Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet, ja pse regjimi komunist sulmoi ashpër klerin katolik, masat ndaj myslimanëve dhe akuzat për lidhje me ballistët

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Sot tregohet rrëfimi i tij për masat e regjimit komunist ndaj fesë. Aty jepen detaje se përse kleri katolik ishte në qendër të ciklonit.

 

 

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

 

-Aparati shtetëror, lidhjet ministër- zv.ministër, qarqet, rrethet, struktura organizative e drejtësisë, përshkrimi i eksponentëve.

Mbi mekanizmin e shtetit dhe strukturën e ministrive dhe organet vartëse jam përgjigjur sa kam ditur një vit më parë gjatë hetimeve në Kostur si dhe gjatë hetimeve të mëtejshme në Glifadhë nga autoritetet amerikane, ku kam shpjeguar lidhjet parti-pushtet dhe format e udhëheqjes e drejtimit të pushtetit, nga komitetet ekzekutive të qarkut deri në këshillat popullore të fshatrave. Edhe sikur të dua të përsëris tani të gjitha ato që kam thënë atëherë është e pamundur. Unë vetë kam qenë asokohe i mbyllur më shumë se 3 muaj duke punuar minimalisht 10 orë në ditë. Për strukturën organizative të drejtësisë kam folur në të gjitha deponimet para se të shkoja pranë familjes në Selanik, dhe te majori grek Dhimitri Kolipulos. Pyetja përfshin në vetvete ndarjen gjoegrafiko-administrative të Shqipërisë. Si në kohën e Zogut dhe tani Shqipëria ndahet në 10 qarqe, në ato të Gjirokastrës, Vlorës, Elbasanit, Korçës, Beratit, Tiranës, Durrësit, Peshkopisë, Kukësit e Shkodrës. Çdo qark ndahet në 4-5 rrethe, ndonjë në 6 rrethe. Emrat e rretheve nuk më kujtohen pasi do më nevojitej një hartë e madhe e vendit.

-Të dhënat e fundit mbi regjistrimin e popullsisë në Shqipëri (sidomos në Gjirokastër e Korçë)

Të dhënat janë shifra që nuk mund t’i mbaj mend. Sidoqoftë regjistrimi i fundit i popullsisë më 1955 tregonte shifrën 1 milion e 300 mijë banorë. Nuk di të dhëna të posaçme mbi qarkun e Korçës e Gjirokastrës nuk di. Mbaj mend se regjistrimi i parë i popullsisë është bërë në 1945 dhe i dyti në 1949. I fundit sikurse përmenda është bërë në 1955 kur unë ndodhesha në Greqi, shifrën që përmenda 1.3 milionë e kam dëgjuar nga Radio-Tirana. Regjistrimi i parë ka dhënë një shifër prej 1.2 milionë banorë ndërsa i dyti iu afrua shifrës prej 1.3 milionë. Regjistrimi i parë nuk është bërë me rregull. Di se një pakicë e popullsisë së veriut dhe të larguarit në kurbet i shpëtuan regjistrimit. Regjistrimi i dytë është më i plotë sepse organizimi ka qenë i mirë. Lind pyetja, a e shton qëllimisht regjimi numrin e banorëve? Personalisht mendoj që jo. Vetë shtesa e vogël që shënohet tregon që në këtë fushë nuk ka shtrembërime.

-Qëndrimi i partisë ndaj komuniteteve fetare: Cilët drejtojnë sot kishat në Shqipëri? Si rezistuan?

Sado që dhe kësaj pyetjeje i jam përgjigjur në Kostur e Glifadhë, po përcaktoj disa gjëra më të rëndësishme. Kisha në Shqipëri është e ndarë nga shteti. Të gjitha kryesitë fetare, kisha ortodokse, kleri mysliman e bektashian, janë autoqefale, ndërsa kisha katolike ka një pozitë të ndërmjetme. Ajo nuk është fare autoqefale, domethënë fare e pavarur nga Vatikani, por nuk është as e nënshtruar ndaj tij siç janë kishat e Francës, Belgjikës, Argjentinës etj. Kisha katolike në Shqipëri ka më tepër autonomi në marrëdhëniet e saj me Vatikanin sa dhe kishat katolike të Polonisë, Hungarisë, Çekosllovakisë etj. Asnjë komunitet fetar nuk gëzon si në të kaluarën prona të patundshme të mëdha. Kishës ortodokse për shembull i janë marrë tokat që kishte (sidomos në manastire). Manastiret kanë mbetur prona të kishës, por tokat dhe pyjet që ato zotëronin janë përfshirë në reformën agrare (duhet të theksoj se kisha ortodokse nuk ka qenë kurrë shumë e pasur në Shqipëri edhe në kohën e Zogut) ashtu si dhe pronat e klerit mysliman e bektashi, të cilëve u janë lënë teqetë, por jo tokat. Klerit katolik gjithashtu i janë marrë shumë godina, shtypshkronja etj. Komunitetet fetare në Shqipëri sot rrojnë me dy lloje të ardhurash; të ardhurat e tyre direkte që fitojnë nga shërbimet fetare, ceremonitë dhuratat e besimtarëve individualë – ose me të ardhura indirekte nga shteti (të holla, por rroga priftërinjsh, mirëmbajtje kishash, xhamish, teqesh etj.) që parashikohen në buxhetin shtetëror në kapitullin “shpenzime për kulturën” pra ata janë rrogëtarë të shtetit. Politika e partisë kundrejt komuniteteve fetare përfshin goditje më të ashpra kundër klerit katolik sepse ky ka qenë më i organizuari, më i kulturuari dhe rrjedhimisht më anti-komunist. Në krye të këtij kleri kanë qenë vazhdimisht njerëz që nuk pranonin t’i nënshtroheshin partisë prandaj për t’i thyer dhe zhdukur fizikisht si kundërshtarë, pushteti ka zhvilluar një seri gjyqesh në Shkodër ku janë dënuar me vdekje personalitete të klerit katolik si Patër Shllaku, Patër Bernardini, patër Gjoni e shumë të tjerë. Nën goditjet e përsëritura dhe presionit të madh të pushtetit, kleri katolik u detyrua më në fund të gjunjëzohet dhe të pranojë statusin që i imponoi qeveria. Nuk mbaj mend se kush qëndron në krye të kishës katolike, por di se krerët e sotëm katolikë gjithsesi nuk janë aq të bindur e servilë ndaj urdhrave të partisë, sa ç’janë krerët e klerit ortodoks e mysliman. Mbështetja e partisë ndaj krerëve katolikë është shumë e vogël dhe mund të them që nuk ka asnjë prift të thjeshtë katolik që ka simpati për regjimin komunist. Në krahasim me komunitetet e tjera fetare komuniteti katolik është i dyti më i madh pas atij mysliman dhe vjen para tij bektashian, thuajse i barabartë me atë ortodoks. Komuniteti bektashian është kleri më i vogël dhe më i lidhur me Partinë Komuniste. Gjatë luftës krerët e këtij sekti i kanë dhënë ndihmë të çmueshme partisë. Kryetari e nënkryetari i tyre kanë vrarë njëri-tjetrin më 1946 (emri i kryetarit nuk më kujtohet, por e di se ka qenë kundërshtar i Partisë Komuniste) nënkryetar ka qenë Baba Faja Martaneshi, emër i lidhur ngushtë me Partinë Komuniste, që në fillim anëtar i Këshillit të përgjithshëm Nacional-Çlirimtar dhe komandant i një reparti të madh partizanësh në Elbasan. Më 1946 pas vrasjes së kryetarit të bektashinjve dhe Baba Faja, u vu në krye të bektashinjve një element i partisë, emri i të cilit nuk më kujtohet, por dhe ky pak më vonë u hoq. Duhet të them se kryetari i bektashinjve në Shqipëri është gjithashtu dhe kryegjyshi botëror i sektit, pra Baba i Bektashinjve. Në fakt kryegjyshata botërore e Bektashinjve është në Tiranë prej 20 vjetësh. Më parë kryegjyshi i bektashinjve ka qëndruar në Turqi, por u dëbua ndoshta për politikë konflikti me Qemal Ataturkun (megjithatë duhet të përcaktoj se partia ka pushkatuar disa baballarë bektashinj si gjatë kohës së luftës sepse ishin me Ballin, si Baba Zylfon e teqesë së Turanit, ashtu dhe pas luftës si Babë Karbunara. Kreu i klerit mysliman ka qenë ballist në kohën e luftës prandaj është hequr nga posti. Vendin e tij e ka zënë një element i lidhur me partinë, emri i të cilit nuk më kujtohet (por e kam dhënë në deklaratën e një viti më parë). Klerikët myslimanë kanë qenë të paorganizuar dhe analfabetë dhe gjithashtu shumica e klerit ortodoks. Megjithatë pas çlirimit ka pasur njëfarë rezistence kundër partisë, të cilën komunistët e thyen me anë të disa gjyqeve me akuzat komplot kundër shtetit. Nuk e di nëse janë dhënë dënime me vdekje pasi kanë qenë gjyqe me qëllim heqjen nga postet të elementit të padëshirueshëm dhe zëvendësimin e tyre me elementë të lidhur me partinë. Sot marrëdhëniet e klerikëve myslimanë me partinë janë të përzemërta sepse në krye janë njerëz servilë dhe miq të regjimit. Kleri ortodoks gjatë luftës ka qenë mbështetës i partisë dhe pas lufte ka ruajtur marrëdhënie të mira. Por krerët ortodoksë që e dinin lojën e Partisë Komuniste nuk u nënshtruan. Kjo bëri që më vonë ashtu si dhe me të tjerët partia të niste dhunën. Nuk mbaj mend shumë, por di që dhespot Visarionin, dhespot Panushin etj. partia i ka çuar në gjyq si armiq të popullit. Kështu u spastrua vendi nga kundërshtarët dhe në krye të klerit ortodoks u vunë njerëz të besuar, pa kulturë dhe pa influencë në masën ortodokse, por sidoqoftë elementë të saj si kryepeshkop Pashko Vodica, deri më 1943 prift në katundin e Vodicës, si dhe dhespot Kokoneshin në Korçë (deri më 1944 profet në Llengë, e të tjerë si këta.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 03/11/2019 - 07:32

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit