Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet e Konferencës së Varshavës, ja si Hoxha u përplas me Hrushovin për praktikat bujqësore polake, “thumba” e replika mes palëve

Postuar: 04/04/2019 - 07:05

Amerikanët kanë zbardhur detaje të tjera s ai takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit sovjetik. Gazet po publikon një dokument të deklasifikuar nga CIA, ku jepen detaje mbi atë se çfarë ndodhi në Konferencën e Varshavës, ku nuk munguan përplasjet Hoxha-Hrushov.

Konferenca e Paktit të Varshavës në Moskë, shkurt 1960

Në këtë kohë nuk ka raportime për polemika mes Moskës e Tiranës, por është e qartë se lidhjet kanë degjeneruar më poshtë se niveli i deklaratave të tyre. Në takimin e politikave bujqësore të Paktit të Varshavës më 2-4 tetor në Moskë, Hoxha sulmoi praktikat bujqësore polake duke akuzuar se ato po ruanin një sistem privat kapitalizmi, që sipas tij ishte një sulm dhe rrezik ndaj kampit socialist. Hrushovi reagoi me nervozizëm ndaj komenteve duke thënë se shokët shqiptarë duhet të shikojnë punët e tyre, të cilat janë në pikë të hallit. Hrushovi shtoi se polakët i dinë më mirë punët e tyre dhe atë që vendi i tyre ka nevojë, pasi përdorimi i modeleve ndryshon dhe bëhet në varësi të kushteve të vendeve të veçanta. Ai shtoi më tej se për momentin nuk kishin rëndësi tekstet didaktike dhe aplikimi i tyre por shifrat e prodhimit. Hrushovi kishte mbështetur fuqimisht politikat e Gomulkës në kongresin e marsit 1959 dhe kishte shprehur zhgënjim me politikat ekonomike shqiptare në verën e 1959, prandaj ndoshta sulmet shqiptare ndaj polakëve ishin një formë hakmarrje e besimi se kritikat do të jepnin rezultate për ta. Ditën tjetër në takim, shqiptarët e gjetën veten përsëri nën sulmet direkte të Hrushovit. Në këtë seancë diferencat Kinë-BRSS dolën për herë të parë para asamblesë së liderëve të bllokut komunist. Vëzhguesi kinez në takim Kang Sheng, dha një fjalim që ishte aq larg nga linja sovjetike sa që nuk u publikua fare nga shtypi i bllokut përveç Kinës. Ndryshe nga qëndrimi sovjetik se situata ishte e favorshme për bisedime paqeje Lindje-Perëndim, Kang akuzoi se fjalët e amerikanëve për paqe ishin vetëm një taktikë për të ulur ritmin e bllokut dhe për të shpërbërë kampin socialist. Hrushovi raportohet të ketë kritikuar kinezët për refuzimin e përpjekjeve sovjetike në uljen e tensioneve botërore dhe kritikoi mendësinë e Kinës për Jugosllavinë, duke akuzuar se kjo prishte unitetin mes vendeve të bllokut. Akuzat e bëra para liderëve të bllokut sovjetik jo vetëm ilustronin gjendjen e rëndë të marrëdhënieve por duket se bënë të qartë për shqiptarët dhe pozitën e tyre delikate, pasi akuzat e Hrushovit ndaj Kinës ishin njëlloj dhe për udhëheqësit e Tiranës.

