Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Trafiku njerëzor në 1998 në Shqipëri i mirë-organizuar, vendi pikë traziti për gra të trafikuara nga Bullgaria, Moldavia, Rumania, Rusia e Ukraina

Postuar: 24/01/2019 - 07:15

Një ndër dokumentet më të fundit të deklasifikuara nga CIA është dhe një raport mbi situatën politiko-ekonomiko-shoqërore në Shqipëri në vitet 1998. Raporti flet mbi të drejtën e shqiptarëve për t’u organizuar, të drejtën dhe detyrimet për punësim, kushtet e punës, trafiqet etj. Madje, sa i përket trafiqeve, vendi ynë cilësohet se vend tranzit për femrat e trafikuara nga Bullgaria, Moldavia, Rumania, Rusia e Ukraina.

E drejta për t’u organizuar

Qytetarët e të gjitha fushave të punësimit, përveç atyre me uniformë, si policia e ushtria dhe disa punonjës të gjykatave, kanë të drejtë të organizohen dhe të negociojnë në mënyrë kolektive. Në praktikë sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e sektorit publik negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë, por ato nuk kanë pozitë të fuqishme pasi kushtet ekonomike janë të vështira dhe papunësia e lartë, si rezultat i rënies dhe shkatërrimit të infrastrukturës ekonomike gjatë episodeve të fundit të dhunës dhe grabitjeve. Prandaj negociatat kolektive janë shumë të vështira në këto rrethana, ashtu si dhe zbatimi i marrëveshjeve.

Ndalimi i punë së detyruar

Në kodin e Punës parashikohet ndalimi i punës së detyruar dhe në përgjithësi kjo nuk ndodh në Shqipëri, por trafikantët marrin peng gra për prostitucion dhe ka familje që shesin bijat e tyre, motrat apo bashkëshortet te trafikantët, kundër dëshirës së tyre. Ligji ndalon gjithashtu punën e detyruar të fëmijëve dhe përgjithësisht qeveria i zbaton këto kufizime, por ka raportime për raste fëmijësh që trafikohen apo detyrohen të punojnë si lypës apo prostituta jashtë vendit.

Mosha minimale e punësimit

Kodi i Punës cakton moshën minimale të punësimit 16 vjeç, si dhe kufizon tipet e punës që mund të bëhen nga personat deri në 18 vjeç. Fëmijët nga 14 deri në 16 vjeç mund të punësohen me kohë të pjesshme gjatë pushimeve verore nga shkolla. Arsimi deri klasën e 8-të ose në moshën 18 vjeç, cilado që të vijë e para, është falas dhe i detyrueshëm, por në zonat rurale fëmijët vazhdojnë të ndihmojnë familjet me punët e fushës. Gjithashtu në Tiranë dhe zona të tjera shihen shpesh fëmijë që shesin cigare ose ëmbëlsira në rrugë. Megjithëse ligji ndalon punën e detyruar të fëmijëve, ka pasur raportime për praktika të tilla.

Kushtet e pranueshme të punës

Rroga minimale për të gjithë punonjësit është rreth 50 dollarë (6700 lek) për çdo punëtor, e cila nuk është e mjaftueshme për një standard të pranueshëm jetese. Shumë punëtorë bëjnë punë të dyta, të cilat gjithsesi të vështira për t’u gjetur. Të ardhurat nga emigrant jashtë vendit janë shumë të rëndësishme për familjet. Ligji parashikon ndihmë sociale për të papunët, por kjo është shumë e kufizuar, si nga shuma që jepet ashtu dhe nga numri i personave të përfshirë. Rroga mesatare e punonjësve të sektorit publik është rreth 100 dollarë (13500 lek) në muaj. Është gjithashtu i konsiderueshëm ndryshimi mes rrogave mesatare të personave që jetojnë në fshat dhe atyre që jetojnë në qytet; një person që jeton në zonat urbane merr rreth 50% më shumë se ata që jetojnë në fshat. Të dhënat nga instituti ndërkombëtar i statistikave, tregojnë se në fshat më shumë se 20 për qind e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë. Në të gjithë vendin, rreth 17 për qind e popullsisë heton nën nivelin zyrtar të varfërisë. Nuk ka të dhëna për rrogat e sektorit privat, por raportohet të jenë pak më të larta se sektori publik. Kohëzgjatja maksimale ligjore e punës është 48 orë në javë, por në praktikë oraret caktohen nga individët ose me marrëveshje kolektive. Shumica punojnë 6 ditë në javë. Qeveria cakton standardet e shëndetit dhe sigurisë në punë, por ka fonde të kufizuara për të përmirësuar standardet në ndërmarrjet e mbetura shtetërore apo ato të sektorit privat. Në fakt kushtet e vendit të punës në përgjithësi janë të këqija dhe shpesh të rrezikshme. Dy raste vdekjesh janë regjistruar këtë vit në industrinë e ndërtimit dhe familjet nuk morën asnjë ndihmë financiare pasi punonjësit nuk ishin të siguruar. Kodi i punës liston detyrimet e sigurisë për punonjësit dhe punëdhënësit por nuk jep mbrojtje specifike për punonjësit që largohen nga puna prej kushteve të rrezikshme.

Trafiku i personave

Vendi nuk ka ligje që kriminalizojnë trafikun e personave dhe për këtë përdoren ligjet anti-pengmarrje. Trafiku i grave e vajzave për qëllime prostitucioni është një problem i gjerë. Shqipëria është vend burim dhe transit për trafikun e personave për prostitucion. OJQ-të llogarisin se ka të paktën 30 000 gra shqiptare që punojnë jashtë vendit si prostituta, shumë prej të cilave të detyruara nga të tjerë. Vendi është gjithashtu një pikë traziti për gra të trafikuara nga Bullgaria, Moldavia, Rumania, Rusia e Ukraina. Bandat kriminale rekrutojnë ose detyrojnë me forcë femrat të punojnë si prostituta jashtë shtetit, kryesisht në Itali e Greqi. Ka gjithashtu raportime se trafikantët marrin peng femrat për këtë qëllim, apo se anëtarët e familjeve ‘shesin’ bijat, motrat apo gratë kundër dëshirës së tyre te trafikantët. Qeveria ka pasur vetëm suksese të vogla në arrestimin e organizatorëve të trafiqeve njerëzore. Gjatë këtij viti ka pasur një ndryshim tendence në rrjetin e prostitucionit, teksa trafikantët shqiptarë po rekrutojnë prostituta nga Evropa Lindore të cilat shiten në disa duar trafikantësh për çmime si 1000 deri në 3000 dollarë dhe detyrohen të prostituojnë kryesisht në Itali e Greqi. Policia shqiptare ka ndaluar një numër të madh prostitutash të huaja dhe disa trafikantë shqiptarë, por dënimet kanë qenë shumë të rralla. Në shkurt policia shkarkoi një oficer të saj që ishte i përfshirë në rrjetin e trafiqeve ilegale, ndërsa në gusht organet e rendit shkatërruan një rrjet trafiku prostitutash nga Rusia, Moldavia, Ukraina e Rumania, të cilat dërgoheshin drejt Italisë. Policia ka ndaluar 13 prostituta dhe tre meshkuj në një motel pranë Shkodrës. Gjithashtu në gusht kryeprokurori Arben Rakipi tha se shefat e mafies italiane janë të përfshirë në trafikun njerëzor në Shqipëri, ndërsa në korrik policia shqiptare arrestoi Giusseppe Muolo, që i përket grupit mafioz të Italisë Jugore, Sacra Corona Unita. Të dhëna të tjera të mbledhura nga viktimat tregojnë se trafiku njerëzor në Shqipëri është i mirë-organizuar dhe personat mund të lëvizin viktimat e tyre me lehtësi nga një vend në tjetrin pa pengesa serioze. Trafikantët vjedhin dokumentet e identifikimit të viktimave në mënyrë që ato të mos mund të largohen. Raportohen raste të përdhunimit të grave të trafikuara, rrahjeve brutale dhe injektimit të detyruar të drogave. Në raste të tjera femrat mbahen në vende të izoluara, pa ushqim të rregullt dhe duke i mohuar gjumin. Ndërsa gratë e vajzat që i shpëtojnë trafikuesve të tyre më pas përballen me paragjykimin e ashpër të familjes dhe komuniteteve, çka e bën të vështirë që ato të martohen apo të rifillojnë jetën e tyre të mëparshme. Trafikimi i fëmijëve është gjithashtu problem. Kriminelët marrin peng fëmijë nga familjet e varfra ose nga jetimoret për t’i shitur për prostitucion apo rrjete të abuzimit homoseksual. Në maj gangsterë të prostitucionit në Vlorë vranë një vajzë 16-vjeçare gjatë një tentative pengmarrjeje. Fëmijët detyrohen gjithashtu të lypin. Një numër shoqatash mbrojtjeje të grave janë përpjekur të rrisin ndërgjegjësimin për plagën e rëndë të prostitucionit dhe krimet e lidhura me të. Shumica e punës për ndihmën ndaj viktimave të trafikut bëhet nga OJQ të vogla, të përbëra nga disa gra me pak burime dhe thuajse pa mbështetje të jashtme. Një nga OJQ-të organizoi një seminar dhe përgatiti një dokumentar televiziv, që pati njëfarë efekti mbi problemin e rëndë shoqëror. Në korrik 1998 në Tiranë u mbajt një konferencë madhore me titull “Trafiku i grave e fëmijëve: Dimensioni njerëzor dhe përgjegjësitë ligjore”, ku morën pjesë 130 përfaqësues, duke përfshirë OJQ, gazetarë, prokurorë dhe zyrtarë shtetërorë. Në shtator Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit dhe Departamenti Ndërkombëtar i Britanisë mbajtën një konferencë për problemin e trafikut me pjesëmarrjen e OJQ-vë kombëtare e ndërkombëtare.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/08/2019 - 14:44

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehmet Shehut. Përmes disa shkrimeve, “New York Times” ka treguar sulmet që Hoxha lëshonte pas Shehut edhe disa vite pas vdekjes së tij.

Postuar: 17/08/2019 - 18:00

 Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehm

Postuar: 16/08/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon përplasjeve në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 15/08/2019 - 07:14

Pasi prishi marrëdhëniet me Kinën, Hoxha humbi të gjitha ndihmat ekonomike.

Postuar: 14/08/2019 - 07:09

Amerikanët i kanë kushtuar rëndësi edhe Familjes Mbretërore.

Postuar: 13/08/2019 - 07:11

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi përplasjet mes Shqipërisë dhe Kinës në vitet 1978.

Postuar: 11/08/2019 - 07:39

Amerikanët kanë zbardhur detaje sa i takon përfaqësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të