Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA tregon detajet, ja si rekrutoheshin agjentët shqiptarë në radhët e doganierëve në Portin e Durrësit, regjimi ekzekutonte këdo që zbulohej

Postuar: 13/10/2019 - 07:44

CIA ka treguar detaje mbi mënyrën se si rekrutonte agjentë në vendin tonë. Në një dokument tregohet rekrutimi i një doganieri në Portin e Durrësit. Po ashtu tregohet se si ekzekutoheshin nga regjimi komunist të gjithë ata që zbuloheshin që bashkëpunonin me agjencitë e huaja.

20 gusht 1954

Projekt i intensifikimit të përpjekjeve kundër Shqipërisë

Rojet doganore në Durrës

Burimi ynë në Durrës është identifikuar në seksionin I si lejtnant policie. Ekzistenca e tij erdhi në vëmendjen e burimit tonë me anë të një letre të bijës së shqiptarit që studion në Itali. Kontakti me të mbahet ekskluzivisht nga agjenti... Si ai dhe burimi thonë se kontrolli që ushtrojnë mbi të është i mjaftueshëm për të garantuar bashkëpunimin e të atit. Dhe në fakt ata janë të gatshëm të ekspozojnë “Luigino” ndaj rrezikut që ai paraqet. Edhe kultivimi i rojës së Durrësit u bë nga Luigino, gjatë ndalesave të anijes së tij në Durrës. Rojes iu dhanë fillimisht dhurata të vogla si cigare dhe shkrepëse. Në një nga takimet e fundit atij iu dha një radio dhe një kondensator, që kishte kërkuar. Edhe pse njohuritë e tij nuk janë të plota, burimi i ri në Durrës është në kontakt me një punonjës të legatës italiane. Kur në port ndalon anija e ‘Luigino” punonjësi i ambasadës vjen për të dorëzuar dosjen diplomatike. Makina me të cilën ai udhëton drejtohet nga një agjent i Sigurimit ndërsa këmbimi duket se kryhet diku në mes të rrugës. Besimi te burimi i ri i Durrësit shtohet prej një burimi të pavarur, që konfirmon informacionin e dhënë prej tij. Në një ndalesë në Durrës gjatë muajit korrik, Observuesit pa predha anti-tank që shkarkoheshin në port, të cilat përkonin me informacionin e burimit të Durrësit, se 20 000 predha kishin ardhur gjatë periudhës korrik gusht 1954. Observuesi në fjalë i anijes, nuk është fare në dijeni të burimit tonë të portit.

Bashkëpunimi me shërbimet greke

Në fillim të gushtit 1954... ka vizituar Athinën ku u konsultua me zyrtarët grekë të cilët nuk i identifikoi për ne. Ai raporton se diskutoi për një mision të përbashkët me grekët për mbulimin e vijës bregdetare me mjete vrojtimi e fotografimi, ndaj vijës bregdetare shqiptare.

Mjetet italiane të kapura nga shqiptarët

Gjatë qershorit ose korrikut 1954 mjeti italian S. Francesco hyri jo qëllimisht në ujërat shqiptare duke peshkuar. Ajo u kap nga roja bregdetare shqiptare dhe u dërgua në Vlorë, ku u mbajt me ekuipazhin për më shumë se 20 ditë. Ata u morën gjatë në pyetje si në grup dhe individualisht, nga shqiptarët me uniformë dhe një person civil që dukej se ishte eprori i tyre. Herë pas here shqiptarët me uniformë konsultoheshin me eprorin civil në një gjuhë që nuk ishte shqip, por besohet se ishte rusisht. Janë bërë tentativa për të marrë një raport të intervistës së italianëve pas lirimit të tyre dhe kthimit në Itali.

Mundësia e operacioneve të përbashkëta

Sektori nuk është në gjendje të vlerësojë opinionin e burimit se Shqipëria ka një rritje të pozitën në axhendën strategjike të Bashkimit Sovjetik. Por gjithsesi ka prova të shtimit të trafikut në porte dhe në punën e mbrojtjeve bregdetare. Materialet e mësipërme janë pjesë e diskutimit për aspektet e përgjithshme të projektit që ende nuk është përcaktuar në detaje. Burimi është informuar se kundër-operacioni ynë do të jetë një sipërmarrje e përbashkët, për të cilin ne duhet të identifikojmë burimin në Durrës dhe agjentin në Bari. Ndryshe nga herët e tjera ai i priti pozitivisht sugjerimet tona, prandaj besojmë se është e mundur të punojmë me të në formë bashkëpunimi në të ardhmen. Ai sigurisht është i sinqertë ne theksimin e nevojës së përshkallëzimit të përpjekjeve kundër Shqipërisë. Me administratën e kaluar ai merrte të gjitha udhëzimet nga eprorët, por tashmë mendësia e tij duket disi ndryshe pasi nuk është i impresionuar nga kompetencat e shefit të tij. Sipas tij situata e Shqipërisë nuk është vlerësuar si duhet. Në nivelin social ai është njëfarë snobi, e konsideron veten më të lartë se shefi i tij. Ky zemërim i tij duket se e ka nxitur të marrë iniciativën e propozimit të bashkëpunimit, si një mundësi për të zgjatur mandatin e tij në zyrë.

29 tetor 1951

Shtypi identifikon 33 spiunët e kapur

Shtypi shqiptar dha komunikatën e mëposhtme nga Ministria e Brendshme më 27 tetor.

Forcat shtetërore të sigurisë në bashkëpunim të ngushtë me popullatën kanë shkatërruar 33 spiunë jugosllavë dhe agjentë subversivë. Shërbimet sekrete jugosllave kanë rekrutuar, stërvitur, armatosur e financuar spiunët duke i dërguar në territorin shqiptar për të kryer aktivitete subversive. Penel Xhuta ngafshati Shtikë në Kolonjë, i arratisur në Jugosllavi, është një kriminel lufte, bashkëpunëtor i ngushtë i Muharrem Bajraktarit, i vrarë. Rahim Iliaz Shenu, nga i njëjti fshat, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i vrarë. Preg Keqani nga Kokdodaj, i arratisur në Jugosllavi si kriminel, i vrarë. Shpeno Sadiku nga fshati Nicaj i Tropojës, ish-xhandar, i arratisur në Jugosllavi si kriminel lufte, i vrarë. Nik Deli Lekaj, nga Lekbibaj i arratisur në Jugosllavi si kolaboracionist i kriminelit të luftës Nik Sokoli, i vrarë. Demir Shahini nga Cerava e Pogradecit, ballist i larguar në Jugosllavi si armik i popullit, i vrarë. Mark Ndue Pali nga Beran i Lezhës, i larguar në Jugosllavi si mbështetës i Zogut, i vrarë. Kurt Ademi me kombësi jugosllave, i vrarë. Sinan Çami nga Shkodra, i arratisur në Jugosllavi, si armik i popullit, i vrarë. Gjok Nikolla nga Ishulli-Lezha i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i vrarë. Ibrahim Kagnozi nga gryka Noks e Peshkopisë, oficer gjatë regjimit fashist, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i vrarë. Zef Dod Gega nga Perlati i Rrëshenit, i arratisur në Jugosllavi si kriminel lufte, i vrarë. Nikol Gjin Kola nga Gryk Lumi i Lezhës, i arratisur në Jugosllavi si kriminel lufte, i kapur gjallë. Razmi Shapovski nga Rade në Jugosllavi, i kapur gjallë. Hysen Voka nga Shqicen, i arratisur në Jugosllavi si kriminel lufte, vëlla i kriminelit të njohur Ramadan Voka, i kapur i gjallë. Pjetur Gjin Kola nga Perlati, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i kapur i gjallë. Rexhep Shaban Leka nga Blicaj e Peshkopisë, ish-xhandar i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i kapur gjallë, i plagosur. Zhivko Cabrilovski nga Dragocaj, Jugosllavi, ish-kryetar i komitetit të Dragocaj, i kapur i gjallë. Ndue Bardhok Gega nga Perlati, i arratisur në Jugosllavi si armik i regjimit, i kapur i gjallë. Rexhep Shaban Leka nga Blicaj nga Peshkopia, ish-xhandar i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i kapur gjallë i plagosur. Gjeto Rasani nga Tushi i Shkodrës, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i kapur i gjallë. Ndoc Dusha nga Prekali i Shkodrës, i arratisur në Jugosllavi si armik, i kapur i gjallë.

Islam Gafuri nga Luime e Kukësit, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i kapur i gjallë. Hajredin Rama nga Sumati i Peshkopisë, i arratisur në Jugosllavi, i dorëzuar nga presioni i forcave të sigurimit. Gjin Arapi nga Perlati, i arratisur në Jugoslavi, i dorëzuar. Elmas Islami nga Shtika e Kolonjës, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i dorëzuar. Berdo Berdaj nga Brata e Vlorës, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit, i dorëzuar. Gjashtë spiunë të tjerë që nuk janë identifikuar ende plotësisht gjithashtu janë vrarë. Dokumentet e gjetura te ta tregonin se ishin dërguar nga shërbimi jugosllav UDB. Të gjitha armët e dokumentet e gjetura te spiunët dhe agjentët subversivë të përmendur më sipër, janë në zotërimin tonë.

Fund

Më 27 tetor 1951 gazeta shqiptare “Zëri i Popullit” publikoi një artikull me titull “Marshimi drejt industrializimit” nga ministri i Industrisë Adil Çarçani, ku flitet për rezultatet e masave të marra nga Partia Komuniste në rritjen e prodhimit. Gjatë kësaj periudhe kanë lindur shqetësime të reja për industrinë, por falë ndihmës së madhe të BRSS dhe vendeve të tjera të demokracive popullore, industria e Shqipërisë pritet të ketë një zhvillim të konsiderueshëm në periudhën 5-vjeçare me rritje të prodhimit në tekstile, ushqime, materiale ndërtimi, energji e të tjera.

Plani për vitin aktual parashikon rritje të konsiderueshme të prodhimit industrial në të gjitha degët. Prodhimi i sheqerit do të rritet me 800 për qind në krahasim me vitin 1950, sapuni me 144 për qind, makaronat me 191 për qind, tekstilet me 199 për qind, këpucët me 150 për qind, çimento me 104 për qind”, tha ai.

25 tetor 1951

Dekreti i forcimit të kontrollit të radios

Agjencia Telegrafike Shqiptare

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë sipas propozimit të ministrit të Komunikimeve, ka lëshuar dekretin e mëposhtëm për ndryshime në nenin 10 në lidhje me aparatet radio dhe pagesën e licencave. Cilido që pas periudhës së shpjeguar në nenin 3 të dekretit, gjendet në zotërim të një radioje të padeklaruar, do të gjobitet 10 000 lekë. Kur deklarimi bëhet pas skadimit të licencës gjoba do të jetë nga 500 deri në 2000 lekë. Ata që lejojnë kalimin e afatit pas skadimit të datës së licencës do të gjobiten rëndë ose do të humbasin aparatet e tyre. Gjobat do të kalohen te zyrat lokale postare. Ky dekret hyn në fuqi më 31 maj 1951.

28 tetor 1951

Kapo flet në konferencën bujqësore

Konferenca e parë kombëtare bujqësore u hap dje. Delegacioni bujqësor sovjetik që po viziton Shqipërinë prej disa ditësh, mori pjesë. Duke folur në konferencë zv. kryeministri Hysni Kapo tha se mbledhja po mbahej në një kohë kur popullata po punonte shumë për të realizuar premtimet e bëra ndaj partisë dhe shokut Enver, për realizimin e planit shtetëror para afatit.

“Në pesë vitet e regjimit demokratik prej vitit 1946 kemi realizuar 13 herë planin e kooperativave dhe rritjen 200 për qind të numrit të familjeve në kooperativa. Fshatarët tanë punëtorë, kooperativat dhe sektorët shtetërorë janë mobilizuar dhe kanë realizuar detyrat e planit dy-vjeçar për bujqësinë”. Kapo tha më tej se misri do të zërë një vend të rëndësishëm në prodhimin kombëtar dhe se rezultate të mira janë arritur për të. Mbjellja e shumëfishtë e misrit sipas metodave sovjetike ka dhënë rezultate të mrekullueshme me rreth 45 kuintalë prodhim për hektarë. Ndërsa kultivimi i pambukut është diçka e re për Shqipërinë, por gjithsesi prodhimi po rritet. Kultivimi i panxhar sheqerit në fermat kolektive pranë Maliqit ka dhënë një prodhim prej rreth 390 kuintalë për hektarë, në krahasim me 190 kuintalë të parashikuar nga plani. Edhe kultivimi i orizit ka dhënë prodhime të kënaqshme. Përveç zonave tradicionale të kultivuara me oriz si Saranda e Elbasani, kemi bërë kultivim në shkallë të gjerë në Berat e Lezhë. Prodhime të kënaqshme janë marrë këtë vit dhe në lidhje me pemët e ullirit dhe qitros. Rezultate të kënaqshme janë arritur dhe në blegtori, teksa qendra zooteknike e Shkodrës ka arritur rekorde të reja në prodhimin e qumështit dhe përmirësimin e cilësisë së leshit me anë të shumimit të kryqëzuar. Kapo foli gjithashtu për detyrat e ardhshme të punonjësve bujqësorë në lidhje me planin e parë pesë-vjeçar. “Ka çdo mundësi për realizimin e planit pasi me miqësinë që ekziston mes popullit tonë dhe atij sovjetik, ne do të shmangim çdo tentativë të armiqve që tentojnë të bëjnë lojëra në vendin tonë”, tha ai.

14 shkurt 1954

Operacione në Shqipëri

Më datat 19 e 20 janar 1954 janë lëshuar në Shqipëri fletushka dhe artikujt të Komitetit Shqipëria e Lirë. Në fluturimet e veriut lëshimet janë bërë në Krujë, Burrel, diga e Matit, Pukë, Kukës, Okul e Bushat. Në fluturimet në jug janë përfshirë Terbaçi, Kanina, Selenica, Kukaj, Droshovica, Korça e Kurveleshi. Titulli i fletushkës ishte “Paralajmërimi i ushqimit” nga të cilat janë lëshuar 100 000 copë, sëbashku me 105 pako me ushqime. Çdo pako kishte 5 kanave ushqim të dehidratuar. Avionë hasën në zjarr kundërajror pranë Shkodrës dhe në lindje të Elbasanit. Diga e Matit ishte e ndriçuar mirë ndërsa Vlora ishte në errësirë.