Zhvillimet e mëpasshme

Hoxha dhe Shehu u kthyen në Shqipëri më 9 shkurt të zemëruar e të turpëruar, por të vendosur të mbështesnin Kinën me të gjithë fuqinë. Por dhe për dy muajt në vijim regjimi vazhdoi politikën ambivalente duke u zotuar për mbështetje ndaj BRSS dhe politikës së tij të bashkë-ekzistencës paqësore, dhe nga ana tjetër theksonin kërcënimin e imperializmit dhe revizionizmit jugosllav, rritjen e vigjilencës. Hoxha foli publikisht vetëm në 6 mars ku përmendi shkurtimisht takimin në Moskë dhe vendimin e konferencës bujqësore se prioriteti duhet t’i jepet të mbjellave me avantazh më të madh ekonomik. Ai tha: “Secili vend socialist duhet të sigurojë grurin e nevojshëm të bukës nga prodhimi i brendshëm”, që në fakt ishte një refuzim i këshillës së mëparshme të Hrushov i cili tha se Shqipëria duhet të rriste më shumë fruta dhe të mos shqetësoheshin për grurin pasi atë mund të merrnin nga Bashkimi Sovjetik. Kjo ishte një sinjal se Moska kishte nisur të aplikonte presion ekonomik duke tentuar anësimin e Shqipërisë drejt tyre, në debatin me Kinën. Diferenca të tjera në lidhje me Jugosllavinë u shfaqën në mesin e prillit, kur Tito mbështeti plotësisht politikën e jashtme të BRSS dhe fajësoi Perëndimin për problemet ndërkombëtare. Më 19 prill Moska raportoi pozitivisht mbështetjen e Titos për bllokun dhe evitoi çdo koment mbi politikat e brendshme jugosllave. Ndërsa radio shqiptare në të njëjtën ditë transmetoi një kritikë të ashpër ndaj revizionizmit jugosllav, politikave të tyre bujqësore, ashtu si dhe shtypi kinez që dënonte ashpër politikën e jashtme të Jugosllavisë.

Përplasjet me Beogradin

Më 27 prill Pravda publikoi një artikull të Hoxhës ku ai siguronte se Shqipëria do të mbetej besnike jo vetëm me fjalë por dhe me vepra e leninizmit dhe politikave sovjetike, përfshi dhe bashkë-ekzistencën paqësore. Ai premtonte gjithashtu përpjekje të palodhur kundër revizionizmit jugosllav, si “rreziku më i madh në lëvizjen komuniste. Më 5 maj Zëri i Popullit akuzonte Beogradin në një editorial se bashkë me Athinën po përgatisnin plane për copëzimin e Shqipërisë. Një jehonë e akuzave erdhi në 22 maj nga gazeta sovjetike Komunist, i cili mund të jetë llogaritur si mbështetje për Shqipërinë për përballjen që Moska po përgatiste me Kinën në kongresin e partisë rumune në qershor. Më 26 maj një delegacion u udhëhequr nga anëtari i Byrosë, Gogo Nushi shkoi në Pekin, të cilit iu bashku nj tjetër delegacion i nivelit të lartë pas disa ditësh, i drejtuar nga anëtarët e Byrosë politike Haxhi Lleshi e Liri Belishova. Kjo vinte në një kohë kur Pekini po lobonte mes vendeve komuniste për mbështetje në diabetin me Moskën.

Hoxha ka thënë se partia sovjetike i ka dërguar letër Shqipërisë në fillim të qershorit, për ta ftuar të diskutonte disa nga problemet me partinë kineze, por sipas tij Shqipëria refuzoi se kërkonte një palë të tretë prezente. Me çështjen e letrës Hoxha e Shehu kuptuan se nëse merrnin pjesë në kongresin e Rumanisë do të viheshin nën presion për të pranuar akuzat e Moskës ndaj Pekinit. Duke evituar përkushtimin e tyre të plotë si ndaj Moskës dhe ndaj Pekinit, Hoxha e Shehu nuk ishin prezentë në kongres por dërguan një delegacion të drejtuar nga numri 3 i qeverisë Hysni Kapo.

