Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet: Ja si Enver Hoxha nisi që në vitin 1948 spastrimet në parti, askush nuk bënte dot opozitë

Postuar: 10/03/2019 - 08:00

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera informacione mbi ndodhitë në ditët e para të krijimit të Partisë Komuniste. Në numrin e kaluar gazeta tregoi detaje nga roli i Miladin Popoviç dhe Dushan Mugoshës, ndërsa në numrin e sotëm tregohet se si nisën përplasjet. Shumë emra që dolën kundër u eliminuan.

Tetor 1948

Eliminimi i opozicionit në PPSH

Përballë kritikave të vazhdueshme dhe humbjes së terrenit, klika burokratike vendosi ta distanconte veten nga pozita e pafavorshme dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë ishte që ajo të mbyste që në filiz opozicionin revolucionar. Ata vendosën të eliminonin duke vrarë kundërshtarët e tyre dhe kjo solli në vrasjen e marksistit më të njohur në Shqipëri, Anastas Lulës. Aktivisti komunist Difi, sapo dëgjoi për vrasjen e Anastasit, shkoi për ta diskutuar me Xhepin dhe për atë që ata duhet të bënin. Difi ishte komisar politik i batalionit të Mallakastrës asokohe, një nga njësitë më të mëdha partizane. Difi informoi Xhepin se Komiteti Qendror i kishte dënuar atë, Xhepin ashtu si dhe Anastasin me vdekje. Ai përshkroi vrasjen e Anastasit dhe paralajmëroi se edhe Xhepi do të vritej fshehtësish si ai natën, por do të varrosej me nderime ditën, prej mbështetjes që kishte në luftëtarët dhe popullit e Vlorës. Duke pranuar që po shkelte disiplinën e partisë Difi tha se duhej gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund fushatave kundër individëve. Ai shprehu besim te Xhepi dhe akuzoi Komitetin Qendror se ishte një klikë që kishte si qëllim vetëm monopolizimin e partisë. Për këtë arsye, tha ai, ata kërkojnë të eliminojnë të gjithë revolucionarët me vlerë. Difi i kërkoi Xhepit ta këshillonte si një komunist i vjetër që ishte, sesi mund t’i jepnin fund aktiviteteve të klikës së partisë. Xhepi mendoi se mënyra më e mirë komuniste ishte thirrja e një kongresi ku të ishin prezentë të paktën dy anëtarë të secilit grup komunist, së bashku me të gjithë anëtarët e komiteteve rajonale të Vlorës dhe disa anëtarë të komitetit qendror (Meqenëse Vlora ishte nga qendrat më revolucionare besohej se aplikimet e teorive leniniste të centralizimit demokratik duhet të kryheshin atje. Më vonë të gjitha qendrat e tjera do të ndiqnin shembullin e saj). Qëllimi i kongresit do të ishte ekzaminimi i gabimeve që ishin kryer dhe dënimi i fajtorëve. Nëse gjatë diskutimeve kuptohej se komiteti i Vlorës nuk kishte më mbështetjen e shumicës së shokëve, atëherë një komitet i ri do të zgjidhej në mënyrë demokratike.

 

Përplasjet

 

Me gjithë faktin se 80 për qind e luftëtarëve dëshironin mbledhjen e kongresit të partisë, Komiteti i Vlorës dhe Komiteti Qendror ishin kategorikisht kundër idesë. Fillimisht ata pretenduan se do ta pranonin idenë, por kjo ishte sa për të fituar kohë për të përgatitur planin e eliminimit të shokëve më aktivë dhe më të ndërgjegjshëm. Sapo ata kishin përgatitur planin e tyre të terrorizmit, fshehtësish u arrestua komisari politik i komunës së Dukatit. Një tentativë për vrasjen e Xhepit u krye, por ai i shpëtoi vdekjes, pasi disa shokë e lajmëruan në kohë. Komiteti qendror dinakërisht arrestoi dhe komisarin politik Xhemil Cakerri dhe major Vangjon e batalionit të Vlorës, të cilët u çuan më pas për t’u ekzekutuar. Komisari politik u ekzekutua ndërsa majori shpëtoi me një plagë në dorë dhe u strehua në një fshat ku u ndihmua nga vendasit. Mehmet Shehu (sot krimineli më i madh në Shqipëri dhe gjeneral stalinist i ushtrisë) shkoi personalisht në këtë fshat dhe arriti të arrestonte Vangjon, duke u justifikuar me fshatarët se vrasjet ishin kryer aksidentalisht dhe sa tani Vangjo do të gjykohej në gjyqin e partisë. Por Vangjo u shoqërua në një shtëpi në pyll dhe u detyrua të nënshkruante një letër ku i jepte komandën e batalionit Mehmet Shehut. Vangjo u mbajt i burgosur për 3 muaj derisa arriti të arratisej dhe të bashkohej me shokët e opozicionit. Ndërkohë vrasjet e komunistëve revolucionarë vazhdonin në të gjitha degët e partisë. Me anë të gazetave e propagandës drejtuesit bënin të dukej sikur thirrja për mbledhjen e kongresit kishte si qëllim shkatërrimin e partisë në formën e konspiracioni të drejtuar nga Xhepi. Sikur opozita revolucionare të kishte qëllim komplotin kundër klikës staliniste, siç pretendonin këta të fundit, kjo do të kishte qenë e thjeshtë pasi ata ishin në minorancë në Vlorë. Por opozitarët revolucionarë refuzonin të përdornin metoda terroriste ndaj stalinistëve dhe dëshironin të vepronin sipas mënyrave të ligjshme të partisë. Ata nuk ishin armiq të partisë edhe se klika në pushtet kishte vendosur t’i eliminonte me çdo kusht. Është e qartë se opozita komuniste shqiptare ishte viktimë e sistemit të partisë dhe grupi drejtues kërkonte të eliminonte të gjithë ata që ishin në favor të thirrjes së kongresit. Klika në pushtet refuzonte kongresin pasi nuk mund të justifikonte veprimet e saj dhe devijimet nga linja komuniste, prandaj ishte më e lehtë të fitonte kohë me anë të terrorizmit.

 

Situata fillestare

 

Komunistët që kishin sakrifikuar kaq shumë për partinë nuk mund të tentonin ta shkatërronin atë me duart e tyre dhe stalinistët e dinin mirë këtë. Një tjetër arsye për makinacionet e stalinistëve ishte frika e humbjes së kontrollit të partisë. Por edhe sikur ata të kishin dëshiruar të pranonin propozimet e opozitës revolucionare nuk mund ta bënin këtë sepse dikush tjetër komandonte partinë shqiptare, kjo ishte klika jugosllave dhe mbi to ishte vetë Stalini. Kjo situatë tragjike demonstron se tashmë stalinizmi kishte zëvendësuar fashizmin dhe po tejkalonte metodat e tij të terrorit në praktikë. Rrjedhimisht nuk mund të pritej shumë nga Partia Komuniste Shqiptare kur edhe parti të tjera komuniste si ajo e Francës kishin qenë prej kohësh vegla të burokracisë së Kremlinit. Lëvizja komuniste shqiptare ishte ende në fillesat e saj kur u kontaminua nga stalinizmi, dhe shumë pak njerëz i kishin idenë e marksizëm-leninizmit. Shumica e anëtarëve ishin vetëm simpatizantë sentimentalë për sensin e drejtësisë së komunizmit dhe jo luftëtarë revolucionarë. Komunizmi ishte një rezultat i kushteve të veçanta sociale e ekonomike, të cilët ende nuk kishin arritur një pjekuri në Shqipëri. Partia Komuniste ishte krijuar vetëm prej një viti dhe anëtarët e saj shqiptarë nuk ishin indoktrinuar apo zhvilluar në mësimet e saj. Në Shqipëri nuk ekzistonte proletariati industrial dhe rrjedhimisht as lufta klasore. Ajo që është e admirueshme te shqiptarët është se megjithë përpjekjen e vështirë për mbijetesë dhe kundër shtypjes nga fuqitë e huaja, ata kanë treguar frymë të pakrahasueshme revolucionare. Pas refuzimit për mbledhjen e kongresit dhe përdorimin e metodave terroriste, opozita e partisë botoi një shkrim të gjatë me titull “Përse u ndamë nga e ashtu-quajtura Partia Komuniste” ku informonte luftëtarët e partisë dhe të gjithë popullin për tradhtinë e kryer nga udhëheqja. Pas botimit të shkrimit, lëvizja revolucionare opozitare e Vlorës u ndoq nga lëvizje të ngjashme në zona të tjera të Shqipërisë, veçanërisht në Berat, ku opozicioni drejtohej nga luftëtarët revolucionarë resul, Namik e Fatbardh. Por për fat të keq këto lëvizje ishin vetëm lokale pasi nisën në një periudhë kur klika staliniste e kishte konsoliduar pozitën e saj drejtuese në parti me anë të metodave terroriste dhe demagoge.

 

Sulmet

 

Më tej stalinistët akuzuan grupet revolucionare se po favorizonin reaksionarët, por opozitarët reaguan duke provuar me fakte se stalinistët po gënjenin masat duke përdorur metoda terroriste kundër atyre që kishin qenë revolucionarë prej fillimit. Njerëzit nisën të distancoheshin nga partia kur panë vrasjet e revolucionarëve më të njohur si Anastas Lula, Neki Hoxha (Vangja), Xhemil Cakerri, LLazar Fundo, Resul Tozhari, Namik Neqemerja, Xhafer Dalami, Xhelal Hoxha, Nimet Mitea, Haki Xhelo, Duro Kanina, Idajet Bolena e dhjetra të tjerëve që kishin spikatur me aktivitetin revolucionar. (Llazar Fundo e Halim Xhelo ishin aktivistët e parë komunistë në SHqipëri. Fundo ishte gjithashtu anëtar i Komintern prej kohësh por u nda prej saj kur e pa se ishte transformuar në një instrument në urdhrat e burokratëve të Kremlinit. Për të ruajtur traditën komuniste ai nisi të përhapë ide trotskiste). Njerëzit po humbnin besimin te partia kur mësuan se një kolonel i ushtrisë italiane qëlloi në ajër nga gëzimi për lajmin e vrasjes së heronjve revolucionarë, të cilët i kishin hapur probleme fashistëve prej kohësh. Populli u tmerrua nga lajmi se armiqtë më të ashpër të fashizmit ishin vrarë nga vetë partia e tyre dhe se stalinistët po plotësonin dëshirat e rivalëve të tyre fashistë. Stalinistët shqiptarë në Partinë Komuniste zëvendësuan aktivizimin dhe respektin vullnetar me adhurimin e detyruar të personave pa vlerë apo disa borgjezëve si Enver Hoxha e të tjerë. Shumica e luftëtarëve të partisë dhe e popullit po e shihte qartë degjenerimin e komunizmit të komanduar nga sovjetikët. Të ashtuquajturat gjykata të popullit po e bënin të qartë se cili ishte qëllimi i vërtetë i mbështetësve të “Demokracive Popullore”. Vrasjet e pabesa të qindra revolucionarëve marksistë dhe dënimet me vdekje të shpallura për revolucionarin e njohur Hasan Reçi, burgosja e revolucionarit Kadri Hoxha dhe përjashtimi i Sejfulla Malishovës, ishin tiparet kryesore të tradhtisë së komunistëve shqiptarë. Hasan Reçi ishte dënuar me vdekje tre herë si komunist nga qeveria e mbretit Zog, më pas nga pushtuesit fashistë dhe për herë të fundit nga stalinistët shqiptarë. Kadri Hoxha ishte gjithashtu një luftëtar i devotshëm revolucionar dhe Sejfulla Malishova një nga pionierët e komunizmit shqiptar. Malishova ka qëndruar shumë kohë jashtë Shqipërisë duke u përpjekur të koordinonte lëvizjen shqiptare me atë të vendeve të tjera, dhe ishte profesor filozofie materialiste në universitetin e Moskës. Çështja tani është nëse populli shqiptar do të mbetet përjetësisht pasiv ndaj kësaj sëmundjeje të pashërueshme, ose do të veprojë për të ndaluar krimet e stalinistëve duke parë sesi u tradhtuan idealet. Pas shkrimit të këtij artikulli në Partinë Komuniste Shqiptare nisi një krizë si rezultat i çështjes jugosllave. Pesë anëtarë të Byrosë Politike janë përjashtuar duke përfshirë dhe Koçi Xoxe e Pandi Kristo të cilët tashmë i janë bashkuar opozicionit. Është e sigurt se ky artikull do t’i shërbejë revolucionarëve shqiptarë ta çlirojnë veten e tyre nga dominimi stalinist i cili siç u pa më lart i ka shkaktuar efekte katastrofike lëvizjes komuniste.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/05/2019 - 07:07

SHAB ka zbardhur të tjera dokumente s ai takon vitit 1946. Në një dokument të deklasifikuar tregohen detajet e një vizite të Tuk Jakovës në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Postuar: 19/05/2019 - 07:47

Italia ka shkaktuar mbi 3 miliardë franga ari dëme gjatë pushtimit në Shqipëri.

Postuar: 18/05/2019 - 07:25

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipëri gjatë vitit 1946.

Postuar: 17/05/2019 - 07:10

Zbardhe diskutimet e vitit 1946 për anëtarësimin e Shqipërisë në OKB.

Postuar: 16/05/2019 - 07:14

Amerikanët kanë nxjerrë në pah të tjerë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1946.