Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh emrat, ja kush ishin agjentët shqiptarë që bashkëpunuan me amerikanët për rrëzimin e regjimit komunist, shumica mbaheshin në Greqi

Postuar: 18/07/2018 - 07:08

 CIA ka zbardhur emrat e shqiptarëve që bashkëpunuan me të për rrëzimin e regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar, tregohen të dhënat e secilit emër. Ajo që bie në sy është se shumica janë shqiptarë që kanë emigruar në Greqi. Pas kontakteve me CIA shumë prej tyre kanë filluar procedurat e emigrimit në SHBA.

 

Gusht 1956

Tre agjentët shqiptarë të nënoperacionit Obtest, AIPOET, AIRBLOWN, RNADUANA do vazhdojnë të mbeten në borderonë tonë. Ata janë të tre të regjistruar në emigracion por vetëm dy të parët janë kualifikuar për t’u vendosur në SHBA. Pas kthimit ata do të dërgohen në Greqi. Gjatë gjithë kohës vetëm një prej tyre do të jetë në SHBA, që dy të tjerë të mbeten në shërbim në Athinë. Agjenti GADUNCE është regjistruar në emigracion por dëshiron të qëndrojë në Athinë për sa kohë të kemi nevojë për shërbime atje. AIBEAT ka qytetari greke nga lindja dhe besojmë se nuk kualifikohet për emigracion. Për gjashtë agjentët e tjerë të nën-operacionit OBHUNT, tre kanë emigruar tashmë në SHBA dhe të tjerët do të kenë përfunduar procedurat deri në tetor 1956. Dy prej tyre nuk e kërkojnë me ngulm emigrimin dhe mund të qëndrojnë në Greqi. Xhelatin Sakollari, i njohur si AIRËISE është punësuar me ne që prej korrikut 1952 dhe drejtues grupi në operacionet e kalimeve kufitare. Ai ka marrë trajnim të zgjeruar për operacione klandestine dhe ka eksperiencë operacionale pasi ka marrë jesh në disa misione. Aktualisht është një agjent në gatishmëri në Athinë të Greqisë, dhe po shqyrtohet për emigracion në SHBA. Është martuar me një qytetare greke në maj 1956.

Seit Bariqi, është me ne që prej tetorit 1954 si agjent i kalimeve kufitare. Ka marrë njëfarë trajnimi për operacione klandestine dhe ka pak eksperiencë operacionale pasi ka marrë pjesë në dy operacione të degës KUBARK. Subjekti ka marrë pjesë gjithashtu në disa misione ndërkufitare para se të vinte me KUBARK. Është agjent në gatishmëri në zonën e Athinës dhe po procedohet për emigracion në SHBA. Shpresojmë që të jetë gati për nisje në tetor 1956. Është martuar me një qytetare greke në korrik 1956.

Rushit Plaku, i punësuar që prej tetorit 1950 si agjent kalimi ndërkufitar. Ka trajnim të zgjeruar dhe e ka provuar veten në misione si operator radio dhe drejtues grupi. Është agjent në gatishmëri në Athinë dhe po procedohet për emigracion në SHBA. Është martuar me qytetare greke në prill 1956.

Luka Alia, i punësuar me ne që prej shtatorit 1952 si agjent ndërkufitar dhe operator radio. Subjekti ka marrë trajnim si agjent dhe operator dhe ka marrë pjesë në dy misione ndërkufitare. Është agjent në gatishmëri në zonën e Athinës dhe po procedohet për emigracion në SHBA.

Skënder Blaca është punësuar që prej prillit 1952 si agjent ndërkufitar dhe drejtues grupi. Ka trajnim të plotë operacional dhe ka marrë pjesë në sida operacione depërtimi ndërkufitar. Po procedohet për emigracion dhe pritet të vijë në SHBA në tetor 1956.

Bari Pane, i punësuar prej shtatorit 1952 si agjent kufitar. Ka eksperiencë operacionale pasi ka marrë pjesë në disa operacione në vend. Është agjent i gatshëm në Athinë dhe pritet të emigrojë në SHBA në tetor 1956, kur dhe do të mbyllet kontrata me ne.

Kemi mbyllur kontratat tashmë me agjentët Qerci Kulla, Avni Agastri e Xhemal Hoxha, që kanë emigruar tashmë në SHBA, si dhe me Agron Selnica që është në Greqi.

John Drossos është agjenti ynë mbështetës, i punësuar në janar 1955 për punë dytësore dhe gjithashtu si përkthyes. Ai është qytetar grek dhe nuk ka probleme për emigracionin.

Personel dytësor

Meto Liasi është punësuar me kohë të pjesshme si përkthyes në maj 1953 dhe është trajnuar për marrjet në pyetje. Puna e tij më kohë të plotë nisi prej prillit 1954. Ka punuar gjithashtu si vullnetar në mars 1956 dhe ka shprehur vullnet të marrë detyra si informator. Është regjistruar në bordero si përkthyes/ marrës në pyetje. Nuk është regjistruar për emigracion. Është qytetar grek dhe shqiptar, jeton me gruan një fëmijë dhe vjehrrën.

Mihal Prifti, i punësuar si marrës në pyetje (në shqip e serbo-kroatisht) në dhjetor 1951. Me ndihmën tonë po studion anglishten prej një viti, dhe tashmë mund të kryejë përkthime mesatare. Gjatë punës së tij ka kryer detyra të tipit të informatorit. E kemi të regjistruar në bordero si përkthyes/informator. Me kërkesën tonë është regjistruar për emigracion në mars 1956. Është i martuar me qytetare greke, e cila është kunata e kreut të degës sonë jugosllave.

Komente mbi Shqipërinë

Ne kemi informuar se në këtë pikë programi i Shqipërisë në këtë pikë duhet të vazhdojë me transmetimet radio dhe në varësi të konsideratave dhe programin e fletushkave. Në të njëjtën kohë nga ana pozitive, duhet të forcohen marrjet në pyetje. Aktualisht njësia e Shqipërisë po drejtohet nga katër agjentët tanë bashkë me 6 agjentët shqiptarë. Çështja e vazhdimit të operacioneve në shkallë të reduktuar është diskutuar gjatë dhe duket se mund të vazhdojë me mbështetjen e dy hetuesve vendas dhe mbledhësve të inteligjencës. Kohët e fundit fluksi i refugjatëve nga Shqipëria është shtuar dhe duket se mund të rekrutojmë agjentë të kalibrit më të lartë nga më parë. Ne besojmë se dhe liria e lëvizjes brenda Shqipërisë është shtuar, duke parë faktin se vetëm në prill kanë ardhur në Greqi 22 refugjatë shqiptare, krahasuar me 50 për të gjithë vitin 1955. Transmetimet radio kanë konsistuar në 4 programe të përditshme në 2 frekuenca, me ndryshime tematike 2 herë në javë. Edhe në Jugosllavi pritet që programet tona të kapen mirë nga aparatet. Në transmetimet kemi 3 agjentë vendas, 2 prej të cilave së shpejti do të emigrojnë në SHBA. Njëri dëshiron të qëndrojë.

 

 

Kongresi i tretë i PPSH, 1956

Duke lëshuar pe aq sa për të plotësuar minimalisht kërkesat sovjetike, Hoxha në raportin e tij në Kongresin e tretë të Partisë i bëri homazh “vendimeve të vlefshme” të kongresit të 20-të sovjetik. Sa i përket çështjeve të çarmatosjes dhe vendimit të qeverisë sovjetike për normalizimin e lidhjeve me Jugosllavinë, Hoxha gjithashtu shprehu solidaritet me BRSS, por më tej ai bëri të qartë se nuk do të kishte më shumë de-stalinizim në Shqipëri dhe nuk do të kishte rehabilitim të Koçi Xoxes. Megjithëse pranoi se partia kishte bërë gabime në vlerësimin e saj mbi partinë jugosllave, Hoxha për këtë ia vuri fajin makinacioneve të Berias (ashtu si dhe sovjetikët) si dhe krimeve të Xoxes. Hoxha tha: “Xoxe ka marrë dënimin e merituar, dënim që kishte miratimin e partisë”. Më tej ai pranoi se Stalini në vitet e fundit të jetës kishte bërë gabime që kishin krijuar kultin e individit, disa prej të cilave ishin manifestuar dhe në partinë shqiptare, por ai pretendonte se ky problem ishte zgjidhur nga partia shqiptare që në vitin 1954. Më tej Hoxha foli për spastrimin e Jakovës dhe Spahiut në qershor 1955, si dhe për disidencën e hapur që u shfaq në konferencën bashkiake të Tiranës në prill 1956. Ai tha se Jakova dhe Spahiu kishin tentuar të përçanin partinë dhe të hidhnin baltë mbi udhëheqjen, duke zëvendësuar linjën korrekte marksiste-leniniste me atë që karakterizohet nga tendencat trotskiste, nacionaliste e borgjeze. Ai shtoi se elementët disidencë në konferencën e Tiranës ishin intelektualë “të sëmurë” të klasës borgjeze që kërkonin rehabilitimin anëtarëve të spastruar të partisë dhe ruajtjen e marrëdhënieve miqësore me Jugosllavinë. Hoxha paralajmëroi se partia po e trajtonte këtë çështje në frymën marksiste-leniniste dhe nuk do të toleronte asnjë ndërhyrje nga jashtë. Liri Belishova pranoi gjithashtu në fjalimin e saj se shumë komunistë intelektualë që ishin “të papjekur” kishin folur pa i menduar mirë kërkesat e tyre për liberalizim në parti dhe në politikën e jashtme. Ajo pranoi gjithashtu ekzistencën e elementëve antisovjetikë në parti, të cilët ankoheshin për sloganet pro-sovjetike, ndaj të cilëve kishin nisur të merreshin masa të ashpra. Hoxha mbylli fjalimin e tij duke thënë se partia nuk ka bërë gabime pasi ka ndjekur në mënyrë korrekte kursin e komitetit qendror dhe gjithnjë ka menduar për të mirën e popullit dhe ka zbatuar linjën e përgjithshme të partisë sovjetike. Për të demonstruar saktësinë e pretendimeve të Hoxhës kongresi shqiptar vazhdoi më tej duke ri-zgjedhur të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të vitit 1952. Edhe komiteti qendror i partisë u rizgjodh në poste, me përjashtim të Jakovës dhe Spahiut, të cilët ishin përjashtuar në 1955.

