Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet, ja si gjermanët morën Beratin dhe beteja për çlirimin e Tiranës, në kryeqytet u vranë dhe u kapën peng mbi 1.500 ushtarë

Postuar: 26/10/2019 - 07:12

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Në numrin e sotëm, ai tregon detaje nga disa beteja të partizanëve me gjermanët. Dy më interesantet janë ajo e Berati dhe ajo e Tiranës.

 

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Operacioni gjerman kundër krahinës së Mokrës (Korçë)- Trupat gjermane që morën pjesë në këtë aksion ishin rreth 1500 të ndihmuara nga trupat e Ballit Kombëtar të zonës së Elbasanit. Edhe këtu luftimet zgjatën rreth 10 ditë. Për humbjet e gjermanëve nuk di, por si Balli si partizanët pësuan shumë humbje. Gjermanët shkelën në të tërë Mukjen duke djegur e duke vrarë. Trupat partizane ishin të mundura, por jo të shpartalluara e të shpërndara si në Shpat e në Çermenikë dhe u tërhoqën në krahinën e Gore-Oparit.

 

Operacioni gjerman në Gore-Opar- Këtu ishin rreth 2000 trupa gjermane dhe disa trupa ndihmëse nga Balli Kombëtar. Koha e luftimeve ishte dhjetor 1943-janar 1944. Sulmet gjermane u thyen me humbje të mëdha për ta, ndërsa partizanët i ndoqën duke u përzënë dhe nga Pogradeci që kishin fituar më herët. Luftimet e janarit në Kamje u treguan gjermanëve se kishin arritur në qendër të rezistencës partizane ku ndodheshin forcat e tyre kryesore. Gjermanët nisën sulmin e tyre nga veriu i Shqipërisë në Dibër dhe e vazhduan në jug deri në Gore të Korçës, por e ndërprenë në Kamje. Por kjo ndërprerje ishte momentale pasi ata nisën të organizonin një operacion më të gjerë, me forca më të mëdha, të cilin e nisën në janar 1944.

 

Gjermanët nisën operacionin kundër Beratit i cili kishte mbetur në duar të partizanëve që prej kapitullimit të Italisë. Rreth 4000 forca gjermane pushtuan qytetin dhe avancuan deri në krahinën e Tomorricës dhe Skraparit, ku dhe u thyen dhe u detyruan të tërhiqen. Operacioni i tyre kundër Drashovicës vazhdoi për njëzet ditë, humbjet gjermane ishin të mëdha, por ata hynë në Drashovicë dhe reprezaljet ishin të mëdha. Gjermanët kryen një operacion të shpejtë në Kurvelesh që nuk ishte një ofensivë shtypëse, por një sulm pa objektiv të qartë që nuk shkaktoi humbje të mëdha, por nuk korri as suksese. Gjermanët patën sukses në operacionet e tyre vetëm Dibër, Pezë, Çermenikë, Shpat e deri diku në Mokër. Në zonat e tjera suksesi i tyre ishte i përkohshëm. Gjermanët e kuptuan se kjo ishte vatra e rezistencës partizane, prandaj në janar 1944 ata nisën operacionin e madh kundër të gjithë jugut nga shumë drejtime, nga Korça, nga Greqia, nga Berati e Vlora. Ky operacion në zona malore zgjati rreth një muaj dhe morën pjesë rreth 15 000 forca gjermane, përfshi dhe njësi alpine e ndihmën e Ballit Kombëtar. Ky ishte një operacion që është përmendur dhe në komunikatën e kuartierit të përgjithshëm gjerman. Luftime të ashpra u zhvilluan në “Kullat e Gjergjevicës” (Korçë), në Bofnje të Dushariut, në qafë të Gjarprit dhe në Skrapar, në Kurvelesh të Vlorës e disa krahina të Gjirokastrës. Në majin e 1944 gjermanët sjellin përsëri trupa nga Greqia e Jugosllavia për operacionin e përgjithshëm kundër jugut. Këtu kishte shumë trupa jo me cilësi si komandot e dimrit. Mes këtyre trupave kishte gjermanë, italianë, armenë, polakë e francezë. Kolona e tyre nisi sulmin që nga Struga e Maqedonisë dhe u ndal në Kamje, ku u thye. Kolona e nisur nga Elbasani u sulmua kur ishte duke kaluan lumin Shkumbin dhe u thye me humbje të mëdha. Një tjetër kolonë u godit në lumin Devoll pranë Gjinikasit dhe aty u ndal. Kolona e nisur nga Pogradeci avancoi drejt Skraparit, ashtu si dhe ajo e Korçës në drejtim të Beratit e Kolonjës. Kjo ishte më shumë një mësymje e shpejtë dhe jo një ofensivë e rregullt. Shumë fshatra në rrugën e autokolonave u dogjën e u vranë, por partizanët nuk pësuan humbje të mëdha. Pikërisht gjatë zhvillimit të këtij operacioni, Divizioni I-rë partizan që ndaloi përparimin e gjermanëve në Shqipërinë e Mesme, kapërceu lumin Shkumbin dhe nisi ofensivën drejt veriut duke kryer me sukses këto operacione;

Luftimin për çlirimin e Dibrës, duke dëbuar gjermanët;

Luftimin për çlirimin e Zabzunit, duke thyer gjermanët në Homesh;

Luftimin për çlirimin e Peshkopisë;

Luftimet kundër bajraktarëve të Krujës, Lurës, Mirditës etj.

 

Tërheqja gjermane

 

Kjo ishte koha kur gjermanët po humbisni terren dhe po mendonin vetëm të tërhiqeshin nga Ballkani. Ata nuk kishin forca që të merreshin me ndjekjen e çetave fantazmë në male, si në veri dhe në jug. Gjermanëve në këtë kohë u interesonte mbajtja e disa rrugëve ose korridoreve për tërheqjen, siç ishin ato Vlorë-Tiranë-Shkodër-Jugosllavi dhe Korçë-Manastir-Kosovë (Jugosllavi). Një luftim i rëndësishëm me gjermanët në këtë periudhë të fundit ishte beteja për çlirimin e Tiranës. Forcat partizane që morën pjesë ishin Divizioni I-rë dhe disa brigada autonome, së bashku me Divizionin e IV-t. Fundi i luftës guerile në betejën e Tiranës u vendos nga beteja në Krrabë mes partizanëve dhe prapavijës gjermane që vinte nga Greqia. Në këtë betejë gjermanët pësuan humbje të mëdha dhe furnizimet dhe armatimet e prapavijës ranë në dorë të partizanëve. Në Krrabë u vranë, u plagosën ose u zunë rob rreth 1500 gjermanë. Edhe për forcat partizane beteja e Tiranës shkaktoi më shumë humbje se çdo betejë tjetër, por jo në Kërrabë, brenda qytetit. Kjo sepse gjithmonë ai që sulmon në qytet pëson më shumë humbje se ai që mbrohet në ngrehinë. Për marrjen e Shkodrës nuk është bërë asnjë luftë. Për marrjen e Korçës janë bërë vetëm disa shkëmbime zjarri pasi gjermanët ishin në tërheqje. Sikur të ishin sulmuar gjermanët brenda Korçës qyteti do të qe shkatërruar i gjithi. Kjo taktikë është ndjekur nga partizanët edhe në Vlorë, Gjirokastër e Kukës. (Shifrat që jap janë të gjitha me rezerva, ashtu si dhe emrat e luftimeve. Jo sepse i kam dhënë gabim, por mund të mos i kem vënë të tëra. Ku mbahen mend pas 15 vitesh). Periudha e tretë përfshin kohën nga nëntori 1944 deri në maj të vitit 1945, domethënë deri në dorëzimin pa kushte të Gjermanisë. Gjatë kësaj periudhe trupat partizane luftuan kundër gjermanëve në tokën jugosllave. Trupat partizane përbëheshin nga Divizioni V-të dhe i VI-të. Efektivat kanë luftuar në Malin e Zi, në Kosovë e në Serbi. Emrat nuk i mbaj mend, por e di se mjaft qytete në Bosnje, Kosovë e Mal të Zi janë çliruar nga repartet e këtyre divizioneve. Mbarimi i luftës i gjeti ata në zemër të Bosnje-Hercegovinës. Më pas ata u kthyen në Kosovë, ku u morën me çarmatosjen e popullsisë shqiptare dhe ruajtjen e rendit. Kjo është bërë me kërkesë të Titos pasi shqiptarët e Kosovës nuk donin të dorëzonin armët dhe qytetet e partizanëve jugosllavë. Divizionet shqiptare me flamurin shqiptar e kryen më së miri punën e Titos.

 

Organizmi i Ballit Kombëtar

 

Cilët kanë qenë organizatorët e Ballit Kombëtar, sa anëtarë numëronte, në cilat krahina vepronte dhe cili ka qenë aktiviteti i tij? Cilat ishin luftimet kryesore me okupatorët ose me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare? Arsyet e dështimit.

Kanë kaluar më shumë se 12 vjet nga koha kur është organizuar Balli Kombëtar. Unë personalisht nuk kam qenë anëtar as simpatizant i kësaj organizate prandaj dhe të dhënat e mia do të jenë të pakta. Shumicën e krerëve të kësaj organizate as që i kam parë ndonjëherë dhe tashmë emrat e tyre janë zhdukur nga skena politike në Shqipëri. Balli Kombëtar si organizatë politike u krijua nga individë nacionalistë me pikëpamje e ide jo krejt të përbashkëta. Krerët ballistë ishin nacionalistë shqiptarë që e kuptuan lojën politike të komunistëve dhe nuk pranuan të nënshtroheshin te ajo duke hyrë në Frontin Nacional-Çlirimtar. Iniciativa për Ballin Kombëtar erdhi nga nacionalistë anti-zogistë që ndodheshin në Shqipëri para vitit 1939, si Mithat Frashëri, Hasan Dosti, Kol Tromara, Eqrem Libohova etj. dhe të gjithë elementët intelektualë me një të kaluar politike dhe influencë në sferat e larta të shoqërisë së atëhershme shqiptare. Kishte gjithashtu nacionalistë anti-zogistë që ndodheshin në emigracion gjatë regjimit të Zogut dhe u kthyen pas prillit 1939 si Ali Këlcyra, Beqir Valteri, Bari Omari, Koço Muka, Skënder Çami dhe të tjerë ose intelektualë ose shtresa të mesme me influencë. Kishte gjithashtu disa intelektualë demokratë nacionalistë si bij bejlerësh e pasanikë qytetesh, si Zef Pali, Safet Butka, Abaz Ermenji etj., që ishin disi më të rinj se dy kategoritë e para. Kishte pronarë tokash, bejlerë e feudalë pa të kaluar politike, të cilët i trembeshin programit të Partisë Komuniste si... Biçakçiu, Maliq Bushati etj. Shumë nga këta eksponentë të Ballit nuk jetojnë më. Disa vdiqën nga vdekje natyrale në Shqipëri ose në emigracion (Eqrem Libohova, Mithat Frashri), të tjerë u vranë gjatë luftës si Safet Butka, Skënder Çami, ndërsa të tjerët u dënuan me vdekje në gjyqet që u zhvilluan pas “çlirimit” në Shqipëri, siç ishin Bari Omari, Beqir Valteri, Maliq Bushati, Fazlli Frashëri, Irfan Ohri etj. Ata që kanë mbetur gjallë në emigracion nuk e di me çfarë merren tani. Di vetëm se pas disfatës së plotë të Ballit dhe arratisjes së organizatorëve të tij në Itali e gjetiu, ata vijuan aktivitetin ose krijuan grupe të tjera me parime të ngjashme. Njohuritë e mia janë të pakta mbi çështjen, nuk e njoh numrin e anëtarëve të organizatës, por ajo nuk ka pasur bazë apo strukturë organizative. Në të sundonte paria feudale, por kam përshtypjen dhe po të pyetej Mithat Frashëri, po të ishte gjallë, mbi numrin e anëtarëve të Ballit nuk do dinte ç’të thoshte. Tani që mbarova me të panjohurat e kësaj pyetjeje, kaloj në çështjet ku mund të them diçka më tepër, si historia e Ballit gjatë viteve të para të ekzistencës së tij. Unë do ta ndaja atë në katër periudha kryesore: periudhën përgatitore, periudhën fillestare, periudhën e izolimit dhe atë të disfatës.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit