Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet: Ja çfarë ndodhi pas vdekjes së Enver Hoxhës, zyrtarë grekë, turq e gjermanë vizita në Shqipëri

Postuar: 12/01/2019 - 07:14

CIA i ka kushtuar një raport vdekjes së Enver Hoxhës. Përmes një dokumenti të deklasifikuar për vitin 1985, tregohet se si Shqipëria nisi një frymë bashkëpunimi me vendet fqinje dhe superfuqitë botërore. Aty tregohet se si Bashkimi Sovjetik uli retorikën kundër vendit tonë dhe Gorbaçov Shprehu ngushëllime për Hoxhën.

Viti 1985

Kontaktet me jashtë dhe pasuesit e Hoxhës

Kur kreu i Partisë Komuniste Shqiptare Enver Hoxha u prish me republikën popullore të Kinës në 1978, të gjithë ekspertët ishin dakord se Shqipëria ose do të gjente një tjetër sponsor komunist ose do të niste të hapej me vende të caktuara. Por Hoxha nuk i është përgjigjur sinjaleve të afrimit nga BRSS, me të cilët është prishur në mënyrë dramatike 17 vjet më parë dhe nisi një proces të ngadaltë hapjeje të lidhjeve tregtare me disa vende të Evropës lindore dhe perëndimore, si dhe me Libinë, Iranin e Algjerinë. Megjithëse politika e Shqipërisë me shumë gjasë do të vazhdojë të mbetet e njëjtë edhe pas vdekjes së Hoxhës, ne nuk e përjashtojmë mundësinë e riafrimit me Moskën dhe shtimin e influencës së saj atje, sidomos në rastin kur udhëheqja e re ndahet në fraksione të nuk afrohen me njëra-tjetrën. Vitet e fundit Tirana ka këmbyer delegacione diplomatike me disa vende të Evropës Perëndimore, si Greqia e Italia, si dhe ka intensifikuar dialogun me Turqinë dhe Gjermaninë Perëndimore. Lidhjet me Greqinë vazhdojnë të përmirësohen, megjithëse tensionet mbi minoritetin grek dhe statusin teknik të luftës që ende vazhdon mes vendeve. Në fillim të dhjetorit të shkuar, ministri i Jashtëm grek Papulias erdhi në Shqipëri për nënshkrimin e marrëveshjes së shkëmbimeve kulturore, tregtare dhe të transportit. Ndërsa në tetor një zyrtar i lartë i ministrisë shqiptare të Tregtisë drejtoi një delegacion në Greqi. Dy vendet kohët e fundit kanë hapur dy pika kufitare dhe kanë rënë dakord për një linjë tragetesh mes Shqipërisë dhe ishullit të Korfuzit. Po ashtu dhjetorin e shkuar një delegacion tregtar vizitoi Romën, pas një takimi mes ministrave të Jashtëm në Kombet e Bashkuara. Siç raportohet, kompanitë italiane po negociojnë për sjelljen e disa pajisjeve industriale në Shqipëri. Ndërsa në verë, kryeministri i Bavarisë, Franz Josef Strauss erdhi në Shqipëri në atë që u përshkrua si vizitë turistike. Më vonë zyrtarë të dy vendeve u takuan përsëri në Vjenë për të diskutuar vendosjen e marrëdhënieve. Gjermania perëndimore ka ofruar bashkëpunim teknik dhe ekonomik me Shqipërinë, por para se Tirana të heqë dorë nga pretendimet për dëmshpërblime të Luftës së Dytë Botërore. Në shkurt ministri turk i shtetit Mustafa Tinaz Titiz erdhi në Tiranë për të nënshkruar një protokoll tregtar, duke rivitalizuar marrëdhëniet mes vendeve. Tirana ka nisur gjithashtu njëfarë dialogu me SHBA, Britaninë dhe Francën, kjo e fundit si ndërmjetësuese, për çështjen e kthimit të floririt të sekuestruar nga Nazistët në Shqipëri. Vetëm kohët e fundit regjimi shqiptar ka hequr dorë nga pretendimet për kthimin e arit para nisjes së diskutimeve për dëmshpërblimin e dëmeve të regjimit komunist ndaj pronës së Perëndimit, që konsiston kryesisht në dy anijet britanike të mbytura në fund të luftës nga minat detare në kanalin e Korfuzit.

Ideologjitë

Përveç problemeve me importet nga Perëndimi, Tirana kufizohet dhe nga ideologjia e saj e refuzimit të kredive nga jashtë, që do të mundësonte pagesat sipas dërgesave ose me këste. Kjo prej bindjes së Tiranës se kompanitë perëndimore nuk mund të veprojnë jashtë influencës së qeverive të tyre. Por gjithsesi Shqipëria ka pak mallra që mund të shiten në tregun perëndimor. Një rritje modeste është shënuar në tregtinë mes dy palëve në vitet 1981-1983. Importet në teknologji nuk kanë arritur të ringjallin rritjen ekonomike në Shqipëri dhe qeveria vendore duket e shqetësuar për këtë. Në fund të dhjetorit partia u ankua në shtyp se industria nuk po merrte teknologjinë e përshtatshme dhe kritikoi zyrtarët përgjegjës për punën e tyre. Sipas shifrave zyrtare, prodhimi industrial është rritur vetëm me 3.3 për qind në 1984, nga parashikimi prej 8.5 për qind. Plani i vitit 1985 parashikonte një rritje më të ulët, gjë që reflekton problemet me përshtatjen dhe zëvendësimin e teknologjive. Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij janë përpjekur vazhdimisht të joshin Shqipërinë në një riafrim dhe tani me vdekjen e Hoxhës hapjet e tyre mund të intensifikohen. Në deklaratat e tyre publike BRSS përpiqet të bëjë lajka ndaj Shqipërisë, siç ishte fjala e sekretarit të përgjithshëm Gorbaçov në verë dhe mesazhet e ngushëllimit të partisë sovjetike dhe disa satelitëve të tjera për vdekjen e Hoxhës. Gjatë dy viteve të fundit në krye të ofensivës së joshjes kanë qenë Bullgaria dhe Gjermania Lindore, ndaj të cilave Tirana duket se po lejon një farë hapjeje të kujdesshme. Në prill 1984 Tirana dhe Bullgaria nënshkruan një traktat të rritjes së tregtisë dypalëshe, pas rënies me rreth 19 për qind gjatë viteve 1982-1983.

Tirana refuzoi publikisht mesazhet e ngushëllimit të BRSS për vdekjen e Hoxhës dhe gjithashtu nuk i ka njohur publikisht mesazhet nga vende të tjera të Evropës Lindore, kështu që politikat e saj nuk pritet të kenë ndryshime drastike në regjimin post-Hoxha. Lideri i ri Alia me shumë gjasa do të nisë punën për konsolidimin e pushtetit të tij, çka mund të sjellë një luftë pushteti të bazuar në ndryshimet ideologjike, interesat personale dhe luftat mes klaneve. Nga informacionet e pakta që kemi duket se diferencat në politikën e jashtme do të reflektohen mes atyre që kërkojnë hapjen dhe lidhjet me vendet e huaja për të kaluar vështirësitë ekonomike, dhe atyre që favorizojnë izolimin e mëtejshëm në mbrojtje të politikave tradicionale radikale. Të paktën për momentin, ndryshimet e ideologjive nuk kanë dhënë shenja të dukshme, por liderët shqiptarë kanë preferuar pavarësinë nga fuqi të mëdha për të siguruar pushtetin e tyre personal. Ndoshta ata kuptojnë se hapjet ndaj Moskës do të nxisin ndërhyrje të mundshme nga Beogradi, prandaj teknokratët e rinj në pushtet favorizojnë njëfarë tendence të Alias për orientim nga Perëndimi. Gjithsesi ne nuk përjashtojmë mundësinë që Moska të rifitojë influencën e saj në Shqipëri, sidomos në rastin kur lufta mes fraksioneve të pushtetit ashpërsohet, dhe radikalët të kthehen nga sovjetikët për ndihmë.

5 maj 1961

Raport radio propaganda

Rritja e tensionimit mes Moskës dhe Shqipërisë

Që prej kongresit të shkurtit të partisë së punës të Shqipërisë po akumulohen shenjat e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe vendeve satelite sovietike. Në kongres Shqipëria u shpreh sfiduese ndaj tutelës sovjetike. Në prill, radio komuniste me bazë në Pragë “Oggi in Italia” publikoi artikullin e një gazete komuniste italiane, ku flitej për kritika direkte ndaj Shqipërisë nga një zëdhënës i lartë komunist. Gjatë dy muajve të fundit marrëdhëniet shqiptaro-polake po karakterizohen nga një antagonizëm gjithnjë e më i hapur. Ndërsa marrëdhëniet e Shqipërisë me BRSS kanë mbetur në dukje korrekte, por janë përkeqësuar nga përpjekjet e Rusisë për t’u afruar me armikun e hershëm të Shqipërisë, Jugosllavinë, si dhe nga propaganda favorizuese e sovjetikëve për një konferencë në Berlin, ku Shqipëria ishte e përjashtuar. Këto zhvillime po ndodhin në një sfond propagande dhe aktivitetesh që tregojnë për një marrëdhënie të ngushtë mes Tiranës dhe Pekinit.

