Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet, ja sa anëtarë kishte Partia Komuniste më 1956 dhe përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist. Në kuadër të disa dëshmive nga një ish-funksionar i PKSH, sot tregohet mbi organizmin e partisë dhe numrin e anëtarëve. Ndërkohë në një tjetër dokument jepen detaje për përplasjet me sovjetikët.

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

...Seksioni muzikal drejtohet nga Sofokli Afezolli, lindur në Hoçisht e rritur në Durrës. Një nga gazetarët më të mirë në Shqipëri, me stil të mprehtë, i zoti, me ide të tiat dhe jo plagjiarizma. Shkrimet e tij janë nga më të mirat. Mund të shkruajë shumë mirë dhe për probleme ndërkombëtare, të kulturës e letërsisë në Shqipëri. Konsiderohet si gazetar i mirë por nuk ka pozita të forta edhe pse ka qenë anëtar partie që në kohën e luftës. Kjo ndoshta se është me origjinë të pasur, ose sepse nganjëherë shkrimet e tij dalin nga kufijtë e ngushtë të propagandës së partisë. Ka kulturë enciklopedike dhe sillet mirë me vartësit. Është ambicioz por jo i rrezikshëm e intrigant i tipit Dhori Nini. Ku seksion ka dy nënseksione; seksionin e diskotekës dhe atë të incizimeve. Ato drejtohen nga nën-shefi i seksionit që quhet Abdulla Grimçi. Ky është më shumë teknik muzikor dhe ka kompozuar disa këngë e marshe. Vehip Demi është shef i incizimeve artistike. Shënimet biografike për të i madh dhënë në përgjigjen e pyetjes për çështjen çame. Violeta Papuli, gruaja e Sotir Papuli, kryeredaktorit të gazetës Bashkimi, merret me zgjedhjen e disqeve të muzikës gjatë emisioneve muzikore. Punon në Radio-Tirana që kur ka qenë gati 17 vjeçe, kur u krijua kjo drejtori. Seksioni i jashtëm ka si përgjegjës Findia Veizi, anëtar i vjetër i partisë, mbaroi luftën me gradën kapiten I. Është nga rrethinat e Himarrës dhe ka studiuar në Korfuz. Është shumë i ngushtë e i ngurtë në mendimet e tij. Është i pakënaqur sepse ka kërkuar përherë të largohet nga sektori i propagandës (sepse e sheh vetë që nuk jep) për të punuar në sektorët ekonomik, ushtarak etj. i martuar me fëmijë, nuk shoqërohet me shokë. Bën sikur punon por nuk nxjerr shumë edhe pse rri në zyrë me orë e orë të tëra. Shkruan rrallë e keq. Ndihmësi i tij është Koço Lalo. Ky ka ardhur vonë në gazetari. Deri në 1952 ka qenë për studime në Bashkimin Sovjetik me gradën toger, por për arsye shëndetsore u hoq nga ushtria dhe u transferua në sektorin e propagandës. Komunist fanatik, shumë i ngurtë, mund të jetë njeri i Sigurimit në Radio-Tirana sepse sillet më tepër si xhandar sesa si gazetar me vartësit. Shkruan të shumtën një artikull në vit, por merret me kontrollin e artikujve të të tjerëve. Seksioni i korrespondentëve specialë ka 2-3 gazetarë që lidhen direkt me drejtorin. Bëjnë pjesë3 në këtë seksion Hysen Pojani, Jorgji Prifti... Seksioni i jashtëm i Radio-Tiranës transmeton në gjuhët rusisht, italisht, anglisht, frëngjisht, greqisht, jugosllavisht, turqisht. Radiostacionet lokale të Shqipërisë gjenden në Korçë, Gjirokastër, Kuçovë, kombinati Stalin e Shkodër. Këto radiostacione nuk varen nga Tirana por nga komitetet ekzekutive të retheve. Ato dëgjohen vetëm në rajonin e tyre dhe më tepër sesa lajme japin muzikë.

-Sa anëtarë ka Byroja politike, Komiteti Qendror?

Sipas të dhënave të Enver Hoxhës në kongresin III të PPSH (maj 1956) Partia e Punës ka 42 700 anëtarë dhe rreth 7000 kandidatë. Pyetjes për anëtarët e Komitetit Qendror dhe Byrosë politike i jam përgjigjur më herët në këtë raport, sidoqoftë përcaktoj: Anëtarë të komitetit qendror janë 25 vetë, para vitit 1956 domethënë para kongresit III. Tani numri i anëtarëve mund të jetë shtuar. Nuk jam informuar sepse nuk kam pasur radio që të dëgjoja punimet e kongresit III. Para kongresit anëtarët e Byrosë Politike ishin 7; Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Beqir Balluku, Liri Belishova, Spiro Koleka. Tuk Jakova e Bedri Spahiu ishin përjashtuar që në kongresin II. Por këto të dhëna janë të vjetra sepse me siguri që në Kongresin III janë bërë ndryshime si në komitetin qendror dhe në Byronë Politike.

Nëntor 1961

Përplasjet me Jugosllavinë

Partia Komuniste Shqiptare doli hapur kundër sovjetikëve me një artikull në 1 nëntor ku e quante Hrushovin gënjeshtar dhe intrigant anti-marksist, duke theksuar nga ana tjetër se Çu Enlai kishte “kundërshtuar hapur” veprimet e Hrushovit në kongres. E përditshmja e Pekinit ripublikoi artikullin shqiptar më 20 tetor, ndërsa një përmbledhje të fjalimit të Hrushov më 27 tetor dhe rezolutën për heqjen e trupit të Stalinit nga mauzoleumi sovjetik më 28 tetor. Në datën e fundit shtypi kinez publikoi dhe një artikull shqiptar mbi bazën marksiste-leniniste të politikës së jashtme të vendit, që ishte dhe hera e parë që Pekini publikonte sulme verbale ndaj Hrushovit nga udhëheqës të partive të tjera. Ka pasur polemika të ashpra direkte sovjeto-shqiptare në Pekin gjatë festimeve të revolucionit të tetorit më 7 nëntor si dhe në celebrimet e partisë shqiptare më 8 nëntor. Ambasadori sovjetik Çervonenko duke folur në një miting, denoncoi partinë shqiptare për këmbënguljen në marksizëm-leninizmin dhe tentativat për përçarjen e lëvizjes komuniste botërore; gjatë kësaj përfaqësuesit shqitparë raportohet se u larguan nga salla. Më 8 nëntor ambasadori shqiptar në një tjetër takim insistoi në besnikërinë e partisë së tij te marksizëm-leninizmi dhe në deklaratat e partive më 1957 e 1960 për forcimin e unitetit të lëvizjes komuniste, dhe argumentoi se ishin ata që përpiqen të largojnë Shqipërinë nga lëvizja komuniste që po përpiqen ta përçajnë atë. Një tjetër fjalim i rëndësishëm u bë nga Enver Hoxha në Tiranë më 7 nëntor mbi strategjinë, autoritetin, disiplinën dhe marrëdhëniet shtetërore. Duke identifikuar armiqtë e tij si imperializmi, Tito e Hrushovi, Hoxha akuzoi këtë të fundit personalisht për shpifje, shantazh dhe bllokadë, duke e kontraktuar sjelljen e Hrushov me atë të Stalinit si mbrojtës i Shqipërisë. Hoxha insistonte se meritat e Stalinit tejkalonin gabimet e tij (njëlloj me qëndrimin e Kinës) ai akuzon se Hrushov po përdorte çështjen e stalinizmit për të rrëzuar kundërshtarët e tij. Hoxha tha se vetë Hrushovi ishte fajtor në mënyrë flagrante për krijim të kultit të individit. Në lidhje me çështjet e strategjisë, Hoxha refuzoi qëndrimet e Hrushov mbi kushtet dhe argumentet e Kinës duke thënë se i shtrembëronte ato sipas leverdisë. Ai tha se ishte praktika e revizionistëve të citonin kushte të reja për të justifikuar pikëpamjet oportuniste dhe për të përshkruar çdo opozicion si “dogmatik, sektarin apo aventurier”. “Dhe vërtet, me pretekstin e luftës ndaj dogmatizmit Hrushovi po largohet nga parimet themelore komuniste”, tha Hoxha, duke përsëritur akuzat kineze. Ai shtoi se qëndrimi sovjetik për balancimin e fuqive, inkurajon iluzionet reformiste e pacifiste, në përpjekjen kundër imperializmit. Ai kritiko pikëpamjen “inkorrekte e të dëmshme” që thotë se imperializmi nuk dëshiron luftë dhe tha se për evitimin e luftës duhet rritur fuqia e bllokut dhe përpjekja e popujve, jo “qëllimet e mira” të Perëndimit. Nuk është Shqipëria që ka frikë nga imperializmi, tha Hoxha, por Hrushovi që ka refuzuar zgjidhjen për Gjermaninë. Ai kritikoi më tej Hrushovin për parimin e “bashkë-ekzistencës paqësore” si linja e përgjithshme e bllokut apo dhe afrimin me Jugosllavinë.

Sulmet e Hoxhës

Më 30 janar 1962 partia sovjetike iu përgjigj akuzave duke argumentuar se nuk ishte frika ajo që e motivon por nevoja për gjetjen e zgjidhjes, ndërsa qëndrimin shqiptar e përshkroi si “aventurizëm”. Hoxha gjithashtu përsëriti akuzat kineze ndaj Hrushov për çështjen e autoritetit e disiplinës. “Është e vërtetë se partia shqiptare ka refuzuar vendimet e Kongresit të 20 të partisë sovjetike, por ishte e lirë ta bënte këtë gjë pasi vendimet e një partie nuk mund të kushtëzojnë një tjetër (duke iu referuar qëndrimit të Kinës)”, tha ai. Duke sulmuar partinë shqiptare Hrushovi po shkel parimin e deklaratës së vitit 1960 që bën thirrje për bisedime ndërkombëtare në rastin kur dështojnë ato bilaterale. Kjo pasi Hrushovi nuk arriti as në konferencën e qershorit 1960 në Moskë dhe as në nëntor 1960 në Bukuresht të mblidhte shumicën e partive komuniste kundër Kinës e Shqipërisë, dhe sipas tij, kishte frikë nga një tjetër konferencë ndërkombëtare prandaj sabotoi përpjekjen me anë të kongresit të partisë. Hoxha përmendi gjithashtu hapat e ndjekura nga Hrushov në marrëdhëniet ndërshtetërore, siç ishte ndalimi i kredive dhe largimi i specialistëve; kërkesa e pagesave të asistencës së vjetër dhe reduktimi i tregtisë mes vendeve.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2019 - 07:05

Ndërkombëtarët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon zhvillimeve gjatë regjimit komunist.

Postuar: 08/12/2019 - 07:45

Mediat ndërkombëtare kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë regjimit komunist në Shqipëri

Postuar: 07/12/2019 - 07:26

Ndërkombëtarët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë Shqipërisë komuniste.

Postuar: 06/12/2019 - 07:06

Ndërkombëtarët zbardhin detaje nga zhvillimet e zgjedhjeve në Shqipëri më 1945.

Postuar: 03/12/2019 - 07:08

Ndërkombëtarët e kanë paralajmëruar se në Shqipëri po lindte një diktator i frikshëm.

Postuar: 01/12/2019 - 07:36

Amerikanët kanë dhënë detaje për marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik.