Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh incidentet në kufi mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, një shqiptar u qëllua për vdekje, ja si Liri Belishova dhe Nexhmije Hoxha drejtonin propagandën

Postuar: 22/11/2017 - 09:28

CIA u ka kushtuar një rëndësi të madhe marrëdhënieve mes Shqipërisë komuniste dhe Jugosllavisë. Aty përshkruhet një incident që ka ndodhur në kufirin detar, pasi një shqiptar është qëlluar për vdekje dhe kjo ishte një lëvizje që mund të sillte përplasje ushtarake. Nga ana tjetër, tregohet se si Liri Belishova dhe Nexhmije Hoxha ishin në krye të propagandës.

Tetor 1950

Situata në bujqësi, gazeta Bashkimi

Gaqo Nashi raporton sa më poshtë mbi programin e blerjes së drithërave për gjysmën e parë të 1950: Ligji për blerjen e drithërave këtë vit ka inkurajuar fshatarët të rrisin prodhimin e tyre dhe të kërkojnë burime të reja prodhimi. Fermerët e zonave malore janë inkurajuar të kultivojnë bimë medicinale. Sistemi i blerjes së drithërave ka krijuar mundësinë e shit-blerjes në kooperativat e zonave rurale. Në krahasim me të njëjtën periudhë në 1949 është tejkaluar prodhimi i grurit, tagjisë, dhe është realizuar plani i mishit, i leshit dhe i lëkurave. Gjatë gjysmës së parë të 1950, sistemi i shitblerjes së mishit u realizua në masën 81 për qind, i leshit 63.5 për qind dhe i vezëve 60 për qind. Plani mund të ishte realizuar në të gjithë aspektet por mangësitë erdhën për shkak të mungesës së organizimit në shkallët e ulëta të strukturës dhe në mangësitë e ndjekjes së udhëzimeve të partisë. Mangësitë kryesore ishin në mbushjen e rezervave nga të korrat e 1949, një deficit që plani i vitit 1950 e trashëgoi deri në plotësimin e tyre. Edhe të korrat e grurit nuk arritën objektivat e përcaktuar. Agjencitë e qeverisë kanë mbledhur 10 për qind më pak se plani. Në zonën e Vlorës plani duhet të ishte realizuar më 23 gusht pro deri më 25 gusht plani kishte mangësi të theksuara në mbledhjen e grurit tërshërës dhe elbit. Ky dështim i atribuohet keqfunksionimit të këshillave popullorë dhe neglizhencës së organizatave të masave . një pjesë e madhe e përgjegjësisë i kalon gjithashtu agjitatorëve që nuk kanë intensifikuar propagandën e tyre në favor të qeverisë. Fshatrat e Kocul, Novosela e Sevasteri, nuk kanë dorëzuar thuajse asgjë. Abaz Kondo, presidenti këshillit ekzekutiv të Durrësit u akuzua si kulak dhe armik i qeverisë. Sulejman Gulla i komitetit ekzekutiv të Shijakut, Hysni Cyrbia i komitetit ekzekutiv të Maminasit, kishin marrë pushime gjatë gjithë periudhës së korrjeve dhe si rezultat i kësaj fshatarët kishin arritur të fshihnin sasi të mëdha gruri. Ramadan Bushi, sekretar i Këshillit Popullor të Radoshinës, u akuzua për nënvlerësim të aktivitetit të kulakëve, ndërsa Daut Bushi, mbledhës në Radoshtija u akuzua për mosmarrjen e masave të nevojshme ndaj fshatarëve reaksionarë. Këshilli Popullor i Seferaj, pranë Kavajës ishte bërë një me fshatarët dhe plani nuk u realizua.

Dënimet për mosdorëzime të grurit

Më shumë se 300 fshatarë në rrethin e Korçës janë arrestuar kohët e fundit për mosdorëzimin e kuotave të grurit. Ata u çuan në burgun e Elbasanit dhe shumica e tyre më vonë u liruan, por rreth 60 mbetën të burgosur. Gjatë sezonit të të korrave janë regjistruar shumë përplasje mes popullsisë dhe fshatarëve. Rezultatet zhgënjyese të programit të korrjeve dhe vrasja e komisarëve politikë në fshatin e Dardhs në Korçë dhe në Koçishte pranë Bilishtit, reflektojë situatën kritike që po krijohet në dy muajt e fundit. Ndërkohë, sipas ATSH prodhimi i pambukut këtë vit është më i madh se i vitit të kaluar. Rreth 15, 700 hektarë tokë janë mbjellë me pambuk në 1950, krahasuar me 10,600 në 1949. Ndërsa në Durrës janë mbjellë rreth 1000 hektarë tokë më shumë me pambuk se një vit më parë. Prodhimi më i mirë parashikohet në rrethin e Lushjes e Elbasanit ku përdoret rregullisht sistemi i ujitjes. Këtë vit pambuku është kultivuar me metoda shkencore dhe me fertilizues kimikë. Në zonën e Elbasanit fermerët kanë përdorur metodën Lisenko të krasitjes së degëve jo-prodhuese te pambuku.

