BREAKING NEWS

Publikohet lista e plotë, zbardhen emrat e propozuar nga PD për qarkun e Dibrës

Publikohet lista e plotë, zbardhen emrat e propozuar nga PD për qarkun
x

Dossier

CIA zbardh njoftimin e Ministrisë së Brendshme më 1951, ja si u eliminuan 33 spiunë të rekrutuar nga jugosllavët, lista me emrat

CIA zbardh njoftimin e Ministrisë së Brendshme më 1951, ja si u

CIA ka publikuar një njoftim të Ministrisë së Brendshme të vitit 1951, e cila njoftonte se kishte goditur një grup spiunazhi. Bëhej fjalë për 33 shqiptarë të akuzuar se ishin rekrutuar nga DUB-ja Jugosllave. Aty jepen emrat e secilit person.

29 tetor 1951

Shtypi identifikon 33 spiunë të kapur

Më 27 tetor shtypi shqiptar botoi komunikatën e mëposhtme nga Ministria e Brendshme: Forcat e sigurisë shtetërore në bashkëpunim të ngushtë me popullatën kanë eliminuar 33 spiunë jugosllavë agjentë subversivë. Inteligjenca jugosllave ka rekrutuar, përgatitur, armatosur, financuar dhe dërguar brenda territorit të Shqipërisë agjentët e mëposhtëm, me qëllim spiunazhin dhe kryerjen e aktiviteteve subversive: Zenel Xhuta i vrarë, nga fshati i Shtikës në Kukës, i arratisur në Jugosllavi, kriminel lufte dhe bashkëpunëtor i Muharrem Bajraktarit. Rahim Iliaz Shenu i vrarë, nga i njëjti fshat, i arratisur në Jugosllavi dhe armik i popullit. Preng Keqani i vrarë, nga Kokdodaj, zona e Pukës, kriminel ordiner i arratisur në Jugosllavi. Shpeno Sadiku i vrarë, nga fshati Nikaj i Tropojës, ish-xhandar i Milicisë së mbretit Zog, i arratisur drejt Jugosllavisë dhe ish-bashkëpunëtor i kriminelit të luftës Nik Sokoli. Nik Deli... Lekaj, i vrarë, nga Tropoja, i arratisur drejt Jugosllavisë si bashkëpunëtor i kriminelit të luftës Nik Sokoli. Demir Shahini i vrarë, ballist nga Çërrava e Pogradecit, i arratisur në Jugosllavi, armik i popullit. Mark Ndue Pali i vrarë, nga Beran i Lezhës, i arratisur në Jugosllavi si mbështetës i regjimit të mbretit Zog. Kurt Ademi i vrarë, me nënshtetësi jugosllave. Sinan Teami nga Shkodra, i vrarë, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit. Gjok Nikola i vrarë, nga ishulli i Lezhës, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit. Ibrahim Kanjozi, i vrarë, nga Gryka e Nokës, Peshkopi, oficer gjatë regjimit fashist, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit. Zef Dodë Lekë Gega, i vrarë, nga Perlati i Rrëshenit, i arratisur në Jugosllavi si kriminel ordiner. Nikol Gjin Kola, i kapur i gjallë, nga Grykë Lumi në Lezhë, i aratisur në Jugosllavi si armik i popullit. Razmi Shapovski, i kapur i gjallë, nga Rade, Jugosllavi. Hysen Voka i kapur i gjallë, i arratisur në Jugosllavi dhe vëlla i kriminelit të njohur Ramadan Voka që është në Jugosllavi. Pjetër Gjin Kola nga Perlati, i kapur i gjallë, i larguar në Jugosllavi si armik i popullit. Rexhep Shaban leka, i kapur i gjallë, nga Blicaj e Peshkopisë, ish-xhandar i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit. Zhivko Cabrilovski, i kapur i gjallë, nga Dragocaj në Jugosllavi, ish-kryetar komiteti i Gragocaj. Ndue Bardhok Lekë Gega, i kapur i gjallë, nga Perlati, i arratisur në Jugosllavi. Xheto Rasani nga Tush i Shkodrës, i kapur i gjallë, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit. Islam Gafurri nga Luime e Kukësit, i kapur i gjallë, i arratisur në Jugosllavi si kriminel ordiner. Hajredin Rama nga Sumati i Peshkopisë, i dorëzuar pas presionit të forcave të Sigurimit, ish-xhandar i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit. Elaim Azizi nga Ruraj i Kukësit, i dorëzuar te Sigurimi, i arratisur në Jugosllavi. Gjin Arapi nga Perlati, i dorëzuar, i arratisur në Jugosllavi. Elmaz Islami nga Shtika e Kolonjës, i dorëzuar, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit. Berdo Berdaj nga Brataj i Vlorës, i dorëzuar, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit. Gjashtë spiunë dhe agjentë të tjerë subversivë që janë vrarë, nuk janë identifikuar ende. Dokumentet e gjetura te ta tregonin se ishin dërguar nga agjencia jugosllave UDB. Të gjitha armët dhe sendet e agjentëve të sipërpërmendur, i kemi ne në zotërim.

 

Qershor 1951

Plani i Luftës së Ftohtë për Shqipërinë

Qëllimi i këtij plani është demonstrimi i mënyrës në të cilën do të arrihen në Shqipëri objektivat e Luftës së Ftohtë nga CIA/OPC, për periudhën qershor 1951 deri në qershor 1953. Politika e përgjithshme e SHBA parashikon që në Europën Lindore të zhvillohen qeveri të pavarura jo-totalitare dhe jo-komuniste, të cilat të bashkohen me komunitetin e botës së lirë, përkundër orbitës së Bashkimit Sovjetik. Prandaj kursi më i përshtatshëm e veprimit në këtë kohë janë metodat e luftës së shkurtër, të prishjes së lidhjeve të satelitit me Bashkimin Sovjetik, dhe reduktimit të përgjithshëm të influencës së BRSS në Europën Lindore. Plani i CIA/OPC për Shqipërinë është aprovuar në 22 qershor 1949 me katër objektiva kryesorë: 1) Përforcimi i shpresave të çlirimit mes popullit shqiptar dhe nxitja e vullnetit të tyre për t’i rezistuar komunizmit. 2) Krijimi i një rrjeti klandestin për ekzekutimin e politikave të SHBA brenda vendit të orbitës sovjetike, në një aparat që është i aftë në një kohë të shkurtër të pengojë lëvizjet sovjetike kundër Greqisë dhe Jugosllavisë, dhe të shërbejë si një bërthamë e rezistencës efektive, në rast lufte të përgjithshme. 3) Me anë të operacioneve të fshehta dhe luftës psikologjike, të dëmtojë strukturën politike, ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë. 4) Të krijojë një qendër politike të përfaqësimit të refugjatëve shqiptarë në Perëndim, si mbulim për operacionet e OPC.

Tensionet me fqinjët

Tensionet mes Shqipërisë së izoluar dhe fqinjëve të saj perëndimorë parashikohet të rriten. Ato do të stimulohen nga propaganda e ndërsjellë. Nga gjyqet publike të spiunëve, nga protestat dhe shkeljet kufitare. Qeveria shqiptare do të vazhdojë të theksojë kërcënimin ndaj integritetit territorial të vendit me qëllim të fitojë mbështetje. Nga ana e tyre, Greqia, Jugosllavia e Italia do të vazhdojnë të operojnë rrjete rivale subversive brenda Shqipërisë, nga të cilat më të suksesshme me siguri do të jenë ato jugosllave, siç është “Lidhja e Refugjatëve Politikë Shqiptarë” me mbështetjen e saj dhe grupet paramilitare. Shtypja do të rritet dhe regjimi do të nxjerrë dekretet e tij “anti-terroriste” duke vënë vendin në shtetrrethim. Rezistenca pasive e qytetarëve do të rritet në përpjesëtim të drejtë me masat, por nuk pritet të ketë efekte të ndjeshme prej rrjetit të gjerë të spiunëve dhe informatorëve. Fraksionet pro-sovjetike në partinë shqiptare do të ruajnë kontrollin e shtetit me ndihmën e ekspertëve politikë dhe ushtarakë sovjetikë. Për arsye të kapaciteteve të kufizuara të ushtrisë së Shqipërisë dhe izolimit të saj nga orbita sovjetike, BRSS nuk do të mund ta përdorë Shqipërinë si një bazë për operacione të gjera ushtarake në Ballkan. Mund të bëhen tentativa për të forcuar batalionet duke i pajisur me modele ruse armësh, si një masë mbrojtjeje ndaj Greqisë e Jugosllavisë në rast lufte.

Koncepti strategjik

Programi për Shqipërinë parashikon krijimin e të gjitha mjeteve tona klandestine për të shfrytëzuar potencialin e rezistencës në vend dhe për të dëmtuar strukturën e pushtetit sovjetik, krijimin e një ofensive klandestine në mbështetje të politikave të SHBA për Ballkanin, dhe në rast lufte, ndihmesa për vendosjen e objektivave Aleate të Luftës. Si mision i Luftës së Ftohtë, plani kërkon të caktojë kushtet në Shqipëri për kalimin nga gjendja aktuale e luftës së padeklaruar, në konflikt të hapur.

Misioni i periudhës së tranzicionit

Të kryhen operacione në mbështetje të planeve amerikane të emergjencës për luftë në Shqipëri, sipas kapaciteteve. Të realizohet në mënyrë të shpejtë dhe të rregullt nga organizimi dhe aktivitetet e Luftës së Ftohtë drejt strukturës dhe komandës së luftës. Nisja e masave shtesë të kryhet sipas direktivave të luftës jo-konvencionale të SHBA dhe sipas përgjegjësive luftarake të OPC në lidhje me Shqipërinë.

Objektiva dhe prioritete

Aktivitetet e OPC për Shqipërinë përfshihen në këto kategori kryesore: Operacione klandestine psikologjike, ekonomike e politike për të minuar lidhjen e saj me BRSS. Krijimi i mjeteve të tilla klandestine në Shqipëri në formën e një organizate të aftë për të kryer operacione të tipit të Luftës së Ftohtë kundër regjimit të Hoxhës. Përgatitja për zhvillimin dhe zgjerimin e operacioneve deri në kushtet e një lufte të plotë. Mes këtyre kategorive prioritet i jepet luftës politike, psikologjike dhe ekonomike, por vëmendje do t’i kushtohet organizimit të rrjeteve të rezistencës dhe përgatitjes për veprim lufte. Qëllimi përfundimtar është integrimi i të gjitha operacioneve me njëri-tjetrin. Në detyrat prioritare për t’u realizuar përfshihen: Përdorimi i të gjitha mjeteve të luftës psikologjike për të ngritur moralin e popullit shqiptar duke i dhënë atij një ndjesi pjesëmarrjeje direkte në rezistencën e mbështetur nga Perëndimi; stimulimi i rezistencës pasive dhe i akteve të sabotazhit, sipas burimeve dhe planeve afat-gjata. Nxitja e tensioneve dhe e konfliktit mes komunistëve nacionalistë shqiptarë dhe atyre pro-sovjetikë në poste me autoritet. Zhvillimi i rrjetit të nëndheshëm të komanduar nga SHBA dhe rritja e agresivitetit të roleve të tyre. Krijimi i një qendre politike jashtë Shqipërisë me përfaqësues jo-totalitarë të afërt me SHBA dhe politikat perëndimore në Ballkan, që do të shërbejë si një pikë bashkimi i elementëve anti-komunistë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Zhvillimi i masave të luftës ekonomike me qëllim reduktimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë, prishje e planifikimeve ekonomike, e prodhimit dhe dëmtime të lidhjes politiko-ekonomike me BRSS, me anë të nxitjes së pakënaqësisë së popullatës dhe duke prishur përpjekjen e udhëheqësve komunistë në arritjen e objektivave.