Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet, Ismail Vërlaci dhe Ernest Koliqi u bënë bashkë kundër Enver Hoxhës, ja si ngritën Bllokun Kombëtar Indipendent

Postuar: 07/11/2018 - 07:09

Amerikanët kanë dhënë detaje se si një numër i madh intelektualësh u bënë bashkë kundër regjimit komunist në Shqipëri. Shumë rivalë të regjimit krijuan Bllokun Kombëtar Indipendent. Ky organizëm drejtohej nga Ismail Vërlaci, ndërsa një tjetër figurë e njohur ishte Ernest Koliqi. Amerikanët tregojnë se si ata u bënë bashkë dhe punonin kundër Hoxhës.

15 shtator 1949

Blloku Kombëtar Indipendent, platforma dhe liderët kryesorë

Blloku Kombëtar Indipendent (BKI) e bazon programin e tij politik në dy qëllime kryesore: Të përdorë të gjitha mjetet për të çliruar Shqipërinë nga zgjedha sovjetike dhe të aftësojë popullin shqiptar që të zgjedhë vetë qeverisjen e tij. Me sa kuptohet BKI është një organizatë politike me natyrë të përkohshme, por aq sa dhe grupet e tij përbërëse bashkohen vetëm nga përpjekja kundër regjimit aktual komunist në vend. Rreth tre vjet aktivitetet i përbashkët i ka sjellë tashmë mjaft afër liderët kryesorë të BKI, prandaj mund të supozohet se pasi vendi të çlirohet nga tirania e kuqe, kjo organizatë mund të sjellë një qeveri të bashkuar sipas linjës Perëndimore, duke mbrojtur reformat sociale sipas nevojave të vendit dhe traditave më të mira të popullit. Komunizmi në Shqipëri ka natyrë racore dhe jo sociale, që do të thotë se ai shërben si një kamuflazh për imperializmin sovjetik apo dominimin sllav. Rreziku fatal i dominimit mbarë-evropian sllav, qoftë në formën e carizmit apo bolshevizmit, mbetet gjithmonë e njëjtë për kombin e vogël shqiptar. Vetë Partia Komuniste shqiptare u krijua nga dy agjentët sllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, të cilët vetëm sa përgatitën terrenin për infiltrimin e gjerë sovjetik. Balli Kombëtar Indipendent përfshin shumicën e emigrantëve shqiptarë të cilët prej lidhjeve familjare, bindjeve politike apo kulturore, janë armiq të betuar të regjimit komunist, si në teori dhe në praktikë. Çfarëdo opinioni që mund të shprehin kundërshtarët e BKI si me dashamirësi apo armiqësi, ata nuk mund të mohojnë natyrën e theksuar antikomuniste të grupeve shqiptare të emigracionit. Kompromiset që është dashur të bëjë dhe shifrat e mëdha të anëtarësisë së BKI janë nxitur vetëm nga rreziku sllav për Shqipërinë. Populli shqiptar është i vogël në numër për t’u mbrojtur i vetëm, dhe gjatë shekujve gjithmonë i është dashur të zgjedhë të keqen më të vogël. Sot liderët e BKI janë të bindur se kërcënimi për shpirjen e Shqipërisë vjen nga Lindja, dhe shikojmë me shpresë nga Amerika, e cila mund të na sigurojë një ekzistencë paqësore në një atmosferë të civilizuar. BKI është akuzuar se ka në përbërjen e tij individë autoritarë apo mbeturina të feudalizmit, por kjo akuzë është e pabazë pasi në përbërjen e BKI ka aq shumë intelektualë dhe përfaqësues të familjeve historike shqiptare, të cilët duhet të ishin në komitetin qendror të qeverisë si për nga kultura dhe fisnikëria. Ky grup është i mbushur me frymën e sinqertë demokratike dhe kjo demonstrohet në programin e BKI për zgjedhjen e lirë të popullit për qeverisjen e ardhshme. Qëndresa heroike ndaj komunizmit sovjetik në Shqipëri nga viti 1944 deri më sot, është puna e bijve e vëllezërve të BKI. Celulat e shumta të partizanëve antikomunistë që strehohen në malet e Shqipërisë kanë për drejtues liderët e BKI. Por për të evituar hakmarrjet e përgjakshme të qeverisë ndaj popullatave të fshatrave që i kanë ushqyer me bukë, këta gueriles nacionalistë kanë qëndruar në heshtje për pak kohë, duke pritur kohën e përshtatshme për veprim. Të gjithë anëtarët e BKI kanë ndjekësit e tyre të burgosur në Shqipëri, që po persekutohen si anti-komunistë. BKI me anë të përfaqësuesve të tre feve në Shqipëri, gëzon vlerësimin e figurave të larta në Vatikan, veçanërisht prej qasjes së moderuar të anëtarëve të saj dhe qetësisë që i karakterizon aktivitetin politik.

 

Përbërja

Përveç presidentit të BKI, Ismail Vërlaci, figura të tjera të mëdha të lëvizjes janë: Gjon Marka Gjoni, lider i vjetër i katolikëve shqiptarë, anëtar i familjes së vjetër Gjon Marjak, princ të Mirditës dhe ruajtës të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Përfaqësues të familjes Gjon Markaj kanë qenë kumbarë të Napoleonit të I e të III, të cilët kanë dërguar zyrtarë në pagëzimet e tyre. Influenca e princ Mark Gjonit në popullin e Mirditës ka qenë e madhe dhe është rritur më shumë pas humbjes së dy bijve të tij Marko dhe Aleksandër, të vrarë nga forcat e kuqe barbare, i pari në qershor 1947 dhe tjetri në 1949. Të dy ata janë sot objekt këngësh të lavdishme në zonat malore. Të jerë liderë përmendim: Ndue Marka Gjoni, bir i Gjonit që është tashmë me të në Romë. Dr. Ekrem Vlora, mysliman njeri i letrave, ish senator dhe përfaqësues i Shqipërisë në Athinë e Londër. Spiro Sheko nga Korça, anëtar i besimit grek ortodoks nga familje e madhe tregtare që zotëron financa të mëdha në Itali dhe ndihmon BKI. Profesor Ernest Koliqi, poet, katolik nga Shkodra, autor dhe profesor universiteti. Profesor Namik Resuli, mysliman nga Fieri, njeri i letrave dhe profesor universiteti. Profesor Ndue Paluca, katolik nga rajoni i Shkodrës, figurë e rëndësishme në fushën e arsimit në Shqipëri. Profesor Karl Gurakuqi, katolik nga Shkodra, njeri i letrave dhe profesor universiteti. Profesor Athanas Gegaj, katolik nga Malësia e Madhe, njeri i letrave dhe historian. Profesor Stefan Gazulli, katolik nga Zadrima, vëllai i të cili ishte prift, autor i fjalorit shqip, i ekzekutuar nga komunistët. Ago Agaj, mysliman nga Vlora, ish-ministër. Vasal Allarupi, ortodoks nga Korça, gazetar. Dr. Eduard Liko, mysliman nga Korça, gazetar dhe botues i “L’Albanie Libre”. Dr. Ali Vrioni, mysliman, anëtar i familjes Vrioni në Berat, gazetar e ish-diplomat. Tahir Kolgjini, mysliman nga Luma ish-prefekt. Vehib Runa, mysliman me influencë nga Labëria (Gjirokastër). Nexhmedin Koraliu, mysliman nga Tirana, me origjinë nga familje aristokrate e Egjiptit. Lin Shkreli, katolik nga Shkodra, president i shoqatës së profesorëve universitarë. Dr. Gligor Buzi, ortodoks nga Permeti, gazetar dhe përfaqësues i BKI në Shtetet e Bashkuara. Enver Resilia, mysliman i njohur nga rajon i Vlorës. Pandeli Papalilo, ortodoks nga Përmeti, zyrtar i sigurisë publike. Kolonel Luigj Gargjola, katolik nga Shkodra. Major Safa Vlora nga Vlora. Major Alush Lleshanaku, mysliman nga Elbasani. Kapiten Mahmut Çela, mysliman nga Dibra. Kapiten Gjergji Ruco ortodoks nga Kolonja. Kapiten Xhevdet Blloshmi, mysliman nga Elbasani. Lejtnant Mubarek Toptani, mysliman nga Tirana.