Rritje e prodhimit të orizit

Këtë vit rreth 40 dynym tokë janë mbjellë me oriz në rrethin e Lushnjes, ku më parë nuk ka pasur fare oriz. Si toka dhe klima në këtë zonë premtojnë për një prodhim të mirë të kulturës. Kultivuesve u është dhënë e gjithë ndihma teknike dhe toka është punuar me traktor. Një total prej 50 dynymë tokë është mbjellë me oriz në fshatin Stan-Karburanë, dhe gjithashtu në zonat e Sejmenas, Koçaj e të tjera.

Kanalizimet

Në Shkodër ka përfunduar punë në kanalin ujitës të Ashtës. Kanali i ri është 1750 metra i gjatë dhe ujit rreth 1800 hektarë. Puna për të nisi në fillim të qershorit dhe u krye nga 2200 vullnetarë. Kanali Dardhë-Drin i cili është më shumë se 5 km i gjatë, tashmë lidhet me kanalin e Dardhës dhe lidh edhe pesë fshatra të tjerë. Dy kanalet do të ujisin fshatrat Ashtë, Beltoje, Hali, Hekaj, Bërdiç e Mesme, Bërdiç e Poshtme, Trush, një pjesë të Melgush dhe një pjesë të kooperativës Perlat Rexhepi. Në Gjirokastër, njerëzit e fshatit Poliçan përfunduan një kanal ujitës 4500 metra të gjatë, i cili do të ujisë më shumë se 250 dynym tokë. Banorët e Poliçanit kanë kontribuar me 700 ditë pune vullnetare, duke i kursyer shtetit rreth 50 000 lekë.

 

Shtator 1955

Drejtoria agjitacion-propagandës

Drejtoria e agjitacion-propagandës e Komiteti Qendor të Partisë drejtohet nga Nexhmije Hoxha. Aktivitetet e saj organizohen nga Liri Belishova, e cila është përgjegjëse për degën në Byronë Politike. Seksioni i shtypit drejtohet nga Vandush Vinçani, seksioni i kulturës drejtohet nga Fatmir Gjata, propaganda drejtohet nga Xhoxhi Robo dhe seksioni i marksizmit drejtohet nga Sotir Manushi. Agjencia Telegrafike Shqiptare është burimi i të gjitha lajmeve, dokumenteve diplomatike dhe njoftimeve për shtyp të qeverisë. Agjencia ka një përfaqësues në të gjitha rrethet, të cilët marrin dhe shpërndajnë lajmet nga organet e partisë dhe qeverisë drejt mediave lokale të propagandës. ATSH merr gjithashtu lajme nga agjencitë e huaja (perëndimore dhe të vendeve satelite) si dhe monitoron transmetimet e huaja për Shqipërinë. Selia e saj në Tiranë ka degën e përkthimit për lajmet e jashtme, transmetimet dhe gazetat. Përkthimet kalojnë më tej te dega e lajmeve të ATSH e cila i shpërndan në gazetat dhe zyrat e ministrive. Lajmet e agjencive perëndimore shpërndahen përditë në “Buletinin e Verdhë” i cili është sekret dhe shpërndahet vetëm në zyra të larta shtetërore. Ndërsa lajmet nga agjencitë e vendeve satelite shpërndahen përditë në Buletinin Blu” dhe nuk janë sekrete. ATSH ka rreth 30-40 punonjës në Tiranë dhe drejtohet nga Thanas Nano. Aktivitetet e Radio-Tiranës nuk kanë një rëndësi të veçantë përveçse transmeton çdo ditë editorialin kryesor të Zërit të Popullit. Ajo drejtohet nga Petro Kito, nëndrejtor Alqi Kristo, drejtor kulturor Sofokli Afezolli, DShori Nini drejtor i informacionit të brendshëm, dhe Findia Veizi në lajmet e huaja. Hosteni është organi i satirës i gazetarëve shqiptarë dhe publikohet dy herë në muaj me tirazh prej 7000 kopje. Revista nuk lejohet të kritikojë apo të vërë në lojë partinë, por mund të kritikojë organe të caktuara të saj si për shembull ato që kanë mbetur prapa me planin, deri poshtë rangut të zëvendës-ministrit. Hosteni dhe Zëri i Popullit nuk marrin direktiva nga organet e agjitacion-propagandës , siç marrin organet e tjera të shtypit por udhëzohet direkt nga Vangjush Vincani, duke zgjedhur subjektet e satirës nga artikujt e Zërit të Popullit dhe gazeta të tjera. Njëfarë plani mujor i Hostenit dorëzohet të drejtoria e agjitacionit për aprovim, por vetëm në formë orientimi. Hosteni ka më pak personel se për shembull gazeta Bashkimi, dhe paguhen më pak. Kryeredaktori i saj është Dhimitër Tona, Polikron Kotini drejton seksionin ekonomik, Spiro Comora dreton seksionin kulturor dhe Zef Bumçi seksionin e vizatimeve.

Janar 1955

Jugosllavi-Shqipëri, skenare

Si regjimi i Shqipërisë dhe Jugosllavisë kanë prioritet ruajtjen e mbijetesës së tyre dhe evitimin e dominimit të plotë nga fuqitë e huaja, prandaj kërkesat e tyre praktike për ruajtjen e pushtetit do të vazhdojnë të mbështeten te arsyer thjesht nacionaliste ose ideologjike. Nëse ai dallon ndonjë kërcënim nga Evropa perëndimore atëherë Beogradi mund të kthehet te blloku sovjetik dhe anasjelltas, ndërsa kërcënimi sovjetik për Jugosllavinë është reduktuar pas vdekjes së Stalinit. Sa i përket interesave rajonale Jugosllavia do të ruajë ambiciet e saj të veçanta në Ballkan. Ata sigurisht që dëshirojnë një Shqipëri të influencuar prej tyre, ose më mirë të kontrolluar tërësisht, siç ka qenë më parë. Megjithëse ata publikisht pretendojnë se nuk kanë interesa në Shqipëri dhe se dëshirojnë që ajo të jetë e lirë dhe e pavarur, ata vazhdojnë të mbështesin grupet e organizuara anti-komunsite të emigracionit shqiptar dhe elementet e rezistencës mes tyre. Përpjekje janë bërë për koordinimin e rivalizimin e veprimit grupeve të tjera shqiptare të emigracionit në Itali, Greqi dhe Britani. Gjithsesi pushteti jugosllav me shumë gjasa do të frenojë aktivitetet anti-shqiptare të propagandës për sa kohë që programi aktual i normalizimit me Shqipërinë po jep rezultate. Ajo nuk pritet të kryejë ndërhyrje madhore unilaterale, përveç rasteve të krizave qeveritare ose frikës nga opozicioni grek, italian, amerikan ose britanik. Për të njëjtat arsye Jugosllavia nuk do të ringjallë pretendimet për pjesët greke dhe bullgare të Maqedonisë, për sa kohë që ndërkombëtarët të kërkojnë sheshimin e fërkimeve mes vendeve.

Shkurt 1976

Përkeqësimi i lidhjeve Jugosllavi-Shqipëri

Marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri janë tensionuar shumë muajt e fundit pas një incidenti të rëndë kufitar. Në një njoftim për shtyp të 5 shkurtit Beogradi tha se një nga barkat e patrullës së saj kufitare hapi zjarr ndaj një anijeje peshkimi shqiptare në ujërat jugosllave më 15 dhjetor. Jugosllavët shprehën keqardhjen e tyre për incidentin dhe për vdekjen e drejtuesit shqiptar të barkës, por theksuan se ai kishte injoruar thirrjet e tyre për të ndaluar barkën. Tirana pretendon se barka ishte në ujëra shqiptare dhe Byroja Politike shqiptare i dha të vrarit pas vdekjes titullin Hero i Popullit ndërsa incidentin po e përdor si mjet propagande për të nxitur tensione nacionaliste mes minoritetit të saj në Jugosllavi. Ndërkohë shtypi i Beogradit ka njoftuar të dielën për dënimin e 19 shqiptarëve “irredentistë dhe kundërrevolucionarë” në rajonin autonom të Kosovës. Megjithëse Jugosllavia nuk ka bërë asnjë lidhje direkte mes lëvizjes irredentiste të kosovarëve dhe Shqipërisë, deklaron se irredentistët janë mbështetur në elementë të huaj anti-jugosllavë. Më 3 shkurt një anëtar i presidencës jugosllave ka përsëritur se iniciativat e ardhme për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy fqinjëve, kësaj here duhet të vijnë nga Shqipëria.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2017 - 08:54

CIA ka nxjerrë të tjera detaje sa i takon tentativave të amerikanëve për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Në një dokument tregohet se në shkurt të vitit 1952 për shkak të dimrit u ndërpre lëshimi i agjentëve.

Postuar: 10/12/2017 - 10:31

Dështimi i tentativave të CIA për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës gjatë vitit 1949, detyruan amerikanët që të shtyjnë afatin e hedhjes në veprim.

Postuar: 09/12/2017 - 08:47

CIA ka zbardhur të tjera detaje nga regjimi komunist. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, përshkruhen zhvillimet gjatë viteve 1949-1952.

Postuar: 08/12/2017 - 09:00

Gjatë regjimit komunist, CIA tentoi dhjetra mënyra për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 07/12/2017 - 08:58

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente s ai takon zhvillimeve politike në Shqipërinë komuniste. Në disa të dhëna të fundit.

Postuar: 06/12/2017 - 08:53

Dalin në dritë të tetar detaje mbi misionet e SHBA në Shqipërinë komuniste për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.