Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh fjalimin e Hrushovit: Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu po përdorin metodat e kultit të individit, shqiptarët të marrin në dorë fatin e vendit

Postuar: 27/05/2018 - 07:37

CIA zbardh sulmet e Nikita Hrushov ndaj Enver Hoxhës dhe përplasjet mes dy vendeve më 1962. Sipas një dokumenti të deklasifikuar së fundmi, Hrushov akuzonte Hoxhën dhe Shehun se po ndiqnin si shembull kultin e individit, ndërsa liderët shqiptarë e akuzonin e po tradhtonte marksizëm-leninizmin.

 

Përplasjet me BRSS

Pas largimit të sovjetikëve, në Shqipëri u vu re fluksi i ardhjes së teknikëve, dhe këshilltarëve ushtarakë e ekonomikë kinezë. Shqipëria vazhdoi importin e grurit kinez me gjithë mangësitë dhe kushtet e vështira në Kinë. Në të njëjtën periudhë Shqipëria sulmoi politikën sovjetike ndaj Gjermanisë në takimin e gushtit të traktatit të Varshavës dhe ishte i vetmi vend i bllokut që nuk botoi në shtyp programin e sapo shpallur të partisë sovjetike. Në raportin e 17 tetorit të komitetit qendror të partisë sovjetike, Hrushov iu përgjigj gjerësisht pyetjes retorike mbi nevojën e sulmeve ndaj figurës së Stalinit dhe stalinizmit, duke thënë se ishte absolutisht e nevojshme dhe në interes të marrëdhënieve të mira mes partisë e popullit sovjetik, dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Hrushov përshkroi në terma të ngjashme këmbënguljen e tij për destalinizimin dhe triumfin e tij ndaj grupit anti-parti të Zhukov. Ai gjithashtu ngriti në një nivel të ri ofensivën kundër kinezëve, duke thënë se destalinizimi nuk është kuptuar nga udhëheqësit shqiptarë, teksa shtoi se BRSS nuk e kuptoi qartësisht këtë deri në vitin 1960. Ajo që Hrushov nuk tha është se kinezët e kishin kundërshtuar hapur destalinizimin prej fillimit, por audienca e tij e dinte mirë se ai me anë të sulmit ndaj Shqipërisë kërkonte të sulmonte Kinën. Ai tha se devijacioni shqiptar kishte qenë i qartë që prej mesit të vitit 1960, duke iu referuar konferencës së Bukureshtit në qershor, ku shkeljet disiplinore të Kinës u mbrojtën nga delegacioni shqiptar duke sfiduar qëndrimin e të gjithë bllokut komunist. Më tej Hrushov tha se kundërshtimi i shqiptarëve dhe kinezëve ndaj destalinizimit vinte nga fakti që ata vetë përdorin metoda të kultit të individit. “Për çështje të tilla parimore ne nuk mund të tolerojmë as ndaj shqiptarëve as ndaj askujt tjetër”, tha Hrushov, ndërsa lajmet nuk janë të qarta nëse ai paralajmëroi partitë e tjera të bllokut me anë të denoncimit të Kinës, që do të ishte rasti i parë që prej përjashtimit të Jugosllavisë në 1948. Në fjalimin e tij të 19 tetorit Zhu Enlai nuk e përmendi kultin e individit por e preku çështjen në stil tipik kinez duke vënë kurorë për Stalinin dhe Leninin në mauzoleumin kinez Lenin-Stalin. Në mbishkrimin e kurorës së Zhu Enalit ishte shkruar, ashtu siç Hrushov vetë e kishte përshkruar në 1956, “për Stalinin, marksist-leninistin e madh”. Në fjalimet e mëpasshme shumë nga rusët dhe delegatët e huaj pranuan se shqiptarët po praktikonin kultin e individit. Hrushov në fjalim të 27 tetor përshkroi në detaje zbatimin e kultit të individit nga udhëheqja shqiptare duke thënë se kjo po manifestohej në formën më të keqe. Hrushov më tej foli për mizorinë e regjimit të Stalinit dhe mbështetjen që kjo gjente të grupi sovjetik anti-parti.

Reagimi sovjetik

Një ditë më pas Frol Kozlov, që konsiderohej si pasues i Hrushovt, mbështeti krahasimet mes grupit anti-parti dhe udhëheqjes shqiptare. Kongresi sovjetik reagoi ndaj deklaratës së Zhu Enlai duke votuar unanimisht për heqjen e trupit të Stalinit nga mauzoleumi. Në fjalimin e 17 tetorit Hrushov tha se po bëhej gjithnjë e më e nevojshme përdorimi i zgjuar i avantazheve të socializmit botëror dhe i koordinimit të planeve ekonomike. Ai dhe liderë të tjerë sovjetikë diskutuan rëndësinë e ndihmës së BRSS ndaj vendeve të bllokut. Kozlov tha shqiptarët dhe kinezët i kishin harruar ndihmat dhe mbështetjen sovjetike për ekonominë dhe ushtritë e tyre. Hrushov tha se partia sovjetike kishte kërkuar dhe vazhdon të kërkojë mënyra për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Shqipërinë por pa u tërhequr nga argumentet e saj as ndaj Shqipërisë dhe askujt tjetër. Por më tej ai i bëri thirrje partisë shqiptare të heqë dorë nga pikëpamjet e gabuara dhe të kthehen në rrugën e unitetit dhe bashkëpunimit me bllokun dhe lëvizjen komuniste. Folësit sovjetikë në dy ditët e ardhshme të kongresit nuk diskutuan më problemet me Shqipërinë, teksa Hrushov po priste se cila do të ishte linja dhe reagimi i Kinës. Në fjalimin e 19 tetorit Zhu Enali tha se kinezët nuk kishin ardhur për të bërë sherr publikisht dhe shprehu keqardhjen që Hrushov e kishte sjellë debatin më Shqipërinë në këtë fazë të re. Duke specifikuar se qëndrimi kinez në bllok përfshinte dhe Shqipërinë, Zhu Enlai tha: “Ne besojmë se debatet që për fat të keq kanë lindur mes partive vëllazërore, duhet të zgjidhen me durim dhe në frymën proletare. Ndërsa censura e njëanshme ndaj çdo partie vëllazërore nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit. Nxjerrja e zhveshur para armikut e debateve mes partive vëllazërore, nuk është mënyra marksiste-leninsite për të vepruar”. Zhu Enali tha se imperializmi amerikan dhe revizionizmi jugosllav por tentonte me çdo mënyrë të prishte unitetin mes vendeve komuniste dhe miqve të tyre, dhe ashtu sic tha Hrushov për revizionizmin jugosllav, edhe sulmet kundër Shqipërisë po luanin në favor të armikut. Me formulën e tij të barazisë dhe unanimitetit, Zhu Enali po konfirmonte qëndrimin e vjetër të Kinës se lidhjet mes partive nuk bazoheshin në marrëdhëniet prind-fëmijë dhe se asnjë parti nuk mund të impononte opinionin e saj ndaj partive të tjera. Zhu Enlai shtoi se blloku nuk mund të vepronte sipas parimit të dominimit të maxhorancvës dhe se uniteti mund të arri9het vetëm me anë të konsultimeve dhe marrëveshjeve bilaterale.

Sulmi kinez

Por të katër folësit pas Zhu Enlait vazhduan akuzat e Hrushovt ndaj udhëheqjes shqiptare për refuzim të udhëheqjes së miratuar të bllokut, duke e bërë të qartë se Hrushov e kishte organizuar paraprakisht sulmin e tij. Gomulka dhe Thorez thanë se udhëheqja shqiptare po sillej në mënyrë aventuriere dhe përçarëse, ndërsa Voronov tha se procedimet e kongresit shërbenin si një paralajmërim serioz ndaj të gjitha formave të revizionizmit, duke iu referuar jugosllavëve, dhe formave të dogmatizimit, duke iu referuar shqiptarëve. Reagimi shqiptar erdhi në një deklaratë të komitetit qendror të partisë më 20 tetor, i cili duke u fokusuar në sulmin personal ndaj Hrushov, e prezantoi debatin sikur të ishte mes Hrushovit dhe grupit të tij nga njëra anë, dhe partisë shqiptare dhe udhëheqësve të tjerë sovjetikë nga ana tjetër. Deklarata denonconte Hrushovin për shkeljen e kushteve të deklaratës së nëntorit 1960 (për publikimin e debateve pas dështimit të negociatave bilaterale) dhe shtonte se partia shqiptare ishte përpjekur të zgjidhte konfliktin sipas procedurave të pranuara. Ajo shtonte se Shqipëria kishte pritur “me simpati” fjalimin e Zhu Enlait më 19 tetor. Më tej ajo shtonte se pas fjalimit të Zhu Enlai shpifjet dhe sulmet kishin vazhduar, prandaj kërkonte të bënte të qartë për botën të vërtetën e plotë. Deklarata shqiptare thoshte se kërkonte të demaskonte Hrushovn dhe se në përpjekjen e saj do të fitonte sepse nuk ishte vetëm. Në fjalimet e tjera deri më 27 tetor para fjalës finale të Hrushovt, të gjithë folësit vazhduan akuzat ndaj Shqipërisë dhe premtuan të mos toleronin në çështjet parimore në debatin me Shqipërinë (dhe Kinën). Folësit reaguan ndaj Zhu Enlait duke përsëritur se partia sovjetike kishte bërë gjithçka mundej për zgjidhjen e debatit dhe se veprimet e Shqipërisë kishin kënaqur armiqtë imperialistë. Ata paralajmëruan rrezikun e përjashtimit të Shqipërisë dhe ndoshta dhe të Kinës nga blloku. Të gjithë thanë se Shqipëria po bëhej gjithnjë e më e izoluar dhe se politikat e saj po e çonin drejt ndarjes nga kampi. Kinezët sigurisht që e dinin se sulmet drejtoheshin dhe kundër tyre. Akuzat specifike ndaj Shqipërisë ishin shkelja e parimeve të deklaratës së kongresit të 20-të sovjetik dhe se në mënyrë hipokrite deklaronin miqësi ndaj BRSS duke shpifur në të njëjtën kohë ndaj partisë sovjetike. Akuzat thonin se të gjitha këto veprime kundër unitetit, drejtësisë dhe të vërtetës, dëmtonin kauzën e ndërtimit socialist në SHqipëri dhe atë të komunizmit botëror.

Reagimi i Hrushov

Më 27 tetor Hrushov e ngriti në një tjetër nivel konfliktin duke bërë thirrje për përmbysjen e udhëheqjes shqiptare. Pasi përmendi se BRSS kishte bërë gjithçka të mundur për riparimin e marrëdhënieve, ai tha se partia sovjetike duhet t’i tregonte të gjithë botës të vërtetën. Në një paragraf ironik ai iu referua “ankthit” të Zhu Enlait për publikimin e debateve brenda lëvizjes. Hrushov tha: “Edhe ne ndajmë ankthin e kolegëve tanë kinezë për mbarëvajtjen në bllok dhe e vlerësojmë shqetësimin e tyre për forcimin e unitetit. Nëse shokët kinezë dëshirojnë të ushtrojnë përpjekjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes partisë shqiptare dhe partive vllazërore, janë të mirëpritur.” Më tek Hrushov tha se denoncimi publik i Shqipërisë u bë prej pretendimeve të saj për “privilegje të veçanta” dhe manifestim të stalinizmit në formën më të keqe, ndërsa më tej ftoi kinezët të ndërhynin me Shqipërinë për risjelljen e saj në linjën e bllokut: “Që Shqipëria t’i japë fund ngritjes së kultit të individit për Hoxhën, Shehun e të tjerë, kjo do të thotë heqje dorë nga pozitat e tyre shtetërore, gjë që ata nuk kanë ndërmend ta bëjnë. Por ne kemi besim se do të vijë një kohë kur komunistët e vërtetë shqiptarë dhe populli shqiptar do të thonë fjalën e tyre, dhe kur udhëheqësit aktualë do të duhet të përgjigjen ...” Rezoluta e pranuar nga kongresi sovjetik më 31 tetor përmbante vetëm qëndrimet e moderuara të Hrushovt, pra që udhëheqja shqiptare të heqin dorë nga pikëpamjet e gabuara dhe të rikthehen në rrugën e unitetit, pa përmendur përmbysjen e pushtetit. Por Hrushov e kishte bërë tashmë të qartë se nuk do të hiqte dorë përveçse me kokat e atyre që e kishin sfiduar dhe denoncuar. Shumë nga delegacionet që folën më pas mbështetën akuzat sovjetikë ndaj udhëheqjes shqiptare dhe asnjë nuk foli në mbështetje të tyre përveç Kinës dhe Shqipërisë që nuk ishte prezente. Ata që mbetën neutralë duke mos u shprehur ishin rreth 20 parti komuniste mes të cilëve Korea e Veriut, Vietnami i Veriut nga blloku socialist, India, Japonia, Burma, partitë komuniste anglofone të Australisë, Zelandës së Re, Britanisë, partitë skandinave të Norvegjisë, Danimarkës, Suedisë e Islandës, Algjeria nga partitë afrikane dhe disa parti komuniste latine.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 17

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 08:35

CIA në shumicën e rasteve ishte e përqendruar te konfliktet e brendshme në Partinë Komuniste.

Postuar: 20/10/2018 - 07:20

Shërbimi i Inteligjent Amerikan ka zbardhur prapaskenat e prishjes së bashkëpunimit mes Shqipëris

Postuar: 19/10/2018 - 07:16

CIA i ka kushtuar një rëndësi dhe situatës ekonomike në Shqipëri.

Postuar: 18/10/2018 - 08:07

Amerikanët kanë publikuar detaje nga zhvillimet në Shqipëri gjatë viteve 1951-1952.

Postuar: 17/10/2018 - 13:11

Ish-drejtori i Arkivit të Shtetit, Kastriot Dervishi, na ka shuar një kuriozitet në lidhje m

Postuar: 17/10/2018 - 07:16

Për shërbimin sekret amerikan, Tropoja ishte qendër e spiunazhit gjatë regjimit komunist.

Postuar: 16/10/2018 - 07:08

CIA ka deklasifikuar së fundmi një sërë dokumentesh sa i takon situatës së regjimit komunist pas