Artikujt të organit “Shqipëria” i Komitetit Shqipëria e Lirë;

Ditëlindja e skllavëruesit të popullit

Tirana kujton se më 16 tetor është kujtuar ditëlindja e “shokut” Enver. Të gjitha gazetat e regjimit të kuq thurin elozhe për “udhëheqësin e partisë e të popullit” dhe harrojnë se ishte pikërisht ajo figurë meskine shkaku kryesor i të gjitha vuajtjeve e fatkeqësive të popullit tonë; ai është tmerr për këdo dhe nuk i kujton gjë tjetër popullit përveç urisë, skllavërimit e terrorit. Do të ishte më mirë për partinë gjakësore që një datë si kjo ta linte pa e kujtuar sepse kujtimi veçse ngacmon plagët e shpirtit të popullit në lëngim. Kjo është dhunim e përbuzje e djalërisë shqiptare që derdhi gjak për ta çliruar popullin e për ta parë të lumtur, jo të skllavëruar. Asnjë elozhe e propagandë nuk mund të mbulojë fytyrën e vërtetë të tradhtisë së Enver Hoxhës. Punët e tij tregohen me vepra dhe sot shqiptarët po vuajnë, s’kanë vuajtur kurrë. S’ka përbuzje më të madhe e as poshtërsi sesa të kërkosh këngë e hare nga buzëplasuri, që i ka sytë të mbushur me lot, që sheh që fëmija e tij ka uri e nuk di çti japë. Por s’ka fund poshtërsia komuniste! Prandaj, ndërsa meskinët që e rrethojnë këndojnë lavde Enver Hoxhës, i tërë populli betohet mbi flamur për t’i rrëzuar tradhtinë e fituar lirinë që të rrojë me nder e kryelartë në trojet e të parëve të tij.

Bukë amerikane kundër urisë ruse

Më 10 tetor të këtij viti u krye shpërndarja e artikujve ushqimore që presidenti Eisenhower i dhuroi banorëve të Gjermanisë Lindore. Gjatë 11 javëve u shpërndanë në Berlin 5.5 milionë racione. Megjithë pengesat e autoriteteve komuniste gjermano-lindorët morën 55 000 ton miell, 5000 ton dhjamë dhe 20 milionë kuti qumësht. Sipas lajmeve të fundit, rreth 80 për qind e banorëve të Berlinit Lindor kanë marrë 2 racione me ushqime. Mbas pak javësh do të nisë shpërndarje e re me ushqime e veshmbathje.

Rusët përbuzin “shokët” shqiptarë në Vjenë

New York Post e datës 18 gusht 1953 shkruan:

“... së fundmi disa të ashtuquajtur delegatë sindikatash shqiptare mbërritën në Vjenë. Këta vijnë më rrallë se përfaqësuesit e vendeve të tjera satelite të Bashkimit Sovjetik. Ata janë shqiptarë, vendi më i egër policor i administruar nga rusët. Ne rastësisht zbuluam se ku shkonin shqiptarët për të pirë kafe dhe u ulëm në një tryezë pranë tyre. Delegatët ishin të rinj nga mosha, të veshur keq, por kraharorin e kishin plot me nishane. Me ta ishin dhe katër udhëheqës. Dy prej shqiptarëve flisnin mirë gjermanisht. Deshëm të mësonim prej tyre ndonjë gjë për gjendjen e brendshme të Shqipërisë, pasi disa ditë më parë Pravda ruse kishte shkruar se sistemi sovjetik dhe kapitalizmi mund të bashkëjetojnë. I pyetëm: A mendoni se Mehmet Shehu është në gjendje të rrëzojë Hoxhën? Delegatët pinë me të shpejtë kafen dhe ikën menjëherë, bile as bakshish nuk i lanë çunit që shërbente.

Për të qarë e për të qeshur

Kur Enver Hoxha mbushi 3 vjeç, i ati Mullah Halili e mbylli në një dhomë dhe i vuri përpara Kuranin, një mollë dhe 1 napolon. Halili mendonte: Nëse Enveri merr Kuranin do ta dërgoj në medrese të bëhet hoxhë, nëse ha mollën atëherë do ta dërgoj në shkollën e bujqësisë dhe nëse merr napolonin do ta bëj tregtar ose bankier. Kur Mullah Halili pas 10 minutash hyri në dhomë gjeti Enverin ulur mbi Kuran, duke mbaruar së ngrëni mollën, ndërsa napolonin e kishte futur në xhep.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit