Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet: Ja si regjimi i Enver Hoxhës sulmonte vazhdimisht presidentin Nikson, SHBA armiku më i madh i komunistëve

Postuar: 08/01/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur detaje se si regjimi komunist sulmonte amerikanët. Aty jepen detaje nga artikujt e gazetave shqiptare, ku shumë shpesh akuzohej Presidenti Nikson. Madje reagime shumë të ashpra pati dhe sa i takon Luftës së Vietnamit.

Mendimet e CIA

Duke i mëshuar temës së saj të përhershme se SHBA është në mes të një krize të brendshme, Tirana sugjeron se raporti reflekton një ndryshim të taktikave, por gjithsesi Uashingtoni ruan qëllimet e tij. Një artikull i gjatë në të përditshmen e partisë “Zëri i Popullit” në datë 25 shkurt 1970 sugjeron se për arsye të Vietnamit dhe trazirave të brendshme, SHBA po përpiqet të gjejë forma dhe mjete të tjera për të vazhduar rrugën e saj të vjetër, për realizimin e objektivave imperialiste kundër-revolucionare. “Pjesë e planit është krijimi i aleancës kundër-revolucionare me klikën Brezhnjev-Kosigin, teksa në të njëjtën kohë mbështeten në forcat e regjimit kukull për të vazhduar luftën në Vietnam”, thotë gazeta. Duke harruar të pranojë dëshirën e shprehur të presidentit për përmirësimin e marrëdhënieve të Pekinit me SHBA, artikulli i Zëri i Popullit argumenton se ky mesazh konfirmon se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të forcojnë kontrollin mbi aleancat agresive, për të shtypur lëvizjen kombëtare të çlirimit, si dhe për të kundërshtuar dhe luftuar ndaj Kinës së madhe socialiste dhe popujve të tjerë revolucionarë. Ndoshta e shqetësuar për lidhje të mundshme Kineze-SHBA, Tirana ende nuk ka pranuar rihapjen e bisedimeve Kinë-SHBA në Varshavë.

Reagimet e mediave komuniste pas fjalimit të presidentit Nixon

Në një transmetim të datës 5 nëntor, që u përsërit një ditë më vonë nga agjencia telegrafike shqiptare, ishte i vetmi reagim deri tani nga Tirana zyrtare. Komentatori i Radio Tirana tha se fjalimi i Nixon “ngriti një tjetër valë zemërimi në popullin amerikan pasi përsëriste deklaratat e mëparshme demagogjike mbi luftën e Vietnamit, veçanërisht tetë pikat e planit të tij djallëzor”. Komentuesi tha se presidenti deklaroi hapur se nuk kishte ndërmend të deklaronte një afat të qartë kohor për tërheqjen e trupave. Programi amerikan i vietnamizimit është thjesht një përpjekje për intensifikimin e agresionit, duke shtuar asistencën për regjimin e Siagonit, e kombinuar kjo me disa reduktime të trupave dhe me retorikën për zgjidhjen paqësore me anë të negociatave dhe tërheqjes reciproke. Në përsëritjen e datës 6 nga ATSH theksohej në një moment se “manovra djallëzore e Nixon në fjalimin e 3 nëntorit është një mbulim i vazhdimit të agresionit në Vietnam”.

Reagimi i Shqipërisë ndaj raportit të Pentagonit

Tirana përcolli me zhurmë të madhe raportin e Pentagonit deri në datë 22 shtator, kur radio shtetërore transmetoi komentin me titull “Uashingtoni është në panik” që në mënyrë tipike e përshkruante SHBA në një gjendje të avancuar krize pas publikimit të studimit. Duke u përpjekur të tregonte se Tirana kishte vetëm interes minimal për çështjen, komentatori theksoi se populli shqiptar nuk ishte surprizuar nga skandali në Uashington, pasi populli dhe partia u kishin treguar më parë njerëzve për ngjarjet në Vietnam dhe se i kishin demaskuar agresorët amerikanë prej kohësh. Por komentatori pranonte se dokumentet përbënin interes pasi tregonin se kësaj here liderët perëndimore po pranonin të vërtetën e luftës së pisët të Vietnamit, dhe shtonte se u zbulua fytyra e vërtetë e imperializimit amerikan që kryente krime të tmerrshme nën maskën e qengjit. Me temën e vjetër të propagandës se nuk ka asnjë ndryshim mes partive të botës kapitaliste, komentatori përfundonte se të gjitha administratat e Shteteve të Bashkuara ndjekin të njëjtën politikë, atë të përshkallëzimit të agresioneve, të shoqëruara me fjalë boshe për paqen, këto të fundit për të fshehur strategjinë globale të luftës.

Reagimi i Tiranës ndaj raportit të Nixon në fillim të 1971

Reagimi i përhershëm armiqësor i Tiranës u regjistrua në 1 mars në një artikull të gjatë në Zërin e Popullit, ku raporti i Presidentit Nixon hidhej poshtë si një “tentativë për legalizimin dhe nxitjen e politikave të agresionit dhe luftërave imperialiste”. Gazeta thoshte se dokumenti përfaqëson përpjekjen e parë që vietnamizimit t’i jepet një karakter global, “një strategji që po mbytet në oqeanin e pafund të luftës së popujve revolucionarë”. Duke luajtur sipas politikës së njohur të dakordësisë me BRRSS, Zëri i Popullit theksonte: “Nixon nuk e fshehu kënaqësinë për zgjerimin e marrëdhënieve SHBA-BRSS, për kufizimin e armëve bërthamore dhe për sferat e influencës në Evropë. Presidenti Nixon foli për perspektivën e shtimin të investimeve amerikane në Evropën Lindore, dhe për të qetësuar partnerët e tij, revizionistët sovjetikë, pranoi si interes kryesor sigurinë e tyre në Evropën Lindore. Sa për politikat aziatike të presidentit, Zëri i Popullit kritikoi ashpër aktet e rrezikshme dhe të hapura të luftës në Vietnam, Kinë e Laos, të cilat rrezikojnë sigurinë dhe pavarësinë kombëtare. Në artikullin e ATSH nuk përmendej pjesa e artikullit për Kinën, por në raport të shkurtër kritik të ATSH në datë 27, përmendej se “Nixon përsëri u përpoq të justifikonte politikën e tij të Dy Kinave”.

 Reagimet për vizitën e Nixon në Lindjen e Mesme

Komenti i Tiranës theksonte se SHBA nuk kishin hequr dorë nga lidhjet e ngushta me Izraelin dhe po përpiqeshin të forconin influencën e tyre imperialiste në Lindjen e Mesme në kurriz të Moskës, edhe pse të dyja superfuqitë po vazhdonin të vepronin në bashkëpunim të fshehtë kundër vendeve arabe. Radio Tirana theksoi tre objektivat kryesore të presidentit: Ta prezantonte imperializmin amerikan si paqedashës për të fituar kapital politik në shtëpi, të zhdukte nga mendjet arabe imazhin e SHBA si pro-izraelite dhe anti-arabe, si dhe të minonin pozitën e Moskës, ashtu siç po bënte kjo e fundit me influencën e Uashingtonit. Ndërsa rivaliteti Rusi- SHBA konsiderohej si i zbutur nga një mirëkuptim i fshehtë mes dy fuqive për linjat kryesore të politikave në Lindjen e Mesme, sipas të cilave konfliktet kryesore duhet të mbeteshin të hapura në mënyrë që ato të ndërhynin më pas si arbitre të fatit të popujve arabë, nën petkun e të ashtuquajturave “përgjegjësi të veçanta” për Lindjen e Mesme. E përditshmja Zëri i popullit mbante një artikull ku pretendohej se presidenti Nixon kishte qenë i detyruar të vizitonte vendet arabe për të kërkuar një dis-angazhim mes tyre dhe SHBA, pas sukseseve arabe në luftën e tetorit dhe kthimin e opinionit publik në favor të arabëve. E përditshmja paralajmëronte gjithashtu vendet arabe të mos gënjeheshin nga premtimet e rreme për paqe nga SHBA, dhe manovrat e tyre diplomatike. Duke komentuar mbi artikujt e shtypit amerikan mbi rolin e Kissinger në përgjimet e skandalit Watergate, Tirana i paraqiste akuzat si të faktuara. Në një artikull me titull “Kisinger pjesëmarrës në përgjimet e Watergate”, Zëri i Popullit citonte një artikull të Star News ku thuhej “ai dështoi të tregonte të vërtetën në dëshminë para Senatit shtatorin e kaluar”. Një ditë më vonë në riprodhimin e ATSH thuhej se vizita në Lindjen e Mesme ishte për të shpëtuar fytyrën si të Nixon ashtu dhe Kisinger.

Persekutimi i Kishës

Shtator 1953

Raportime të konfirmuara nga Shqipëria tregojnë për një gjendje tragjike të priftërinjve katolikë dhe zyrtarëve të tjerë nën regjimin e Enver Hoxhës. Nga 253 kisha katolike që ekzistonin në Shqipëri në 1945, të paktën 65 për qind janë shkatërruar. Manastiret dhe seminaret fetare janë mbyllur dhe të njëjtin fat kanë pasur dhe 15 azilet apo jetimoret e kishave dhe institucionet e tjera të bamirësisë. Sipas organit të grupit të shqiptarëve azilantë në Itali, “Bolletino Albanese di Informazioni”, zyrtarët e kishës katolike kanë pësuar trajtimin më të rëndë. Pesë peshkopë janë vrarë ose kanë vdekur në burgje: Kasper Thaçi nga Shkodra, Vinsent Prenushi nga Durresi, Gjegj Volaj Sapa, Franko Gjin Lleshi dhe Bernardo Sadiku. Nga 93 priftërinj që kishte në Shqipëri në 1945, tashmë mbeten vetëm dhjetë. Nga 83 të tjerët, 24 janë vrarë, 35 janë të burgosur dhe 10 janë të humbur ose të vdekur. Shumica e të vrarëve janë mbajtur në burg ku janë torturuar për disa muaj. Nga 92 murgjit e disa urdhrave të manastireve në Shqipëri, 18 janë vrarë, 34 janë të burgosur ose në punë të detyruar në kampet e përqendrimit. 17 janë përjashtuar nga Shqipëria, 15 janë ende në Shqipëri (supozohet në liri) dhe nga 10 prej tyre nuk dihet asgjë prej shumë vitesh. Raportime të tjera flasin për një fushatë të ashpër shtypjeje të regjimit komunist për kleriket muslimanë dhe të besimeve të tjera, si dhe të ndjekësve të tyre. Informacioni është duke u mbledhur nga Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë në Itali.

Shërbimet mjekësore në Shqipëri

Korrik 1962

Ky raport përfshin informacione mbi sëmundjet e zakonshme në Shqipëri, spitalet dhe këshilltarët mjekësorë sovjetikë. Raporti jep gjithashtu përshtypje të përgjithshme mbi Shqipërinë gjatë fundit të viteve 1950-të. Standardet e jetesës në Shqipëri janë shumë të ulëta. Paga mesatare ujore është 3-4000 lekë për një punonjës dhe rreth 5000 për një doktor, kur një palë sandale kushtojnë 3000 lekë. Familjet në zonat malore fshatare jetojnë në shtëpi të drunjta, pa dritare, dhe bashkë me bagëtitë. Në shumicën e shtëpive nuk ka instilacione sanitare si kanalizime, apo edhe lavamanë, prandaj standardet e shëndetit publik janë shumë të ulëta. Shërbimet mjekësore janë primitive. Spitalet dhe klinikat janë të pakta dhe u mundojnë pajisjet dhe doktorët. Shqipëria ka rreth 120 doktorë, nga të cilët 60 janë me eksperiencë ose janë diplomuar në Itali dhe një pjesë e vogël në Francë. 10 prej tyre supozohet të jenë specialistë tuberkulozi por në fat vetëm pesë e njohin profesionin. 60 të terët janë diplomuar në shkolla të BRSS, Hungarisë, Rumanisë, Çekosllovakisë e Jugosllavisë. Në vitin 1952 shkolla e parë mjekësore u hap në Tiranë, nën drejtimin e doktorëve sovjetikë të dorës së dytë.

Epidemitë

Epidemia e tifos dhe tuberkulozit janë të zakonshme në Shqipëri. Vendi ka rreth 1 milionë banorë, nga të cilët 150 000 jetojnë në Tiranë. Gjithsesi shifrat e censusit mund të konsiderohen të pasakta pasi në zonat malore popullsia nuk është regjistruar apo ekzaminuar. Në të gjithë shtetin ka te spitale tuberkuzolozi (Tiranë, Korce, Shkodër) të cilat kanë një maksimum prej 1200 shtretërish. Spitali i tuberkulozit në Tiranë mban rreth 300-400 shtretër. Ai është vendosur në një ndërtesë më parë private dhe në një sallë që italianët më parë përdornin për të mbajtur pëllumbat. Disa nga dhomat e spitalit kanë nga 3-4 shtretër por shumica kanë rreth 30. Spitali është pranë një rruge balte dhe nuk ka instilacione sanitare si banjo, ujë të rrjedhshëm, kanalizime. Aty pranohen vetëm rastet më të rënda me rezultate pozitive Koch. Rastet që konsiderohen të pashpresa vendosen në krahët anësorë të spitalit, ku lihen pa trajtim në kushte të mjerueshme. Furnizimet ruse me streptomicinë, P.A.S dhe nikotinë janë të pamjaftueshme. Pacientët shtrohen në spital për një periudhë shumë më të shkurtër nga sa nevojitet prandaj mbeten një burim infeksionesh, veçanërisht për familjet e tyre. Spitali i Tiranës raportohet se ka performuar një operacion në mushkëri, por metodat e tij janë primitive dhe të dhimbshme, dhe vdekshmëria e operacioneve është e lartë. Normalisht vdekshmëria nga tuberkulozi është e lartë por nuk ka statistika zyrtare. Vetëm një spital ushtarak ishte ndryshe nga të tjerët, i pastër. Drejtori i tij Sinan Imami ka shërbyer në të njëjtin post edhe gjatë pushtimit italian. Deri në vitin 1956 nuk ka pasur aparat tomografie në Shqipëri. Punonjësit e uzinave dhe të administratës duhet të kryejnë kontrolle periodike. Ka pasur zhurma se testime mikrografi kanë nisur në disa pjesë të vendit por prej mungesës së pajisjeve, doktorëve dhe personelit mjekësor, rezultatet nuk janë të dukshme.

Asistenca e BRSS

Për të zgjidhur problemet e tyre mjekësore Shqipëria ka ftuar këshilltarë nga BRSS, Rumania, Hungaria e Çekosllovakia. Si rregull shqiptarët pranojnë këshillat e sovjetikëve nga frika, por nuk u vënë veshin këshillave të të tjerëve. Doktorët çekë e hungarezë u larguan të zemëruar para mbarimit të kontratave të tyre, vetëm rumunët qëndruan pa insistuar t’u plotësoheshin kërkesat dhe kushtet e punës. Gjatë vitit 1955-1956 ka pasur pesë doktorë rumunë që shërbenin në Shqipëri: një specialist tuberkulozi, një doktor i sëmundjeve të brendshme, një bakteriolog dhe dy pediatër. Njëri që pranoi të qëndronte një vit, mori dhe familjen me vete. Gjatë qëndrimit në Shqipëri doktorët rumunë u paguan rrogën e tyre të plotë rumune plus 20.000 lekë dhe 350 lei, të cilat u paguan në rubla ruse. Ata lejoheshin të blinin në dyqane të veçanta ku cilësia e mallrave ishte më e lartë dhe çmimet më poshtë se tregu. Edhe shqiptarët që merrnin valutë nga jashtë mund të blinin në këto dyqane me ulje prej 30 për qind. Fillimisht doktorët rumunë u akomoduan në hotel Dajti, hoteli më i madh e më i mirë në Tiranë. Më vonë atyre iu dhanë apartamente dhe hoteli u rezervua vetëm për sovjetikët. Produktet ushqimore nuk kishin ekzaminime sanitare në Shqipëri. Mehmet Shehu, kreu i Këshillit të Ministrave dhe dytë në hierarki pas Hoxhës, është përgjegjës për problemet shëndetsore. Ai ka thirrur disa takime konsultimesh me mjekë të huaj për problemet e testimeve, vaksinimit dhe pajisjeve, por asnjë prej tyre nuk shkoi përtej fazës së diskutimit. Nga ana tjetër autoritetet kishin ngritur një spital të veçantë ër anëtarët e partisë, që ishte i pajisur mirë dhe drejtohej nga një profesor sovjetik.

Përshtypje të përgjithshme

Në vitet 1955-1956 Shqipëria kishte marrëdhënie të shkëlqyeshme me Moskën bazuar në nënshtrimin e saj të plotë ndaj saj. Vendi ishte mbushur me ekspertë dhe personel sovjetik dhe regjimi ruante autoritetin e tij me anë të rritjes së terrorit. Nëse një shqiptar largohej drejt Italisë ose Greqisë dhe nuk kthehej për tre muaj, e gjithë familja e tij arrestohej. Të burgosurit politikë ishin të shumtë. Punët publike kryheshin prej tyre dhe të dënuarve kriminalë. Shpeshherë të burgosurit detyroheshin të flinin jashtë. Sovjetikët ishin të përçmuar dhe megjithë frikën nga shërbimet e sigurisë edhe shqiptarë të njohur kishin shprehur urrejtjen e tyre. Ky përçmim vinte nga fakti se ata po merrnin kontrollin e vendit. Shqiptarët kishin gjithashtu pritshmëri të larta nga një bashkim i mundshëm me Italinë, siç ishte pretenduar gjatë pushtimit italian. Asokohe italianët kishin ngritur një numër maternitetesh, disa ndërtesa administrate, kishin shtruar rrugë, duke lehtësuar vuajtjet ekonomike të shqiptarëve. Shqipëria thuajse nuk ka industri. Deri në 1956 ekzistonte vetëm kombinati tekstil i Tiranës, i ngritur nga sovietikët. Shqiptarët nuk krihi besim në prodhimin e këtij kombinati dhe preferonin të blinin rroba nga pakot e ardhur nga jashtë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/03/2019 - 07:06

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë, me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik. Sipas amerikanëve si Hoxha ashtu dhe Mehmet Shehu ishin kapur nga Moska.

Postuar: 19/03/2019 - 07:02

CIA ka dhënë detaje mbi mënyrën se si UDB jugosllave ndikonte në regjimin komunist shqiptar.

Postuar: 17/03/2019 - 23:01

U aksidentua apo e vranë në Nju Jork?

Postuar: 17/03/2019 - 08:11

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje s ai takon bashkëpunimit të Shqipërisë me Bashkimin Sovj

Postuar: 16/03/2019 - 07:55

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi përplasjet e kundërshtarëve të regjimit komunist.

Postuar: 15/03/2019 - 07:10

Amerikanët kanë treguar detaje se si Moska kërkonte nga Enver Hoxha që të qetësonte marrëdhëniet

Postuar: 14/03/2019 - 07:17

Amerikanët i kanë dhënë shumë detaje nivelit ushtarak të ushtrisë shqiptare.