BREAKING NEWS

Gjykata Supreme i jep ‘goditjen’ e rëndë George Sorosit, i bllokon fondet me vendim të prerë (Përplasja mes organizatës dhe Kongresit)

Gjykata Supreme i jep ‘goditjen’ e rëndë George Sorosit, i
x

Dossier

CIA tregon detajet për rivalitetin HoxhaShehu, rolin që kishin sovjetikët dhe grupet jashtë Shqipërisë që dolën kundër regjimit

CIA tregon detajet për rivalitetin HoxhaShehu, rolin që kishin

CIA ka hedhur dritë mbi vitet e para të aleancës Shqipëri-BRSS. Shqipëria u rreshtua krah sovjetikëve, por që ata futën duart në të gjithë aparatin shtetëror. Sipas CIA, ka pasur rivalitet të lartë dhe mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Pozita shqiptare ndaj BRSS

Pas vendimit të Hoxhës për t’u bashkuar në bllokun sovjetik pas prishjes së Jugosllavisë me BRSS në 1948, teknikët jugosllavë që kontrollonin aparatin shtetëror shqiptar u akuzuan për shfrytëzim kolonial dhe u përjashtuan. Ata u zëvendësuan nga rusët dhe në masë më të vogël nga personel i vendeve të tjera satelite. Kreu i misionit sovjetik në Shqipëri është Dimitri Çuvakin, i cili raportohet se gjithashtu drejton aktivitetet e spiunazhit në vend, kontrollon policinë me anë të ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu që është instruktuar në Moskë dhe me anë të ministrave të tjera shqiptarë, secili prej të cilëve ka një këshilltar sovjetik të përhershëm në zyrë. Misioni ushtarak sovjetik drejtohet nga Ioakin Sokolov, i cili kontrollon gjithashtu të gjithë ushtrinë shqiptare me anë të oficerëve sovjetikë të atashuar në të gjithë njësitë. Gjithsesi duhet theksuar se në Shqipëri nuk ka njësi luftimi sovjetike dhe as njësi që mund të zhvillohen në trupa ofensive. Në janar 1951, u raportua në Shqipëri prezenca e personelit sovjetik të aviacionit. Ndërkohë incidentet kufitare me Jugosllavinë ishin në rritje. Megjithëse me ndarjen nga Jugosllavia, Shqipëria la një aleat të vlefshëm, kjo duket se forcoi dorën e Hoxhës te pushteti. Musolini në vitin 1941 kishte aneksuar Kosovën duke e bashkuar atë me Shqipërinë dhe rikthimi i saj te Jugosllavia në 1944 dëmtoi prestigjin e Hoxhës dhe solli siklet në marrëdhënien e tij me Titon. Ky problem u shua tashmë që Shqipëria dhe Jugosllavia ishin në kampe të kundërta. Ndarja i dha gjithashtu mundësinë Hoxhës të eliminonte të gjithë komunistët e afërt me Jugosllavinë, shumë prej të cilëve kishin influencë të konsiderueshme në parti. Këta Hoxha i zëvendësoi me njerëz të besuar. Besohet se Koçi Xoxe kishte organizuar një grup konspiracioni në bashkëpunim me njerëz që kishte poste në partinë shqiptare, në administratë e në ushtri. Shumë prej këtyre njerëzve u eliminuan gjatë spastrimeve, por sigurisht që mbeten ende të tjerë pro-jugosllavë në poste drejtuese, të cilët përfaqësojnë një kërcënim të vazhdueshëm për qeverinë Hoxha-Shehu.

Rivaliteti Hoxha-Shehu

Zhurmat për rivalitetin mes Mehmet Shehut që ka studiuar në Moskë dhe ish-mësuesit Hoxha, ende nuk e kanë manifestuar veten. Ata të dy i kanë konsoliduar postet e tyre në kurriz të elementëve të moderuar, pas spastrimeve të ministrit të Drejtësisë, Manol Konomi dhe zv. kryeministrit Tuk Jakova. Megjithëse pasojat e rotacioneve të kabinetit pas shpërthimit të bombës së shkurtit 1951 në ambasadën sovjetike nuk janë përcaktuar ende, rritja e fuqisë së Shehut erdhi me dekretin “anti-terrorist” të kaluar pak pas shpërthimit nga presidiumi, i cili parashikonte dhe ekzekutime pa gjyq. Për sa kohë që BRSS vazhdon të japë mbrojtje dhe drejtim, fraksioni pro-sovjetik në Shqipëri duket i stabilizuar mirë, prandaj nëse BRSS vendos të braktisë postin e tij perëndimor në Adriatik, me shumë gjasa do të kishin një sfidë të suksesshme ndaj regjimit aktual.

