Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh dëshmitë për Koço Tashkon dhe Spiro Kolekën: Fillimisht simpatizoheshin nga Hoxha dhe përbuzeshin nga Shehu

Postuar: 17/10/2019 - 07:13

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm. Në këtë cikël, tregohen të dhënat për individë të caktuar që u angazhuan në parti. Dy më të rëndësishmit janë Koço Tashko e Spiro Koleka. CIA tregon dëshminë e informatorit të saj për këta dy individë.

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

Përgjigje e pyetjes së III: -Kush e mori iniciativën për formimin e Partisë Komuniste dhe cilat figura janë ende gjallë?

Iniciativën e morën kryetarët dhe nënkryetarët e tre grupeve kryesore, Grupi i Korçës, Grupi i të Rinjve dhe Grupi i Shkodrës. Koço Tashko e Miho Lako drejtonin grupin e Korçës, Anastas Lula e Nasi Mariani për Grupin e të Rinjve, Zef Mala e Vasil Shanto për grupin e Shkodrës. Koço Tashko rron e duhet të jetë rreth 50 vjeç. Nuk ka bërë pjesë kurrë në Komitetin Qendror të Partisë. Kur unë u arratisa nga Shqipëria ai mbante postin e zv. ministrit të Jashtëm, jo për aftësitë e tij, por vetëm si komunist i vjetër që nuk i ka sjellë probleme partisë. Merrej me çështje administrative, shkresa etj. Gjatë periudhës së revolucionit ose luftës nuk ka ushtruar asnjë funksion të caktuar, por vetëm ceremoniale. Ka marrë pjesë në lëvizjen revolucionare që në moshë të re si anëtar i Grupit Bashkimi në kohën e Fan Nolit. Me ardhjen e Zogut në fuqi në 1924, ai u arratis nga Shqipëria drejt Rusisë. Aty frekuentoi kurse të Kominternit komunist, ka qenë për disa vite emigrant në Francë, Itali e Shtetet e Bashkuara. Me siguri ka qenë i dërguar nga Moska. Me arratisjen e Ali Kelmendit nga Shqipëria në Francë, Tashko mori drejtimin e Grupit komunist të Korçës, deri sa u shkri në Partinë Komuniste. Pas “çlirimit” ka ushtruar funksione të ndryshme si ambasador në BRSS, ambasador në Bullgari dhe më në fund ministër i Jashtëm. Ishte njeri jo i qartë politikisht, që bënte gafa nëse nuk kontrollohej nga afër. Partia nuk ka pasur kurrë konsideratë për të. Meritat e tij ishin vetëm se nuk kishte pretendime, komunist i stilit të vjetër, nuk mendonte me kokën e tij, por me të të tjerëve, është përdorur keq nga Koçi Xoxe. Enveri e simpatizonte si ‘shefin’ e tij të dikurshëm, ndërsa Mehmeti e përbuzte për paaftësinë e tij. Tashko është një kuadër që ka plotësuar kohën e tij dhe s’ka ç’i jep më partisë.

Miho Lako; nënkryetar i Grupit të Korçës, ka qenë gjithmonë në Shqipëri, pa dalë në Perëndim. Kur ishte i ri punoi ca kohë në Rumani si këpucëbërës. Në Shqipëri e ka mbajtur afër Ali Kelmendi, si njëfarë Koço Tashko i dytë. Gjatë luftës nuk ka pasur asnjë funksion, jo vetëm për aftësitë, por që i ri ka qenë sëmurë me tuberkuloz. Ka qenë vazhdimisht në sanatoriume. Koçi Xoxe e kishte nxjerrë nga partia si të pavlefshëm. Prej vitit 1954 partia nuk dinte ç’të bënte me të për t’i krijuar kushte për sëmundjen e tij dhe e caktoi ambasador në Bukuresht. Edhe ai rron me lavdinë e të kaluarës si një nga baballarët e komunizmit në Shqipëri.

Grupi i Korçës

Zef Mala ka qenë kryetar i Grupit të Korçës, duhet të jetë rreth 50 vjeç. Ka lindur dhe punuar gjithmonë në Shkodër. Zefi ka kulturë kristiane, është njeri shumë skolastik dhe jo i veprimit. U vu në krye të Grupit të Shkodrës nga rrethanat anormale të atëhershme dhe qëndroi derisa grupi u shkri. Nga viti 1942 u përjashtua nga partia si përkrahës i Anastas Lulës (kreu i Grupit të të Rinjve). Në vitin 1946 Koçi Xoxe e arrestoi si element të dyshimtë. Pas kongresit të parë të partisë, domethënë pas pushkatimit të Koçi Xoxe dhe prishjes me Beogradin, Zef Malës iu dha një post si drejtor i Bibliotekës Shtetërore, pa u pranuar në parti. Njeri që ka humbur çdo personalitet, ndoshta edhe sepse është thuajse i verbër. Njeri që partia nuk e konsideron të besueshëm, por jo aq sa ta internojë në burgje ose kampe. Vasil Shanto, ish-kryetar i Grupit të Shkodrës dhe shef praktik i tij, pasi Zef Mala ishte vetëm sa për formë. Sekretar organizativ i partisë së sapoformuar komuniste. U vra buzë liqenit të Shkodrës në përpjekje me italianët në 1942. Anastas Lulo, kryetar i Grupit të të Rinjve. Mbeti jashtë Komitetit Qendror të Partisë së formuar Komuniste, si gjithë kryetarët e tjerë. U vra fshehtas nga partia në verën e 1942, për arsyet e shpjeguara në përgjigjen e pyetjes së I-rë. Nasi Mariani; lindur në Korçë, 45 vjeç, ka kryer shkollën teknike të Tiranës, anëtar i partisë në formimin e saj. U dëbua për një vit nga partia sepse u përfshi me fraksionin e Anastas Lulos, por më vonë u ripranua, gjithmonë nën kontroll. Gjatë luftës ka dalë në mal si partizan, por pa funksione politike ose ushtarake. Në periudha të ndryshme ka qenë intendent batalioni ose shef transporti. Në fillim të 1945 ishte shef transporti me Korpusin III në Shkodër. Nga mesin e atij viti është caktuar nëpunës i mesëm në Ministrinë e Ndërtimit, ku qëndroi deri në 1947. Më pas Koçi Xoxe e përjashtoi nga partia si element anti-parti. U ripranua pas Kongresit të I-rë dhe forcoi disi pozitat e tij. Më 1954 më duket se u bë nëndrejtor i hidrocentralit të Dajtit pranë Tiranës. Niko Xoxe; ish-kryetar i grupit komunist me emrin e tij. U vra me atentat nga partia në Tiranë më 1943.

Grupi i Zjarrit

Vangjel (mbiemri nuk më kujtohet) shef i Grupit komunist të Zjarrit. Asnjë nga anëtarët e këtij grupi nuk është ekzekutuar, por as nuk arritën të merrnin poste në parti pas formimit. Një përjashtim është Spiro Koleka, tashmë anëtar i Komitetit Qendror. Koleka është njeri me kapacitet për periudhën e tanishme, ka kulturë dhe zotësi. Është goditur nga Koçi Xoxe, i cili e përjashtoi nga Komiteti Qendror, kur arriti të futet nga fundi i 1945. Kam dëgjuar se as Mehmet Shehu nuk e simpatizonte, Enveri e ka përkrahur për aftësitë e tij. Njihej si element që punonte shumë. Nuk mund të ngjitej më shumë në parti sepse nuk ka qenë eksponent te Grupi i Zjarrit dhe as sepse partia nuk ka pasur kurrë besim te këta anëtarë grupi. Imet Dishnica, 48 vjeç, lindur në Korçë dhe mbaruar studimet për mjekësi në Francë, ishte një nga krerët komunistë shqiptarë jashtë atdheut. Ishte sekretar politik i partisë në fillimet e saj. Njeri me kapacitet e kulturë të gjerë, i respektuar nga të gjithë. Por pozitat e tij u shembën në Konferencën e Mukjes, ku si delegat i Komitetit Qendror të Partisë, nënshkroi marrëveshjen me delegacionin e Ballit Kombëtar, duke u njohur të drejta të njëjta në formimin e qeverisë së ardhshme të vendit. Për këtë u cilësua nga Miladini dhe Enver Hoxha si “kapitullues” borgjez, njeri i deviacionit të djathtë dhe u likuidua gradualisht nga Komiteti Qendror. Në qeverinë e parë shqiptare, në tetor 1944 kishte kryesinë e Ministrisë së Shëndetësisë, që e mbajti sa për formë disa muaj dhe më pas mbeti si mjek i thjeshtë në Spitalin e Tiranës, sot (pra fundi i vitit 1954) është mjek në Berat ose Durrës. Njeri i zoti dhe organizator i mirë, i dashur dhe i sjellshëm me vartësit. Kishte një të metë që ishte shumë pas grave. Në kundërshtim me udhëheqësit e tjerë, është martuar me një grua shumë të bukur, por fare bosh nga mendtë. Për këtë e pranonte edhe vetë me shaka se “Po të desha grua me mend do të isha martuar me Sejfullanë (Malishovën). Gruaja nuk merret për mendtë”. Ruan edhe sot njëfarë personaliteti, sado që komunistët nuk shoqërohen me të nga frika e Sigurimit, por ditët e lira të Ymerit ishin të numëruara po të mos kishte ardhur prishja Beograd-Tiranë në 1948 (shih shënimet biografike që kam dhënë mbi nënkolonelin e Sigurimit, Shpend Gega). Ishte element që e pranoi me dinjitet disfatën dhe nuk është përkulur. Kristo Themelko me pseudonimin Shulja, një nga udhëheqësit e Grupit komunist të Shkodrës, anëtar i Komiteti Qendror me formimin e partisë, me origjinë punëtore. Pa shkollë, por i zgjuar dhe organizator i mirë. Luftëtar i dalluar, pas çlirimit u bashkua me Koçi Xoxen, i cili e vuri drejtor politik të ushtrisë, si kundërpeshë ndaj Enver Hoxhës që ishte Komandant i Përgjithshëm. Me prishjen e marrëdhënieve Beograd-Tiranë u shkarkua nga Komiteti Qendror dhe nga posti në ushtri. Në 1948 u emëruar drejtor i Bashkimit të Kooperativave të Artizanatit dhe në atë post e lashë kur u arratisa nga Shqipëria në nëntor 1944. Njeri i dhënë pas partisë, pa ambicie. I thjeshtë në sjelljet me vartësit. Gëzon simpati për trimërinë e tij. Qemal Stafa; ish-anëtar i Komitetit Qendror në themelimin e partisë, sekretar i rinisë komuniste. U vra shumë i ri, që në fillim të lëvizjes në rrugët e Tiranës në 1942. Pilo Peristeri, lindur në Korçë. anëtar i Komitetit të parë Qendror të PKSH. Nuk u rizgjodh në komitet në Konferencën e Parë në mars 1943 sepse nuk qe treguar në lartësinë e duhur me detyrat e ngarkuara. Pa arsim, punëtor hekurxhi, pa aftësi politike. Gjatë luftës arriti maksimumin zv. komisar batalioni në Brigadën IV. Pas çlirimit u bë shef i P0olicisë Kriminale në Korçë. Forcoi pozitat pas Kongresit të I sepse u konsideruar si i goditur padrejtësisht nga Koçi Xoxe. Është përkrahur shumë nga Enver Hoxha sepse kanë qenë bashkë shokë në Grupin e Korçës. Personalisht mendoj se është kokëbosh. E kanë vënë në Komitetin Qendror dhe kandidat për Byronë Politike, vetëm sepse ka përkrahjen e Enverit, vetëm sepse është nga shtresë punëtore, shumë i dhënë pas partisë, modest e pa pretendime. Nuk i ka dhënë kurrë shkak partisë ta shikojë shtrembër për ngatërresa, ishte një kalë që nget një plug pa e ditur as vetë ku po shkon. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit