Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh rrëfimet e agjentëve, ja si më 1953 u futën në territorin shqiptar përmes detit, përballja me banorët në aksin Kavajë-Peqin

Postuar: 21/07/2018 - 07:08

CIA ka zbardhur detaje se si agjentë të shërbimeve të saj dhe të Britanisë së Madhe tentuan të infiltrohen në territorin shqiptar. Në një dokument të deklasifikuar, tregohet dëshmia e një shqiptari që ishte rekrutuar nga britanikët. Ai ka rrëfyer se si përmes detit ata u futën në territorin shqiptar.

2 mars 1953

Raport i grupit shqiptar të infiltruar nga britanikët

Anëtari i grupit, Sherbet Lecini, i cili erdhi kohët e fundit në Londër pas kalimit në Jugosllavi e Greqi, ka dhënë raportin e mëposhtëm:

UXBRIDGE, 16 shkurt 1953

U nisëm nga qendra në 8 korrik 1951 dhe pas 48 orësh lundrim arritën në ujërat shqiptare. Mesnatën e 11 korrikut 1951 zbarkuam në një vendndodhje të quajtur “Gjiri i Lalës” në Ishëm. Për fat të keq aty pamë zjarr. Njerëzit tanë dhe shoqëruesit kishin dyshime kështu që u kthyen përsëri në barkë dhe u larguam nga ujërat shqiptare. Pastaj barka ndaloi dhe fjetëm. Qëndruam në barkë dhe britanikët bënin foto të vendit ku duhet të zbarkonim. Dielli kishte nisur të ngrihej. Kur pashë me dylbi dallova një barkë që vinte drejt perëndimit dhe lajmërova kapitenin, i cili i nis menjëherë me shpejtësi nga veriu. Barka që na u vu në ndjekje dukej më e madhe e më e shpejtë prandaj ne dolën në ujëra ndërkombëtare dhe ajo hoqi dorë. Më tej barka jonë ndaloi, kapiteni dhe majori ranë dakord se duhet të ritentonim dhe u nisëm përsëri, kësaj here pak më pranë Durrësit. Kur pyeta shokët për vendin e ri ata nuk ishin të bindur, por majori tha se të dyja pikat e zbarkimit ishin caktuar para nisjes. Pika e dytë ishte pranë Shkumbinit, 5 km në veri, në grykëderdhjen e lumit në det. Ne arritëm në ora 24.00 më 12 korrik 1951. Ditën e parë qëndruam në vendin e zbarkimit, ndërsa ditën e dytë natën nisëm të ecnim përgjatë lumit. Ditën qëndronim në afërsi të fshatit Vilë ndërsa ditën tjetër arritëm në fshatin Shpjak. Më tej u nisën me synim të kalonim rrugën Kavajë-Peqin, por nuk ia dolëm prej kënetave dhe lëvizjes së madhe pasi ishte ditë pazari. Kështu që e shtymë për ditën tjetër. Duke qëndruar të fshehur në rajonin e Kavajës pamë një bari që po priste bar, por shokët e mi Dali Vikla e Mider Xhemali mendonim se ishim të rrethuar dhe lanë gjithçka dhe u nisën me vrap drejt perëndimit. Arritëm në një shteg të vogël ku kishte një burim uji dhe disa gra që lanin rroba. Vendi quhej Zambish. Vazhduam të ecnim dhe arritëm një kodër pas Zambishit, në Mushnik. Unë gjithmonë mendoja për t’u kthyer për të marrë materialet pasi nuk shikoja asnjë rrezik, kështu që i thashë Tahir Tolës dhe Bajram Zunës se ishte më mirë të ndalonim këtu. Unë më pas u nisa vetëm pasi nuk doja atë kishte përgjegjësi nëse atyre u ndodhte gjë kur ishin me mua. Natën trokitëm në një shtëpi që kishim caktuar për të kërkuar për të ngrënë. Njerëzit që ishin aty na thanë se kishin ndaluar më parë disa ushtarë dhe më pas kishin ikur, dhe na thanë se nuk kishin ç’të na jepnin sepse gjithçka e kishin ngrënë ushtarët.

Ndarja

Ne ndoqëm gjurmët e tyre por më pas vendosën t’i përmbaheshim planit tonë për të rikuperuar materialet. Tahir Tola dhe Barjam Zuma i nisën në drejtim të Dibrës. Lamë një pikë-takimi rreth Matit, për rrugën e kthimit në Greqi. Unë u nisa në drejtim të Mushniku dhe ditën tjetër takova djalin e shokut tim. I thashë që kisha dy ditë pa ngrënë dhe ai shkoi në shtëpi dhe më solli ushqim. Më tha gjithashtu se babai i tij do të më takonte ditën tjetër. Kjo ndodhi në 17 korrik 1951. Kur u takova me babain e djalit, ai më tregoi për gjendjen e rëndë të ushqimit, veshjes, torturat dhe detyrimet bujqësore. Unë i thashë të bëjë durim se shqiptarët jashtë vendit e dinë situatën dhe po përpiqen për çlirimin e atdheut. I thashë që Komiteti Shqipëria e lirë mbështetet nga fuqitë e mëdha. Ai u kënaq me këtë dhe më pyeti se kur do të vinte çlirimi se ishin të lodhur. Unë e inkurajova duke i thënë se herët e vonë do të vijë, pastaj i tregova për zbarkimin tonë e për atë që u kishte ndodhur shokëve. Ai tha se nuk ksihte dëgjuar gjë për ndodhitë. Më tej vazhdova drejt vendit ku kishin lënë materialet tona, ku gjeta një çantë me cigare dhe pak bukë. Gjeta dhe pjesën tjetër të materialeve e i futa të gjitha në një çantë. Më pas bëra për nga shtëpia e mikut tim dhe i fsheha çantën diku në pyll. Duke biseduar me mikun tim mësova se pas 20 korrikut kalimi ynë ishte pikasur në fshatin Zambisht, por jo nga gratë që kishim parë lanin rrobat në burim por nga djali komunist i Gërmenjve. Familjet e grave që lanin rrobat ishin pyetur nga Sigurimi por nuk u zbulua gjë pasi ne u prezantuam si ushtarë. Deri në 2 shtator kam qëndruar në fshatin Mushnik të Kavajës. Mësova se më 12 gusht në fshatin Kryezi u festua krijimi i brigadës Kajo Karafili. Për festën fshatarët ishin të detyruar të sillnin mish, vezë, djathtë, bukë etj. për autoritetet. Në fund të gushtit mësova për ekzekutimin e Hamdi Sefës nga Lushnja, e të disa të tjerëve. Në 1 shtator në shtëpinë e Mustafa Kërçuku autoritetet ishin informuar se kishte flori të fshehur dhe punëtorët ia shembën shtëpinë. Mësova se Ram Habili, luftëtar i rezistencës që prej 1944 ishte vrarë dy javë para se të zbarkonim, pasi ishte tradhtuar nga miku që e fshihte. Më 2 shtator u nisa i shoqëruar nga miku im deri në njëfarë pike, për t’u kthyer në Greqi. Nuk e dija mirë rrugën kështu që mendova t’i bija nga Jugosllavia dhe pa u dorëzuar atje të kaloja në Greqi. Pas njëzetepesë ditë ecje arrita në kufi, teksa kisha kaluar në Peqin, Qafë Kërrabë, Labinot, Mirakë e Librazhd. Nuk kisha bukë dhe në fshatin Lovesh hasa një grua të vjetër të cilës i kërkova ushqim. Ajo më solli bukë dhe më tregoi rrugën për në Qorisht të Librazhdit, pranë kufirit. Atje takova një burrë që më dha ushqim dhe më tregoi rrugën dhe më tha se të gjithë njerëzit, nëse nuk shihen nga të tjerët, janë të gatshëm të të ndihmojnë.

Ndalesa në Strugë

Vazhdova në drejtim të Strugës dhe disa njerëz më njohën që isha shqiptar, prandaj u detyrova të shkoja në policinë e Strugës. Aty më çarmatosën dhe më dërguan te organet e sigurisë ku më morën në pyetje. Atje më detyruan me të gjitha mënyrat të thoja kush më ka dërguar por unë nuk dhashë informacion. Më pas më dërguan në Ohër ku më morën përsëri në pyetje. Më propozuan të punoj për ta por unë kërkova të shkoj në Greqi. Kur kalova nga Ohri në Dibër, një major shqiptar nga Manastiri erdhi e më pyeti në se isha mik i Sabri Dautit e të tjerëve. I thashë po, dhe ai u përgjigj se tani e dinte se cili isha. Pasi qëndrova njëzet ditë në Dibër, Qazim Lusha bashkë me Nik Sokolin erdhën të më takonin dhe të më propozonin të qëndroja në Jugosllavi e punoja me ta, por unë insistova të shkoj në Greqi. Në Dibër u takova gjithashtu me Gjon Mhilli i cili ka qëndruar për shtatë vjet në malet e Shqipërisë dhe ishte arratisur dy vjet para meje në Jugosllavi. U nisa për Tetovë ku më pas takova Sabri Dautin dhe Mydi Xhemalin. Autoritetet atje më çuan në një shtëpi ku kishte tre shqiptarë të tjerë. Pas disa ditësh më dërguan për punë në një fabrikë ku qëndrova deri në 17 gusht 1952. Gjatë qëndrimit tim shpeshherë më vizitonin Qazim Llusha dhe Ugri Shefani, të cilët më mbanin leksione duke thënë se Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në Jugosllavi nuk kishte dallim mes partive por vetëm qëllimin e përbashkët të çlirimi të Shqipërisë nga diktatura e Enver Hoxhës. Ata ngrinin lart mikun e shqiptarëve Titon, i cili gjatë luftës dhe pas saj na kishte ndihmuar dhe na premtonte të gjitha mjetet për arritjen e Shqipërisë së pavarur. Por pa i vënë mendjen atyre që ndodhnin në Jugosllavi shkova në Greqi, ku fillimisht më dërguan në Athinë, pastaj në Biros e më pas në Londër.

Detajet

Grupi Fig kaloi kufirin në pikën N2513 natën e 7-8 shtatorit. Grupi nisi lëvizjen më 9 shtator, teksa të fshehur në një fushë misri u pikasën nga një dy burra të cilët u dorëzuan pa të shtëna armësh. Dy personat ishin Nise Koço Polena pronar i arës dhe Vasil Koço polena, roja i fshatit, grupi zhveshi Nisen dhe rrobat e tij i veshi agjenti Airborne, i cili shoqëroi Vasilin në detyrat e zakonshme të fushës. Pjesa tjetër e grupit pushoi. Rezultoi se dy personat ishin shumë bashkëpunues. Ata informuan grupin se javën e parë të gushtit ishte zhvilluar një betejë me armë mes forcave komuniste dhe reaksionarëve, por nuk dini mbi përfundimin e betejës apo të pjesmarrësve. Më 11 shtator grupi lëvizi drejt Malit të Gorrës, ku kaloi, por nuk vuri re asgjë të veçantë. Ata qëndruan aty deri në ku u shlodhën dhe bënë planet për kontaktimin e miqve të tyre. Më 14 shtator agjentët e koduar Airëise dhe Airbred u ndanë nga grupi dhe shkuan në takimin me Rapush Agollin, i cili u dha ushqim dhe informacion të raportuar në radio në mesazhin e 3-të. Më 15 shtator dy agjentët u ribashkuan me grupin. Një ditë më vonë grupi kontaktoi me Elmas Ramanin, i cili i dha grupit ushqim dhe informacionin e raportit mbi “burgjet”. Më 18 shtator grupi la agjentin Airbrake në shtëpinë e Bektash Demir Zhbogi, pasi ishte sëmurë dhe nuk mund të qëndronte me grupin. Më 21 shtator grupi kontaktoi me Elmas Sokalarin dhe i kërkoi që të shkonte në Korçë për të mbledhur informacion e të merrte leje për shkuar në Tiranë. Ai e bëri këtë dhe autoritetet i thanë se për të qëndruar një kohë të shkurtër nuk kishte nevojë për leje, or vetëm nëse do të vendosej aty për të punuar. Më 22 shtator Fig kontaktoi me Dilaver Ali Zvarishti, i cili furnizoi grupin me ushqim dhe informacion. Zvarishti informoi se popullata në përgjithësi ishte shumë e demoralizuar. Burimi tha se nga maji deri në gusht të gjithë ishin bërë gati për veprim, për arsye se nuk ndodhi asgjë, njerëzit janë bërë hezitues. Për periudhën nga 22 shtatori deti në 11 tetor grupi ka shkatërruar shënimet prandaj nuk do të mbulohet me aktivitete e çdo dite. Grupi veproi në përgjithësi në zonën e Tresovës dhe rinovuan disa kontakte të vjetra nga operacioni i vitit 1952.

Gracka

Ngjarja e grackës dhe tradhtimit të grupit nga Adem Zeneli nisi më 28 shtator, ditën kur gruaja e agjentit Airborne tha se Zeneli i kishte kërkuar të takohej me drejtuesin e grupit. Agjenti pranoi të takohej me Zenelin dhe e gjeti atë në pikën e paracaktuar. Pasi shkëmbyen përshëndetjet, Zeneli e pyeti nëse gruaja e agjentit Airslack do të shoqëronte grupin drejt Greqisë, por ai i tha se nuk mund të mbante përgjegjësinë nëse asaj i ndodhte gjë. Airuise tha se mund të merrte me vete Zenelin nëse vinte leja përkatëse nga qendra (grupi ishte instruktuar të qartësonte të gjithë emrat me bazën në rast të përfshirjes së personave të tjerë). Pastaj Zeneli pyeti nëse kishin në plan të riktheheshin përsëri këtë sezon, ndërsa Airëise u përgjigj se çështje të tilla vendoseshin nga qendra prandaj nuk mund t’i përgjigjej pyetjes. Zeneli ofroi të mblidhte informacion për grupin ose të ngarkohej për detyra të tjera. Para se të largohej ai tha kishte qenë në kontakt me njëfarë Mihal Furgeu nga Korça, ish-prokuror në qeverinë e Zogut dhe gjatë pushtimit italian. Peneli kërkoi që grupi i agjentëve të ndihmonin Furgeu të arratisej nga Shqipëria. Agjenti Airuise tha se duhet të konsultohej me qendrën dhe se do t’i përgjigjej më vonë, ndërsa i tha Zenelit të rikthehej me ushqim në Moçan në Gore në 11 tetor. Siç është përmendur më parë grupi Fis ka kryer disa kontakte në zonën e Tresovës nga 28 shtatori deri në 11 tetor, përiudhë gjatë së cilës grupi u paralajmërua nga Rapush Agolli për të evituar kontaktet me Zenelin, pasi besonte se kishte lidhje komuniste. Airuise ndryshoi planin e takimit me Zenelin në 11 tetor ddhe dërgoi në takim vetëm Airbred, por Zeneli nuk u paraqit. Më 13 tetor grupi u informua nga gruaja e Airborne se Zeneli kishte kontaktuar dhe dëshironte të takohej atë ditë. Airëise i dërgoi fjalë Zenelit të vinte vetëm pas muzgut në një pikë të caktuar në malin e Tresovës. Gjatë pritjes grupi FIG mori të gjitha masat të mos binte në grackë. Peneli u paraqit sipas planit dhe Airbred e shoqëroi atë drejt vendit ku fshihej grupi. Peneli shpjegoi se nuk kishte arritur të vinte në takimin e mëparshëm pasi kishte pasur vizitorë të papritur në shtëpi. Ai i dha grupit disa informacione dhe tha se do të rikthehej në 15 tetor. Peneli informoi se kishte parë rreth 15 ushtarë që lëviznin në zonë, por tha se nuk duhet të shqetësoheshin pasi e shihte që grupi kishte një pozicion të mirë. Grupi i dha Zenelit 4 monedha ari dhe i kërkoi të kthehej me ushqim dhe lekë shqiptare. Peneli kërkoi më shumë para në mënyrë që të blinte gjithçka grupi po kërkonte, për të cilat duhet të shkonte në Korçë.

Takimi

Mëngjesin e 14 tetorit Zeneli u kthye te pozicioni dhe u takua me agjentin Airbrake, të cilit i tha se do të nisej për në Korcë me makinë prandaj kishte ardhur të shpjegonte se nuk kishte sjellë ushqimet. Zeneli e siguroi Airbrake se grupi ishte i sigurt në pozicionin e tyre dhe kërkoi të dinte se ku mund të kontaktonte me grupin në rast se hasnin në probleme. Agjentët i thanë se do t’i dërgonin fjalë se ku të takoheshin. Pasi tha se do të kthehej pas 3-4 ditësh Zeneli u nis. Rreth orës 1200 e 1400 grupi vërejti 3 kamionë të hapur me ushtarë, civilë e policë. Kamionët dukej se vinin nga Korça e shkonin drejt Zvarrisht. Grupi llogariti se kishte rreth 100 njerëz në të tre automjetet (shifra mund të jetë pak e ekzagjeruar). Mes orës 1400 e 1600 grupi verejti dy kamionë të tjerë dhe një gaz që lëviznin në të njëjtën rrugë, ndërsa në 1630 ata dalluan dy ushtarë të armatosur që po ecnin në këtë rrugë. Në ora 1700 ata panë rreth 90 njerëz që po ecnin në drejtim të Tresovës, të veshur me uniforma të errëta të ngjashme me ato të policisë. Kjo forcë vinte nga të dyja anët e burimit të vogël dhe ishte e shpërndarë në grupe të vogla njerëzish që mbulonin një hapësirë prej rreth 1 km të gjerë. Agjenti Airuise që e njihte më mirë zonën, vendosi që grupi të vendosej në një pikë më të lartë në mal. Rreth orës 1930 nisën të shtënat e armëve nga pozicioni që grupi Fig kishte dashur të zinte, dhe ishte e qartë se ata ishin rrethuar nga 3 anë. Agjentët Airbrake dhe Airborne u instruktuar të avanconin drejt zjarrit të pushkëve nga e djathta dhe të riktheheshin në qendër, për të përcaktuar nëse edhe rruga përpara ishte e mbuluar nga forcat armike. Airborne u godit nga mitralozi duke tentuar të siguronte një pozicion të ri. Tre anëtarët e tjerë të grupit e bënë të heshte mitralozin dhe qëlluan me të gjithë forcën. Airbrake kërceu nga pozicioni i tij dhe lëshoi një granatë dore në pozicionin armik në të djathtë, duke e eliminuar. Airuise deklaron se në atë moment grupi kaloi në kundërsulm dhe nisi të qëllonte dhe të avanconte dejt pozicionit të goditur nga Airbrake. Agjenti Airbred ishte i pari që doli nga pozicioni dhe pasi u nda nga grupi nuk u takua më me ta deri të gjithë u bashkuan në Greqi më 21 tetor.

Arratisja

Pas ndarjes nga grupi Airbred eci nëpër male në kërkim të shokëve, por pasi nuk pati sukses mori drejtimin e kufirit, duke besuar se edhe kolegët do të bënin të njëjtën rrugë daljeje nga Shqipëria. Gjatë rrugës së daljes ai nuk pati probleme dhe kaloi kufirin në 19 tetor. Katër anëtarët e tjerë të grupit vazhduan të lëviznin jashtë zonës së rrethuar pa u ndjekur nga forcat komuniste. Grupi lëvizi gjatë gjithë natës dhe arriti në pikën K 2399 ku kontaktoi me miq në 16 tetor. Ata pyetën nëse kishte informacione mbi betejën e zhvilluar dhe nëse ishin vrarë ose kapur “reaksionarë”. Kontaktet e tyre thanë se të gjithë agjentët i kishin shpëtuar grackës. Ata kërkuan gjithashtu gjurmë për Airbred te të njohurit e tyre por pas dy ditësh nisën rrugën e kthimit drejt kufirit të Greqisë. Pranë kufirit më 20 tetor grupi hasi një bari, i cili nuk i vuri re agjentët. Grupi qëndroi i fshehur gjatë ditës dhe avancoi në errësirë por për të arritur një pozicion të mbrojtur mirë ata duhet të kalonin në një pjesë të hapur toke. Ata vendosën të kalonin të gjithë njëherësh, por sapo njeriu i tretë nisi të vraponte, nisën të shtënat e armëve. Kjo bëri që Airëise të ndahej nga grupi nga njëra anë e zonës së hapur, ndërsa Airborne, Airbred dhe Rndolar të mbeteshin në tjetrën. Treshja u përpoq të mbulonte me zjarr krahun e Airëise por nuk arritën të bashkoheshin me të në anën tjetër. Airëise i sinjalizoi treshes të avanconin pa të, teksa ai do të strehohej më thellë në zonën e rrethuar.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pjesë e saj. Në një dokument të deklasifikuar tregohet se mund të kishte një bashkim Shqipëri-Jugosllavi.

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.

Postuar: 13/09/2018 - 07:06

 CIA tregon me detaje se si qeveria komuniste nisi të përçahej në fillimet e saj.