Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik për Traktatin e Varshavës, si Mehmet Shehu njoftoi shkarkimin e Beqir Ballukut

Postuar: 18/11/2017 - 08:56

CIA i ka kushtuar një rëndësi të madhe prishjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar tregohem replikat dhe sharjet mes dy vendeve sa i takon Traktatit të Varshavës. Nga ana tjetër, tregohet dhe kur Mehmet Shehu njoftoi shkarkimin e Beqir Ballukut nga qeverisa.

Prill 1951

Propaganda anti-jugosllave në Trieste

Një masë e konsiderueshme materialesh propagande po hyn ilegalisht në Jugosllavi nga Trieste, kryesisht nga Partia Komuniste e Triestes. Dërgesat e këtyre materialeve drejt Triestes nga Moska dhe nga kryeqytete të tjera satelite kanë qenë aq të mëdha saqë zyrat e postës duhet të thërrisnin anëtarët e partisë për t’i marrë. Nuk dihet se në ç’mënyrë këto materiale janë infiltruar në Jugosllavi. Ato besohet se merren nga korrierët në Fiume e Pola. Sipas informacioneve materialet përbëhen kryesisht nga propagandë anti-Tito të marrë nga shtypi i grupeve jugosllave të emigracionit në Moskë, Pragë e Sofie. Nuk kemi sinjalizime nëse Trieste është gjithashtu pikë kalimi i propagandës anti-Tito për në Shqipëri dhe Rumani. Por ka prova të konsiderueshme të blloku sovjetik ka qenë i suksesshëm me kalimet e literaturës pro-sovjetike në Jugosllavi, teksa në Librin e Bardhë përmenden disa raste incidentesh.

Jugosllavia për reagimet në Shqipëri-Dedijer

Teoricieni jugosllav Vladimer Dedijer shpjegon se qëllimi i një artikulli të tij të kohëve të fundit në të përditshmen Borba mbi makinacionet e Perëndimit në Shqipëri, është të hedhë poshtë akuzat e të përditshmes moskovite Izvestia që tha se Jugosllavia po bashkëpunon në planet për pushtimin e Shqipërisë. Ai thekson se fushatat e lëshimit të fletushkave dhe parashutistëve të planifikuara për në Shqipëri, kishin bërë lëshime në zonat e Kosovës e Metohije me avionë të ardhur nga Italia. Ai deklaroi se një aktivitet i ngjashëm ishte kryer dhe nga Greqia, por nuk përmendi akte specifike në artikull, për arsye të efekteve shqetësuese që kjo mund të kishte në marrëdhëniet me Greqinë. Ky aktivitet në tokën jugosllave nuk i kishte sjellë shqetësime të mëdha për autoritetet sepse ishte mbajtur nën kontroll. Por qeveria jugosllave ishte vetëm e shqetësuar se Moska mund të shfrytëzonte krizës aktuale me Shqipërinë për të përfshirë Jugosllavinë si një agresor i mundshëm i saj. Referencat e Dejider për reduktimin e rolit të Greqisë në makinacionet perëndimore ndaj Shqipërisë, është një tjetër provë për vullnetin e Jugosllavisë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në artikullin e tij mbi Shqipërinë, Dejider i referohet vetëm pranimit të mundshëm të Greqisë për pjesëmarrje në këto aktivitete, me deklaratën e disa rretheve greke që u intereson rrëzimi i pushtetit aktual në Shqipëri.

Qershor 1965

Shqipëria vazhdon të kryesojë ofensivën e kampit kinez ndaj BRSS me një sulm të ashpër ndaj ministrit të Mbrojtjes Malinkovski dhe me anë të tij ndaj Bashkimit Sovjetik për shfrytëzimin e Paktit të Varshavës si një instrument për të kapur dhe zbatuar politikat sovjetike. Sulmi kulmon me një tjetër apel ndaj popullit sovjetik për të “flakur tej uzurpuesit”, ndërsa raporton se testi i dytë i bombës atomike të Kinës më 14 maj solli gëzim të madh mes popujve. Ndërsa media të tjera të vendeve komuniste raportuan shkurt mbi ngjarjen dhe pa komente. Artikulli i Zërit të Popullit “Përgjigje për Marshall Malimkovski” është në sulm therës ndaj sovjetikëve për manipulim të Traktatit të Varshavës dhe një reagim ndaj retorikës izoluese sovjetike për Shqipërinë. Në fjalën e 14 majit në Moskë për përvjetorin e 10 të Traktatit të Varshavës, ministri Malinkovski përmendi Shqipërinë si një vend që po izolon veten e saj nga anëtarët e tjerë të aleancës, edhe pse në fund ai shtoi se “dera e paktit do të mbetet gjithmonë e hapur për të”.

Zëri i Popullit shkruante:

“Marshall Malinkovski është një demagog revizionist që edhe një herë provoi se nuk i vjen turp nga sharjet ose vulgariteti ndaj të tjerëve. Faktet historike nuk janë ushtarë prej lodre që mund t’i vendosësh ku të duash... Të gjithë e dinë se nuk ishim ne që kërkuam të largohemi nga Pakti i Varshavës, por revizionistët hrushovitë dhe veçanërisht Nikita Krushov, Malinkovski dhe shokët e tyre që drejtojnë Bashkimin Sovjetik në mënyrë absolute dhe arbitrare. Metodat e tyre ilegale parandaluan që Shqipëria të ushtrojë të drejtën e saj për të qenë anëtare e paktit dhe të ndodhte ku përjashtim de facto i saj... Tashmë nuk ekziston më një Pakt i Varshavës siç ideuan themeluesit e tij, por vetëm një instrument politik revizionist shovinist në duart e sovjetikëve... Pakti i Varshavës është i dominuar dhe i komanduar nga një fuqi e vetme, nga ministri sovjetik i mbrojtjes Marshall Greçko, që është njëkohësisht zëvendësi i Malinovski. Gjenerali Batov, kreu i forcave ta armatosura të vendeve të Paktit të Varshavës është njëkohësisht zv/komandant i ushtrisë së Bashkimit Sovjetik. Zyrtarisht zëvendës-komandantët janë ministria Mbrojtjeje të vendeve pjesëmarrëse, por kjo është vetëm fasadë. Ata nuk pyeten asnjëherë për asgjë mbi planet apo aktivitetet e organizatës. Përfaqësuesit e ushtrive pjesëmarrëse janë kthyer në korrierë të thjeshtë, pasi është vetëm ai, Marshall Malinkovski që mbylli dyert për Shqipërinë në Paktin e Varshavës. Në mënyrë banale dhe të pabese ju, liderët sovjetikë arbitrarisht keni grisur marrëveshjet bilaterale dhe keni shkelur mbi detyrimet... Ju na keni vjedhur tetë nëndetëse si dhe luftanijet shqiptare që ishin në Sevastpol për riparime. Ju na keni çmontuar bazën detare të Vlorës dhe keni bërë gjithçka mundët për të dobësuar mbrojtjen dhe Shqipërinë... Ju keni bërë përpjekje për të nxitur kryengritje në ushtrinë tonë kundra shtetit dhe partisë. Dhe më në fund, pas të gjitha këtyre akteve tradhtie e përçarjeje, keni guximin të akuzoni se Shqipëria po izolon veten e saj nga Pakti i Varshvës! Ju nuk keni vepruar në këtë mënyrë dinake e tradhtare vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe vetë ndaj ushtarakëve tuaj sovjetikë. Rastet janë me qindra por mund t’ju kujtojmë vetëm një i cili tipizon komplotet e Hrushovit, Malinkovskit dhe kolegëve të tyre, të cilët tashmë i gjejmë në krye të shtetit sovjetik. Për të eliminuar Marshallin Zhukov ju komplotuat ndaj tij dhe grupi revizionist e zëvendësoi me Marshall Malonkoivskin, bashkëpunëtorin e vjetër, besnik të Hrushovit. Zhukovi, lideri i shquar ushtarak sovjetik i luftës patriotike, emri i të cilit njihet dhe respektohet në të gjithë botën, u akuzua në mënyrë djallëzore nga grupi i Hrushovit. Largimi i tij ishte një sinjal për shkarkimet e mijëra oficerëve ushtarakë, për t’i zëvendësuar me elemente besnike të linjës revizioniste të Krushovit. Ne jemi të sigurt se populli sovjetik nuk do të tolerojë për shumë gjatë sharlatanët dhe gënjeshtarët që kanë uzurpuar postet e komandës në ushtrinë dhe shtetin sovjetik”.

Nëntor 1974

Rotacione në qeveri

Në një fjalim madhor në Parlament kësaj jave, kryeministri Shehu tha se kishte marrë përsipër postin e ministrit të Mbrojtjes, duke konfirmuar zhurmat e vazhdueshme se ministri i Mbrojtjes dhe figura shembullore e Partisë Beqir Balluku ishte shkarkuar. Pa dyshim ai ishte përjashtuar dhe Byroja Politike. As Shehu dhe as mediat shqiptare nuk ofruan shpjegime për largimin e Ballukut, por raportime më të hershme nga Tirana sugjeronin se ishte larguar në verë me motivacione si “revizionizëm, tradhtia e lartë apo mungesë aftësie”. Shtypi perëndimor raportoi më tej se kishte dalë në favor të përmirësimit të lidhjeve me Bashkimin Sovjetik dhe se kishte kritikuar ritmet e ngadalta të modernizimin në ushtri. Kjo nënkupton se kryen gabimin fatal të shprehjes së pakënaqësisë me mbështetjen e re që Shqipëri po merr nga Kina. Shehu njoftoi gjithashtu emërimin e krye-komisionerit të planifikimit shtetëror Abdyl Këllezi në postin tjetër e lënë vakant nga Balluku, atë të zëvendës-kryeministrit. Ai njoftoi ngritjen e Adil Çarçanit si zëvendëskryeministër dhe emërimin e figurave të panjohura në krye të ministrive të komunikacionit dhe financave. Disa ndryshime në qeveri ishin pritur që prej plenumit të komitetit qendror të partisë në fund të korrikut, ku u diskutua për ndryshime në mbrojtje. Por në vend të njoftimit të ndryshimeve drejtpërsëdrejti, mediat shqiptare i kanë lëshuar ato gradualisht. Shumica e ndryshimeve u përqendruan në ministrinë e mbrojtjes që do të thotë se ka pasur një spastrim të përgjithshëm të kolegëve të Ballukut. Fjalimi i Shehut ishte në shumë aspekte një panoramë tipike e politikave të brendshme e të jashtme. Pas një përmbledhjeje të arritjeve ekonomike e bujqësore, ashtu siç pritej Shehu ngriti lart mbështetjen kineze për Tiranën dhe theksoi njoftimin e mëparshëm të udhëheqësit Hoxha se Shqipëria nuk do të vendosë lidhje me Bashkimin Sovjetik, Shtetet e Bashkuara apo Gjermaninë Perëndimore. Ai dënoi të gjitha vendet e Paktit të Varshavës, përveç Rumanisë, por përçmimin më të madh e lëshoi mbi BRSS, duke e quajtur “vendi më i urryer dhe më i rezikshëm, tradhtar i socializmit që ka njohur ndonjëherë historia”.

Gusht 1975

Hoxha përforcon pushtetin

Fushata e shtypjes ndaj kërcënimeve të vërteta ose të imagjinuara nga regjimi i Hoxhës është intensifikuar edhe më shumë. Në Tiranë është shtuar dukshëm numri i rojeve të armatosura nga nëntori deri në maj. Ndërtesat qeveritare janë të ruajtura më shumë dhe këmbësorët mbahen në distancë prej tyre. Masat e shtuara të sigurisë shoqërohen me fushatat e spastrimeve në administratë nga Hoxha, të justifikuara me sulme ndaj paaftësisë së burokratëve edhe intelektualëve të vendit. Të dy këto grupe kanë shfaqur entuziazëm për mbrojtjen e privilegjeve të tyre duke ndjekur dhe mbrojtur linjën ekstreme të komunizmit stalinist të Hoxhës.

Spastrimet kanë nisur më shumë se një vit më parë me largimin e ministrit të mbrojtjes Balluku çka raportohet se solli largimet dhe zhvendosjet e mijëra familjeve. Raportimet thonë se rreth 5 për qind e popullsisë së vendit është zhvendosur nga qendrat urbane në kooperativat rurale. Njëkohësisht ka vazhduar shtrëngimi i rregullacionit për pranimet në parti. Çdo kandidat për anëtarësim duhet të ketë qenë aktiv në grupet rinore komuniste dhe për kualifikimin e tij duhet të dalë garant një zyrtar i vjetër i partisë. Intelektualët e rinj duhet të kalonin një proces të imtësishëm analize para se të pranohen në parti. Ndërkohë fajet apo fati i Ballukut mbetet ende mister, pasi nuk ka prova publike për lidhjet e Ballukut me BRSS apo për aktivitet anti-pushtet.

Prioritetet e CIA në Shqipëri

Të zhvillohen kontaktet e sigurta dhe komunikimet e shpejta në zonën e shënjestruar. Të ketë zhvillim të një mekanizmi mbështetës për kalimin e sigurt të agjentëve brenda dhe jashtë zonës së shënjestruar. Duhet të krijohet i një klimë e përshtatshme psikologjike me anë të broshurave dhe mjeteve të tjera. duhet ë mblidhen sa më shumë të dhëna mbi politikën shqiptare. Është e nevojshme mbledhja e të dhënave mbi metodat, personelin e shërbimeve shqiptare të inteligjencës dhe shërbimeve të sigurisë. Të ndërmerren hapat paraprakë gjatë dy viteve të ardhshme për lejimin dhe plotësimin e kërkesave të ushtrisë mbi mbështetjen klandestine të SHBA dhe nisjen e planeve të luftës, të cilat duhet të fokusohen fillimisht në detyra të veçanta: Vazhdim i pengesave për naftësjellësin Perhond-Vlorë. Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident në Vlorë e Tiranë për rekrutimin e mundshëm të agjentëve sabotatorë. Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident secilën prej zonave me qëllim krijimin e njësive guerrile: Zona e lumit Erzen, 10 milje në Jug të Tiranës; Çamëria: 12 milje larg Sarandës; Alpet e Shqipërisë: 18 milje në veri të Shkodrës. Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident për qëllime zbulimi të agjentëve, shtëpive të sigurta, zonave të sigurta, pikave të kalimit kufitar, infiltrimit dhe eksfiltrimit, si dhe pikave të uljeve të mundshme ajrore. Një mekanizëm të aftë të mbështesë një lëvizje në drejtim të Jugut në katër zonat guerrilase. Një pikë ndalimi detare pranë zonës së ishullit të Korfuzit.

Rezistenca ndaj regjimit aktual

Pakënaqësia mes popullit shqiptar vazhdon të jetë e gjerë dhe në vitet e fundit ka pasur disa raste të rezistencës së hapur ndaj regjimit. Edhe vetë regjimi ka pranuar ekzistencën e elementëve “diversantë” dhe sulmeve ndaj ushtrisë dhe karvaneve civile të furnizimeve. Incidenti më i rëndë i rezistencës ishte bomba në ambasadën sovjetike në shkurt 1951, por vrasjet lokale dhe sabotimet kanë qenë gjithashtu një sfidë për autoritetet komuniste. Deri tani regjimi i Hoxhës ka ditur të përballet me lëvizjet kundërshtare duke zbatuar masa të shumta represive. Për shembull, ministri Shehu ka krijuar disa batalione të veçanta ndjekjeje që operojnë në zonat malore kundër grupeve individuale të rezistencës. Refugjatët anti-komunistë kanë raportuar për ekzistencën e disa grupeve të rezistencës me emra si “Lidhja Kombëtare e Maleve”, “Liria”, “Skënderbeu”, “Thirrja”, por nuk ka informacion specifik mbi to. Nuk duket se ka bashkëpunim mes grupeve të disidentëve megjithë dëshirën e tyre të përbashkët për largimin e regjimit të Hoxhës.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 15

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2017 - 10:31

Dështimi i tentativave të CIA për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës gjatë vitit 1949, detyruan amerikanët që të shtyjnë afatin e hedhjes në veprim.

Postuar: 09/12/2017 - 08:47

CIA ka zbardhur të tjera detaje nga regjimi komunist. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, përshkruhen zhvillimet gjatë viteve 1949-1952.

Postuar: 08/12/2017 - 09:00

Gjatë regjimit komunist, CIA tentoi dhjetra mënyra për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 07/12/2017 - 08:58

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente s ai takon zhvillimeve politike në Shqipërinë komuniste. Në disa të dhëna të fundit.

Postuar: 06/12/2017 - 08:53

Dalin në dritë të tetar detaje mbi misionet e SHBA në Shqipërinë komuniste për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

Postuar: 03/12/2017 - 08:31

CIA ka pasur të dhëna tepër të sakta mbi ish-diktatorin Enver Hoxha.