Evropa Perëndimore

Shqipëria ka tashmë marrëdhënie me të gjithë vendet Perëndimore përveç Spanjës, Gjermanisë Perëndimore dhe Britanisë, por po punon për forcimin e kontakteve ekzistuese. Tirana po kultivon lidhje jo vetëm me qeveritë e paanshme por dhe me vende anëtare të NATO-s, të cilat shqiptarët i perceptojnë si të pavarura nga SHBA. Me burimet e tyre të dobëta ekonomike dhe me humbjen e ndihmës së kinezëve, Shqipëria mund vetëm të rrisë shumë pak eksportet e saj me vendet e industrializuara, të cilat nuk e kaluan shifrën e 50 milionë dollarëve në 1975. Gjithashtu, për sa kohë që ekstremizmi ideologjik do të komandojë politikat, Shqipëria nuk do të bëjë marrëveshje financiare me Perëndimin. Kushtetuta ndalon huat nga vendet “kapitaliste” si dhe formimin e ndërmarrjeve të përbashkëta me interesa të huaja. Këto kufizime pengojnë importimin e pajisjeve të rëndësishme për vazhdimin e procesit të industrializimit. Me reduktimin e importeve të makinerive, Shqipëria ndoshta do të detyrohet të importojë vetëm pajisjet bazë industriale dhe bujqësore, por në terma afatgjatë kjo do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik. Planifikuesit shqiptarë janë gjithashtu në dijeni se Perëndimi nuk do të ketë leverdi të zëvendësojë asistencën ekonomike dhe teknike kineze në Shqipëri. Përjashtim këtu bën vetëm Italia, e cila ka ruajtur një lidhje të veçantë me Shqipërinë që prej viteve 1950-të, dhe lidhjet e tyre historike e gjeografike nuk janë ndikuar aq shumë prej partneritetit të Italisë me SHBA. Ka gjithashtu prova se hapjet e Shqipërisë ndaj Perëndimit kanë dhe dimension politik. Duke parë papërkulshmërinë ideologjike të regjimit shqiptar, nuk është e qartë se cilat mund të jenë akordet politike që Tirana mund të kërkojë nga Perëndimi, por gjithsesi ata mund të kërkojnë ndonjë formë garancie për mbrojtje nga vendet e Mesdheut nga agresione të mundshme të Bashkimit Sovjetik. Ndërsa në lidhje me SHBA, mendësia e regjimit është shumë armiqësore. Hoxha dhe liderët e tjerë e përshkruajnë Ëashingtonin si fuqia kryesore reaksionare e botës dhe si një kërcënim direkt i sovranitetit të vendit. Retorika e tyre përfshin elemente të një armiqësie pa kompromis ndaj SHBA, përveç konfrontimit ideologjik. Tirana ka refuzuar në mënyrë flagrante afrimin me SHBA në fillim të vitit 1970, dhe deri tani nuk po shohim ndryshime të kësaj mendësie. Sigurisht që do të ishte e sikletshme për shqiptarët që të tentonin të afroheshin me SHBA në një kohë që kritikojnë Kinën për të njëjtën gjë. Një lidhje mundshme me SHBA, ose sinjalizimet për diçka të tillë, mund t’i shërbejnë Tiranës për të mbajtur larg ndonjë perceptim kërcënimi nga Jugosllavia apo BRSS. Megjithëse shqiptarët nuk kanë gjasa të kërkojnë lidhje me Ëashingtonin për sa kohë që Hoxha është gjallë, ata mund të sinjalizojnë në mënyrë të tërthortë hapje në qëndrimin ndaj SHBA, ose duke reduktuar kritikat ndaj tyre. Shqipëria mund të ketë vullnetin për të blerë pajisje amerikane nga vendet perëndimore, duke u hequr sikur nuk i njohin lidhjet e tyre me SHBA. Ata gradualisht mund të modifikojnë tonet ekstreme të kritikës dhe propagandën anti-SHBA, pa ndryshuar opozicionin ideologjik ndaj tyre.

Pasardhësi i Hoxhës

Kryeministri Mehmet Shehu, që është konsideruar si pasues i Hoxhës, tashmë është 64 vjeç. Fuqia e tij u shtua kur u bë ministër Mbrojtjeje në 1974, por edhe ai ka probleme shëndetësore të cilat e s’kualifikojnë nga marrja e postit të Hoxhës. Nuk kemi shumë informacion mbi funksionarët e rinj në vende kyçe në aparatin shtetëror. Byroja politike ka dy persona më të rinj dhe disa të tjerë janë në komitetin qendror të partisë. Ata me shumë gjasa janë zgjedhur nga vetë Hoxha në bazë të performancës apo besnikërisë së tyre personale. Origjina e tyre nuk njihet por kanë të përbashkët eksperiencën në aparatet krahinore të partisë. Dy të rinjtë në Byronë Politike janë Hekuran Isai dhe Pali Miska që besohet se janë në të 40-at e tyre. Ata erdhën në qeveri pas spastrimeve dhe po ngrihen me shpejtësi. Prej vitit 1975 kanë qenë 4 ndërrime në Byronë Politike. Ndërsa në Komitetin Qendror të zgjedhur në Kongresin e vitit 1976, 43 nga 77 anëtarët janë të rinj.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2018 - 07:09

Amerikanët kanë ecur me plane të detajuar për të rrëzuar regjimin komunist në vend.

Postuar: 16/11/2018 - 07:05

Amerikanët i kanë kushtuar një rëndësi shumë të madhe ish-Mbretit Zog.

Postuar: 15/11/2018 - 07:06

Mit’hat Frashëri është një figurë që ka zënë hapësirë dhe më arkivat amerikane.

Postuar: 14/11/2018 - 07:02

 Amerikanët kanë dhënë detaje mbi kosto e operacioneve të CIA për rrëzimin e regjimit komuni

Postuar: 13/11/2018 - 07:08

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e

Postuar: 11/11/2018 - 07:35

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e