Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet, ja si Hoxha u përplas me Hrushovin në Konferencën e Moskës, BRSS nisi të aplikojë presionin ekonomik pas afrimeve me Kinën

Postuar: 17/05/2018 - 07:39

CIA ka dhënë detaje mbi përplasjet Shqipëri-BRSS. Në vitin 1960 marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në ditë më të zeza dhe kulmi arriti në konferencën e Moskës. Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe zyrtarë të tjerë morën pjesë vetëm për të sulmuar Moskën dhe kështu ndodhi, duke shkaktuar mjaft reagime të forta. Po ashtu tregohet dhe se si u përjashtuan nga partia Liri Belishova dhe Koço Tashko.

Spastrimi i Belishovës dhe Tashkos

 Në plenumin e komitetit qendror të 9 shtatorit në Tiranë, dy anëtarë të vjetër të partisë, Liri Belishova dhe Koço Tashko u akuzuan respektivisht për “gabime të rënda” dhe “aktivitete armiqësore” dhe u dëbuan nga postet e tyre në parti. Pak më vonë dhe bashkëshorti i Belishovës, Maqo Çomo u shkarkua nga posti i ministrit të Bujqësisë. Belishova kishte bërë shkollën e partisë në Bashkimin Sovjetik në vitet 1952-1954 dhe herën e fundit kishte kontaktuar me udhëheqësit sovjetikë në korrik të atij viti. Me sa duket ajo kishte tentuar të bindte kolegët shqiptarë të hiqnin dorë nga rezistenca ndaj politikave të Moskës. Ndërsa Tashko ishte diplomuar në Harvard dhe kishte kaluar 16 vjet në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte organizuar grupet komuniste që në periudhën e para-luftës. Tashko kishte drejtuar delegacionin në Kinë në tetor 1959, por me sa duket nuk i kishin pëlqyer metodat dhe përparimet kineze, aq sa vizitorëve të tjerë shqiptarë. Largimi i këtyre zyrtarëve nga partia u pasua nga një shkundje e gjerë e personelit partiak qendror dhe rajonal. Në shtator regjimi njoftoi se Shehu do të drejtonte delegacionin shqiptar në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara ku do të merrnin pjesë Hrushovi dhe udhëheqës të tjerë të partive satelite. Refuzimi i Hoxhës për të marrë pjesë atje ishte prej çarjes së thellë që ishte krijuar mes Shqipërisë dhe BRSS. Pasi kishin dështuar në përmbysjen e regjimit të Tiranës me anë të puçit të brendshëm në gusht, BRSS nisi të aplikojë presionin ekonomik me më shumë forcë dhe duke përfshirë në këtë dhe vendet e tjera satelite. Blloku sovjetik refuzoi kërkesën e Shqipërisë për 75 000 ton grurë për nevojat e brendshme, ndërsa vetëm BRSS ofroi 15 000 ton, dhe bullgarët 3000 ton. Për të reduktuar presionin sovjetik Kina ofroi të ndihmonte Shqipërinë me 45 000 ton grurë, nga të cilat 9000 ton arritën më 10 tetor. Në sesionin e OKB në Nju Jork Shehu u refuzua hapur nga të gjithë krerët e vendeve satelite të pranishme. Në një pritje të delegacionit çek më 27 shtator Hrushovi nuk e takoi fare Shehun. Shqiptarët nga ana e tyre kritikuan propozimet sovjetike për çarmatosje dhe pas kthimit në Shqipëri Shehu e sulmoi publikisht Moskën.

Propozimi për çarmatosje

Në një fjalim në parlament më 25 tetor ai e quajti absurd propozimin e udhëheqësit bullgar Zhivkov që trupat ushtarake në Ballkan të reduktoheshin në nivel rojesh kufitare. Shehu tha se një propozim i tillë për çarmatosje në Ballkan ndihmon imperialistët që janë të armatosur deri në dhëmbë, për të rrethuar bllokun. Ai kritikoi gjithashtu rezolutën polake në OKB për ngrirjen e numrit të bazave ushtarake në territore të huaja, duke thënë se kjo tezë “mund ta ketë origjinën në kokën e dikujt”, që kërkon të legalizojë bazat e huaja amerikane. Në fjalimin e tij Shehu nuk u kufizua vetëm në sulmet ndaj propozimeve të udhëheqësve të tjerë, pot gjithashtu denoncoi dhe deklaratat e mëparshme të Hrushov. Shehu argumentoi se përpjekja e vazhdueshme kundër revizionizmit “nuk i rrit vlerën revizionistëve, siç pretendon dikush”, tha ai duke iu referuar një komenti të Hrushov në qershor 1958, dhe shtoi se lufta është faktori më efektiv kundër tentativave imperialiste të sabotimit. Në një tjetër sulm të tërthortë ndaj Hrushov, Shehu deklaroi se partia shqiptare qëndron e vendosur në linjën e saj leniniste, sipas së cilës imperializmi është burimi i luftërave dhe për sa kohë që ekzistojnë ata do të ekzistojë agresioni. Në kongresin e partisë rumune Hrushovi kishte thënë: “Historia do të dëshmojë për një kohë kur kapitalizmi do të ekzistojë vetëm në një pjesë të vogël të saj ... vetëm shtete të vogla sa kopsa e një palltoje, por sigurisht që këto bisha të vogla përsëri mund të kafshojnë, por është më e lehtë për t’i bërë të padëmshme”. Më në fund, duke dënuar kritikat e shumta sovjetike ndaj Kinës, Shehu tha se republika popullore kineze është në rrugën e duhur marksiste-leniniste ndërsa quajti Mao Ce Dun “militant të pamposhtur marksist-leninist, bir të popullit kinez”. Me këtë fjalim nuk mund të kishte më dyshime se cili do të ishte qëndrimi i Shqipërisë në konferencën e pritur të partive komuniste në Moskë në nëntor. Hysni Kapo, që ishte krye-delegati shqiptar në konferencën e Bukureshtit kishte shkuar paraprakisht në Moskë për nisjen e negociatave para konferencës.

Lidhjet me Kinën

Teksa Moska dhe Tirana kishin flakur fasadën e marrëdhënieve miqësore, lidhjet e Shqipërisë me Kinën po lulëzonin. Shqipëria ishte i vetmi vend evropiano-lindor që dërgoi delegacion të rangut të lartë në festimet e 11-vjetorit të revolucionit. Në fjalimin e tij në Pekin, kreu i delegacionit shqiptar Këllezi, ngriti lart pikëpamjet e partisë kineze dhe korrektësinë e tyre politike, ideologjike dhe ekonomike. Ai përmendi komunat kineze si shembull të linjës korrekte të partisë, ndërsa udhëheqësit kinezë nga ana e tyre rikonfirmuan mbështetjen për Shqipërinë duke thënë se mendësia shqiptare dhe kineze kishte themele të njëjta ideologjike. Folësit kinezë gjithashtu sulmuan BRSS duke thënë se “Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë iluzione për armikun”. Delegacioni shqiptar i prit nga kryetari Mao Ce Dun, që ishte një nder i rrallë. Ndërsa në Tiranë, në pritjen për përvjetorin e partisë kineze, Hoxha tha se Kina ishte mbrojtëse e pastërtisë së marksizëm-leninizmit, kundër revizionizmit dhe manifestimeve të tjera të dëmshme. Një tjetër shenjë e unitetit Shqipëqri-Kinë u shfaq në konferencën rumune të sindikatave në Bukuresht më 28 tetor, ku para se të fliste përfaqësuesi jugosllav, delegacioni i Shqipërisë dhe Kinës dolën nga salla.

Konferenca e Moskës, nëntor 1960

Vizita e fundit e Hoxhës e Shehut në Moskë ishte sigurisht e papëlqyeshme për ta. Prandaj kësaj radhe ata erdhën të vendosur që jo vetëm të mbështesnin qëndrimin kinez, por dhe të shprehnin pa rezerva zemërimin e tyre me udhëheqësit sovjetikë. Ata arritën në 3 nëntor të shoqëruar nga 2 anëtarë të tjerë të byrosë politike dhe Hysni Kapo që kishte ardhur më herët për negociatat paraprake. Ramiz Alia kishte zëvendësuar Belishovën e spastruar. 2 ditë pas ardhjes BRSS i dërgoi një letër Kinës ku thoshte se marrëdhëniet me Shqipërinë ishin të tensionuara prej spastrimeve që Shqipëria kishte bërë ndaj personave me arsyen e vetme se kishin miqësi me BRSS, duke iu referuar Belishovës e Tashkos. Konferenca u hap më 10 nëntor. Hrushovi foli i pari duke theksuar arsyet e tij kundër komunistëve kinezë, pa iu referuar shqiptarëve. Hoxha nuk foli deri më 16 nëntor. Në fjalimin e ti ai renditi të gjitha zemërimet e Shqipërisë me udhëheqjen sovjetike dhe veçanërisht me Hrushovin. Ai i dha mbështetje politikës së jashtme të Kinës dhe çështjeve të saj ideologjike me BRSS, duke përfshirë dhe akuzat se Hrushovi po ngatërronte tezat e Leninit. Hoxha tha se Shqipëria mbështeste politikën e bashkëjetesës paqësore por të shoqëruar me forcimin e luftës së klasave, pasi kapitalistët nuk do të pranonin kurrë bashkë-ekzistencën vullnetarisht por vetëm nëse detyroheshin nga frika. Ai tha se Shqipëria beson se lufta është e paevitueshme dhe rreziku i saj nuk do të zhduket kurrë për sa kohë që nuk zhduket imperializmi. Hoxha tha se kushdo që e fsheh këtë është tradhtar. Hoxha vazhdoi më tej: “Hrushovi dhe miqtë e tij sovjetikë kanë marrë vendime unilaterale për çështje me karakter ndërkombëtar. Ata nuk kanë kryer konsultime të rregullta me partitë e tjera sic bënte Stalini, por kanë mbajtur takime vetëm kur i leverdiste atyre. Vendimet e Paktit të Varshavës janë marrë pa konsultime. Nuk ka pasur konsultime për vizitën e Hrushovit në Beograd në maj 1955. Partia shqiptare kishte aprovuar politikën e bashkë-ekzistencës por dëshironte që lëvizja ndërkombëtare të vendoste për afrimin me partinë jugosllave. As partitë e tjera nuk janë konsultuar në kongresin e 20 sovjetik për denoncimin e Stalinit në atë mënyrë që e bënë sovjetikët. Stalini i përkiste lëvizjes botërore komuniste dhe ka qenë lideri më i madh që prej Leninit. “Udhëheqja sovjetike ka ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme të Shqipërisë. Ata dërguan Suslov që të komplotonte me Titon për shkatërrimin e udhëheqjes shqiptare në vitin 1956. Më së fundmi, disa anëtarë të byrosë politike shqiptare që kishin ardhur në Moskë u ishte kërkuar të bënin zgjedhjen e tyre mes BRSS dhe partisë kineze. Disa prej tyre e vlerësuan ofertën ndërsa të tjerët u kërcënuan nëse nuk komplotonin kundër udhëheqjes shqiptare. Ambasadori sovjetik në Tiranë ka ndërhyrë në punët e jashtme të vendit tonë dhe zyrtarët sovjetikë janë përpjekur të nxisin gjeneralët shqiptarë kundër partisë së tyre. BRSS ka refuzuar gjithashtu të japë ndihmën vllazërore ndaj Shqipërisë dhe ka ofruar vetëm 10 000 ton grurë, të cilat mjaftojnë vetëm për 35 ditë, nga 50 000 ton që ne kërkuam”. Fjalimi i Hohxës solli reagimin e menjëhershëm të vendeve satelite në favor të Bashkimit Sovjetik, ndërsa vetë Hrushovi nuk reagoi deri më 23 nëntor. Ai nuk bëri përpjekje t’i përgjigjej në detaje akuzave të Hoxhës por shpjegoi se partia kishte propozuar një memorandum “kundër deklaratave të rreme”. Mbi çështjen e Stalinit ai nuk tha asgjë. Hrushovi tha se kishte prova se Hoxha kishte pranuar që partia sovjetike të niste afrimin me Jugosllavinë. Hrushov tha se të dhënat e shkruara hedhin poshtë atë që tha Hoxha, por në fund të fundit “Kush mund të debatojë me Hoxhën?”, tha ai.

Kina fiton një vend satelit

Dy ditë më vonë Hoxha dhe Shehu u larguan papritur nga Moska, duke lënë prapa Alian dhe Kapon për të nënshkruar deklaratën e përbashkët të konferencës. Ata thanë se u larguan për të marrë pjesë në festimet e 28 nëntorit në Shqipëri, edhe nuk arritën në vend deri më 29 nëntor. Dy ditë pas largimit të udhëheqësve nga Moska, udhëheqësi kinez Mao Ce Dun dhe Zhu Enlai morën pjesë në pritjen festive të ambasadës shqiptare në Pekin. Në letrën e urimeve të partisë kineze për festën e çlirimit thuhej se “Partia Komuniste Kineze është krenare që ka një aleat të palëkundur te Shqipëria ... Populli kinez e vlerëson shumë mbështetjen e dhënë nga populli shqiptar”. Më 2 dhjetor radio shqiptare njoftoi se monumente të reja do të ngroheshin në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë buste të Stalinit e të Mao Ce Dun. Plenumi i partisë shqiptare më 19-20 dhjetor aprovoi unanimisht aktivitetet e delegacionit shqiptar në konferencë. Një tjetër vit duhet të kalonte para se Hrushov të sulmonte publikisht udhëheqjen shqiptare dhe të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike. Tashmë Kina ishte i vetmi mik i fuqishëm i Shqipërisë dhe deri në dhjetor 1960 u bë e qartë se Tirana, Moska dhe Pekini tashmë ishin dakord vetëm për një gjë, që ishte deklarata e Teng Ciaoping më 6 nëntor: “Bashkimi Sovjetik humbi një Shqipëri, Kina fitoi një Shqipëri”.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 33

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/07/2018 - 07:22

CIA më 1952 nisi bashkëpunimin me Ahmet Zogun. Ky i fundit tentoi disa herë të gjente mbështetje në Jugosllavi dhe SHBA për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 15/07/2018 - 07:38

CIA ka zbardhur detaje për negociatat mes Ahmet Zogut dhe Titos me qëllim rrëzimin e regjimit kom

Postuar: 14/07/2018 - 08:16

CIA i ka kushtuar një vëmendje të veçantë gjendjes shëndetësore të diktatorit Enver Hoxha.

Postuar: 13/07/2018 - 07:17

Amerikanët kanë nxjerrë në ditë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 12/07/2018 - 07:12

Dalin në dritë të tjera detaje mbi lëvizjet e shërbimit inteligjent amerikan gjatë regjimit komun

Postuar: 11/07/2018 - 07:11

Agjencia Qendrore e Zbulimit amerikan, CIA ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në përpjekjet për

Postuar: 10/07/2018 - 07:17

Shërbimet amerikane e kanë mbajtur nën vëzhgim Shqipërinë gjatë gjithë udhëheqjes së vendit nga E