Kongresi i Bukureshtit

Në kongresin partisë rumune në Bukuresht (18-27) qershor Hrushovi foli i pari, duke promovuar politikën e tij të bashkëekzistencës paqësore me SHBA dhe Perëndimin, si kusht i domosdoshëm për avancimin drejt komunizmit. Pas kundërsulmeve kineze ideologjike e personale ndaj tij, Hrushovi dha një reagim të nxehur dhe bëri thirrje që pas tij të gjithë delegatët të japin mendimin e tyre për çështjen. Folësit ishin në rend alfabetik dhe Shqipëria (Albania) ishte e para për të folur pas Hrushovit por kreu i delegacionit Kapo kërkoi të shtynte për më vonë fjalën e tij, edhe pse nuk është e qartë nëse foli apo jo. Ai mbajti një fjalim në këtë kongres, i cili u publikua, dhe ruante linjën e përgjithshme shqiptare pro-kineze, që prej prishjes së 1959. Kapo vlerësoi udhëheqjen e bllokut nga BRSS por nuk u tregua entuziast për parimet e bashkë-ekzistencës paqësore dhe mundësisë së shmangies së luftës. Ai sulmoi revizionizmin në mënyrën tipike shqiptare. Të tjera raportime asokohe thonë se Kapo foli shumë pozitivisht për Kinën, por në konferencën e Moskës në nëntor 1960 Hoxha tha se Shqipëria nuk ka folur në kongresin e Bukureshtit, pasi aty loja ishte e manipuluar dhe as Kina apo vendet e tjera komuniste nuk patën kohë të analizonin qëllimet e akuzat sovjetike. Kapo u kthye nga Bukureshti më 27 qershor por mbledhja e komitetit qendror për të dëgjuar raportimin nuk u mbajt deri më 11-12 korrik. Në kthim ai u prit nga disa anëtarë të Byrosë Politike por jo nga Hoxha e Shehu. Në fillim të korrikut delegacioni shqiptar i drejtuar nga Lleshi e Belishova u kthye nga turneu në Kinë dhe disa vende aziatike, por gjatë rrugës së kthimit ata qëndruan në Moskë më 2 korrik, ku u nderuan me një dark nga kreu i presidiumit Brezhnev. Hoxha tha më vonë se me këtë darkë autoritetet sovjetike kishin tentuar të fitonin mbështetjen e shqiptarëve në debatin me Kinën. Sovjetikët duket se arritën njëfarë suksesi me zonjën Belishova por jo me anëtarë të tjerë të delegacionit.

Raporti i Kapos mbi kongresin rumun, së bashku me atë të delegacioni të sapo-kthyer nga Kina forcuan edhe më shumë vullnetin e udhëheqësve për t’i rezistuar Moskës. Më 11 korrik komiteti qendror i partisë më në fund u mblodh nën drjetimin e Hoxhës. Komunikata e lëshuar prej tij e bënte të qartë se Shqiëpria ishte e vendosur tërësisht në anën e Kinës. Aty thuhej: “Pleniumi tërësisht dhe unanimisht aprovoi qëndrimin e delegacionit të partisë në takimin e përfaqësuesve të partive komuniste, si deh komunikatën e Bukureshtit në qershor 1960”. Tashmë udhëheqësit shqiptarë e kishin flakur gunën dhe ishte radha e sovjetikëve për t’iu përgjigjur sfidës. Ata e bënë këtë në dy kanale; së pari Maurice Thorez, kreu i partisë komuniste franceze dhe njohje e vjetër e komunistëve shqiptarë, u dërgua në Shqipëri në gusht për të bindur shqiptarët për vijën e tyre të gabuar. Megjithëse Hoxha në fund të vizitës së Thores dha një fjalim ku mbështeste politikën e jashtme sovjetike, ai nuk bëri referenca ndaj dogmatizmit.

Moska humbet një satelit

Ishte ndoshta në 10-vjetorin e Partisë Komuniste të Pekinit ku udhëheqësit shqiptarë u ndërgjegjësuan për vendin e Shqipërisë në distancimin në rritje mes Moskës e Pekinit. Deri në këtë pikë shqiptarët kishin mosmarrëveshje me Moskën për punën e Jugosllavisë dhe për trajtimin e revizionizmit jugosllav, por devijuar në aspekte të tjera dhe duke mbështetur plotësisht politikën e jashtë sovjetike. Ashtu si vende të tjera satelite ata kishin rënë në dashuri me politikën e “hapit të madh përpara” të Kinës prej vitit 1958 por kur Moska kishte shprehur pakënaqësi për politikat e tyre vendet satelite kishin heshtur. Para shtatorit 1959 shqiptarët kishin dhënë prova se çdo politikë të Hrushovit e shihnin vetëm në lidhjen e saj me rolin e Jugosllavisë në bllok ndërsa pjesa tjetër e strategjisë ndërkombëtare komuniste nuk dukej se i shqetësonte ata. Por pas festimeve të Pekinit ata nisën të mbanin pozicione në favor të Pekinit mbi çështjet ndërkombëtare dhe ideologjike që lindnin mes Pekinit e Moskës. Diferencat mes Kinës e BRSS po rriteshin prej dy vitesh dhe në festimet e tetorit në Pekin u shprehën hapur, të cilat vinin pas vizitës së Hrushovit bë Shtetet e Bashkuara në shtator 1959. Hrushovi erdhi në festime me qëllimin për të bindur liderët kinezë për korrektësinë e politikës së tij të bashkë-ekzistencës paqësore. Por kinezët jo vetëm që refuzuan të binin dakord me këtë por në bisedat e tyre me delegatët e huaj kërkonin të merrnin mbështetjen e tyre për pikëpamjen kineze se kampi komunist duhet të bëhej më militant dhe revolucionar nën mbrojtjen e ushtrisë sovjetike. Delegacioni polak u kthye në Varshavë i bindur për diferencat politike mes Moskës e Pekinit, por u rreshtua i bindur pas Hrushovit. Gjithsesi ka prova se të paktën Çekia, Gjermania Lindore dhe Shqipëria kishin simpati për pikëpamjen kineze. Kjo duket nga fakti se se gjatë vjeshtës e dimrit 1959-1960 marrëdhëniet BRSS-Ceki ishin të ngrira, ndërsa në takimin e Paktit të Varshavës në Moskë në shkurt 1960, Novotni ishte lideri i vetëm që nuk iu dha një audiencë private me Hrushovin.

