BREAKING NEWS

Lajm fantastik! Shkencëtarët bëjnë zbulimin e bujshëm: Ky ilaç i zakonshëm ul rrezikun e vdekjes nga koronavirusi

Lajm fantastik! Shkencëtarët bëjnë zbulimin e bujshëm:
x

Dossier

CIA tregon detajet, ja si Ahmet Zogu rrëmbeu floririn gjatë arratisjes pas pushtimit italian, mbreti zotëronte xhevahire e llogari bankare

CIA tregon detajet, ja si Ahmet Zogu rrëmbeu floririn gjatë arratisjes

Mbreti Ahmet Zogu është kritikuar shpesh se u largua nga Shqipëria pas sulmit të italianëve duke marrë sasi të mëdha ari me vete. Deri më tani kjo është përfolur, por duket se gjithçka ka qenë e vërtetë, teksa dalin shifra reale se çfarë pasurie ka zotëruar ai pas largimit. Është inteligjenca amerikane ajo e cila, përmes një dokumenti të vitit 1949 tregonte mbi lëvizjet e Zogut. Në këtë vit CIA nisi lëvizjet për rrëzimin e regjimit komunist dhe ishte e gatshme të bashkëpunonte me të gjithë njerëzit që ishin kundër tij. Në dokument, i formatit pyetje-përgjigje, tregohet se Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria me shumë flori, xhevahire dhe kishte shumë prona e banesa jashtë vendit. Vlera e floririt kapte shifrën e 3 milionë dollarëve. Nga ana tjetër ai kishte në një bankë rreth 108 mijë dollarë, ndërsa 5 mijë të tjerë diku tjetër. Kishte banesë në Aleksandri dhe xhevahire. Por misteri më i madh është se sipas dokumenti të CIA, në këtë periudhë dokumentoheshin vetëm 750 mijë dollarë nga floriri, ndërsa pjesa tjetër ishte mister se ku kishte shkuar. Nga ana tjetër gazeta publikon një dokument po të vitit 1949 ku tregohen planet që kishte CIA për rrëzimin e regjimit. CIA në atë periudhë bëri me qindra lëvizje, por që në fund dështuan. Megjithatë një prej planeve ishte bashkëpunimi me italianët për të futur agjentë përmes ajrit.

19 shtator 1949

Sipas kërkesës për informacion mbi ish-mbretin e Shqipërisë Zog, zoti Church deklaroi informacionet e mëposhtme për të:

Asetet që kishte Ahmet Zogu

Ai ka 108 000 dollarë në bankën National City Bank, rreth 5000 dollarë në fondin Guaranty Trust, toka dhe një ndërtesë në Aleksandri me vlerë rreth 40 000 lira egjiptiane, xhevahiret e kurorës së Shqipërisë me vlerë rreth 200 dollarë dhe rreth 750 000 dollarë në flori nga rreth 3.000 000 që mori me vete nga Shqipëria.

Detyrimet që kishte

Zogu ka detyrim moral të japë 115 dollarë në muaj për gjyshen e gruas së tij. Ajo është 82 vjeç, jeton në SHBA dhe njihet si Madame de Strahl D’Ekna. Ai nuk ka detyrime të tjera në SHBA. Në vende të tjera duhet të kujdeset për 4 motrat e gruas së tij dhe vëllanë e saj, John Apponyi i cili vuan nga tuberkulozi në një sanatorium të Sicilisë. Më tej nuk di të them, miku i tij Faruk, mbreti i Egjiptit nuk e lë të futet në borxh në Egjipt.

-Burimet e të ardhurave në Shtetet e Bashkuara dhe mbështetja financiare

Asgjë nuk ka në SHBA, përveç llogarisë së tij në bankë. Ai nuk merr gjë nga shqiptarët këtu apo në vende të tjera.

-Kujt ia bën Zogu pagesat, në çfarë forme, në çfarë intervalesh?

Ai paguan gjyshen e gruas së tij 115 dollarë në muaj, pagesat bëhen një herë në dy-tre muaj.

-Njerëzit që merren me çështjet financiare në rrethin e Zogut

Kryeministri i tij dhe roja personale, Martini, mbikëqyr gjithçka. Operacionet e tij të tregut të zi kryhen nga Konti Aleksandër de Villa, një zotëri elegant dhe shumë dinak. Por Zogu kryen shumë nga punët vetë, teksa përkthimet i bën gruaja e tij Geraldinë.

-Si komunikon me Zogun kompania e zotit Church?

Vetëm zoti Church dhe askush tjetër nuk komunikon me Zogun. Shumica e komunikimeve bëhet me letra te zonja Geraldinë, asnjë herë të drejtuara Zogut. Për çështjet urgjente përdoret telegrami. Nuk përdoren ndonjëherë korrier, por Church e ka edhe këtë mundësi.

-Çfarë kontaktesh ka Zogu në SHBA?

Përveç gjyshes së gruas së tij, është dhe Joseph Blackburn, i martuar me motrën e Geraldinës, Virginia. Ndërsa gruaja e Church është bija e kontit Seher-Thoss, kreu i inteligjencës gjermane gjatë Luftës I Botërore. Mamaja e saj ishte një amerikane që u detyrua të kryente vetëvrasje nga Gestapo gjatë Luftës II Botërore. Me sa di unë Zogu nuk ka kontakte të tjera në SHBA.

-A ka ai përfaqësues ligjorë në vende të tjera?

Ka një avokat në Aleksandri, por emri i tij nuk njihet. Dokumentet e Zogut i shkruan Church dhe më pas ato shikohen nga avokati egjiptian.

-A ka ndonjë lidhje kompania e zotit Church me Shqipërinë aktualisht? Cilat janë kontaktet e Zogut në Shqipëri?

Kompania e Church nuk ka kontakte në Shqipëri. Zogu ka kontakte të vazhdueshme me individë klandestinë në Shqipëri. Georges Gog i cili kujdeset për sigurinë e Zogut shkon e vjen në Shqipëri, teksa anëtarë të botës së nëndheshme në Shqipëri vijnë shpesh në Egjipt.

-A ka regjimi aktual pretendime ligjore ndaj Zogut? Në çfarë shume? A ka mundësi që një pjesë e pasurisë së Zogut t’i jepet Shqipërisë nëse merret veprim ndaj tij?

Sigurisht që regjimi aktual pretendon rreth 3 milionë dollarë në flori që ai ka marrë, që me shumë gjasa janë para shtetërore. Zogu pretendon se po i shpenzon për oborrin e tij, por nga to vetëm 750 000 kanë mbetur. Askush nuk e di situatën e vërtetë ligjore apo tjetër.

-Cilat janë planet e Zogut për të ardhmen?

Zogu ka në plan të marrë një shtëpi në Francë verën që vjen dhe të kthehet në Aleksandri në dimër. Është i fiksuar me idenë e kthimit në Shqipëri për të nxjerrë jashtë sovjetikët nga vendi. Ai po kërkon ndihmën ushtarake e materiale të SHBA, por mendon se mund të mbledhë mjaftueshëm ushtarë arabë për të formuar një ushtri, pasi është shumë mik me mbretin Faruk të Egjiptit. Church thotë se mund ta kontrollojë Zogun, por dëshiron të shoqërohet nga një oficer ushtarak i rangut kolonel ose më lart, për të folur mbi çështjet ushtarake. Zogu e pëlqen shumë anën ushtarake.

3 maj 1949

Operacionet e inteligjencës në Shqipëri nga Italia e Greqia

Aktualisht dega e jashtme është e angazhuar në dy operacione inteligjence kundër Shqipërisë dhe do të nisin një të tretë gjatë muajit qershor. Detajet e tyre listohen më poshtë:

Plani I

Operacione të përbashkëta me inteligjencën detare italiane për infiltrim të grupeve të inteligjencës në Shqipëri në rrugë ajrore. Organizata u kontaktua nga inteligjenca detare italiane në pranverën e vitit 1948 me propozimin për operacione të përbashkëta inteligjence në Shqipëri. Në korrik 1948, u dha aprovimi final për përkushtimin tonë në operacion, ku përfshihet edhe dhënia e një avioni C-47 për lëshimin e personelit dhe furnizimeve. Një oficer i shërbimeve italiane të inteligjencës ka punuar bashkë me grupin për zhvillimin e operacionit. Avioni C-47 erdhi në tetor 1948 dhe furnizimet e tjera u siguruan nga Gjermania e Zvicra. Anëtarët e grupit u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi dhe transporti u sigurua nga CIA. Agjentët e dërguar në Shqipëri do të kontaktojnë me lëvizjet lokale të rezistencës me anë të liderëve të tyre, të identifikuar në memorandumet e datës 18 janar. Të gjithë individët janë kontrolluar në skedarët e CIA për informacione denigruese. Shqiptarët janë zgjedhur për arsye të lidhjeve të tyre familjare në rajonet qendrore të Elbasanit e Mirditës, ku është raportuar më parë për ekzistencën e grupeve të rezistencës. Në grupe përfshihen agjentë të besimeve myslimane dhe katolike. Lideri shqiptar në Itali i cili ka punuar në matinën italiane dhe CIAn, është Ismail Verlaci.

Infiltrimi i agjentëve

Objektivi i parë i planit është infiltrimi i agjentëve nga ajri, të cilët të pajisur me mjete transmetimi radio do të vendosin kontakte me grupet vendase të rezistencës, për të mbledhur informacione. Fillimisht ata do të vëzhgojnë situatën lokale dhe do të vendosin një bazë komunikimesh dhe marrjes së furnizimeve të lëshuara nga ajri. Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes.

Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Blloshmi të grupit të parë dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë. Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit, por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak.

Më 24 prill Ismail Verlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoria në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.

Plani II

Një tjetër plan po përgatitet aktualisht në Itali dhe pritet të hyjë në fazën operacionale në qershor. Aktualisht agjentët, që me shumë gjasa do të lëshohen nga ajri, duket se nuk kanë shumë mundësi për propagandë apo krijim rezistence. Nëse në të ardhmen potenciali i tyre rritet, dega e OPC do të informohet.

Plani III

Ky plan është aprovuar më 1 mars 1949 dhe ka të bëjë me përdorimin e personelit nga organizata Keva, më e madhja e refugjatëve grekë nga Shqipëria e jugut (e njohur ndryshe si Epiri i Veriut) për mbledhjen e inteligjencës. Agjentët e këtij operacioni janë Stefanos Venakides, sekret i Keva, dhe një punonjës i bankës kombëtare të Greqisë, Nikolaos Pangos, zëvendës-president i Keva. Këta dy individë kanë punuar prej kohësh në infiltrimin e agjentëve në Shqipërinë jugore dhe raportojnë për një total prej tetëmbëdhjetë agjentë në qytetet shqiptare të Gjirokastrës, Leskovikut, Përmetit, Vlorës, Koriza dhe Himarës. Aktualisht pesëmbëdhjetë korrierë janë të gatshëm për kalimet kufitare.