Forcimi i lidhjeve komuniste mes Shqipërisë dhe Kinës

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën po bëhen gjithnjë e më të sjellshme që prej kongresit të katërt të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili përfundoi më 20 shkurt. Dy vendet po i japim mbulim favorizues zhvillimeve në Shqipëri dhe Kinë. Përveç kësaj Tirana në disa raste ka treguar simpatinë për Republikën Popullore të Kinës dhe pavarësinë nga Bashkimi Sovietik. Një prej shembujve ishte mungesa e delegacioneve nga Kina e Shqipëria në festën e pavarësisë së Senegalit, ku Kina protestonte ndaj prezencës së një lideri nacionalist kinez, në një kohë kur sovietikët kishin dërguar një delegacion të gjerë, bashkë me përfaqësues nga vende të tjera satelite sovjetike.

Marrëveshja e ndihmës dhe e tregtia me Kinën

Ngjarja kryesore në marrëdhëniet shqiptaro-kineze që prej kongresit të partisë, është marrëveshja tregtare e nënshkruar në prill, e cila ka si qëllim forcimin e Shqipërisë ndaj presionit sovjetik, çka dukej qartë nga propaganda që iu bë nga të dyja palët. Deklarata e lëshuar në përfundim të bisedimeve ekonomike, e përshkruar si një pakt i sinqertë i paprecedentë, thoshte se Kina pranonte të jepte një kredi prej 112 milionë rubla për financimin e 25 komplekseve industriale dhe të mjeteve bujqësor, fusha për të cilat kishte qenë esenciale asistenca sovjetike në të kaluarën. Çdo fazë e negociatave deri në arritjen e marrëveshjes finale, u shoqërua me shfaqje të miqësisë dypalëshe. Më 14 mars delegacioni shqiptar erdhi në Pekin me zëvendës-kryetar Pupo Shyti (në këtë pikë, as Pekini e as Tirana nuk kishin njoftuar emrin e kreut të delegacionit, i cili nuk kishte ardhur ende). Një banket u dha në nder të delegacionit, ku folësit kinezë lavdëruan Enver Hoxhën dhe deklaruan se Shqipëria mbështeste të njëjtat parime dhe politika kryesore të Republikës së Kinës. Ardhja më vonë e kreut të delegacionit shqiptar Abdyl Kellezi , pas një muaji, u dha atyre në tjetër mundësi të deklaronin mbëshetjen reciproke. Zëvendës-kryeministri kinez Li Sien Nien deklaroi: Çdo provokim kundër Shqipërisë është një provokim kundër të gjithë vendeve socialiste dhe kundër popullit kinez.

Deklarimet në media

Mbyllja e protokolleve ekonomike solli dhe demonstrata mirënjohjeje, ndërsa radio Tirana deklaronte: Populli kinez, partia e qeveria e tyre po japin një kontribut të vlefshëm në ruajtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit kundrejt sulmeve të egra të disa elementeve devijues, të revizionistëve modernë me në krye Beogradin. Transmetimi i thurrte lavde Mao Ce Dunit dhe bënte thirrje për marrëdhënie më të afërta.

Takimi i Paktit të Varshavës

Marrëdhënia e ngushtë mes vendeve u demonstrua edhe pas takimit të Paktit të Varshavës në Moskë, që përfundoi më 30 mars. Delegacioni shqiptar aty përbëhej nga zyrtarë të një niveli shumë të ulët, të cilët u larguan menjëherë pas mbylljes së takimit. Delegacioni drejtohej nga Behar Shtylla dhe përfshinte dhe Abdyl Kellezin, i cili më vonë do të shkonte në Pekin si drejtues i delegacionit shqiptar në Pekin. Raportimet e mediave jugosllave pretendonin se mes temave të diskutuara në Moskë ishte dhe ajo e sjelljes rebele të Tiranës dhe masat që duhet të merreshin për këtë. Më 3 prill Tirana njoftoi se Shehu kishte pritur ambasadorin kinez Lo Shi Kao në të njëjtën ditë, për një diskutim mbi disa tema të pacaktuara, duke treguar se Shqipëria e Kina po qëndronin në kontakt mbi çështjen.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/01/2019 - 07:10

CIA i ka kushtuar një rëndësi situatës pas çlirimit të vendit nga regjimi nazifashist. Teksa sot përkujtohet kjo datë, për amerikanët komunistët arritën të bënin për vete njerëzit duke premtuar mirëqenie ekonomike.

Postuar: 15/01/2019 - 07:12

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se Enver Hoxha inkurajohej nga Bashkimi Sovjetik p

Postuar: 13/01/2019 - 08:25

Në vitin 1956 nisën përplasjet brenda Partisë Komuniste të drejtuar nga Enver Hoxha.

Postuar: 11/01/2019 - 07:11

Shërbimi sekret amerikan vijon të deklasifikojë dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 10/01/2019 - 07:09

CIA ka zbardhur synimet që kishte Bashkimi për Shqipërinë gjatë bashkëpunimit të vitit 1954.

Postuar: 09/01/2019 - 07:15

CIA ka publikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 08/01/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur detaje se si regjimi komunist sulmonte amerikanët.