Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh raportimet e spiunëve të saj në Shqipëri, ja si informoheshin amerikanët dhe pseudonimet që mbanin funksionarët e PKSH

Postuar: 15/10/2019 - 07:19

CIA amerikane ka deklasifikuar një dokument tepër voluminoz, ku jepen detajet e të dhënave që raportonin të infiltruarit apo shqiptarët e arratisur jashtë vendit. Gazeta do publikojë pjesë nga këto raportime dhe aty tregohen detaje që nga themelimi i Partisë Komuniste e deri në marrëdhëniet me Kinën dhe BRS.

31 janar 1957

Raport, themelimi i PKSH

Si filloi Partia Komuniste e Shqipërisë? (Përgjigje e pyetjes së parë nga raportuesi)

Partia Komuniste e Shqipërisë u formua më 8 nëntor 1941 dhe u njoh nga Internacionalja III Komuniste në 1943. Para datës 8 nëntor në Shqipëri nuk kishte lëvizje komuniste të organizuar, por vetëm disa grupe lilipute të udhëhequr jo nga forume, por nga “shefa misteriozë” pa asnjë strukturë organizative, pa platformë e pa aktivitet. Këto grupe komuniste ishin atrofizuar nga një konspiracion i kalbur, nga goditjet e organeve zoriste, nga anarkia dhe nga lufta e brendshme fraksionale. Dihet se okupacioni italian duke prekur ndjenjën patriotike të masave më të sqaruara politikisht, krijoi kushtet për lulëzimin e këtyre grupeve. Diktatura e Zogut kishte frenuar e dërmuar jo vetëm lëvizjen komuniste në Shqipëri, por dhe penguar krijimin e çdo organizate tjetër politike. Në kohën e okupacionit vendi nuk kishte parti apo organizata masash. Jashtë individëve anti-zogistë e antifashistë (qofshin ata intelektualë si Mithat Frashëri ose feudalë si Muharrem Bajraktari) e vetmja forcë disi e organizuar anti-zogiste ishin këto grupe komuniste. Në këtë situatë çdo grup me njëfarë peshe, që do të ngrinte i pari flamurin e atdhedashurisë e do të fillonte një aktivitet të organizuar, i kishte të gjitha mundësitë të vihej në krye të situatës duke fituar prestigj e autoritet dhe duke fituar kapitalin e nevojshëm politik e moral.

Kush mund ta ngrinte këtë flamur?

Këtë mund ta bënin individët anti-zogistë si Mithat Frashëri që ndodheshin në Shqipëri në kohën e okupacionit, por ata nuk kishin forca rezervë të organizuara. Ashtu si dhe komunistët, okupacioni i gjeti ata në befasi dhe të izoluar nga goditjet e Zogut. Ndërsa individët zogistë, por anti-fashistë e anti-italianë që ndodheshin në Shqipëri nuk mund ta bënin (siç edhe ndodhi) sepse nuk kishin persona politikë. Këta persona i përkisnin të gjithë klasës feudale si Abaz Kupi dhe nuk ishin të aftë për aktivitet ilegal, organizativ politik. Individët anti-zogistë në emigracion si Ali Këlcyra, Skënder Çami, Beqir Valteri etj. që ishin kthyer në Shqipëri pas vitit 1939 nuk e bënë sepse anti-zogizmi i tyre eci në bashkëpunim me italianët dhe ata ruajtën pozita “atandiste” dmth “prit gomar të mbijë bar”. Ndërsa grupet lilipute komuniste në Shqipëri ngritën flamurin e atdhetarizmit. Faktorët kryesorë që i ndihmuan ata ishin organizimi. Sado që pa një program politike dhe organizim unik ata mundën të bashkohen e grumbullohen më parë se të tjerët, të caktojnë një vijë të tyre politike duke u vënë në krye të situatës. Ndërsa të tjerët, të llojit Ali Këlcyra e Mithat Frashëri diskutonin në mënyrë akademike ose grindeshin për kryesinë në një kohë kur komunistët u hodhën në aktivitet duke shfrytëzuar antagonizmat, hezitimet ose pozitën standiste të “shefave të vjetër patriotë”. Grupet komuniste morën precedencë duke hedhur hapat e para. Gjysma e fatit të luftës do të zhvillohej mes “shefave të vjetër patriotë” dhe “shefave të rinj komunistë” dhe rezultati u përcaktua në atë fazë. Grupet komuniste hynë në aktivitetin e tyre të organizuar. Ky bashkim i tyre ndodhi kryesisht prej kthimin në vend të komunistëve shqiptarë jashtë vendit, si Ymer Dishnica e Gogo Nushi në Francë, ose anëtarë të Partisë Komuniste italiane si Nako Spiru, të cilët ndihmuan në organizim. Ata sollën në Shqipëri direktivën e partive të tyre për bashkim. Kështu prej vitit 1940 nisën mbledhjet e shefave të grupeve komuniste për krijimin e një partie të vetme. Fillimisht kjo nuk dha rezultat pasi secili “shef” kërkonte kryesinë e partisë dhe influencë për anëtarët e grupit të tij. Në këtë situatë kërkohej prania e një personi me influencë dhe jashtë rrymës së tarafeve të zakonshme të grupeve. Për këtë arsye u dërgua në Beograd Vasil Shanteka, i cili kërkoi dërgimin e një përfaqësuesi të lartë jugosllav që të diskutonte me shefat e grupeve platformën politike, strukturën dhe njerëzit që do ta udhëhiqnin. Komiteti qendror i partisë jugosllave i kishte vetë të pakët kuadrot prej goditjeve të mbretit, prandaj u propozoi këtë zgjidhje shqiptarëve: Të lironin nga kampi i përqendrimit të Durrësit Miladin Popoviç dhe Dushan Mugoshën, që ishin të dy anëtarë të komitetit, që ishin kapur dy muaj më parë nga italianët dhe ishin internuar në Shqipëri dhe sipas propozimit shqiptar të qëndronin në Shqipëri jo vetëm për formimin e Partisë unike Komuniste, por dhe në mënyrë që me eksperiencën e tyre të formonin një grup të shëndoshë komunist që ta udhëhiqte partinë. Me mjete ende të panjohura, komunistët shqiptarë arritën të organizojnë arratisjen e Miladin Popoviç e Dushan Mugoshit nga kampi italian i Durrësit, dhe prej atëherë mori pseudonimi ‘Aliu’ i pari e “Sala” i dyti. Nga kjo fazë e tutje të gjitha meritat e organizimit dhe trajtimin e çdo problemi në udhëheqjen komuniste shqiptare, u takon këtyre dy delegatëve jugosllavë dhe rrjedhimisht udhëheqjes komuniste jugosllave, Titos e shokëve të tij. Nga pala shqiptare eksponentët më në zë ishin shefat e grupeve komuniste, si Anastas Lulo për grupin e rinisë me pseudonimin ‘Qorri’, Zef Mala i njohur si “Mali” për grupin e Shkodrës, Koço Tashko me pseudonimin ‘Rusi’ për grupin e Korçës. Për të qenë i saktë duhet të përcaktoj se roli i këtyre personave thuajse mbaroi me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare, pasi delegatët jugosllavë (domethënë Sala dhe Aliu) që në fillim i lanë ata në periferi të çështjeve, që të mos zinin poste në udhëheqje, duke i vënë të kalonin “një periudhë prove”. Ai që do ta kapërcente me sukses këtë provë duke dhënë shembuj konkretë se “ishin shëruar nga frymë e tarafeve të vjetra”. Periudha që pasoi tregoi se asnjë nga këta nuk arriti të vihen në udhëheqje pasi sipas delegatëve ishin ende të infektuar me frymën e vjetër, kështu që duke bërë vazhdimisht prapa ata u zhdukën nga horizonti. I pari, Anastas Lula u vra në mënyrë misterioze në mal, ku u dërgua në formë dënimi nga Komiteti Qendror. Koha e ekzekutimit ishte pranvera e 1942. Arsyet u argumentuan me sloganet “asnjë fraksion në kurriz të partisë”, “asnjë përçapje për thyerjen e unitetit të partisë”, ose me akuzat se Anastas Lula krijoi lidhje të fshehta me njerëz të grupit të tij me qëllim rrëzimin e Komitetit Qendror të drejtuar nga jugosllavët. Ata argumentonin se “ky fraksion Lulist brenda partisë, u demaskua”. Disa nga personat përgjegjës si Nasi Mariani, Ajet Rusi etj. u përjashtuan përkohësisht nga partia me kushtin se do të ripranoheshin kur të jepnin shenja të sinqerta pendimi për fajin e tyre. Dhe në fakt, brenda një viti thuajse të tërë u ripranuan. Anastas Lulo u konsiderua shumë i rrezikshëm dhe unë personalisht mendoj se vrasja e tij u vendos për këtë arsye. Komiteti druante më shumë se çdo gjë tjetër përsëritjen e një orvatjeje të ngjashme me atë të Lulos që mund të dëmtonte partinë e sapoformuar. I dyti, Zef Mala, thuajse për të njëjtën arsye ose ngaqë përkrahu në njëfarë mase Anastas Lulën, u përjashtua nga partia në vitin 1942 dhe prej atëherë nuk është pranuar më. Ai ishte tipi i intelektualit skolastik dhe unë personalisht nuk kam mundur të kuptoj sesi u bë shefi i një grupi. Koci Xoxe e kishte arrestuar, por me rrëzimin e tij Mala u lirua në 1949 dhe u emëruar drejtor i Bibliotekës shtetërore të Shkodrës. I treti, Koço Tashko ka qenë gjithmonë në parti, por jo në poste drejtuese. Edhe sot ai është një kuadër i mesëm, jo më tepër për meritat e tij në punë, por për të kaluarën e tij si veteran komunist që nuk i ka sjellë ngatërresa partisë. Mendoj se nuk do të jetë larg dita kur të dalë në pension, jo sepse është i kaluar nga mosha por nuk ka ç’ti japë partisë as në pushtet, as në ekonomi e as gjetiu. Eksponentë të tjerë nga pala shqiptare ishin Ymer Dishnica, me pseudonimin “Doktori” që kishte studiuar për mjekësi në Paris, i ardhur në Shqipëri në 1939 si anëtar i Partisë Komuniste franceze dhe më parë anëtar i grupit komunist të Korçës. Kristo Themelko me pseudonimin “Shulja”, punëtor, anëtar i grupit të Shkodrës. Qemal Stafa me pseudonimin “I riu” student në Itali, i dënuar nga Zogu me vdekje, e kthyer më pas në burgim të përjetshëm për mëshirë, i liruar pas ardhjes së italianëve në Shqipëri. Koci Xoxe me pseudonimin “Trashi”, punëtor nga grupi komunist i Korçës. Nga viti 1944 deri në 1948 me ndihmën e Beogradit u bë diktatori i vërtetë i partisë. U pushkatua si titist në 1949. Pilo Peristeri me pseudonimin “Zykua”, punëtor nga grupi komunist i Korçës, sot kandidat i byrosë politike dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH. Ramdan Çitaku, student në Jugosllavi me pseudonimin “Baca”, anëtar i Komitetit Qendror deri në prishjen e lidhjeve Beograd-Tiranë, aktualisht drejtor i arkave të kursimit. Liri Gega, me pseudonimi “Muzhiku”, mësuese, nuk e di nga cili grup komunist. Anëtare e byrosë politike deri në tetor 1944, përjashtuar nga Komiteti Qendror dhe nga partia për arsye të “gabimeve të rënda që bëri në veri si përfaqësuese e plotfuqishme e komitetit në Divizionin I, për të meta “borgjeze, karrierizmi, ambicieje” etj. Rreth këtyre eksponentëve kryesorë të asaj kohë silleshin zyrtarë dytësorë që më pas morën poste me shumë rëndësi. Disa i ruajtën postet ndërsa të tjerë i humbën, siç ishin Nako Spiru, Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Tuk Jakova, Pandi Kristo, Mehmet Shehu. Një tjetër eksponent kryesor që harrova mes të rëndësishmëve ishte Vasil Shanto, i cili u vra buzë liqenit të Shkodrës në 1942 sepse kundërshtoi t’u dorëzohet karabinierëve italianë që e ndiqnin. Me ndonjë përjashtim të vogël që mund të kem harruar, personat e mësipërm sëbashku me Enver Hoxhën, përbënin Komitetin Qendror të parë të Partisë së sapoformuar Komuniste. Ky komitet u quajt provizor dhe u zgjodh në Tiranë në një shtëpi në lagjen Braka, që sot është kthyer në muze. Të gjithë anëtarët ishin të barabartë. Sekretar i përkohshëm politik ishte Ymer Dishnica, sekretar i përkohshëm organizativ ishte Vasil Shanto. Funksionarët e përhershëm të partisë do të zgjidheshin në konferencën e saj që u mbajt në 1943 në Labinot të Elbasanit. Aty të gjithë njerëzit e komitetit provizor u zgjodhën në poste definitive dhe u zëvendësuan vetëm të vrarët (Vasil Shanto e Qemal Stafa). Meqenëse aktiviteti i partisë ishte zgjeruar, në komitet u shtuan njerëz të rinj, eksponentë të dorës së dytë ose të tjerë që ishin dalluar gjatë kësaj periudhe, siç ishte Gjin Marku. Një person i ri që mori post me rëndësi ishte Sejfulla Malëshova, i sapoardhur ilegalisht nga Franca (më parë funksionar i Komitetit të Moskës). Duhet të theksoj se krejt udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare shitej dhe seleksionohej nga delegati jugosllav Miladin Popoviç, që ishte i plotfuqishëm. Siç e theksova në fillim, ai eliminoi të gjithë shefat e vjetër të grupeve me argumentimin se ishin të infektuar me frymën e vjetër të “udhëheqësve të kafeneve”. Ai refuzoi shefat e vjetruar nga baza e grupeve dhe zgjodhi kuadro të mesëm, as shumë të vjetër as shumë të rinj. Opinioni im është se Miladin Popoviç ishte një organizator me talent dhe largpamës politikisht, i aftë për të manovruar në situata të vështira me elasticitet. Për t’u sqaruar më mirë rreth kësaj pike po shtoj një ankesë në përgjigjen e pyetjes së parë mbi grupet e hershme komuniste në Shqipëri. Grupet e para komuniste në Shqipëri ishin Grupi i Korçës, Grupi i të Rinjve, Grupi komunist i Shkodrës, Grupi i Zjarrit dhe Grupi i Nike Xexit. Grupi i Korçës ishte organizuar rreth vitit 1930 nga Ali Kelmendi, i arratisur nga Shqipëria në moshë të re me ardhjen e Zogut. Ai qëndroi në Shqipëri 2-3 vite dhe u arratis përsëri si anti-zogist dhe vdiq në Marsejë të Francës në 1937. Në varrimin e tij kishte kurorë nga Kominterni rus e Partia Komuniste e Francës, çka tregon se ishte njëfarë figure politike. Vendin e tij e zuri Koço Tashko, që me sa kam dëgjuar nuk i kishte meritat e Kelmendit. Grupi i Korçës përbëhej nga punëtorë dhe organizoi i pari grupet sindikale si bashkimin punëtor të marangozëve, bashkimin e rrobaqepësve etj. Megjithëse quhej Grupi i Korçës, aktiviteti i tij shtrihej edhe në Tiranë, Gjirokastër dhe ndonjë qytet tjetër. Kjo bëri që Korça të pësonte goditje nga policia e Zogut, e cila arrestoi dhe internoi shumë pjestarë të grupit, pasi u tradhtuan nga një aleat i tyre, konkretisht Nike Xexi. Grupi i këtij të fundit kishte celula me nga tre anëtarë dhe një përgjegjës, domethënë katër gjithsej. Çdo anëtar punonte ilegalisht me simpatizantë të grupit nga ku më pas rekrutoheshin anëtarë. Puna e tyre ishte aq konspirative saqë simpatizantëve u lihej të besonin se ishin anëtarë. Intelektualët ishin shumë të paktë dhe studentë nuk kishte fare. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit