Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet, ja si perceptohej nga të huajt jetesa gjatë regjimit komunist, “lufta” që u bë ndër vite për të shfarosur fenë në Shqipëri

Postuar: 12/10/2018 - 06:58

Amerikanët i kanë kushtuar një rëndësi të madhe situatës para rrëzimit të regjimit komunist. CIA ka publikuar dy artikuj të medieve të huaj, të cilat tregojnë situatën në vendin tonë gjatë viteve 1982-1983. Aty tregohen detaje nga jetesa, te përpjekjet e regjimit për të shkatërruar fenë.

Qershor 1983

Media amerikane

Rendi në Shqipërinë staliniste është aq i ashpër sa ndalohet të këndosh në publik. Pranë rrënojave të një fortifikimi të lashtë në një qytet në jug të Shqipërisë shikohet një pamje e pazakontë, një avion i forcave ushtarake të SHBA, i cili ruhet nga një ushtar i armatosur. Avioni është kapur duke bërë një ulje emergjence këtu në 1957 ndërsa tani është kthyer në një simbol të vigjilencës së përjetshme të shqiptarëve ndaj armiqve të fshehur. Në rrugët e ngushta të qytetit ka të tjera roje, më pak të dukshme, anëtarë të policisë sekrete të regjimit Sigurimi. Nga njëherë me çadra, nganjëherë me biçikleta, spiunëve të Sigurimit nuk u shpëton asgjë. Vendi i vogël e varfër evropian është i fiksuar me frikën nga të huajt. Strehime dhe bunkerë bombardimi mbushin të gjithë vendin, ndërsa gryka topash duken nga larg nëpër kodra dhe e gjithë popullsia stërvitet për përdorimin e tyre. Qëllimi i regjimit është të bindë qytetarët e tij dhe shumicën e të huajve se të tjerët duket ta shikojnë me frikë, veçanërisht SHBA e cila konsiderohet dekadente dhe BRSS që konsiderohet si tradhtar i marksizëm-leninizmit. Një gazetar që udhëtoi në Shqipëri kohët e fundit me një pasaportë britanike, zbuloi se feja, makinat private dhe deri të kënduarit në publik janë të ndaluara. Panoramën e dominojnë portrete të kreut komunist Enver Hoxha, i cili ka qenë në pushtet që prej 1944 dhe adhuron Stalinin. Herë pas herë spastrimet dërgojnë anëtarët e partisë në skuadrën e pushkatimit ose në kampet e punës.

Shenjat e shkrirjes

Refuzimet e lidhjeve tregtare apo diplomatike me vendet e tjera, e ka në lënë Shqipërinë një nga vendet më të varfra e të pazhvilluara të botës. Por ka shenja se diktatura po ngre perden e saj të grisur, pasi qeveria kohët e fundit mbylli një marrëveshje tregtare me Kinën (të cilët gjithashtu i konsideron tradhtarë të marksizëm-leninizmit) dhe ka në plan për herë të parë të nisë një linjë tragetesh më Italinë dhe hekurudhë me Jugosllavinë. Disa shenja të tjera më pak të dukshme të hapjes janë zbutja e ndalimit të hyrjes së gazetarëve dhe turistë me mjekra apo flokë të gjata. Neil Taylor i një agjencie britanike udhëtimesh tha se shenjat e fundit tregonin për ndryshime të ideologjisë: “Kësaj here guida jonë turistike mund të identifikonte sa nga ndërtesat shtetërore në Tiranë, gjë që ishte shumë e rrallë”, tha ai për vizitën e fundit. Por gjithsesi një vizitë një-javore të jepte përshtypjen e një versioni edhe më fshatar të diktaturës së Stalinit në vitet 1930-të e 1940-të. “Ky është vendi më i kontrolluar në botë”, ankohet një vizitor tjetër perëndimor. “Shqipëria është vendi i ‘jo-së’, askush nuk lejohet të zotërojë makina, toka apo dyqan, përveç disa bagëtive në zonat malore. Shqiptarët mund të rrisin perimet e tyre, por nuk lejohet t’i shesin. Diplomatët e huaj thonë se nuk ka as treg të zi ushqimesh, por nganjëherë gra në trotuar u ofrojnë kalimtarëve fshehtas prodhime të vogla ushqimore. Lista e gjatë e “jo-ve” vazhdon dhe për jetën familjare pasi partia kërkon të krijojë sa më shpejt popullatën e saj të fuqishme dhe nuk lejohen kontraceptivët dhe as aborti. Familjet nuk mund të kenë në të njëjtën kohë edhe lavatriçe edhe televizor edhe frigorifer, por vetëm njërën nga të treja. Loja me letra në vende publike është e ndaluar, siç është e ndaluar dhe shitja letrave të lojës. Një biznesmen perëndimor thotë: “Sa herë dua të bëj biznes këtu u blej për dhurata kondomë, revista erotike dhe letra loje”.

Feja

Megjithëse Kushtetuta shqiptare parashikon lirinë e fjalës, asnjë shqiptar nuk rrezikon të flasë për fenë apo politikën. Guida jona shqiptare thotë: “Feja është e ndaluar ndërsa shërbimet familjare kritikohen”. Por ajo shton se kjo nuk është problem pasi feja “është harruar tashmë”. Por turistët raportojnë të shikojnë gra që mbajnë kryqe në qafë ose burra me tespie myslimane në duar. Kishat e heshtura shteti është përpjekur vazhdimisht të zhdukë gjurmët dhe kujtimin e fesë. Në 1967 partia mbylli të gjitha kishat e xhamitë dhe sot shumicën prej tyre i shikon të shndërruara në qendra sportive apo kinema, ose në disa raste madje dhe në muzeume ateizmi. Asnjë shenjë aktiviteti fetar nuk duhet të bjerë në sy, teksa dhe kryqet janë gërryer nga varret e vjetra ndërsa për periudhën që normalisht njihet si “para Krishtit” njerëzit thonë :”para erës sonë”. Ndërsa sa i përket politikës, ajo mund të diskutohet lirshëm vetëm nga komuniteti i huaj, i cili mblidhet në baret e dy hoteleve kryesore të Tiranës, hotel “Dajti” e hotel “Tirana”. “Shqiptarët nuk mund të diskutojnë hapur për politikën, këtu nuk mund të bësh shakara politike”, thotë një diplomat i huaj. Ngjarja më delikate politike për momentin është vetëvrasja e supozuar e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në 1981. Por pak kohë më vonë diktatori Hoxha njoftoi se ish-bashkëluftëtari i tij kishte qenë në fakt agjent i trefishtë që spiunonte për llogari të CIA, KGB-së dhe UDB-së jugosllave. Zhurmat thonë se Shehu është ekzekutuar, si një nga viktimat e shumta të spastrimeve të H0xhës. Tani ai është zyrtarisht një anti-person, që do të thotë se gjurmët e tij po zhduken nga e gjithë historia e pasluftës së Shqipërisë

Janar 1982

Publikuar në “Jeune Afrique” Paris

Vendi që përjashtoi islamin

Për Shqipërinë nuk flitet kurrë. Ose thuajse kurrë. U desh vetëvrasja e kryeministrit Mehmet Shehu të premten më 18 dhjetor që njerëzit të kujtoheshin që ekzistonte dhe vendi i Enver Hoxhës. Por Shqipëria ne na intereson, për arsye se është vendi ku Zoti dhe Muhamedi u zhdukën nga frika e etikës socialiste, dhe të gjitha xhamitë dhe vendet e lutjes janë mbyllur. Por si arritën komunistët të çrrënjosin fenë islame. Michel Sidhom heton nga vendi. Desha ta vizitoj Shqipërinë që pretendon se është vend ateist dhe se ka fituar betejën me islamin. Vendi fundit i marksizmit të pastër radikal nuk lejon turistë individualë por vetëm disa grupe të shoqëruar, prandaj unë mora gruan dhe djalin e vogël Uilliam për të bërë një përshtypje sa më të mirë. Që prej shekullit të 15 Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Evropë me shumicë myslimane. Pas pushtimit të vendit, turqit otomanë e konvertuan popullsinë me shpejtësi impresionuese, por si? Duke u kërkua dy herë më shumë taksa nga ata që shpalleshin myslimanë. Pesë shekuj më vonë, pak para marrjes komuniste të pushtetit, dy të tretat e shqiptarëve ende i luteshin Allahut, 10 për qind ishin katolikë dhe 20 për qind ortodoksë. Sot Partia Komuniste dhe lideri i saj i adhuruar Enver Hoxha, i fundit nga dinosaurët politikë të pasluftës, pretendojnë se islami është çrrënjosur nga vendi, me përjashtim të disa qytetarëve të vjetër të pakorrigjueshëm. Në Shqipëri nuk ka opozicion fetar edhe pse në vende të tjera të Evropës besimtarët insistues mund të shkojnë në kishë të paktën. Këtu të gjitha xhamitë dhe vendet e lutjes janë mbyllur. Por shahu i Iranit që futi mullahët në burg humbi fronin e madje dhe Bashkimi Sovjetik nuk di ç’të bëjë me myslimanët e Azerbajxhanit. Por si e mundën komunistët shqiptarë islamin, pa një luftë të shenjtë. Besimet e mëdha i kanë rezistuar shekujve të tërë të persekutimit, prandaj unë duhet të hetoj? Ne po qëndrojmë në plazh, disa kilometra larg Tiranës. Dje bënë shëtitje të Tiranë, një kryeqytet i zymtë i një vendi jugor. Të gjithë bien të flenë në ora 10 të darkës, në rrugë nuk ka makina përveç mercedesëve të udhëheqjes. Ndërsa shqiptarët udhëtojnë në këmbë, me biçikletë, me autobusë ose me kamionë. Të gjitha dyqanet kanë të njëjtat prodhime bazë, të njëjtën bukë, pesë lloje konservash, veshjet standarde. Shqipëria socialiste po i mban premtimet, i ushqen njerëzit dhe mbetet e pavarur. Asnjë vend nuk u jep më ndihma pasi u nevrikos me BRSS dhe Kinën sepse i konsideronte “revizioniste”.

Industria dhe bunkerët

Në cepat e rrugëve ka bunkerë në formë kërpudhat ku qytetarët duhet të strehohen në rast sulmi ose lufte me Jugosllavinë. Një i afërt i Enver Hoxhës më ka shpjeguar rëndësinë e bunkerëve dhe aplikimin e tyre: “Njerëzit do të futen në to për të qëlluar armikun nga vrimat e tyre, ndërsa aviacioni do të godasë pa mëshirë vendin e pushtuar”, më tha. Pas vizitës në fabrikën e inxhinierisë në Korçë, më në fund do të vizitonim muzeun e ateizmit në Shkodër. Kuratori duket pak si Volteri, i rëndë dhe me sy djallëzorë. Kaluam dhomën e parë me citatet e paevitueshme të Marksit në sfondin blu “Feja është opiumi i popullit” por muzeumi nuk ka shumë për të parë. Dhomat tregojnë foto të xhamive të vjetra të shoqëruara me komente në shqip. Vetëm dy poster bien në sy: njëra foto e dy grave të reja që janë verbuar, njëra nga kryqi, tjetra nga një minare. Volteri ynë pastron fytin dhe nis shpjegimin: “Le të marrim Darvinin, ai ka thënë se feja është bija e injorancës. Ai kishte të drejtë. Muhamedi pretendon se toka është e sheshtë dhe mbahet nga një grua si tepsi, gruaja është në kokën e një demi dhe demi mbi një peshk. Peshku është në det dhe deti është në infinit”. Kuratori ia arrin qëllimit dhe grupi nis të qeshë. Më tej ai vazhdon me të njëjtin ton tallës: “Këtu kemi masakrat e mëdha të kryera nga kristianët, Masakra e Shën Bartolomeut, Inkuizicioni. Ky është vizatim i Galileut në burg. Këto janë fjalët e Volterit: Në çdo shekull feja i kushton njerëzimit një milionë vrasje”. Në dhomën e dytë ka disa karikatura priftërinjsh. Në një vitrinë të madhe është një manekin i veshur me të kuqe dhe me fytyrë serioze, ana e tij është e çarë: “Ky është Shën prosperi, prift martir spanjoll i vrarë nga myslimanët. Kisha thoshte se trupi i tij ka mbetur i paprekur. Katolikët paguanin për ta parë atë në katedralen e Shkodrës. Kur ne i mbyllëm kishat, kjo ishte ajo që gjetëm, një manekin prej kashte, ha ha”, thotë kuratori me gjeste të ekzagjeruar, duke na kujtuar katastrofat e shumta katolike. “Katolikët shqiptarë kanë bashkëpunuar me fashistët italianë ndërsa Papa ka bekuar Musolinin, kardinalin Spellman dhe ushtarët amerikanë në Vietnam. Kjo i ka bërë polakët të vrasin veten. Një vend vërtet socialist duhet ta eliminojë kishën”, thotë kuratori hipokrit dhe më tej sillet si revoltuar me priftërinjtë që hedhin frokun tej për të marrë kitarën, me qëllim tërheqjen e të rinjve. “Në 1937 ka pasur 144 kisha dhe xhami në Shkodër, por vetëm 34 shkolla e një spital. Ndërsa sot ka 356 shkolla dhe 408 qendra shëndetësore. Kjo është shumë e mirë por ka ende disa tendenca dinake të fesë islame. Ka të moshuar që luten fshehtësish dhe disa fshatarë që agjërojnë gjatë Ramazanit”. “Përpjekja ideologjike vazhdon, duhet të kemi kujdes nga ish-priftërinjtë që përpiqen të organizojnë ceremoni fetare të fshehta, si dhe nga të moshuarit që të mos u kalojnë supersticionet e tyre fëmijëve e nipërve. Ka grupe të huaja që na hedhin fletushka nga deti dhe nga liqenet. Edhe vetë aktivistët më të mirë duhet të mbeten vigjilentë. Shoku Enver Hoxha thotë se duhet të spastrojmë ndërgjegjen tonë çdo mëngjes”. Më tej unë e pyeta: “A i dënoni këto zakone të vjetra? Çfarë bëni kur gjeni ndonjë djalë të vogël që e kanë bërë synet? Ai përgjigjet: “Përgjegjësit rrezikojnë 2 deri në 3 vjet burg”. Sa xhami kanë mbetur e pyet, ndërsa ai tha: “Të gjitha ndërtesat fetare janë në gjendje të mirë por janë kthyer në ndërtesa publike. Katedralja e Shkodrës për shembull është kthyer në një arenë sportesh, ndërsa kisha françiskane në një kinema. Disa i kemi ruajtur për vlerat e tyre arkitekturore, ndërsa të tjera i kemi shembur”.

Xhamitë

Në vizitën time unë përpiqem të gjej shenjat e fesë në këtë vend. I luten Natalisë, e vetmja grua e grupit tonë që nuk e vret shumë mendjen, të shkojmë bashkë në një ekspeditë në rrugët e Shkodrës për të zbuluar xhamitë e vjetra. Qyteti, ashtu si ato të Italisë jugore ka rrugë të ngushta e me kthesa dhe shtëpi të ulëta me tjegulla. Por si të identifikojmë xhamitë nga distanca, pasi të gjitha minaret janë shembur shumë kohë më parë. Ne kërkojmë mes rrugicave derisa arrijmë në një ndërtesë të zhveshur me dritare ovale. Nga brenda është e shkatërruar dhe plot me inerte. Dy shqiptarë të vjetër kalojnë aty pranë, tundin kokën në shenjë zhgënjimi dhe largohen. Atëherë me siguri që kjo rrënojë duhet të jetë një xhami. Më pas i afrohemi një gruaje të re për ta konfirmuar, por dhe ajo largohet e trembur. Një tjetër person ndalon, një 40-vjeçar dhe na bën me shenjë ta ndjekim. Ndoshta po na çon në një ceremoni sekrete? Por pesë minuta më vonë kuptojmë se po na çon te policët. Ai i flet policit në detyre rreth 1 minutë, ndërsa polici flet me egërsi tre fjali dhe tregon me gusht nga ne. Kalimtari me merr mua nga krahu dhe largohemi. Ai nuk më lëshon derisa të kemi arritur te hoteli. Në mbrëmje ndjehesha pak i lodhur e i zhgënjyer. Si mund të zbuloj mbi besimin fetar nëse nuk lejohem të dal pa grupin. Përsëri nuk e kuptoj sesi partia komuniste ka arritur të zhdukë fenë. Do të vazhdoj të ngul këmbë, do të pyes derisa dikush të dorëzohet. “Enver Hoxha, Enver Hoxha!” thërrasin pionierët 10 vjeçarë, duke na mirëpritur në plazhin e Durrësit. Komunistët e vegjël marshojnë në një hap drejt bregut, dhe më pas drejt ujit. Bust i Enver Hoxhës zë vendin e nderit në mes të oborrit të kampit të pushimeve. Pak më larg nesh një grup turistësh francezë janë vendosur në rërë. Guida e tyre e re ka një kafe në dorë, duke pritur që ata të mbarojnë banjën. Ai nuk ka pamjen prej shenjtoreje të Dritës, dhe unë i afrohem për t’i folur. Me një buzëqeshje i citoj një fjalim të Hoxhës në 1949 ku ai siguronte se nuk do i shkatërronte kurrë xhamitë. “Gjithçka ndryshoi në 1967”, më shpjegon ai duke më cituar një tjetër fjalim të Hoxhës. Më në fund arrij të bëj bashkë fazat e kësaj përpjekjeje. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve në 1944 Hoxha nuk e sulmoi drejtpërdrejt fenë. Ata i lidhën një rrogë hoxhallarëve e klerit dhe ruajtën kishat e xhamitë për të evituar revoltimin e popullit. Por në të njëjtën kohë regjimi mbylli të gjitha shkollat fetare, duke mos nxjerrë priftërinj të rinj dhe duke zhdukur arsimin fetar, për të dhënë më vonë goditjen finale. Priftërinjtë sigurisht u ankuan por nuk gjetën mbështetje publike pasi zyrtarisht besimet fetare ishin toleruar dhe kleri ishte paguar me rrogë. Ditë pas dite shtypi komunist godiste klerin duke i quajtur parazitë që jetonin me fondet publike dhe nuk punonin. Më pas Hoxha rinisi luftën ndaj fesë dhe bandat e të rinjve pushtuan xhamitë dhe i mbyllën ato. Guida thotë se nuk e di çfarë u bë me priftërinjtë pot thotë se prifti i lagjes së tij sot është punëtor magazine. Ky sulm nuk solli shumë rezistencë dhe besimtarët nuk reaguan. Guida më thotë: “Në Durrës, një musliman i vjetër lutej në shtëpinë e tij çdo mbrëmje, por një ditë të rinjtë komuniste shkuan në shtëpinë e tij duke i rënë borive”.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2018 - 07:10

CIA punoi për vite e vite me radhë për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri, pro në fund dështoi.

Postuar: 21/10/2018 - 08:35

CIA në shumicën e rasteve ishte e përqendruar te konfliktet e brendshme në Partinë Komuniste.

Postuar: 20/10/2018 - 07:20

Shërbimi i Inteligjent Amerikan ka zbardhur prapaskenat e prishjes së bashkëpunimit mes Shqipëris

Postuar: 19/10/2018 - 07:16

CIA i ka kushtuar një rëndësi dhe situatës ekonomike në Shqipëri.

Postuar: 18/10/2018 - 08:07

Amerikanët kanë publikuar detaje nga zhvillimet në Shqipëri gjatë viteve 1951-1952.

Postuar: 17/10/2018 - 13:11

Ish-drejtori i Arkivit të Shtetit, Kastriot Dervishi, na ka shuar një kuriozitet në lidhje m

Postuar: 17/10/2018 - 07:16

Për shërbimin sekret amerikan, Tropoja ishte qendër e spiunazhit gjatë regjimit komunist.