Infrastruktura

Rrugët dhe hekurudhat e Shqipërisë janë primitive dhe të vështira për t’u mirëmbajtur apo për t’u zhvilluar, prej terrenit të vështirë. Hekurudha e vetme e vendit lidh Elbasanin, Tiranën, Durrësin e Peqinin. Mjetet e hekurudhës janë shumë të vjetra dhe shpeshherë kur ajo është jashtë funksioni importet duhet të sillen nga Durrësi me kamionë. Rrugët kryesore që lidhin qytetet e rëndësishme si Shkodra, Tirana, Vlora e Gjirokastra janë riparuar dhe mund të përdoren nga ushtria zonat në zonat fushore bregdetare. Rrugët verilindore drejt Kukësit apo nga Durrësi drejt Bilishtit janë më të vështira për t’u mirëmbajtur pasi kalojnë në terrene të vështira malore. Rrjeti i komunikimeve është një nga prioritetet e planeve sovjetike në Shqipëri, së bashku me zhvillimin industrial dhe hekurudhat. Megjithëse kërcënimet e rreme ndaj pavarësisë së Shqipërisë po shfrytëzohen nga sovjetikët si justifikim i agresioneve në Ballkan, nuk ka shumë gjasa që ofensiva të tilla të nisen nga Shqipëria, për arsye të ekonomisë së saj primitive dhe izolimit ndaj furnizimeve.

Partitë shqiptare

Katër nga partitë e shqiptarëve në emigracion tashmë po bashkëpunojnë me SHBA në operacionet klandestine kundër regjimit të Hoxhës, nën mbulimin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë. Në anëtarësinë e tyre ato supozohet të përfaqësojnë grupet e shtypura brenda Shqipërisë. Balli Kombëtar është grupi më superior në Komitet, i formuar gjatë kohës së pushtetit gjerman me elementë nacionalistë, influenca e të cilit shtrihet kryesisht në zonat jugore e qendrore. Por që prej verës së vitit 1950, BK është ndarë në dy fraksione. Fraksioni konservator është ai i drejtuar nga Ali Këlcyra ndërsa grupi tjetër përfaqëson tendencat agrare socialiste. Balli Kombëtar ishte partia e parë që u mund nga forca e armëve të komunistëve në 1943. Me sulmin e tyre komunistët detyruan ballistët të pranonin ndihmën e gjermanëve dhe postet në qeverinë e Tiranës, me qëllim që të mbroheshin nga grupet komuniste. Më vonë komunistët përdorën të njëjtat taktika dhe ndaj grupeve të tjera të rezistencës, si ai i Abaz Kupit, që tashmë përfaqëson Partinë e Legalitetit në Komitetin Shqipëria e Lirë. Kupi dhe grupi i tij, ndryshe nga shumica e komunistëve apo anëtarëve të Ballit, janë liderë fisnorë gegë nga zona e Matit në veri të Shqipërisë ku ish-mbreti Zog ka pasur mbështetjen. Udhëheqësit e Legalitetit u larguan nga Shqipëria në 1944 kur komunistët morën kontrollin e zonës së Matit. Të dyja partitë lanë pas shumë mbështetës që për ne janë “forca miqësore”. Por të mbeturit janë objekt ndjekjeje persekutimi dhe vrasjesh, prandaj tani pas gjashtë vjetësh ata nuk janë në pozitë për të ofruar një rezistencë të koordinuar ndaj regjimit të Hoxhës, prej mungesës së udhëheqjes brenda Shqipërisë. Partia e tretë e përfaqësuar në Komitet është e ashtuquajtura Lidhja e Fshatarëve e Katundarëve, e cila nuk mund të themi se përfaqëson grupe politike të brendshme pasi është krijuar në emigracion me sponsorizimin britanik, kryesisht me ndjekësit e udhëheqësit të rezistencës Said Kryeziu. Influenca e familjes Kryeziu në Shqipëri dhe në Kosovë, ka qenë e madhe gjatë luftës, dhe një pjesë e konsiderueshme e saj mbetet edhe sot. Herë pas here në Shqipëri raportohen grupe të reja rezistence, të cilat kërkojnë mbështetje nga jashtë, veçanërisht nga SHBA. Kur dështojnë të marrin këtë ato kthehen nga Jugosllavia apo Greqia. Një herë grupe rezistence u raportuan në Shqipërinë qendrore e jugore, disa prej të cilave pretendonin se ishin organizata të gjera. Por asnjë përveç fiseve veriore nuk kanë qenë të aftë të ruajnë ekzistencën e tyre si forcë e organizuar për një periudhë të gjatë. Në fakt grupet e rezistencës janë toleruar qëllimisht nga regjimi, derisa kanë nisur të shtohen dhe organizohen, kur dhe janë eliminuar nga autoritetet. Por ne kemi pasur sukses kohët e fundit në marrjen e emrave të shumë individëve në Itali që janë aktivë dhe miqësorë ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë. Këmbëngulja e këtyre elementëve opozitarë megjithë mekanizmin e fuqishëm të kontrollit, dëshmon për forcën e traditës vendase të pavarësisë.