Lëvizjet e shqiptarëve

Përveç bisedave të tyre me kinezët dhe anëtarë të delegacionve të tjera në Pekin, shqiptarët në gusht e shtator kishin mundësinë të mësonin pikëpamjet e vendeve të tjera të bllokut. Hoxha bëri pushime në Çekosllovaki e Bullgari gjatë kësaj kohe, ndërsa Shehu qëndroi një muaj në BRSS para se të nisej për në Pekin në fund të shtatorit. Ndërsa sekretari i parë i partisë Bullgare Zhivkov qëndroi në Shqipëri nga 7 deri në 17 tetori. Pra duket se diferencat Kinë-BRSS kanë qenë objekt bisedash të gjera. Në fjalimin e 20 shtatorit nga Hoxha u dha sinjali i parë se jo të gjitha problemet ishin zgjidhur mes Shqipërisë e BRSS gjatë vizitës së Hrushovit në maj. Ai dukej gjithashtu se po reflektonte më shumë mendësinë kineze për çështjet ndërkombëtare sesa “fryma e Camp David” që Hoxha pretendonte se mbështeste. Megjkithse Hoxha mbështeti propozimet e Hrushov për çarmatimin, në fjalimin e tij ai vërejti se takimi Hrushov-Eisenhauer do të sillte një zbutje të Luftës së Ftohtë dhe paralajmëroi se megjithë përmirësimin e marrëdhënieve ishte e nevojshme ruajtja e urrejtjes ndaj armikut kryesor, imperialistëve amerikanë dhe shërbëtorëve të tyre, revizionistëve jugosllavë. Hoxha shtoi se Shqipëria nuk mund të rrinte e qetë derisa të gjitha vendet të çarmatosen, pasi “imperialistët mezi presin rastin të na godasin me thikë pas shpine”. Deri në mes të tetorit shqiptarët e kishin vendosur veten përkrah Kinës për disa çështje të debatueshme në bllok. Më 15 tetor Radio-Tirana iu referua për herë të parë komunave kineze, duke ngritur lart transformimin e ndodhur prej tyre, duke i përshkruar në një gjuhë ofenduese ndaj Moskës: “Forma më e mirë e ndërtimit të socializmit dhe e kalimit në komunizëm”. Aty u vlerësua gjithashtu ndihma kineze për Shqipërinë për të cilën thuhej se përfshinte një dhuratë prej 50 milionë rubla në 1954 dhe një tjetër 30 milionë rubla në 1956. Në një letër të Hoxhës për rojet kufitare, e transmetuar nga Radio Tirana më 23 tetor, dukeshin qartë mospërputhjet me politikat e Moskës për përmirësimin e lidhjeve ndërkombëtare, duke bërë thirrje për më shumë vigjilencë në zonat kufitare pasi “imperialistët luftënxitës dhe lakenjtë e tyre po vazhdojnë të trazojnë botën”. Baza raketash atomike po nderohen në Itali e Greqi, të cilat “drejtohen kundër nesh” tha Hoxha ndërsa shtoi se revizionistët jugosllavë po blejnë avionë nga amerikanët dhe po stërvisin spiunë dhe diversantë kundër Shqipërisë.

Ngjarjet rreth përvjetorit të 15 të çlirimit në Shqipëri më 28 nëntor tregonin përsëri rritjen e çarjes në lidhjet Shqipëri-BRSS në favor të ngrohjes me Kinën. Në një fjalim të rëndësishëm Hoxha dha një ligjëratë të fortë kundër Jugosllavisë, duke e krahasuar miqësinë me titistët si “maska që fsheh ujkun”. Ndërsa në Pravdën ruse nga fjalimi i tij u shkruan vetëm pesë rreshta dhe u përmendën vetëm pjesët për arritjet ekonomike shqiptare. Edhe në përshëndetjet sovjetike për Shqipërinë çështja e revizionizmit nuk përmendej por thuhej se Shqipëria po zbatonte një politikë të jashtme paqësore dhe po përpiqet për likuidimin e Luftës së Ftohtë. Në kontrast me këtë përshëndetjet e Kinës ndaj Shqipërisë shprehnin mirënjohje të thellë për mbrojtjen e “pastërtisë së marksizëm-leninizmit kundër revizionistëve modernë”. Në të njëjtën ditë me artikullin në Pravda e përditshmja shtetërore kineze botoi një artikull nga Shehu ku ai fliste për “Jugosllavinë trotskiste” dhe liderët e saj trotskistë, si dhe deklaronte se partia shqiptare nuk do të bënte kurrë kompromis me revizionistët jugosllavë. Por në të njëjtën kohë udhëheqësit shqiptarë vazhdonin dhe homazhet për Moskën dhe udhëheqësit sovjetikë vazhdonin përpjekjet e tyre për të kërkuar bindjen e Shqipërisë për futjen në linjën e bllokut. Anëtari i presidiumit Spiridonov, i cili u dërgua nga Moska për të marrë pjesë në festimet e pavarësisë në Tiranë, u takua me Hoxhën, Shehun, Kapon dhe anëtarë të tjerë të Byrosë, me të cilët këmbyen fjalime vlerësimi reciprok. Gjatë largimit të tij, ai vlerësoi pritjen që iu bë, kongresin shqiptar dhe përparimin që ishte bërë vendi. Ndërsa Hoxha dhe udhëheqësit vlerësuan efektin e ndihmës ndihmën së Hrushov dhe politikat sovjetike në përgjithësi. Viti 1960 nuk u hap mirë për udhëheqësit shqiptarë dhe marrëdhëniet e tyre me Moskën do të precipitonin shpejt. Më 6 janar Vukanovic-Tempo, kreu i sindikatave jugosllave dhe anëtar i Byrosë Politike u largua nga Beogradi për tre javë pushime në BRSS me ftesën e sindikatave sovjetike. Kjo ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë jugosllav në Bashkimin Sovjetik që prej vitit 1957 dhe erdhi pas bisedimeve mes Hrushovit dhe ambasadorit jugosllav në Moskë. Edhe pse bisedimet e Vukmanoviç në Moskë me Hrushovin dhe zyrtarë të tjerë nuk ishin produktive, ato demonstronin vullnetin e Hrushovit për afrim. Tashmë dukej e mundur se shqiptarët ishin të alarmuar nga qëllimet e mundshme të këtyre bisedimeve dhe i shprehën rezervimet e tyre Moskës.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/06/2019 - 07:08

Amerika kërkonte me ngulm të shfrytëzonte burimet natyrore të Shqipërisë.

Postuar: 21/06/2019 - 07:11

Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbardhur së fundmi dokumente të tjera për Shqipërinë.

Postuar: 20/06/2019 - 19:58

Si pasojë e gazit helmues ka mbetur i lënduar edhe ish-deputeti demokrat Flamur Noka, i cili ka d

Postuar: 20/06/2019 - 07:17

Inteligjenca amerikane raportonte në vitin 1959 mbi një destabilizim të mundshëm të Ballkanit.

Postuar: 19/06/2019 - 07:19

Në 1949, SHBA po mendonte seriozisht formimin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë për rrëzimin

Postuar: 18/06/2019 - 07:17

“SHBA të veprojë në koordinim të plotë me Britaninë dhe Francën për situatën shqiptare, ash

Postuar: 16/06/2019 - 08:30

Në vitin 1949, Shqipëria shihej nga fuqitë e mëdha si një pikë e rëndësishme strategjike e sovjet