheqerit dhe kafes dhe gjithashtu duhet të importojë pambuk dhe grurë. Eksportet kryesore janë ullinjtë, vaj ulliri, duhan e fasule, si dhe disa prodhime bulmeti, lesh, lëkura e pellushe. Regjimi i Hoxhës ka nisur një program ambicioz për rritjen e prodhimit bujqësor me reformën e tokës dhe kolektivizimin e bujqësisë. Rishpërndarja e tokës solli fillimisht një rritje të popullaritetit të Hoxhës pro si rezultat i saj prodhimi nuk u rrit por u zvogëlua.

Burimet natyrore

Shqipëria është relativisht e pasur me burime natyrore veçanërisht naftë, pyje dhe disa minerale metalike, por masa e burimeve nuk është përcaktuar kurrë me saktësi prej mungesës së komunikimeve, kapitalit, makinerive industriale dhe personelit të specializuar. Prodhimi i paraluftës i naftës në Shqipëri ishte rreth 158 000 ton dhe renditej i pesti në të gjithë Evropën. Rezervat llogariten në 12 milionë ton edhe pse mund të zbulohen depozita të reja. Italianët raportuan në 1942 se kishin prodhuar rreth 300 000 ton naftë. Megjithëse nafta shqiptare mund të jetë një vlerë strategjike për BRSS dhe satelitët e saj lindorë ka shumë faktorë të tjerë që reduktojnë interesin për të. Nafta bruto e prodhuar në Shqipëri ka nivel të lartë sulfuri dhe kthimin vajguri kërkon një proces të gjatë e të komplikuar. Para Luftës së II Botërore e gjithë nafta shqiptare eksportohej në Itali ku përpunohej në Bari. Shqipëria nuk ka kapacitete rafinimi ndërsa dhe fabrikat e rafinimit të Jugosllavisë nuk e përpunojnë dot naftën sulfurike shqiptare. Shfrytëzimi i burimeve të naftës pengohet gjithashtu nga teknikat e vjetruara të nxjerrjes dhe mungesa e pajisjeve shpuese dhe depozituese. Shqipëria ka gjithashtu depozita të konsiderueshme mineralesh veçanërisht hekur, krom, nikel, qymyr dhe asfalt (bitum). Ka gjithashtu sasi të vogla ari dhe magnezi por nuk besohet se këto po nxirren në sasi të konsiderueshme. Me përjashtim të asfaltit dhe qymyrit Shqipëria nuk mund t’i përdorë burimet e saj minerare deri në ngritjen e impianteve industriale të rafinimit. Në kushtet aktuale mineralet shqiptare përdoren vetëm për eksport, por dhe masa e tyre është e kufizuar nga mungesa e hekurudhave, makinerive dhe punonjësve të specializuar. Nëse nuk kthehet nga Perëndimi, Shqipëria duhet të mbështetet për asistencë te Jugosllavia dhe BRSS. Meqenëse dhe Jugosllavia ka depozita të mëdha hekuri, kromi, bakri e qymyri, ajo nuk pritet të devijojë kapitalin dhe forcën punëtore te Shqipëria. Pjesëmarrja jugosllave në ndërmarrjet e përbashkëta është e rregulluar me marrëveshje por nuk i jep asistencë Shqipërisë për të përfituar nga burimet e saj. Bollëku i fuqisë hidrike dhe pyjet relativisht të gjera janë gjithashtu një vlerë e Shqipërisë. Qeveria e Hoxhës po përpiqet të përshpejtojë elektrifikimin e vendit si pjesë e programit për rritjen e standardit të jetesës. Aktualisht vetëm nj hidrocentral në Korçë është në funksion ndërsa pjesa tjetër e elektricitetit gjenerohet me motorë me avull të cilat po shterojnë burimet e kufizuara të qymyrit dhe naftës. Zhvillimi i industrisë së prodhimit të drurit nga rreth 2 milionë hektarë pyje konifere, është ngadalësuar nga mungesat e makinerive, transportit dhe kapitalit.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/12/2018 - 07:26

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi organizimin për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 15/12/2018 - 07:11

CIA ka dhënë detaje nga misionet e saj për rekrutimin shqiptarëve, me qëllim përdorimin e tyre pë

Postuar: 14/12/2018 - 07:01

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin dhënë urdhër të prerë në vitin 1950 që Tito të mos kishte

Postuar: 13/12/2018 - 07:04

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi situatën pas çlirimi të Shqipërisë nga nazistët.

Postuar: 11/12/2018 - 07:08

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi arsyet që çuan në vendosjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe B

Postuar: 09/12/2018 - 07:10

Në vitin 1949 CIA po përdorte shumë tentativa për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 08/12/2018 - 07:17

Amerikanët kanë nxjerrë detaje se si regjimi komunist kishte në kontroll gjithçka.