Forca armiqësore

Forcat jo-komuniste e anti-sovjetike në Shqipëri që punojnë kundër interesave të SHBA janë shqiptarët pro-jugosllavë dhe ndoshta ata pro-grekë. Grekët kanë ruajtur një qëndrim të pandryshuar për çështjen e “Epirit të Veriut” dhe po përpiqen të ruajnë kontaktet me minoritetin e tyre në jug të Shqipërisë. Ndoshta kërcënimi më serioz ndaj politikave të SHBA paraqitet nga elementët shqiptarë pro-jugosllavë, të cilët kohët e fundit kanë formuar grupin rival me Komitetin Shqipëria e Lirë. Lidhja e Prizrenit është formuar me sponsorizimin e autoriteteve jugosllave në Kosovë dhe pretendon rreth 600 000 anëtarë. Afërsia gjeografike e grupit me Shqipërinë dhe lidhjet me elementët e rezistencës brenda vendit, padyshim që e bëjnë atë të favorizuar në krahasim me Komitetin dhe rrjedhimisht dhe me SHBA. Aktualisht influenca e tij është më e madhe me elementët komunistë të pakënaqur shqiptarë. Jugosllavët dhe komiteti i tyre i refugjatëve kanë arritur njëfarë suksesi mes fiseve veriore dhe elementëve të Ballit Kombëtar Indipendent. Politika e Partisë Komuniste e ndarjes së tokës, e vënë në fuqi menjëherë pas luftës, ishte arsyeja e suksesit të saj fillestar, veçanërisht në zonat jugore, ku argatët e bejlerëve ishin një shtresë e gjerë dhe e shtypur e popullsisë. Por masat ekstreme të taksave dhe konfiskimit të bagëtive larguan mbështetjen fillestare ndaj partisë, sipas raportimeve të refugjatëve, të cilët thonë se nuk mund të mbanin ushqim mjaftueshëm për të mbijetuar.

Problemet ekonomike

Regjimi i Hoxhës, pas refuzimit të ndihmës së ish-bashkëluftëtarëve jugosllavë, ka rezultuar relativisht i qëndrueshëm megjithë izolimin nga orbita sovjetike dhe kushtet e brendshme primitive. Një nga problemet kryesore për stabilitetin e vendit është pamjaftueshmëria ekonomike, por kjo nuk përbën një kërcënim urgjent për regjimin e Hoxhës, për sa kohë që ai ka mbështetjen e Bashkimit Sovjetik. Standardi i jetesës së shqiptarëve është më i ulëti në Europë, por kjo duket se nuk prek fare stabilitetin e qeverisë. Vuajtjet dhe mjerimi i popullit duket se janë për shqiptarët një mjet më shumë për bindjen ndaj qeverisë, sesa për nxitjen e revoltës. Ndërkohë rritja e dërgesave industriale dhe ushqimore nga blloku sovjetik tregon vullnetin e Moskës për të mbajtur regjimin në pushtet. Opozita e brendshme ndaj regjimit është lehtësuar nga terreni malor në veri të vendit, rajon i cili vazhdimisht ka ruajtur pavarësinë nga qeveria e Tiranës. Shqipëria është kryesisht e përbërë nga vargmale që ofrojnë fshehje e strehim për guerrilasit. Zona të tilla ka në kufi me Greqinë e Jugosllavinë, ku kufijtë kanë shumë boshllëqe kalimi. Duke pasur parasysh faktorët e mësipërm dhe interesat e tyre konfliktuese, është e qartë se një ndryshim i gjendjes aktuale në Ballkan, siç mund të ishte operacioni i suksesshëm i OPC ose i grupeve jugosllave, do të prishte ekuilibrin që ruan pushtetin sovjetik në Shqipëri dhe do të vinte në lëvizje të gjitha forcat, të brendshme e të jashtme.