Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh dokumentet: Ja kush ishin figurat kryesore të Partisë Komuniste më 1947, Bashkimi Sovjetik tentoi të zëvendësonte Hoxhën me Fan Nolin

Postuar: 17/08/2018 - 07:03

Amerikanët kanë ndjekur zhvillimet në Shqipëri edhe para se të instalohej regjimi komunist. Në një dokument të deklasifikuar, përshkruhen zhvillimet në periudhën e Ahmet Zogut e derisa u krijua Partia Komuniste. Në dokument tregohen se cilat ishin figurat kryesore të PKSH në momentin e krijimit të saj. Po ashtu thuhet se BRSS tentoi të kthente Fan Nolin në Shqipëri për të zëvendësuar Enver Hoxhën.

Gusht 1947

Situata politike në Shqipëri

Udhëheqësit aktualë në Shqipëri drejtohen nga parimet e doktrinës komuniste por janë totalisht të kontrolluar nga Moska me anë të Marshall Tito të Jugosllavisë. Fakti që komisarët politikë janë jugosllavë dhe jo rusë duket se po kthehet në problem për prestigjin personal të udhëheqësve vendas. Mbështetja e disa komunistëve të ashtuquajtur idealistë, si myslimanë dhe katolikë, ka humbur dhe thuhet se ministri i kulturës Kokosi dhe Asllani, të dy komunistë të vjetër, janë larguar nga partia për këtë arsye. Fakti se rajoni i Kosovës nuk është bashkuar me Shqipërinë është një tjetër burim ndjesish negative. Enver Hoxha ka shkuar personalisht në Moskë për të bindur bashkë-atdhetarët e tij se qeveria jugosllave nuk është ndërmjetësi i ligjshëm mes BRSS dhe Shqipërisë. Ka gjithashtu zhurma se Hoxha dhe grupi i tij po humbasin prestigj me rusët, të cilët mund të jenë duke favorizuar Koçi Xoxen, që është i vetmi agjenti i tyre në Shqipëri. Thuhet gjithashtu se rusët kanë ftuar peshkopin Fan Noli për t’u kthyer në Shqipëri e për të zëvendësuar Hoxhën.

Partitë kryesore

Nga zgjedhjet relativisht të lira në Shqipëri në 1923, dolën dy parti kryesore: e ashtuquajtura Partia Kombëtare e mbështetur nga jugorët dhe e quajtur me denigrim “Klika” nga opozitarët e saj. Por fitimtar doli ish-ministri i Brendshëm Ahmet Zogu që mori shumicën e mbështetjes. Më pas një parlament paralel i opozitës i krijua në Vlorë i drejtuar nga Fan Noli. Opozita ishte më e fortë në veriun katolik dhe drejtohen nga Luigj Gurakuqi. Opozita zotëronte rreth gjysmën e karrigeve të Parlamentit dhe nisi marshime proteste në Tiranë deri sa përzuri Zogun, i cili u largua drejt Jugosllavisë. Fan Noli u bë president dhe Gurakuqi kryeministër. Lufta e hapur mes dy fraksioneve të veriut dhe jugut vazhdoi, bazuar në problemin e reformës së tokës, të kundërshtuar ashpër nga pronarët myslimanë. Në 1924 Zogu me ndihmën e Jugosllavisë u kthye në Tiranë dhe organizoi një grusht të suksesshëm shteti. Për 15 vitet e ardhshme ai ishte udhëheqësi absolut dhe parlamenti e qeveria ishin thjesht formalitete. Ndërkohë interesat italiane në Shqipëri ishin mjaft aktive dhe Roma ndihmoi Zogun të bëhej mbret. Duhet gjithashtu se Zogu ndiqte vazhdimisht këshillat e Britanisë së Madhe dhe investonte paratë e fronit në Amerikë, Suedi e Zvicër. Për sistemin politik ai ndoqi modelin e gjeneralit britanik Percy. Më në fund kur Shqipëria u sulmua nga Itali në prill 1939, Zogu u arratis në Larisa të Greqisë, më pas në Londër, ku qëndroi gjatë kohës së luftës, dhe në 1946 u vendos në Kajro. Në kohën e grushtit të shtetit të Zogut në 1924 shumë nga udhëheqësit e opozitës u larguan jashtë vendit. Shumë nga liderët revolucionarë u vranë nga agjentët jashtë shtetit. Intelektualët dhe grupet politike të larguara u organizuara për përmbysjen e Zogut. Bashkimi Kombëtar me seli në Beograd e më pas në Paris ishte grupi më i fuqishëm opozitar, i ndjekur nga Konare (Komiteti Nacional i Revolucionit) që sponsorizohej nga Rusia dhe kishte seli në Vienë e Berlin. Në 1926 Konare dërgoi 20 të rinj shqiptarë për të studiuar në Moskë.

Partia Komuniste

Edhe Partia Komuniste shqiptare lindi rreth 1926 kur shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë u bashkuan me anë të aktiviteteve të studentëve në Moskë. Presioni nga Londra bëri që shqiptarët të hiqnin përfaqësuesin e sovjetikëve Krakovecki nga stafi i tyre. Konare vazhdoi aktivitete e saj në Tiranë kryesisht me studentët e shkollave të mesme dhe propaganda e saj pati më shumë efekt gjatë rritjes së influencës dhe pushtimit të Italisë. Kur Gjermania sulmoi Rusinë organizmi i Partisë Komuniste po vazhdohej nga jugosllavët Mugosha dhe Popoviç. Ndërkohë Stalingradi po zgjeronte aktivitete e tij me anë të fronteve të përbashkëta të lëvizjeve guerile të rezistencës, të ngjashme me atë të Titos në Jugosllavi. Gjatë luftës komunistët shqiptarë forcuan pozitat e tyre dhje pas largimit të pushtuesve ata eliminuan grupet e tjera rivale. Të gjithë liderët e grupeve të tjera që nuk u larguan nga vendi u vranë ose u vendosën në kampe përqendrimi. Komunistët nga Serbia fillimisht vepruan në Shqipëri me premtimin e kthimit të Kosovës. Por në fakt Kosovës iu dha vetëm një status autonomie dhe popullsia shqiptare e rajonit u nda në tre njësi rajonale: pjesa lindore i kaloi Maqedonisë, pjesë perëndimore i kaloi Malit të Zi, ndërsa rajoni i Prizrenit e Pejës i shkuan Serbisë. Shqiptarët u rebeluan me këtë ndarje dhe një gjakderdhje e konsiderueshme pasoi. Popoviç i cili i kishte premtuar Kosovën Shqipërisë u vra nga profesori shqiptar Haki Take, i cili më pas kreu vetëvrasje.

Figurat aktuale

Në krye të strukturës qeveritare qëndron Omer Nishani i cili drejton ekzekutivin dhe legjislativin. Ai është mysliman 55 vjeçar nga Përmeti në jug të Shqipërisë. Ka studiuar mjekësi në Austri por nuk ka praktikuar kurrë. Në 1924 ai shkoi në Zvicër, u martua me një gjermane dhe shkroi një libër mbi Shqipërinë pas revolucionit të atij viti. Kur italianët sulmuan në 1939, ai u kthye në Shqipëri, megjithëse kishte mbështetje sovjetike, ai u vu në shërbim të Musolinit dhe mori postin e anëtarit të Këshillit të Shtetit. Është një individ që i kushton të gjithë energjinë personale propagandës, ndaj së cilës është fanatik. Aktualisht është në gjendje të dobët shëndetësore. 40 vjeçari Enver Hoxha është një tjetër figurë me perspektivë në lëvizjen e re komuniste. Mysliman besnik i sovjetikëve, ka studiuar në Francë dhe në liceun e Korçës për doktrinën komuniste. Është person tërheqës që bën miq shpejt, të jep përshtypjen e një politikani të arritur. Sejfulla Malishova ka studiuar në Rusi si anëtar i Konare në 1926. Konsiderohet i stërvitur në ideologjinë komuniste dhe është më shumë studiues sesa revolucionar. Mban aktualisht postin e ministrit të kulturës e propagandës. Koci Xoxe është sekretari i Partisë Komuniste, vjen nga rajoni i Korçës dhe është ortodoks. Nuk është i arsimuar dhe ishte i panjohur deri në ngritjen e komunistëve. Ashtu si Hoxha ai është një nga tetë gjeneralët që erdhi në fuqi me regjimin, bashkë me Spiro Moisiun, Mehmet Shehun, Badri Spahiu, Muslym Peza, Dali Ndreu e Temecko. Kristo Çipo që deri kohët e fundit ka qenë ministër i Arsimit, është rreth 60 vjeç, ortodoks nga Korça, shkrimtar e profesor. Më parë është njohur si mik i Greqisë. Qirjako Harito është nga rajoni i Himarës dhe ka shërbyer prej vitesh si kreu i financave të Kryqit të Kuq, por u bashkua me Partinë Komuniste në 1944 kur vëllai i tij u vra gjatë një kryengritjeje komuniste. Figurat e mësipërme nuk janë në të vërtetë përfaqësuesit e popullit të Shqipërisë. Populli i urren dhe ata ruajnë autoritetin e tyre vetëm me anë të terrorit. Raportimet nga Shqipëria për rendin e policisë dhe terrorin janë të vogla. Për sa kohë që të ketë përfaqësues të forcave Aleate në Shqipëri komunistët mundohen të tregohen të moderuar me përdorimin e dhunës. Kur nuk ka përfaqësues të huaj dhe spiunazh, atëherë rendi i ditës janë burgjet, kampet e përqendrimit dhe birucat. Shumë komunistë të rëndësishëm po hiqen nga postet e tyre për mungesë besimi. Frika e spastrimeve mbizotëron mes radhëve të komunistëve dhe në të gjithë Shqipërinë. Pushteti ka eliminuar Mustafa Gjinishin, një nga themeluesit e komunizmit shqiptar, Anastas Lula, Ranmiuze Xhebre dhe dy vëllezërit e Husine Kokalari. Ndërsa janë ulur në detyrë Gjergj Kokoshi, Dani, kolonel Hysni Peja. Shumë anëtarë të parlamentit përfshi dhe don Luigj Pici dhe Kol Frela, janë përjashtuar nga parlamenti. Anëtarë të vjetër të partisë komuniste si Arsi Halili dhe Rexhep Sulejmani kreu i partisë në Vlorë, janë arrestuar. Abaz Gjermeni, Fikri Dine, Muharrem Bajraktari dhe ish-komunistë të tjerë të rëndësishëm, oficerë e ushtrakë janë të zhgënjyer dhe kanë kërkuar azil në Greqi. Ndërsa të tjerë si Dan Kalodhi e Cen Elezi i janë bashkuar grupeve guerile në male.

28 dhjetor 1948

Aktiviteti sovjetik në Shqipëri (nga burime të konsideruara të besueshme)

Pak pas ardhjes së gjeneral Feodor Kovpak në Tiranë, partisë komuniste shqiptare iu dhanë udhëzimet e mëposhtme: Ndërprerja e marrëdhënieve ekonomike dhe e bashkimit doganor me Jugosllavinë. Ngritja e një lëvizjeje irredentiste, për pretendimin e tokave shqiptare në Jugosllavi, që të pretendojë bashkimin me Kosovën. Zgjerimi i portit të Durrësit nën mbikëqyrjen sovjetike, për të pritur anijet luftarake italiane që do të vinin sipas paktit të paqes me BRSS. Udhëzimet raportohet se hasën me protesta, veçanërisht në fillim, gjë që rezultoi me përjashtimin nga partia e më pas arrestimin e ministrit të brendshëm Koçi Xoce dhe anëtarëve të komitetit qendror Pandi Kristo dhe Nuri Hata. Shumë arrestime të tjera u bënë në komunitetin jugosllav në Shqipëri, dhe në shoqërinë e miqësisë Shqiptaro-Jugosllave. Në zbatim të udhëzimeve, u krijua në Tiranë, “Komiteti i Kosovës”, aktiviteti i të cilit ishte në vëzhgimin e rreptë të sovjetikëve. Aktivitetet e tij ishin në koordinim me komitetet e tjera anti-jugosllave të krijuara në Bullgari, Rumani dhe Hungari.

Grupet kundër regjimit

Shumica e tentativave të grupeve të emigracionit për krijimin e lidhjeve me grupet e brendshme të rezistencës kanë dështuar dhe aktualisht nuk është krijuar asnjë lidhje mes. Grupi më i njohur i shqiptarëve të emigracionit është Komiteti i Shqipërisë së Lirë me bazë në Romë, i cili merr të paktën një pjesë të fondeve për operacionet nga qeveria italiane. Ky është grupi disi më i organizuar dhe më intelektual, por efektiviteti i tij cungohet nga lidershipi i dobët, mungesa e politikave të sakta dhe mungesa e lidhjeve me elementët e rezistencës në Shqipëri. Jugosllavët kohët e fundit kanë sponsorizuar krijimin e një grupe të tyrin të refugjatëve shqiptarë por për momentin ai nuk po inkurajohet të ndërhyjë në mënyrë aktive kundër regjimit në Shqipëri. Greqia nga ana e saj nuk inkurajon krijimin e lëvizjeve të emigracionit për momentin. Italia, Jugosllavia dhe Greqia kanë minimizuar ndihmën e tyre për këto grupe të diasporës pas arsye të numrit të madh të këtyre grupeve dhe mosmarrëveshjeve midis tyre. Ata konsiderohet si investime të dobëta pasi nëse nuk bashkohen në front të vetëm nuk do të përbëjnë rrezik serioz për regjimin por vetëm do të shkaktojnë trazira të buta. Gjithashtu asnjë nga këto vende nuk provon të kërcënojë regjimin Hoxha prej frikës së krijimit të pretekstit të një agresioni nga BRSS, ose për të justifikuar shtimin e fortifikimeve ruse në Shqipëri. Për një mbrojtje efektive të Evropës dhe Mesdheut juglindor, gjatë kohës që regjimi i Hoxhës është në fuqi, për ne është i leverdisshëm bashkëpunimi i plotë mes Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Planet ushtarake duhet të integrohen për këtë front të përbashkët, bazuar në avantazhet reciproke. Për arritjen e këtyre objektivave duhet të arrihet fillimisht një riafrim ideologjik mes vendeve dhe më pas masat e përbashkëta të mbrojtjes. Aktualisht nuk po merren hapa për koordinimin e planeve mbrojtëse të Italisë, Jugosllavisë e Greqisë. Gjendja aktuale e lidhjeve mes Italisë e Jugosllavisë nuk është pozitive prej problemit territorial të Triestes, ndërsa sa i përket lidhjeve mes Jugosllavisë e Greqisë, ato kanë sinjalizuar se mund të jenë të gatshme të këmbejnë informacione të rëndësishme sigurie, nëse plotësohet disa kushte nga secila palë. Deri tani për këtë nuk është arritur gjë.

Greqia dhe Italia

Nëse Shqipëria është në duar armike kjo do të nevojite zhvendosje të materialeve dhe trupave kufitare jugosllave e greke në zonat pranë Shqipërisë, duke bërë që të neglizhoheshin zona të tjera. Ndërsa sa i përket Italisë, e cila nuk ka kufi tokësor me Shqipërinë, kemi ndryshime të planeve detare. Një riformulim i tillë planesh mbrojtjeje nga Greqia, Jugosllavia e Italia duhet të marrë në konsideratë faktin se BRSS ka në Shqipëri një bazë të rëndësishme detare nga e cila mund të nisen sulme agresive anijesh ose nëndetësesh kundër të treja vendeve dhe zonës së Mesdheut në përgjithësi. Shqipëria mund të shërbejë gjithashtu si një bazë ajrore për Bashkimin Sovjetik për operacione të kufizuara. Qëllimi kryesor i tre vendeve fqinje aktualisht është reduktimi i dominimit sovjetik në Shqipëri dhe rrjedhimisht reduktimi i rrezikut komunist për veten e tyre. Por që planet e tyre aktuale ushtarake në lidhje me Shqipërinë nuk kanë koordinim, kryesisht prej pretendimeve dhe interesave vetjake. Edhe vetë rrëzimi i regjimit të Hoxhës mund të komplikonte më shumë situatën rajonale, prandaj ato po mbajnë qëndrime të heshtura dhe çështja e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet në sfond për momentin. Me një rritje të mundshme të përfshirjes së Perëndimit dhe veçanërisht Italisë, çështja mund të zgjidhet brenda strukturës perëndimore. Nëse qeveria e Hoxhës do të zëvendësohej nga në regjim pro-perëndimor, Greqia e Jugosllavia do të reduktonin fokusin në mbrojtjen kufitare me të, ndërsa Italia do të rimendonte vendosjen e forcave detare. Problemet logjistike të të treja vendeve do të thjeshtëzoheshin me largimin e kërcënimit sovjetik. Një regjim i ri në Shqipëri do të kishte patjetër nevojë për ndihmë të jashtme, veçanërisht me armët dhe pajisjet që po vijnë nga Bashkimi Sovjetik. Sikur një nga fqinjët e saj të fitonte një pozitë superiore në Shqipëri, kjo me siguri që do të dëmtonte marrëdhënien dhe bashkëpunimin mes Greqisë, Italisë e Jugosllavisë. Ndryshimi i mundshëm i regjimit do të sillte ndryshime në strategjinë e përbashkët të mbrojtjes së Mesdheut dhe Evropës jugperëndimore, por gjithsesi do të lehtësonte punën strategjike në krahasim me gjendjen aktuale. Dhe në fakt e vetmja vlerë për Bashkimin Sovjetik është fakti se dominimi i tij në Shqipëri komplikon planet perëndimore të mbrojtjes së përbashkët. Edhe për Perëndimin, Shqipëria nuk do të kishte vlerë të madhe strategjike sa i përket porteve apo fushave ajrore.

Policia dhe agjentët e sigurmit

Në Lezhës ka rreth 30 policë dhe agjentë të Sigurimit, që drejtohen nga Qamil Daçi nga Shkodra. Roja civile e Lezhës ka rreth 14 burra. Në zonën e Lezhës ka stacione policie në zonat e Dajç, Kallmet, Shëngjin e Krioneri. Çdo organizatë bazë ka agjentë të sigurimit që formojnë policinë sekrete të partisë. Këta agjentë infiltrohen në organizata e ndryshme të punëtorëve, me detyra si ruajtja e mbikëqyrjes së anëtarëve të kolektivit apo anëtarëve të Partisë së Punës. Ata mbikëqyrin gjithashtu organizatat dhe vetë forcat e sigurisë së regjimit për elemente diversive. Gjatë takimeve të partisë, këta elementë janë iniciatorë të kritikave të ashpra ndaj elementëve që shkelin vijnë e partisë komuniste dhe çdo i dyshuar prej tyre raportohet te Sigurimi. Agjentët e Sigurimit mund të jenë drejtues të organizatës bazë ose dhe anëtarë të thjeshtë partie.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 20

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:06

Mit’hat Frashëri është një figurë që ka zënë hapësirë dhe më arkivat amerikane. Dje eshtrat e tij u varrosën në Kodrat e Liqenit Artificial, pranë vëllezërve Frashëri.

Postuar: 14/11/2018 - 07:02

 Amerikanët kanë dhënë detaje mbi kosto e operacioneve të CIA për rrëzimin e regjimit komuni

Postuar: 13/11/2018 - 07:08

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e

Postuar: 11/11/2018 - 07:35

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e

Postuar: 08/11/2018 - 07:12

CIA ka treguar detaje se si Shqipëria i shpalli armiq të gjithë shtetet që ishin krah Bashkimit S