Aleanca Shqipëri-Kinë në pikë pa kthim

Në fund të viteve 1960 u dalluan krisjet e para në aleancën kino-shqiptare, të cilat deri një vit më parë ishin mbajtur të fshehta prej këmbënguljes publike te regjimeve për “miqësinë e pandashme” mes tyre. Vdekja e Mao Ce Dun në tetor u hoqi shqiptarëve bamirësin e tyre kryesor, teksa liderët e kuptuan se me ardhjen e Hua Kuo Feng politikat do të bëheshin me pak doktrinare e më shumë pragmatike. Spastrimi i anëtarëve radikalë nga lidershipi i partisë në Kinë, të cilët Tirana i konsideronte si aleatë kryesorë, i nervozoi shqiptarët, të cilët shprehën pakënaqësi ndaj ftohtësisë së Hua. Në fillim të këtij viti Tirana nisi të përdorte disa elementë të lëvizjes Marksiste-Leniniste pro-Pekinit në argumentet e saj kundër tij. Prandaj Kina nisi të paralajmëronte grupimet për ndryshimet e tyre me Shqipërinë. Deri në mesin e verës lidhjet ishin përkeqësuar si asnjëherë më parë dhe shtypi shqiptar nisi sulme të ashpra ndaj bazave të ideologjisë kineze për politikën e jashtme. Tirana ktheu personelin ushtarak që po trajnohej me forcat ajrore të Kinës dhe nis dhe tërheqjen graduale të studentëve në universitetet kineze. Burime të pakonfirmuara thonë se Tirana i ka kërkuar Kinës të tërheqë ekspertët teknikë nga Shqipëria, por për këtë nuk ka prova pasi disa teknikë kinezë janë larguar nga vendi “për pushime” por të tjerë kanë qenë duke ardhur. Tirana ka vazhduar të konvertojë lëvizje të caktuara marksiste-leniniste në ideologjinë e saj, dhe të paktën një prej tyre pretendon se Shqipëria është tashmë liderja e vetme e lëvizjes marksiste-leniniste. Shqipëria thotë se ideologjia kineze është po aq e dëmshme për revolucionin botëror, sa edhe eurokomunizmi. Disa sinjalizime tregojnë se lidershipi shqiptar mund të mos jetë shtytës për prishjen finale por mund të mund të kërkojë bisedime për shtyrjen e përplasjes. Pekini ende nuk ka reaguar.

Origjina e aleancës

Novacionet teorike të Krushovit të parashtruara në kongresin e vitit 1956 u pritën keq nga Tirana dhe Pekini, të cilat ishin skeptike ndaj “rrugës parlamentare” dhe e konsideronin dhunën revolucionare si të vetmin mjet efektiv për “revolucionin”. Ato të dyja i konsideronin politikat e Krushovit për “bashkë-ekzistencën paqësore” me Perëndimin si pengesa kryesore e arritjes së fitores botërore të komunizmit. Gjithashtu duke iu trembur pasojave të brendshme, udhëheqja shqiptare vendosi të ruante kursin stalinist, prandaj në fillim të viteve 1960 Kina dhe Shqipëria u bashkuan nga përçmimi i përbashkët ndaj revizionizmit të Titos. Teksa polemikat e tyre me Titon përkeqësoheshin, shqiptarët po e konsideronin Bashkimin Sovjetik gjithnjë e më shumë si kërcënim. Një nga rezultate e saj ishte nisja e spastrimeve të elementëve miqësorë me Moskën, dhe tjetri ishte afrimi me Pekinin për mbështetje. Për Kinën fillimisht afrimi i Shqipërisë ishte një mundësi për zgjerimin e politikave të tyre dhe lidhja me një aleat në rajonin e sferës sovjetike, megjithë barrën ekonomike të mbështetjes. Por ndryshimet nisën të dukeshin në fund të viteve 1960 kur Kina nisi kërkimin e aleatëve të tjerë ndërkombëtarë, përfshi dhe aleatë të NATO-s, çka nisi të trembë shqiptarët, të cilët i konsideruan këto neglizhim të parimeve revolucionare. Mao Ce Dun rishikoi pikëpamjet e tij statusin e superfuqive dhe tha se megjithë vazhdimin e luftës në Azinë juglindore, SHBA ishte një rrezik më i vogël për Kinën në krahasim me Bashkimin Sovjetik. Si rezultat i kësaj, Pekini nisi të afrohej me SHBA, çka u dënua nga shqiptarët. Tirana argumentonte se nuk është e lejueshme “të anosh nga një imperializëm për të kundërshtuar një tjetër. Tirana thoshte se rreziku nga dy superfuqitë ishte i njëjtë dhe pretendonte se kishte “bashkëpunim të fshehtë” mes Moskës e Ëashingtonit, në dëm të lëvizjes komuniste. Gjatë viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970 Shqipëria ishte tejet e varur nga asistenca ekonomike kineze që prej viti 1961 kishte kaluar 900 milionë dollarë. Por deri në vitin 1975 nisën të dukeshin efektet e reduktimit të ndihmës. Shqipëria duhet të importonte nga jashtë thuajse të gjithë makineritë dhe pajisjet, çelikun e ndërtimit, fertilizuesit. Më shumë se gjysma e importeve vinin nga Kina, ose shteti kinez që i blente në tregje të tjera për Shqipërinë. Reduktimin e ndihmës Shqipëria e konsideroi si një konfirmim të dyshimeve të saj për oportunizmin e Pekinit. Gjithsesi lidhjet me Kinën mbetën në dukje miqësore deri në vdekjen e Mao Ce Dun. Një muaj më pas Enver Hoxha, në një raportim në kongresin e partisë shfaqi kritikat ndaj politikës së jashtme kineze dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ndaj afrimit të saj me Perëndimin. Masa e dëmit në lidhjet mes vendeve u bë publike vetëm korrikun e kaluar, pas një shkrimi në shtyp ku sulmohej ashpërsisht teoria e “tre botëve”, që sipas autorit, kishte qenë baza e politikës së jashtme të Kinës prej fundit të viteve 1960-të. Tirana tha se teoria është anti-Marksiste dhe dëmtonte entuziazmin revolucionar të proletariatit. Meqenëse teoria ishte themeluar nga vetë Mao Ce Dun, atëherë kjo u kthye edhe në një prishje të njohjes së Tiranës për Maon, si lider i marksizmit modern, i barabartë me Marksin, Leninin, Engeklsin dhe Stalinin. Një muaj pas sulmit të hapur, mediat shqiptare nisën të aludonin për bashkëpunim të Kinës me eurokomunizmin. Shqiptarët aludonin se teoria e tre botëve ishte e ngjashme me konceptet eurokomuniste dhe i shërbente ngatërrimit të proletariatit duke larguar vëmendjen nga lufta e klasave, në kundërshtim me teorinë e revolucionit dhe mësimet e marksizëm-leninizmit.

Përçarja në lëvizjen marksiste-leniniste

Edhe para vdekjes së Maos, lidhjet mes Tiranës dhe Pekinit ishin gjymtuar nga vlerësime konfliktuese ndaj rëndësisë së partive të vogla marksiste. Pas revolucionit kulturor përpjekjet e Kinës për lidhje me Perëndimin kishin zvogëluar rëndësinë e lëvizjes marksiste-leniniste në Pekin. Kontaktet me partitë e tjera komuniste gjatë kësaj periudhe u ishin lënë elementëve radikalë të udhëheqjes. Ndërsa Shqipëria në kontrast me Kinën vazhdonte t’i konsideronte ato si aleatë të rëndësishëm. Deri në mesin e viteve 1970, Tirana po kthehej në një organizatore ideologjike të këtyre vendeve, veçanërisht të Amerikës Latine dhe Evropës, duke tentuar të kthehej në qendër shpirtërore të lëvizjes, vend që më parë e kishte mbajtur Pekini. Tanimë Shqipëria po përdorte rrethin e saj të partive aleate për të shprehur kundërshtimet ndaj politikave të Pekinit dhe arritën të krijonin ndarjet e aleatëve me Pekinin. Liderët kinezë po ndërgjegjësoheshin ndaj kësaj sfide të Shqipërisë dhe nisën propagandën e tyre duke e quajtur të gabuar qasjen shqiptare. Pekini po i kushton përsëri vëmendje vendeve të vogla komuniste besnike ndaj tij.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 20

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive. CIA ka deklasifikuar disa dokumente për vitin 1947 dhe aty tregohet se si Hoxha dhe njerëzit pas tij arritën të ngjiten në pushtet.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.

Postuar: 13/09/2018 - 07:06

 CIA tregon me detaje se si qeveria komuniste nisi të përçahej në fillimet e saj.